Seminari
Mësimi 151: Lufta e Jutës dhe Masakra e Livadheve Malore


Mësimi 151

Lufta e Jutës dhe Masakra e Livadheve Malore

Hyrje

Gjatë viteve 1850, tensioni dhe keqkomunikimi midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe zyrtarëve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara çuan drejt Luftës së Jutës në vitet 1857–1858. Në shtator të vitit 1857, lindën mosmarrëveshje edhe midis disa shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe anëtarëve të një vargu me karro emigrantësh që kalonin përmes Jutës. Të shtyrë nga zemërimi e frika, disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Jutën jugore planifikuan dhe kryen masakrën e rreth 120 emigrantëve që udhëtonin drejt Kalifornisë. Kjo mizori tani njihet si Masakra e Livadheve Malore.

Sugjerime për Mësimdhënien

Krijohet gjendje e tensionuar midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Shpjegoni se më 24 korrik 1857, Presidenti Brigam Jang ishte me një grup shenjtorësh duke festuar përvjetorin e 10-të të mbërritjes së tyre në luginën e Solt-Lejkut, kur mori vërtetimin e lajmit të mëparshëm se një ushtri po vinte drejt Solt-Lejk-Sitit. Në vitet e shkuara, mosmarrëveshjet dhe keqkomunikimi kishin çuar në një gjendje të tensionuar në rritje midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe zyrtarëve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Shenjtorët donin të qeveriseshin nga udhëheqës që do t’i zgjidhnin vetë dhe nuk i kishin pranuar udhëheqësit e caktuar federalë, të cilët nuk kishin të njëjtat vlera me ta. Kjo bëri që disa zyrtarë federalë t’i konsideronin ata se po ngrinin krye kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Pa miratim nga Kongresi, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhejms Bjukenën, dërgoi rreth 1.500 trupa drejt Solt-Lejk-Sitit për t’i detyruar banorët e Jutës që t’i pranonin zyrtarët e rinj.

  • Nëse ju do të kishit qenë një shenjtor i ditëve të mëvonshme në vitin 1857 dhe do të kishit dëgjuar se një ushtri e madhe po i afrohej qytetit tuaj, çfarë shqetësimesh mund të kishit pasur? (Studentët mund të përmendin se shenjtorët ishin dëbuar dhunshëm nga Ohajo në Misuri dhe nga Ilinoisi; shumë njerëz kishin humbur zotërime me vlerë dhe tokë; dhe disa shenjtorë ishin vrarë ose kishin vdekur gjatë këtyre përndjekjeve. Lajmi i afrimit të ushtrisë krijoi shqetësime se ngjarje të tilla mund të ndodhnin edhe në Juta.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues:

Në predikime drejtuar shenjtorëve, Presidenti Jang dhe udhëheqës të tjerë të Kishës i përshkruan trupat që po afroheshin si armiq. Presidenti Jang, i cili prej vitesh u kishte kërkuar shenjtorëve të kursenin drithëra, i përsëriti udhëzimet e tij me qëllim që ata të kishin ushqime për të ngrënë nëse do t’u nevojitej të largoheshin prej trupave. Si guvernator i Territorit të Jutës, ai gjithashtu e udhëzoi milicinë e territorit që të përgatitej për ta mbrojtur territorin.

Krijohet konflikt midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe anëtarëve të një vargu me karro emigrantësh

Paraqisni një hartë të ngjashme me atë që përfshihet këtu, ose vizatoni një të tillë në tabelë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dy paragrafët vijues:

Pamja
harta, SHBA-ja perëndimore

Një varg me karro emigrantësh që po udhëtonte drejt perëndimit nga Arkanzasi për në Kaliforni, hyri në Juta ndërkohë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme po përgatiteshin për ta mbrojtur territorin nga trupat në ardhje të Shteteve të Bashkuara. Disa anëtarë të vargut me karro u mërzitën ngaqë e patën të vështirë t’i blinin drithërat aq të nevojshme nga shenjtorët, të cilët ishin udhëzuar ta ruanin drithin e tyre. Emigrantët gjithashtu patën mosmarrëveshje me shenjtorët të cilët nuk donin që kuajt dhe gjedhët e vargut të karrove të përdornin burimet ushqimore dhe ujore që shenjtorëve u nevojiteshin për kafshët e veta.

