Seminari
Mësimi 65: Doktrina e Besëlidhje 59


Mësimi 65

Doktrina e Besëlidhje 59

Hyrje

Të dielën, më 7 gusht 1831, Profeti Jozef Smith mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 59, ndërsa ishte në kontenë Xhekson të Misurit. Në këtë zbulesë Zoti parashtroi pritshmëritë e Tij për shenjtorët, të cilët kishin arritur në Sion kohët e fundit, përfshirë mbajtjen në mënyrën e duhur të ditës së Shabatit. Zoti konfirmoi gjithashtu se ata që i zbatojnë urdhërimet e Tij, do të marrin bekime shpirtërore dhe materiale.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 59:1–4

Zoti përshkruan bekimet që Ai do t’i derdhë mbi shenjtorët besnikë në Sion

Përpara orës mësimore, shkruani në tabelë pyetjet vijuese:

Çfarë mendoni se do të thotë ta duash Zotin me gjithë tënde?

Cilat janë disa veprime ose sjellje që mund të shihni te njerëzit që e duan Zotin me gjithë përkundrejt atyre që nuk e duan?

Në fillim të orës mësimore, shkruani në tabelë emrin Poli Najti. Pyetini studentët se çfarë kujtojnë rreth saj nga mësimi për Doktrinën e Besëlidhjet 57. Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë që ta kujtojnë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin rreth Poli Najtit të dhënë në mësimin 62.

  • Çfarë admironi rreth Poli Najtit?

Tregojuni studentëve se Jozef Smithi e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 59 ditën që vdiq Poli. Ftojini ata që të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 59:1–2 dhe të gjejnë fraza që mund të kenë qenë kuptimplota për miqtë dhe njerëzit e saj të dashur. Ftojini studentët të tregojnë atë që zbulojnë.

  • Sipas vargut 1, për kë zbatohet kjo zbulesë përveç Poli Najtit? (Shenjtorët që i binden urdhërimeve të Perëndisë me syrin drejtuar te lavdia e Tij.) Si mendoni, çfarë do të thotë ta kesh syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 59:3–4 dhe vëreni klasën të kërkojë bekimet materiale dhe shpirtërore që u premtohen atyre që i binden Zotit me syrin drejtuar te lavdia e Tij. Kërkojuni të raportojnë atë që zbuluan.

  • vargun 4, çfarë bekimi premton Zoti që disa njerëz mund të mos e mendojnë si bekim? (“Urdhërime, e jo pak.”) Në çfarë mënyrash janë urdhërimet bekim për ne? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të doni të sugjeroni që ata të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 130:20–21.)

Shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Nëse i zbatojmë urdhërimet me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë, atëherë. …

Ftojini studentët që ta plotësojnë thënien duke përdorur atë që kanë mësuar nga vargjet 1–4. Një mënyrë se si studentët mund ta shprehin këtë parim është nëse i zbatojmë urdhërimet me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë, atëherë ne do të bekohemi si materialisht ashtu edhe shpirtërisht. Ftojini studentët të kërkojnë shembuj të tjerë të këtij parimi, ndërsa vazhdojnë të studiojnë këtë zbulesë.

Doktrina e Besëlidhje 59:5–8

Zoti u jep urdhërime shenjtorëve

Shpjegoni se Zoti e vazhdoi këtë zbulesë duke u dhënë shenjtorëve në Sion disa urdhërime. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 59:5 dhe kërkojini klasës të përcaktojë një urdhërim që Zoti u dha shenjtorëve.

Sipas këtij vargu, çfarë pret Zoti nga shenjtorët e Tij? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Ne duhet ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë.)

