Seminari
Mësimi 122: Doktrina e Besëlidhje 113–114


Mësimi 122

Doktrina e Besëlidhje 113–114

Hyrje

Pasi mbërriti në Far-Uest të Misurit, në mars të vitit 1838, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 113. Në zbulesën, Zoti iu përgjigj pyetjeve rreth fragmenteve nga libri i Isaias. Më 11 prill 1838, Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 114, në të cilën Zoti e udhëzoi Dejvid W. Patenin, një anëtar të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, që të përgatitej për të shërbyer në një mision.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 113

Zoti u përgjigjet pyetjeve rreth fragmenteve nga libri i Isaias

Fillojeni orën mësimore duke u drejtuar studentëve pyetjen vijuese:

  • A keni vështirësi nganjëherë që ta kuptoni atë që lexoni në shkrimet e shenjta?

Vini në dukje se disa profeci në shkrimet e shenjta përfshijnë simbole që janë të vështira për t’u kuptuar. Shpjegoni se në Far-Uest të Misurit, disa vëllezër i kërkuan Jozef Smithit që të sqaronte fragmente në kapitujt 11 dhe 52 në librin e Isaias. Përgjigjet e Zotit ndaj atyre pyetjeve janë shënuar te Doktrina e Besëlidhje 113. Ju mund të doni të shpjegoni se, kur Moroni fillimisht e vizitoi Jozef Smithin, ai citoi profecinë tek Isaia 11. Moroni i tha Jozefit se profecia ishte gati duke u përmbushur (shih Joseph Smith – Historia 1:40).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Isaian 11:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar katër objekte që përmenden në këtë varg.

  • Cilët objekte gjetët? (Studentët duhet të përmendin një degëz, një trung, një filiz dhe rrënjët. Vini në dukje se Doktrina e Besëlidhje 113 përmban shpjegimin e degëzës, trungut dhe rrënjëve.)

Pamja
trung

Shpjegoni se fjala trungu tek Isaia 11:1 përkthehet nga një fjalë hebraike që i referohet kërcurit apo cungut të një peme – qoftë të një peme që është prerë apo të një peme që është mbjellë. Kërkojini një studenti të vizatojë një trung në tabelë dhe të shkruajë Trungu pranë figurës. Më pas kërkojini studentit të shtojë rrënjë dhe t’i emërtojë ato Rrënjët.

  • Sipas Isaias 11:1, çfarë del nga trungu? (Një degëz – me fjalë të tjera, një rritje e re.)

Kërkojini studentit të vizatojë një rritje të re duke dalë nga trungu dhe ta emërtojë Degëza.

Shpjegoni se këto objekte janë simbole. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 113:1–6, duke kërkuar kuptimet e simboleve.

Ftojeni një student të shkruajë në tabelë Jezu Krishti pranë fjalës Trungu.

Shpjegoni se Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një interpretim të rrënjëve dhe të degëzës – se ato që të dyja përfaqësonin Jozef Smithin. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese:

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“A e kemi gabim të themi se profeti që përmendet këtu është Jozef Smithi, tek i cili erdhi priftëria, i cili mori çelësat e mbretërisë dhe i cili ngriti emblemën për mbledhjen e popullit të Zotit në periudhën tonë të kujdestarisë ungjillore? Dhe a nuk është ai ‘shërbëtor[i] në duart e Krishtit, i cili është pjesërisht pasardhës i Isait, sikurse edhe i Efraimit ose i shtëpisë së Jozefit, mbi të cilin është vendosur shumë fuqi’? (DeB 113:4–6.) Ata, veshët e të cilëve janë në harmoni me pëshpëritjet e Të Pafundimit, do ta dinë kuptimin e këtyre gjërave” (The Millennial Messiah: The Second Coming of the Son of Man [1982], f. 339–340).

Ftojeni një student të shkruajë Jozef Smithi në tabelë pranë fjalëve Rrënjët dhe Degëza.

  • Cilat janë disa gjëra që Jozef Smithi i ka bërë “si shërbëtor në duart e Krishtit”? (DeB 113:4).