Gjendja e tensionuar shpërtheu në Sidër-Siti, kolonia e fundit në Juta në rrugën për në Kaliforni. Ndodhën përplasje ndërmjet disa prej anëtarëve të vargut të karrove dhe disa prej shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Disa anëtarë të vargut të karrove kërcënuan se do të bashkoheshin me trupat në ardhje të qeverisë kundër shenjtorëve. Edhe pse kapiteni i vargut të karrove i qortoi shokët e tij që i bënë këto kërcënime, disa udhëheqës dhe kolonë në Sidër-Siti i panë emigrantët si armiq. Kompania e karrove u largua nga qyteti vetëm gati një orë pasi mbërriti, por disa nga kolonët dhe udhëheqësit në Sidër-Siti deshën t’i ndiqnin dhe t’i ndëshkonin burrat që i kishin fyer.

Ftojini studentët të mendojnë për rastet kur kanë përjetuar mosmarrëveshje me një njeri apo një grup njerëzish. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 12:25. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një parim që Jezu Krishti e dha mësim, i cili mund të na udhëzojë kur përjetojmë gjendje të tensionuar me të tjerët.

  • Çfarë mendoni se do të thotë “merru vesh shpejt me kundërshtarin tënd”?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë frazë, ju mund të doni t’i kërkoni një studenti që të lexojë me zë të lartë thënien vijuese:

Plaku Dejvid E. Sorensen, i Të Shtatëdhjetëve, na mësoi se fraza “merru vesh shpejt me kundërshtarin tënd” do të thotë t’i “zgjidhim herët mosmarrëveshjet tona, përndryshe pasionet e çastit rriten deri në egërsi fizike ose emocionale dhe ne bëhemi robër të zemërimit tonë” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 11).

  • Si do ta përmblidhnit me fjalët tuaja mësimin e dhënë nga Shpëtimtari te 3 Nefi 12:25? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani në tabelë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse e zgjidhim mosmarrëveshjen me të tjerët sipas mënyrës së Zotit, atëherë ne mund t’i shmangim pasojat e dëmshme të grindjes.)

  • Si mund t’i kishte ndihmuar bindja ndaj parimit te 3 Nefi 12:25 shenjtorët e ditëve të mëvonshme që ishin zemëruar me anëtarët e vargut të karrove?

Shpjegoni se, ngaqë këta shenjtorë nuk e zgjidhën mosmarrëveshjen e tyre me emigrantët sipas mënyrës së Zotit, gjendja u bë shumë më e rëndë. Isak Heiti, kryetari i bashkisë së Sidër-Sitit, majori i milicisë dhe presidenti i kunjit, kërkoi leje nga komandanti i milicisë që jetonte në koloninë aty pranë në Parouan, që të thërriste milicinë për t’u ballafaquar me njerëzit që i kishin fyer nga vargu i karrove. Komandanti i milicisë, Uilliam Dejmi, e këshilloi Isak Heitin që të mos i përfillte kërcënimet e emigrantëve. Në vend që t’ia vinte veshin kësaj këshille, Isak Heiti dhe udhëheqës të tjerë të Sidër-Sitit vendosën t’ua mbushnin mendjen disa indianëve vendas që ta sulmonin vargun e karrove dhe t’ua vidhnin gjedhët, si një mënyrë ndëshkimi për emigrantët. Isak Heiti i kërkoi Xhon D. Lisë, një anëtari vendor të Kishës dhe major i milicisë, që ta udhëhiqte këtë sulm dhe që të dy planifikuan që t’ua hidhnin fajin indianëve për veprimin.

  • Çfarë duhej të kishin bërë udhëheqësit në Sidër-Siti kur Uilliam Dejmi i këshilloi të mos e përdornin milicinë? Në çfarë i çoi të bënin më pas mospranimi i këshillës? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Nëse e shpërfillim këshillën për të bërë atë që është e drejtë, atëherë ne bëhemi më të cenueshëm që të bëjmë zgjedhje të gabuara.)

Vini në dukje se këta burra vepruan në kundërshtim me përgjegjësitë e tyre të priftërisë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 121:36–37. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar paralajmërimin e Zotit ndaj mbajtësve të priftërisë të cilët veprojnë padrejtësisht.

  • Çfarë paralajmërimi u jep Zoti mbajtësve të priftërisë që përpiqen t’i mbulojnë mëkatet e tyre ose të veprojnë padrejtësisht?

Lexojini ose përmblidhini paragrafët e mëposhtëm dhe ftojini studentët të dëgjojnë për mënyrën se si udhëheqësit në Sidër-Siti vazhduan të bënin zgjedhje të gabuara pasi e shpërfillën këshillën që kishin marrë.