Ndajeni klasën në dyshe. Caktojini secilës dyshe një nga fjalët që përshkruan se si ne duhet ta duam Zotin (zemër, fuqi, mendje, forcë). Udhëzojini studentët të përdorin fjalët që iu caktuan atyre për të plotësuar pyetjet që shkruat në tabelë përpara orës mësimore. Ftojeni një student të secilës dyshe që t’i përgjigjet pyetjes së parë dhe studentin tjetër t’i përgjigjet pyetjes së dytë. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i diskutuar këto pyetje si dyshe, i ftoni disa prej tyre që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

Për t’i ndihmuar studentët të ndjejnë të vërtetën dhe rëndësinë e urdhërimit për ta dashur Zotin me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë, ftojini ata t’i përgjigjen njërës prej thënieve vijuese në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e klasës:

  • Përshkruani një rast kur ju keni ndier dashuri të madhe për Zotin.

  • Përshkruani një rast kur dashuria juaj për Zotin ndikoi në një vendim që ju morët.

Pas një kohe të mjaftueshme ftojini disa studentë të tregojnë përgjigjet e tyre. (Kujtojuni studentëve se ata nuk kanë nevojë të tregojnë përvoja që janë të shenjta apo të fshehta.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 59:6–8 dhe të përcaktojnë urdhërimet shtesë që Zoti u dha shenjtorëve në këtë kohë.

  • Si lidhen këto urdhërime me urdhërimin për ta dashur Zotin me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë?

  • Si e tregon dashuria jonë për të afërmin tonë dashurinë tonë për Zotin?

Doktrina e Besëlidhje 59:9–19

Zoti i mëson shenjtorët rreth ditës së Shabatit

Jepuni studentëve kopje të thënies vijuese nga Plaku Mark E. Pitersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ose shkruajeni në tabelë përpara se të fillojë ora mësimore. (Kjo thënie gjendet te “The Sabbath Day”, Ensign, maj 1975, f. 49.)

“Respektimi ose mosrespektimi ynë i është një masë e pagabueshme e qëndrimit tonë ndaj Zotit personalisht dhe ndaj vuajtjes së Tij në Gjetseman, vdekjes së Tij në kryq dhe ringjalljes së Tij nga të vdekurit” (Plaku Mark E. Pitersen).

Ftojini studentët që të gjejnë fjalën që mungon në këtë thënie (“Shabatit”). Pasi të kenë thënë idetë e tyre, shpjegoni se në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 59 Zoti ripohoi një urdhërim që mund t’i ndihmonte shenjtorët ta vendosin Perëndinë të parin në jetën e tyre dhe ta thellonin marrëdhënien e tyre me Të. Ky është urdhërimi të cilit iu referua Plaku Pitersen. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 59:9–10 dhe u kërkoni studentëve të përcaktojnë urdhërimin që Zoti u dha shenjtorëve.

  • Çfarë urdhërimi dha Zoti në këto vargje? (Të mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit.)

Ftojini studentët që ta plotësojnë thënien e Plakut Pitersen me fjalën Shabatit.

  • Sipas Plakut Pitersen, si lidhet respektimi i ditës së Shabatit me dashurinë tonë për Zotin dhe Shlyerjen e Tij?

Vini në dukje se në vargun 9, Zoti premtoi një bekim të madh për ata që e nderojnë ditën e Tij të shenjtë. Shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Nëse e mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit, kjo do të na ndihmojë …

Kërkojuni studentëve të rishikojnë vargun 9 dhe të përcaktojnë premtimin që dha Zoti me këtë urdhërim.

  • Sipas vargut 9, si do të bekohemi duke e mbajtur të shenjtë Shabatin? Çfarë mendoni se do të thotë ta ruajmë veten “të panjollë nga bota”?

Ftojini studentët të plotësojnë thënien në tabelë duke përdorur fjalët e tyre. Sa vijon është një mënyrë se si studentët mund ta shprehin këtë parim: Nëse e mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit, kjo do të na ndihmojë t’i bëjmë ballë tundimit dhe të mposhtim mëkatin. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta.