  • Te Doktrina e Besëlidhje 113:6, çfarë qëllimi jepet për çelësat e mbretërisë që iu dhanë Jozef Smithit? (Ndërsa studentët diskutojnë për këtë pyetje, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Jozef Smithi mori çelësat e mbretërisë për mbledhjen e Izraelit në ditët e fundit. Ju mund të doni gjithashtu t’i ftoni studentët ta lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 110:11.)

Shpjegoni se pasi Zoti zbuloi përgjigje për pyetjet rreth Isaias 11, Elias Higbi bëri pyetje lidhur me Isaian 52. Ftojeni gjysmën e klasës ta lexojë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 113:7–8. Ftojeni gjysmën tjetër [të klasës] ta lexojë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 113:9–10. Vërini të dy grupet të kërkojnë dëshirat e Zotit për popullin e Sionit.

  • Sipas vargjeve 7–8, çfarë duhet të “vesh[im]” ne? Sipas vargut 8, çfarë është forca e Sionit? (Studentët duhet të shprehin të vërtetën vijuese: Autoriteti i priftërisë është forca e Sionit.)

Shpjegoni se vargu 9 përfshin një pyetje rreth Sionit “duke e zgjidhur veten nga zinxhirët që ka në qafë”. Në këtë varg, fjala zinxhirë i referohet materialit të përdorur për ta mbajtur dikë në robëri.

  • Sipas vargut 10, cili është kuptimi i frazës “zinxhirët që ka në qafë”?

  • Cilat janë disa mënyra se si autoriteti i priftërisë na ndihmon ne të gjithëve “të vesh[im] forcën [tonë]”?

  • Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për ta çliruar veten tonë nga “zinxhirët”? Si mund t’i ndihmojmë të tjerët që t’i bëjnë këto gjëra?

Doktrina e Besëlidhje 114

Zoti e urdhëron Dejvid W. Patenin të përgatitet për të shërbyer në një mision

Shpjegoni se një njeri që Zoti e zgjodhi ta ndihmonte Sionin “të vesh[te] forcën e tij”, ishte një burrë i quajtur Dejvid W. Pateni. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë përshkrimin vijues:

Dejvid W. Pateni u bashkua me Kishën më 15 qershor 1832. Ai u shugurua Apostull në vitin 1835. Ai ishte i patrembur në mbrojtjen e tij për besimin dhe për Profetin Jozef Smith. Në mbrojtjen e shenjtorëve kundër turmave në Misuri, Dejvid W. Pateni njihej si “Kapiteni S’kam Frikë”. (Shih Lycurgus A. Wilson, Life of David W. Patten: The First Apostolic Martyr [1900], f. 5, 32, 52, 62.)

Shpjegoni që Plaku Paten i tha Jozef Smithit që të kërkonte një zbulesë në emër të tij. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 114:1. Vëreni klasën të kërkojë atë që Zoti donte që Plaku Paten të bënte.

  • Çfarë donte Zoti që të bënte Plaku Paten?

  • Sipas vargut 1, sa veta u thirrën nga Zoti për ta kryer këtë mision? (Dymbëdhjetë. Ky varg i referohet Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe misionit të tyre të ardhshëm për në Angli.)

  • Kur duhej të largohej Plaku Dejvid Paten për në misionin e tij? Shihni te hyrja e seksionit dhe vini re datën kur u dha kjo zbulesë. Sa kohë kishte Dejvidi përpara se t’i duhej të largohej? (Përafërsisht një vit.)