Isak Heiti ia paraqiti planin për ta sulmuar vargun e karrove një këshilli të udhëheqësve vendorë në Kishë, komunitet dhe milici. Disa anëtarë të këshillit nuk ishin aspak dakord me planin dhe e pyetën Heitin nëse ishte këshilluar me Presidentin Brigam Jang lidhur me çështjen. Duke thënë se nuk ishte këshilluar, Heiti ra dakord të dërgonte një lajmëtar, Xhejms Haslamin, për në Solt-Lejk-Siti me një letër që shpjegonte gjendjen dhe që pyeste se çfarë duhej bërë. Megjithatë, ngaqë Solt-Lejk-Siti ishte rreth 402,34 km larg nga Sidër-Siti, do të duhej për lajmëtarin rreth një javë kalërim të shpejtë me kalë për të arritur në Solt-Lejk-Siti dhe për t’u kthyer në Sidër-Siti me udhëzimet e Presidentit Jang.

Pak kohë përpara se Isak Heiti të dërgonte letrën e tij me lajmëtarin, Xhon D. Lija dhe një grup indianësh e sulmuan kampin e emigrantëve në një vend të quajtur Livadhet Malore. Lija e udhëhoqi sulmin, por e fshehu identitetin e tij, që të dukej sikur u përfshinë vetëm indianët. Disa prej emigrantëve u vranë ose u plagosën dhe pjesa e mbetur i luftuan sulmuesit e tyre, duke i detyruar Linë dhe indianët të tërhiqeshin. Emigrantët shpejt i tërhoqën karrot e tyre në një rreth të ngushtë ose një vathë, për mbrojtje. Dy sulme shtesë pasuan gjatë një rrethimi pesëditor mbi vargun e karrove.

Në një rast, milicët e Sidër-Sitit mësuan për dy burra emigrantë që ishin jashtë vathës së karrove. Milicët qëlluan mbi ta, duke e vrarë njërin. Burri tjetër shpëtoi dhe ia solli lajmin kampit të karrove se burra të bardhë ishin të përfshirë në sulmet kundër tyre. Ata që i planifikuan sulmet, u zunë tani në mashtrimin e tyre. Nëse emigrantët lejoheshin të shkonin në Kaliforni, lajmi do të shpërndahej që shenjtorët e ditëve të mëvonshme ishin përgjegjës për sulmin ndaj vargut të karrove. Komplotuesit patën frikë se ky lajm do të sillte pasoja të këqija mbi ta dhe njerëzit e tyre.

  • Çfarë erdhi si pasojë e vendimit për të mos iu bindur këshillës së komandantit të milicisë?

  • Në këtë pikë, çfarë zgjedhjesh kishin ata që ishin përgjegjës për sulmet? (Ata mund të rrëfenin se ç’kishin bërë dhe të pranonin pasojat, ose mund të përpiqeshin t’i fshihnin krimet dhe mëkatet e tyre. Shih DeB 121:37.)

  • Çfarë duhej të kishin bërë ata?

Ftojini studentët të përsiatin pyetjet vijuese:

  • Çfarë bëni ju kur bëni diçka të gabuar? A e rrëfeni se ç’keni bërë gabim dhe i pranoni pasojat apo përpiqeni ta fshihni mëkatin nëpërmjet mashtrimit?

Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme planifikojnë dhe kryejnë Masakrën e Livadheve Malore

Shpjegoni se anëtarët e Kishës, të përfshirë në sulmet kundër emigrantëve, zgjodhën të përpiqeshin t’i fshihnin mëkatet e tyre. Ftojeni klasën të dëgjojë se çfarë ndodhi si rrjedhim i këtij vendimi, ndërkohë që lexoni ose përmblidhni paragrafët që vijojnë:

Në përpjekje për të ndalur përhapjen e lajmit që shenjtorë të ditëve të mëvonshme u përfshinë në sulmet ndaj vargut të karrove, Isak Heiti, Xhon D. Lija dhe udhëheqës të tjerë vendorë të Kishës e të milicisë bënë plan që t’i vrisnin të gjithë emigrantët e mbetur, me përjashtim të fëmijëve të vegjël. Duke e vënë në zbatim këtë plan, Xhon D. Lija iu afrua emigrantëve dhe u tha se milicia do t’i mbronte nga sulmet e mëtejshme, duke i drejtuar ata që të ktheheshin përsëri të sigurt drejt Sidër-Sitit. Ndërsa emigrantët po ecnin drejt Sidër-Sitit, milicët u kthyen dhe qëlluan mbi ta. Disa indianë u vërsulën nga vendet e fshehjes për t’u bashkuar me sulmin. Nga rreth 140 emigrantë që ishin pjesë e vargut të karrove, u kursyen vetëm 17 fëmijë të vegjël.