Shpjegoni se vargjet 9–14 na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë do të thotë ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit. Caktojini çdo studenti një prej vargjeve vijuese: Doktrina e Besëlidhje 59: 9, 10, 12 dhe 13. Ftojini studentët të studiojnë në heshtje vargjet që iu caktuan atyre, duke kërkuar ide për mënyrën se si mund ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit. Informojini studentët se ata do të kenë mundësinë t’i tregojnë klasës atë që zbulojnë. Përpara se studentët të fillojnë të lexojnë vargjet që iu caktuan atyre, mund të jetë e dobishme që të shpjegoni se fraza “t’i drejtosh lutje” në vargun 10 do të thotë të adhurojmë ose të shfaqim dashurinë dhe besnikërinë tonë. Përveç kësaj, ju mund të doni të vini në dukje poshtëshënimin për fjalën blatimevargun 12.

Pas një kohe të mjaftueshme kërkojini një studenti që studioi vargun 9, ta lexojë atë me zë të lartë. Ftojini studentët që e studiuan këtë varg të japin idetë që zbuluan për mënyrën se si mund ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit. Caktojeni një student që të jetë shkrues dhe t’i renditë këto ide nën parimin që është në tabelë. (Për shembull, në vargun 9 studentët mund të përcaktojnë vajtjen në kishë, lutjen dhe marrjen e sakramentit si pjesë të rëndësishme të mbajtjes së shenjtë të ditës së Shabatit.) Ftojini studentët ta përsëritin këtë proces me secilin prej vargjeve që mbeten.

  • Si ju kanë ndihmuar përpjekjet tuaja që ta mbani të shenjtë ditën e Shabatit, për t’i bërë ballë tundimit dhe për t’u forcuar shpirtërisht?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 59:15 duke kërkuar frazat që përshkruajnë qëndrimin që duhet të kemi në lidhje me ditën e Shabatit. Kërkojuni studentëve të thonë frazat që i përcaktuan dhe të shpjegojnë përse mbajtja e ditës së Shabatit në këtë mënyrë, mund të na ndihmojë ta mbajmë atë të shenjtë.

Përmblidheni shkurtimisht Doktrinën e Besëlidhjet 59:16–19 duke shpjeguar se Zoti u premtoi bekime materiale dhe shpirtërore atyre që e nderojnë ditën e Tij të shenjtë. Tregoni se si mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë e ka ndikuar marrëdhënien tuaj me Zotin. Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta diçka që do ta bëjnë për t’i ndihmuar ata që ta mbajnë të shenjtë ditën e Shabatit.

Doktrina e Besëlidhje 59:20–24

Zoti shpall bekime tokësore dhe të përjetshme për besnikët

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur janë prindër që u japin dhurata fëmijëve të tyre. Disa nga fëmijët e tyre shprehin gjithmonë falënderime të sinqerta sa herë që u jepet një dhuratë.

  • Si ju bën kjo të ndiheni si prind? A do ta ndikonte vendimin tuaj për të dhënë më tepër dhurata? Përse?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 59:20–21. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar mënyrën se si ndihet Perëndia kur na bekon dhe se si duhet t’i përgjigjemi Atij kur i marrim bekimet.

  • Si ndihet Perëndia kur na bekon? (Kjo e kënaq Atë.) Sipas vargut 21, si mund ta fyejmë Perëndinë? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Ne e fyejmë Perëndinë kur nuk e shprehim mirënjohjen tonë ndaj Tij dhe nuk i zbatojmë urdhërimet e Tij.)

Ndihmojini studentët të kuptojnë se fyerja dhe zemërimi i Perëndisë të përshkruara në vargun 21 janë provë e dashurisë së Tij për ne. Ai është i pakënaqur kur ne jemi mosmirënjohës ose të pabindur, sepse këto qëndrime na largojnë prej Tij.

  • Si mendoni, përse dëmtohet marrëdhënia jonë me Perëndinë kur ne nuk e falënderojmë Atë për bekimet që marrim prej Tij?

