Seminari
Mësimi 59: Doktrina e Besëlidhje 53–55


Mësimi 59

Doktrina e Besëlidhje 53–55

Hyrje

Në qershor të vitit 1831 Profeti Jozef Smith mori zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 53–55. Zbulesat përmbanin udhëzimet e Zotit për disa anëtarë të Kishës që jetonin në Ohajo, por që shpejt do të lëviznin për në Misuri. Në këto zbulesa, Zoti i foli Sidni Gilbertit, Njull Najtit dhe Uilliam W. Felpsit, duke u dhënë atyre udhëzime që ishin të veçanta për detyrat e caktuara atyre në Kishë dhe për talentet e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 53

Zoti e thërret Sidni Gilbertin që të ishte një plak dhe të udhëtonte me Jozef Smithin për në Misuri

Ftojini dy studentë të dalin përpara klasës. Kërkojini njërit që ta udhëzojë tjetrin se si ta bëjë një detyrë të caktuar. Për shembull, një student mund ta mësojë tjetrin se si të lidhë një lloj të caktuar nyjeje, si të bëjë me palosje një aeroplan letre ose si të kryejë një lloj të caktuar vallëzimi. (Nëse është e mundur, kërkojini një studenti para kohe që të përgatitet për ta dhënë mësim një aftësi.)

  • Në këtë demonstrim, përse është e rëndësishme që nxënësi t’i ndjekë të gjitha udhëzimet? Çfarë do të ndodhte nëse ai ose ajo vendosnin të mos i përfillnin një pjesë të udhëzimeve?

Kujtojini studentët se Zoti i kishte thirrur misionarët që të udhëtonin për në Misuri (shih DeB 52). Shpjegoni se një i kthyer në besim i kohëve të fundit, i quajtur Sidni Gilbert, mësoi se nuk ishte i renditur si njëri prej atyre misionarëve. Ai shkoi te Profeti Jozef Smith dhe e pyeti se çfarë do të donte Zoti që ai të bënte. Jozefi kërkoi dhe mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 53, e cila i jep Sidnit disa hapa fillestarë udhëzimi.

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni secilën dyshe të lexojnë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 53:1–5 duke kërkuar udhëzimet që Zoti ia dha Sidni Gilbertit. Nxitini ta shenjojnë secilin udhëzim që zbulojnë.

  • Çfarë udhëzimesh i dha Zoti Sidni Gilbertit? (Ndërsa studentët raportojnë atë që kanë gjetur, mund të jetë e dobishme të vini në dukje se detyra e caktuar Vëllait Gilbert për të “qenë një përfaqësues për kishën”, shpjegohet më tërësisht te Doktrina e Besëlidhje 57:6–10, 15.)

Shpjegoni se Zoti iu drejtua listës së udhëzimeve si “ordinancat e para që [Sidni do t’i] m[errte]” (DeB 53:6). Fjala ordinancë nganjëherë i drejtohet një rregulli ose një dekreti. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 53:6 dhe vëreni klasën të kërkojë kohën kur Zoti do t’i jepte Sidnit pjesën tjetër (“pjesën e mbetur”) të udhëzimeve të Tij.

  • Çfarë mund të mësojmë nga vargu 6? (Merreni parasysh të sugjeroni që studentët të bëjnë një referencë kryq të këtij fragmenti me Doktrinën e Besëlidhjet 52:4–5. Studentët mund të mbajnë mend që e përcaktuan parimin vijues në mësimin e mëparshëm: Kur i ndjekim udhëzimet e Perëndisë me besnikëri, Ai na zbulon më shumë nga vullneti i Tij për ne.

Doktrina e Besëlidhje 54

Zoti i udhëzon shenjtorët e Kollsvillit që të largohen nga Tomsoni në Ohajo dhe të lëvizin për në Misuri

Shpjegoni se në prill të vitit 1831 Njull Najti e udhëhoqi një grup shenjtorësh nga Kollsvill në Nju-Jork që të bashkoheshin me shenjtorët në Ohajo. Në maj Profeti Jozef Smith e udhëzoi Peshkopin Eduard Partrixh që t’i bënte ata shenjtorë të vendoseshin në Tomson të Ohajos në tokën të cilën Liman Kopli më parë e kishte besëlidhur (ose premtuar) që ta jepte për atë qëllim. Ata mbollën të lashta atje dhe filluan t’i bënin përmirësime të tjera pronës. Por edhe pse punuan së bashku për ta përmirësuar tokën, ata filluan të bëhen egoistë dhe lakmitarë. Gjendja e tyre u keqësua kur Liman Kopli u kthye nga misioni i tij për te shejkërat dhe filloi ta vinte në dyshim besimin e tij (shih DeB 49 dhe mësimin 56). Ai e mohoi dëshminë që po i zhvillohej për ungjillin e rivendosur, dhe i urdhëroi shenjtorët që të largoheshin nga toka. Ai gjithashtu u kërkoi 60 dollarë pagesë. Ngaqë Limani e kishte shkelur besëlidhjen e tij, këta shenjtorë tani nuk kishin se ku të jetonin. Njull Najti dhe të tjerë i kërkuan Profetit se çfarë duhej të bënin. (Shih Documents, Vëllimi 1: qershor 1828–qershor 1831, vëll. 1 i serisë së Dokumenteve të The Joseph Smith Papers [2013], f. 334–335).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 54:1–3 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që shenjtorët nevojitej të bënin për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes së tyre.