Dy ditë pas masakrës, Xhejms Haslami mbërriti në Sidër-Siti me mesazhin e përgjigjes nga Presidenti Jang, që i udhëzonte udhëheqësit vendorë ta lejonin vargun e karrove të largohej në paqe. Kur Heiti i lexoi fjalët e [Presidentit] Jang, ai derdhi lot si fëmijë dhe mundi të thoshte vetëm fjalët: ‘Tepër vonë, tepër vonë’” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, Ensign, shtator 2007, f. 20).

Shpjegoni se zgjedhjet e disa prej udhëheqësve dhe kolonëve shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Territorin jugor të Jutës çuan në Masakrën tragjike të Livadheve Malore. Në dallim nga kjo, udhëheqësit e Kishës dhe të territorit në Solt-Lejk-Siti e zgjidhën mosmarrëveshjen me qeverinë e Shteteve të Bashkuara nëpërmjet bisedimeve paqësore dhe negociatave në vitin 1858. Gjatë këtij konflikti – më vonë të quajtur Lufta e Jutës – trupat e Shteteve të Bashkuara dhe milicët e Jutës u përfshinë në vepra sulmi, por kurrë në betejë.

  • Si do t’i përmblidhnit zgjedhjet që çuan drejt Masakrës së Livadheve Malore?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga kjo tragjedi? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por përgjigjet e tyre mund të përfshijnë sa vijon: Zgjedhja për të fshehur mëkatet tona mund të na çojë drejt kryerjes së mëkateve të mëtejshme. Zgjedhja për të fshehur mëkatet tona mund të sjellë keqardhje dhe vuajtje.)

Shpjegoni se Masakra e Livadheve Malore jo vetëm që shkaktoi vdekjen e rreth 120 viktimave, por shkaktoi edhe vuajtje të madhe për fëmijët që mbijetuan dhe për të afërmit e tjerë të viktimave. Edhe indianët pajutë vuajtën ngaqë u fajësuan padrejtësisht për krimin. Përveç këtyre, ata “që e kryen masakrën, vepruan gjatë pjesës së mbetur të jetës së tyre nën ndjenjën e tmerrshme të fajit dhe të ëndrrave të këqija, të herëpashershme për atë që kishin bërë e parë” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, f. 20).

Sigurojini studentët se, në qoftë se kanë filluar të ecin nëpër një shteg gabimesh dhe mëkati, ata mund t’i parandalojnë dhembjen dhe keqardhjen e së ardhmes duke u kthyer te Zoti dhe duke u penduar për mëkatet e tyre.

Shpjegoni se, ngaqë një numër shenjtorësh vendorë të ditëve të mëvonshme ishin përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e Masakrës së Livadheve Malore, disa njerëz e kanë lejuar këtë ngjarje të ndikojë për keq në pikëpamjen e tyre për gjithë Kishën.

  • Përse është e rëndësishme të kuptojmë se veprimet e gabuara të disa anëtarëve të Kishës nuk e përcaktojnë vërtetësinë e ungjillit?

Ftojeni një student të lexojë thënien që vijon nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Ungjilli i Jezu Krishtit që ne përkrahim, e urren vrasjen gjakftohtë të burrave, grave dhe fëmijëve. Në të vërtetë, ai përkrah paqen dhe faljen. Çfarë u bë [te Livadhet Malore] shumë kohë më parë nga anëtarë të Kishës sonë përfaqëson një largim të tmerrshëm dhe të pajustifikueshëm nga mësimet dhe sjellja e krishterë” (“150th Anniversary of Mountain Meadows Massacre”, 11 shtator 2007, mormonnewsroom.org/article/150th-anniversary-of-mountain-meadows-massacre).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Helamanin 5:12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që mund të bëjmë ne për t’i zhvilluar e ruajtur dëshmitë tona, me qëllim që gjatë kohëve të vështira, të tilla si ato kur mësojmë për raste kur anëtarë të Kishës nuk kanë arritur të jetojnë sipas mësimeve të Jezu Krishtit, besimi ynë nuk do të lëkundet.