  • Si lidhet kjo e vërtetë me parimin e përcaktuar më parë rreth mbajtjes së ditës së Shabatit të shenjtë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 59:23–24. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar bekimet që u premton Zoti atyre që i zbatojnë urdhërimet e Tij.

  • Në çfarë mënyrash të jetuarit sipas të vërtetave që kemi përcaktuar në këtë zbulesë, ka sjellë paqe në jetën tuaj?

Mbylleni duke i ftuar studentët të përsiatin mënyrat e shumta që Perëndia i ka bekuar ata për zbatimin e urdhërimeve të Tij dhe mënyrat me anë të të cilave ata mund t’ia shprehin Atij mirënjohjen e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 59:9. “Dit[a ime e] shenjtë”

Kjo zbulesë e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 59 ishte zbulesa e parë e shënuar në këtë periudhë, në të cilën Zoti dha udhëzime të veçanta për respektimin e ditës së Shabatit. Zoti e drejtoi zbulesën drejt shenjtorëve që do të ndërtonin qytetin e Sionit. Këta shenjtorë jetonin pranë banorëve të tjerë në kontenë Xhekson, shumë prej të cilëve ndiqnin prirjet e botës dhe nuk e mbanin të shenjtë ditën e Shabatit, duke zgjedhur në vend të saj që të ndiqnin forma të ndryshme argëtimi.

Doktrina e Besëlidhje 59:9. “Ta ruash veten më tepër të panjollë nga bota”

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se marrja e sakramentit mund të na ndihmojë të qëndrojmë të panjollë nga bota:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Ne jetojmë në kohë të vështira për të cilat profetizoi Apostulli Pal (shih 2 Timoteut 3:1). Ata që përpiqen të ecin në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar shohin kudo rrugë tërheqëse të tërthorta. Ne mund të jemi të hutuar, të poshtëruar, të ligështuar apo të zymtë. Si mund ta kemi Shpirtin e Zotit për të na udhëhequr në zgjedhjet tona dhe për të na mbajtur në shteg?

Në zbulesën moderne Zoti e dha përgjigjen në këtë urdhërim:

‘Dhe që të mund ta ruash veten më tepër të panjollë nga bota, duhet të shkosh në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofrosh sakramentet e tua në ditën time të shenjtë;

Sepse në të vërtetë kjo është një ditë e caktuar për ty që të prehesh nga punët e tua dhe t’i drejtosh lutje Më të Lartit’ (DeB 59:9–10).

Ky është një urdhërim me një premtim. Duke marrë pjesë çdo javë dhe siç duhet në ordinancën e sakramentit ne kualifikohemi për premtimin që ne do të ‘[kemi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]’ (DeB 20:77). Ai Shpirt është themeli i dëshmisë sonë. Ai dëshmon për Atin dhe Birin, sjell të gjitha gjërat në kujtesën tonë dhe na udhëheq tek e vërteta. Ai është busulla për të na udhëhequr në shtegun tonë. Kjo dhuratë e Frymës së Shenjtë, dha mësim Presidenti Uilford Udraf, ‘është dhurata më e madhe që mund të derdhet mbi njeriun’ (Deseret Weekly, 6 prill 1889, f. 451).

Si mund ta kemi Shpirtin e Zotit që të na udhëheqë në zgjedhjet tona, që ne të mund të mbetemi “të panjollë nga bota” (DeB 59:9) dhe në shtegun e sigurt gjatë vdekshmërisë? Ne duhet të kualifikohemi për fuqinë pastruese të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ne e bëjmë këtë duke zbatuar urdhërimin e Tij për të ardhur tek Ai me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, dhe në atë mbledhje të mrekullueshme e të përjavshme marrim emblemat e sakramentit dhe bëjmë besëlidhjet që na kualifikojnë për premtimin e çmuar që ne gjithmonë do ta kemi Shpirtin e Tij me ne (shih DeB 20:77)” (“Mbledhja e Sakramentit dhe Sakramenti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 17, 20).