Tregojuni studentëve se një tragjedi ndodhi gjashtë muaj pasi zbulesa iu dha Dejvit Patenit. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues të betejës në lumin Krukid:

Në vjeshtën e vitit 1838, armiqësia dhe përndjekjet u shtuan sërish ndaj shenjtorëve në Misuri. Më 24 tetor, një turmë rrëmbeu tre shenjtorë, duke planifikuar, me sa duket, që t’i vrisnin atë natë. Kur e dëgjoi këtë, një gjykatës vendor, i quajtur Elias Higbi, një anëtar i Kishës, urdhëroi nën-kolonelin Xhorxh M. Hinkëll të milicisë së shtetit, gjithashtu një anëtar i Kishës, që të organizonte një grup burrash për ta shpërndarë turmën dhe për t’i shpëtuar të burgosurit. Shtatëdhjetë e pesë burra u mblodhën në mesnatë, me Dejvid W. Patenin si kapitenin e tyre. Plaku Paten shpresoi ta zinte në befasi turmën dhe t’i shpëtonte të burgosurit pa derdhur gjak por, kur burrat iu afruan lumit Krukid, një anëtar i turmës, i fshehur, qëlloi një goditje të vetme. Patrik O’Banioni, një anëtar i milicisë së shenjtorëve, ra. Kapiteni Paten, i cili i kishte udhëhequr 15 burra larg nga pjesa tjetër e grupit, e dëgjoi të qëlluarën dhe dha urdhër të shkonin drejt zonës. Një ndeshje e shpejtë ndodhi dhe disa burra u plagosën. Gideon Karteri vdiq menjëherë dhe Patrik O’Banioni vdiq atë natë. Plaku Paten ishte gjithashtu mes të plagosurve.

Plaku Paten vdiq disa orë pas betejës. Besimi i tij në ungjillin e rivendosur ishte aq i fortë sa ai i kishte shprehur njëherë Profetit Jozef Smith një dëshirë që të vdiste me vdekjen e një martiri. “Profeti, tepër i emocionuar, shprehu hidhërim të thellë, ‘sepse’, i tha ai Dejvidit, ‘kur një burrë që ka besim si ti, i kërkon Zotit diçka, në përgjithësi ai e merr atë’” (Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 200; duke cituar Jozef Smithin, në Life of David W. Patten, f. 53). Pikërisht përpara ceremonisë së varrimit të Plakut Paten në Far-Uest, Jozef Smithi bëri me shenjë drejt trupit të Plakut Paten dhe tha: “Atje shtrihet një burrë që ka bërë ashtu siç tha se do të bënte – ai e dha jetën e tij për miqtë e vet” (në History of the Church, 3:175).

Vini në dukje që në kohën kur Plaku Paten vdiq, ai po e përgatiste veten, nëpërmjet besnikërisë së tij, që të shërbente në një mision. Kërkojuni studentëve të ndahen në dyshe dhe të diskutojnë për pyetjet vijuese:

  • Si mendoni, në çfarë mënyre urdhri i Zotit për t’u përgatitur për një mision, ndikoi te Plaku Paten? Si mund të kishte qenë ky urdhër një bekim për Plakun Paten, edhe pse ai kurrë nuk e përmbushi misionin që priste të përmbushte?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga kjo? (Studentët mund të japin disa ide dhe të vërteta të ndryshme, përfshirë parimin vijues: Nëse ia vëmë veshin udhëzimit të Zotit, ne vërtet do të përgatitemi për çfarëdo që Ai ka planifikuar për ne.)

  • Kur e keni ndjekur këshillën e Zotit dhe keni mësuar se ajo ju kishte përgatitur për diçka që nuk e kishit pritur?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 114:2. Vëreni klasën të kërkojë atë që Zoti tha se do të ndodhë kur njerëzit nuk i përmbushin thirrjet e tyre. (Ju mund të doni të shpjegoni se në këtë varg, termi detyrën [bishopric] i referohet përgjegjësisë së një njeriu, jo një peshkopi dhe këshilltarëve të tij. Shih Psalmeve 109:8; Veprat e Apostujve 1:20.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga vargu 2 rreth asaj që do të ndodhë nëse nuk jemi besnikë në thirrjet tona? (Dikush tjetër do të thirret për t’i përmbushur përgjegjësitë tona.)