  • Sipas Helamanit 5:12, çfarë mund të bëjmë ne për t’i zhvilluar dhe ruajtur dëshmitë tona? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni të shkruani në tabelë parimin vijues: Ne mund të zhvillojmë dëshmi të forta duke e ngritur besimin tonë mbi themelin e Jezu Krishtit.)

Për ta ilustruar këtë parim, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues:

“Xhejms Sandersi është stërnipi i … një prej fëmijëve që i mbijetuan masakrës [dhe është gjithashtu anëtar i Kishës]. … Vëllai Sanders … tha që të mësuarit se paraardhësit e tij ishin vrarë në masakër ‘nuk ndikoi në besimin tim, sepse ai bazohet te Jezu Krishti, jo te ndonjë njeri në Kishë’” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, f. 21).

  • Si mund të forcohet besimi ynë te Jezu Krishti kur mësojmë për raste kur anëtarë të Kishës nuk kanë arritur të jetojnë sipas mësimeve të Shpëtimtarit?

  • Çfarë bëni ju që ju ndihmon për ta ngritur besimin tuaj mbi themelin e Jezu Krishtit?

Dëshmoni për rëndësinë e të jetuarit të mësimeve të Shpëtimtarit dhe të bazuarit e besimit tonë tek Ai dhe ungjilli i Tij. Ftojini studentët të përsiatin se si mund ta ngrenë më mirë besimin e tyre mbi themelin e Jezu Krishtit dhe të caktojnë një synim për ta bërë këtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Përgjegjësia për Masakrën e Livadheve Malore

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, bëri deklarimin e mëposhtëm lidhur me përgjegjësinë për Masakrën e Livadheve Malore:

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Përgjegjësia për masakrën qëndron te udhëheqësit vendorë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në krahinat pranë Livadheve Malore, të cilët mbanin edhe detyra civile e ushtarake, dhe tek anëtarë të Kishës që vepruan nën drejtimin e tyre. …

… Pa asnjë dyshim Drejtësia Hyjnore do ta ngarkojë ndëshkimin e duhur mbi ata që ishin përgjegjës për masakrën” (“150th Anniversary of Mountain Meadows Massacre”, 11 shtator 2007, mormonnewsroom.org/article/150th-anniversary-of-mountain-meadows-massacre).

Riçard E. Tërli i Riu, ndihmëshistorian dhe arkivues i Kishës, shpjegoi se si udhëheqësit e përgjithshëm të Kishës mësuan më së fundi për masakrën. Ai gjithashtu përmblodhi pasojat që u erdhën disa prej autorëve të krimit:

Pamja
Riçard E. Tërli i Riu

“Edhe pse Brigam Jangu dhe udhëheqës të tjerë të Kishës në Solt-Lejk-Siti mësuan për masakrën pak kohë pasi ndodhi, kuptueshmëria e tyre lidhur me gjerësinë e përfshirjes së kolonëve dhe hollësitë e tmerrshme të krimit erdhën pjesë-pjesë me kalimin e kohës. Në vitin 1859 ata i liruan nga thirrjet e tyre presidentin e kunjit, Isak Heitin dhe udhëheqës të tjerë të njohur të Kishës në Sidër-Siti, të cilët patën rol në masakër. Në vitin 1870, ata i shkishëruan Isak Heitin dhe Xhon D. Linë nga Kisha.

Në vitin 1874, një juri gjyqësore territoriale akuzoi nëntë burra për rolin e tyre në masakër. Shumica prej tyre më së fundi u arrestuan, edhe pse vetëm Xhon D. Lija u gjykua, dënua dhe u ekzekutua për krimin. Një tjetër burrë i akuzuar që u kthye në dëshmitar për shtetin, [në mënyrë vullnetare dëshmoi dhe dha prova kundër të pandehurve të tjerë] dhe burra të tjerë kaluan shumë vjet duke iu shmangur ligjit. Milicë të tjerë, të cilët e kryen masakrën, vepruan gjatë pjesës së mbetur të jetës së tyre me ndjenjën e tmerrshme të fajit dhe të ëndrrave të këqija, të herëpashershme, për atë që kishin bërë dhe parë” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, Ensign, shtator 2007, f. 20).

Kronologjia e ngjarjeve që qarkojnë Masakrën e Livadheve Malore

E enjte, 3 shtator 1857: Një varg karrosh me rreth 140 njerëz, kryesisht nga Arkanzasi, kalon përmes Sidër-Sitit në Juta. Disa anëtarë të vargut të karrove u futën në konflikt me disa prej shenjtorëve vendorë të ditëve të mëvonshme. Pasi disa anëtarë të vargut të karrove nuk e pranojnë arrestimin, udhëheqësit vendorë të Kishës dhe udhëheqësit civilë në Sidër-Siti kërkojnë leje nga Uilliam Dejmi, komandanti ushtarak i distriktit në qytetin Parouanin atje pranë, që të thërrisnin milicinë për t’u përballur me emigrantët.

E premte, 4 shtator 1857: Uilliam Dejmi dërgon një mesazh përgjigjeje duke i udhëzuar udhëheqësit në Sidër-Siti që të mos ndërmerrnin veprim kundrejt emigrantëve. Isak C. Heiti dhe udhëheqës të tjerë në Sidër-Siti krijojnë një plan që t’ua mbushin mendjen indianëve vendas për ta sulmuar vargun e karrove të emigrantëve. Heiti rekruton Xhon D. Linë nga Fort-Harmoni aty pranë që të udhëheqë sulmin.

E diel, 6 shtator 1857: Isak C. Heiti kryeson mbi një mbledhje të këshillit në Sidër-Siti dhe i lajmëron udhëheqësit e tjerë vendorë për planin që të sulmonin emigrantët. Disa udhëheqës e kundërshtojnë këtë plan dhe e bindin Heitin që të dërgojë një lajmëtar, Xhejms Haslamin, për të kërkuar këshillë nga Presidenti Brigam Jang për çështjen.

E hënë, 7 shtator 1857: Xhon D. Lija dhe indianët sulmojnë vargun e karrove të emigrantëve te Livadhet Malore. Xhejms Haslami, duke mbartur një letër që kërkonte udhëzim nga Presidenti Brigam Jang, largohet nga Sidër-Siti për në Solt-Lejk-Siti. Dy milicë të Sidër-Sitit sulmojnë dy emigrantë që ishin jashtë vathës së karrove. Një emigrant mbijeton dhe kthehet në vathë, duke sjellë lajmin se kolonët vendorë po i sulmojnë emigrantët.

E martë, 8 shtator 1857: Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe disa indianë marrin pjesë në dy sulme të tjerë kundër vargut të karrove. Emigrantët e mbrojnë pozicionin e tyre me sukses, por burrat nga Sidër-Siti vrasin dy burra të tjerë që përpiqen të largohen dhe të kërkojnë ndihmë.

E mërkurë, 9 shtator 1857: Isak C. Heiti udhëton nga Sidër-Siti për në Parouan që të takohet me Uilliam Dejmin. Këshilli i Parouanit vendos që kompania e emigrantëve duhet të lejohej të vazhdojë udhën e tyre në paqe, por Heiti në fshehtësi e ndikon Uilliam Dejmin dhe merr lejen e tij që ta grumbullojë milicinë për t’i sulmuar emigrantët e rrethuar.

E enjte, 10 shtator 1857: Isak C. Heiti kthehet në Sidër-Siti dhe bisedon me udhëheqësit vendorë. Ata dërgojnë urdhra që të vriten të gjithë emigrantët me përjashtim të fëmijëve të vegjël. Xhejms Haslami mbërrin në Solt-Lejk-Siti, e dorëzon mesazhin e Heitit dhe fillon udhëtimin e kthimit për në Sidër-Siti me përgjigjen e Presidentit Jang.

E premte, 11 shtator 1857: Milicët vendorë i nxjerrin me dinakëri emigrantët e mbetur jashtë prej kampit të tyre. Milicia dhe indianët i sulmojnë dhe vrasin emigrantët, me përjashtim të 17 fëmijëve të vegjël.

E diel, 13 shtator 1857: Xhejms Haslami kthehet nga Solt-Lejk-Siti me udhëzimin e shkruar të Brigam Jangut që t’i linin emigrantët të shkonin në paqe.

1859: Zyrtarë federalë rimarrin fëmijët e mbijetuar dhe i kthejnë në Arkanzas që të jetojnë me të afërmit.

1870: Presidenti Brigam Jang mëson hollësi shtesë rreth masakrës dhe i shkishëron Isak C. Heitin dhe Xhon D. Linë.

1874: Nëntë burra akuzohen nga një juri gjyqësore territoriale për rolin e tyre në masakër.

1875: Xhon D. Lija është i vetmi autor i krimit që u gjykua, por çështja përfundoi me një juri të pavendosur.

1876: Xhon D. Lija rigjykohet dhe dënohet me vdekje për rolin e tij në masakër.

E premte, 23 mars 1877: Xhon D. Lija ekzekutohet nga një togë pushkatimi në Livadhet Malore.