Shpjegoni se kur Plaku Dejvid W. Paten ishte në shtratin e tij të vdekjes, ai foli për disa prej bashkëshenjtorëve të tij, përfshirë anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, të cilët nuk kishin qenë besnikë. Ai thirri: “O sikur ata të ishin në gjendjen time! Ngaqë e ndiej se e kam ruajtur besimin, e kam mbaruar udhën time, prandaj është vendosur një kurorë për mua, të cilën Zoti, Gjykatësi i drejtë, do të ma japë.” Gruas së tij, ai i tha: “Çfarëdo tjetër të bësh, o, mos e moho besimin” (cituar nga Hibër C. Kimballi, në Life of David W. Patten, f. 69).

Që t’i ndihmoni studentët ta ndiejnë rëndësinë e zgjedhjes tani për të qenë besnikë, ftojini ata të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që do të bëjnë për ta ndjekur këshillën e Zotit dhe për t’i përmbushur gjërat që Ai i pret prej tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 113:1–6. Interpretimi i simboleve në shkrimet e shenjta

Simbolet në shkrimet e shenjta mund të kenë kuptime të shumta. Për shembull, interpretimi i frymëzuar i Isaias 11:1, 10, që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 113:1–6, ilustron përmbushjen në ditët e mëvonshme të kësaj profecie (shih Joseph Smith – Historia 1:40). Megjithatë, Isaia 11:1, 10 gjithashtu mund të interpretohet saktësisht sikurse vijon: trungu dhe rrënjët e Isait mund të përfaqësojnë shtëpinë e Davidit dhe degëza e filizi mund t’i referohet Jezu Krishtit.

Doktrina e Besëlidhje 114:2. “Ka nga ata mes jush, që e mohojnë emrin tim”

Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 114, Zoti foli për shenjtorët e ditëve të mëvonshme që do ta mohonin emrin e Tij. Një prej këtyre ishte Oliver Kaudëri, i cili e braktisi Kishën dhe u shkishërua në vitin 1838 në Far-Uest të Misurit. Ngaqë Oliver Kaudëri kishte qenë Apostull, braktisja e tij nënkuptoi që ai e kishte braktisur këtë thirrje të lartë e të shenjtë dhe nuk ishte më një dëshmitar i veçantë i emrit të Krishtit. Presidenti Uillford Udraf më vonë foli për Oliver Kaudërin si një shembull i dikujt që ishte larguar prej vendosmërisë në besim:

Pamja
Presidenti Uillford Udraf

“Nëse Presidenti i Kishës ose ndonjëri prej këshilltarëve të tij apo ndonjëri prej apostujve, ose ndonjë njeri tjetër e ndien në zemër se Perëndia nuk mund të bëjë dot pa të dhe se ai është veçanërisht i rëndësishëm me qëllim që të kryhet puna e Zotit, ai qëndron mbi një tokë që po rrëshqet. E dëgjova Jozef Smithin të thoshte se Oliver Kaudëri, i cili ishte apostulli i dytë në këtë Kishë, i tha atij: ‘Nëse unë largohem nga kjo Kishë, ajo do të bjerë’.

Jozefi i tha: ‘Oliver, provoje’. Oliveri e provoi. Ai ra; por mbretëria e Perëndisë nuk ra. Jam njohur edhe me apostuj të tjerë në ditët e mia dhe në kohën time, të cilët menduan se Zoti nuk mund të bënte dot pa ta; por Zoti e vazhdoi punën e tij pa ata.

E kam parë Oliver Kaudërin kur dukej sikur toka dridhej nën këmbët e tij. Kurrë nuk e dëgjova një burrë të jepte dëshmi më të fortë nga ajo që dha ai kur ishte nën ndikimin e Shpirtit. Por në çastin që ai e la mbretërinë e Perëndisë, atë çast fuqia e tij ra. … Atij iu hoq forca, sikurse Sansonit në prehërin e Delilahës. Ai e humbi fuqinë dhe dëshminë që e kishte pasur dhe kurrë nuk e mori sërish atë në plotësinë e saj ndërkohë që ishte në mish, edhe pse ai vdiq [një anëtar i] Kishës” (Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 104–105).