Lufta e Jutës

Në mes të vitit 1857, udhëheqës të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dëgjuan thashetheme se qeveria federale mund ta zëvendësojë Brigam Jangun me një guvernator të ri të Territorit të Jutës, i cili do të mbështetej nga një numër i madh trupash federale. Këto thashetheme u pohuan më 24 korrik nga burra shenjtorë të ditëve të mëvonshme që kishin ardhur për në Solt-Lejk-Siti nga lindja (shih Ronald W. Walker, Richard E. Turley Jr. dhe Glen M. Leonard, Massacre at Mountain Meadows: An American Tragedy [2008], f. 30). Abraham Smuti, Xhadsën Stodardi dhe Orin Porter Rokuelli mbërritën në Solt-Lejk-Siti më 23 korrik me lajmin se ushtria po afrohej. Të nesërmen ata e çuan lajmin lart te kanioni Big Kotonud, ku Brigam Jangu dhe shumë shenjtorë po festonin 10-vjetorin e hyrjes së pionierëve në luginën e Solt-Lejkut (shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 369–370).

Presidenti Brigam Jang dhe udhëheqës të tjerë të Kishës besonin se trupat federale që po afroheshin kishin qëllime armiqësore ndaj shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Në fillim të gushtit 1857, udhëheqësit e Kishës shpallën planet për t’i parandaluar ose penguar trupat që të hynin në Territorin e Jutës. Më 15 shtator 1857, Brigam Jangu shpalli ligjin ushtarak në territor. Ai gjithashtu “e urdhëroi Legjionin e Navusë që të përgatitej për ndërhyrje. Në pothuajse çdo bashkësi të Jutës, përgatitjet për mbrojtje u përshpejtuan. Ai i udhëzoi edhe peshkopët në fshatra që të përgatiteshin për të djegur çdo gjë nëse armiqtë vërtet do të hynin” (Church History in the Fulness of Times Student Manual, f. 371).

Anëtarët e Legjionit të Navusë [emri i vënë për milicinë e Territorit të Jutës] u dërguan për të ngacmuar trupat federale ndërsa ata marshonin drejt territorit. [Anëtarët e legjionit] dogjën në total shtatëdhjetë e katër qerre, që përmbanin rezerva të mjaftueshme për të furnizuar ushtrinë e madhe për tre muaj. Ata gjithashtu kapën një mijë e katërqind nga dy mijë krerë gjedhë që shoqëronin ekspeditën” (Church History in the Fulness of Times Student Manual, f. 374). Kjo e ngadalësoi marshimin e trupave dhe i pengoi ata që të hynin në luginën e Solt-Lejkut deri në pranverën e vitit 1858.

Në mars të vitit 1858, Presidenti Jang i udhëzoi shenjtorët që të largoheshin nga të gjitha kolonitë në Jutën veriore. Shenjtorët “i fshehën të gjithë gurët që ishin prerë për tempullin e Solt-Lejkut dhe e niveluan dhe e mbuluan themelin e tij, në mënyrë që toka t’i ngjante një fushe të lëruar dhe të mbetej e paprekur” (Church History in the Fulness of Times Student Manual, f. 376). Shtëpitë dhe ndërtesa të tjera në Solt-Lejk-Sitit u mbushën me kashtë në mënyrë që të mund të digjeshin në vend që të zaptoheshin nga ushtria. Mbi 30 000 shenjtorë e çanë rrugën e tyre drejt Provos dhe qyteteve të tjera në Jutën qendrore dhe jugore, ku anëtarët e tjerë të Kishës ndihmuan në strehimin dhe përkujdesjen ndaj tyre.

Udhëheqësit e Kishës dhe të territorit në Solt-Lejk-Sitit e zgjidhën konfliktin me qeverinë e Shteteve të Bashkuara nëpërmjet bisedimeve dhe negociatave paqësore. Në prill 1858, udhëheqësit e Kishës e mirëpritën guvernatorin e ri territorial, Alfred Kamingun, në Solt-Lejk-Siti. Brigam Jangu i dha dokumentet dhe vulën territoriale guvernatorit të ri dhe krijoi një marrëdhënie të ngrohtë me të. Në fillim të qershorit, lajmëtarët e dërguar nga Presidenti Xhejms Bjukenën mbërritën në Solt-Lejk-Siti duke sjellë propozimin e një ndjese për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Udhëheqësit e Kishës e pranuan këtë propozim, i cili e shfajësoi Legjionin e Navusë nga gabimet në veprimtarinë e tyre sulmuese kundër trenave furnizues të ushtrisë. Në 26 qershor, ushtria hyri paqësisht në kryeqytetin e qetë dhe më së shumti të braktisur. Për shkak se trupat nuk i prishën pronat e shenjtorëve, shenjtorët të cilët qëndruan në qytet, nuk vepruan ndaj kërcënimit për të djegur ndërtesat. Pasi qëndruan në qytet për pak ditë, ushtria u nis dhe u vendos në një post afërisht 77 km në jugperëndim të Solt-Lejk-Sitit, të cilin ata e quajtën Kampi Flloid. Më 1 korrik 1858, Brigam Jangu i udhëzoi shenjtorët të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Jutën veriore (shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, f. 375–377).

Çfarë u ndodhi fëmijëve emigrantë që i mbijetuan masakrës?

Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme i morën në shtëpitë e tyre dhe u përkujdesën për fëmijët emigrantë që i mbijetuan masakrës. Në vitin 1859, zyrtarë federalë morën kujdestari për këta fëmijë dhe i kthyen tek të afërmit në Arkanzas.

A u helmuan indianët nga anëtarë të vargut të karrove të emigrantëve?

Riçard E. Tërli i Riu, ndihmëshistorian dhe arkivues i Kishës, shpjegoi:

Pamja
Riçard E. Tërli i Riu

“Disa histori tradicionale të Jutës për atë që ndodhi në Livadhet Malore, kanë pranuar pretendimin se helmimi gjithashtu luajti rol në konflikt – se emigrantët nga Arkanzasi me dashje helmuan një rrëke dhe një kërmë të një kau pranë qytetit Fillmor në Jutën qendrore, duke shkaktuar sëmundje dhe vdekje mes indianëve vendas. Sipas kësaj historie, indianët u inatosën dhe i ndoqën emigrantët drejt Livadheve Malore, ku ata ose i kryen vetë mizoritë ose i detyruan kolonët e frikësuar shenjtorë të ditëve të mëvonshme të bashkoheshin me ta në sulm. Kërkimi historik tregon se këto histori nuk janë të sakta.

Ndërkohë që është e vërtetë se disa prej gjedhëve të emigrantëve po vdisnin në udhë e sipër, përfshirë pranë qytetit Fillmor, vdekjet me sa duket erdhën si pasojë e një sëmundjeje që i preku tufat e gjedhëve në vitet 1850 në udhëtimet përgjatë vendit. Njerëzit e morën sëmundjen nga kafshët e infektuara nëpërmjet të prerave apo plagëve në trup ose nëpërmjet ngrënies së mishit të ndotur. Pa këtë njohuri të tanishme, njerëzit dyshonin se problemi u shkaktua nga helmimi” (“The Mountain Meadows Massacre”, Ensign, shtator 2007, f. 16).

Veprime fatkeqe nga anëtarë të Kishës

Thënia në vijim nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, mund të na ndihmojë të dimë se si të përgjigjemi, nëse mësojmë ndonjëherë për veprime të gabuara të udhëheqësve të Kishës:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Për të qenë përsosmërisht të sinqertë, ka pasur raste kur anëtarë ose udhëheqës në Kishë thjesht kanë bërë gabime. Mund të jenë thënë ose bërë gjëra që nuk ishin në përputhje me vlerat, parimet ose doktrinën tonë.

Mendoj se Kisha do të ishte e përsosur vetëm nëse do të drejtohej nga qenie të përsosura. Perëndia është i përsosur dhe doktrina e Tij është e pastër. Por Ai punon përmes nesh – fëmijëve të Tij të papërsosur – dhe njerëz të papërsosur bëjnë gabime. …

Kjo është mënyra se si ka qenë përherë dhe do të jetë deri në ditën e përsosur kur Vetë Krishti të mbretërojë personalisht mbi tokë.

Është për të ardhur keq që disa janë penguar për shkak të gabimeve të bëra nga njerëzit. Por pavarësisht kësaj, e vërteta e përjetshme e ungjillit të rivendosur, që gjendet në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nuk njolloset, dobësohet apo shkatërrohet” (“Ejani, Bashkohuni me Ne”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 22–23).

Masakra e Livadheve Malore

Për më shumë informacion rreth Masakrës së Livadheve Malore, shkoni te Gospel Topics [Temat e Ungjillit] në LDS.org dhe kërkoni për “Mountain Meadows Massacre” [“Masakra e Livadheve Malore”].