  • Si mendoni, përse pendimi dhe përulësia do t’i ndihmonin këta shenjtorë?

Vini në dukje që Zoti ishte i pakënaqur me shenjtorët në Tomson, të cilët i kishin thyer besëlidhjet e tyre. Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 54:4–5 dhe të kërkojnë fjalët dhe frazat që Zoti i përdori për ta përshkruar atë që ndodh kur shkelet një besëlidhje.

  • Çfarë mendoni se do të thotë për një besëlidhje të bëhet “e kotë dhe pa asnjë vlerë”? Çfarë bekimesh humbasim kur nuk i mbajmë besëlidhjet tona?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 54:6 duke kërkuar një bekim që e marrim kur i mbajmë besëlidhjet tona dhe u bindemi urdhërimeve. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, por përgjigjet e tyre duhet të përçojnë parimin vijues: Nëse ne lutemi për ndihmë në kohët tona të nevojës, atëherë Zoti do të na japë udhërrëfim. Shkruajeni këtë parim në tabelë.

  • Kur e keni parë që Zoti iu shtrin mëshirë atyre që i mbajnë besëlidhjet e tyre me Të?

Nxitini studentët t’i mbajnë besëlidhjet që bënë në pagëzim dhe t’iu binden urdhërimeve, që ata të mund të marrin mëshirë nga Zoti.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 54:7–9 duke shpjeguar se, pasi këta shenjtorë i humbën shtëpitë e tyre në tokën e Liman Koplit, Zoti i urdhëroi të udhëtonin për në Misuri. Ata duhej të caktonin dikë që të paguante për shpenzimet përgjatë rrugës. Zoti tha se, pasi të mbërrinin në Misuri, ata do të punonin atje për jetesën e tyre derisa Zoti të përgatiste një vend për ta që të vendoseshin.

Për t’i ndihmuar studentët të zbulojnë se si Zoti dëshironte që këta shenjtorë t’u përgjigjeshin sprovave të tyre, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 54:10. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë këshillën e Zotit për këta shenjtorë.

  • Sipas përvojës suaj, cilat janë disa bekime që i marrim kur jemi “të durueshëm në vuajtje”?

  • Kush tha Zoti se do t’u “gje[nte] pushim shpirtrave të tyre”? (Ftojini studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje me një fjali “nëse–atëherë”. Teksa i përgjigjen pyetjes, shkruajeni këtë parim në tabelë: Nëse e kërkojmë Zotin përpara, atëherë ne do të gjejmë pushim në shpirtrat tanë.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë të gjejmë pushim në shpirtrat tanë, lexoni thënien vijuese nga Plaku Per G. Malm, i Të Shtatëdhjetëve:

Pamja
Plaku Per G. Malm

“Gjetja e pushimit në shpirtrat tanë përfshin paqe të mendjes dhe të zemrës, që janë rezultat i mësimit dhe i ndjekjes së doktrinës së Krishtit” (“Rest unto Your Souls”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 101).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë disi atë që do të thotë ta kërkojmë Zotin përpara, bëjuni pyetjet vijuese:

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta kërkojmë Zotin përpara? (Përgjigjet mund të përfshijnë që do të thotë ta kërkojmë Atë përpara në jetën tonë, është që ta kërkojmë atë përpara çdo ditë dhe do të thotë që ta kërkojmë ndihmën e tij përpara se sprovat të na vijnë në jetën tonë.)

  • Si mendoni, përse gjejmë ne pushim në shpirtrat tanë kur e kërkojmë Zotin përpara?

  • Si do të jetë i ndryshëm të kërkuarit e Zotit përpara, më parë se të kemi një kohë vuajtjeje, nga të kërkuarit e Tij gjatë vuajtjes?

Ftojini studentët t’i shkruajnë përgjigjet e pyetjeve vijuese në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë ose t’i përgatitni ato në një fletushkë:

  • Në çfarë mënyrash mund ta kërkoni Zotin përpara, më parë sesa sprovat që mund të vijnë në të ardhmen tuaj?

  • Çfarë mund të bëni çdo ditë për ta kërkuar Zotin përpara?

  • Çfarë mund të bëni për ta kërkuar Zotin tani, kur jeni në rininë tuaj?

Pasi studentët të kenë pasur kohë për të shkruar, ftojini disa prej tyre që të shprehin mendimet e tyre.

Doktrina e Besëlidhje 55

Zoti e thërret Uilliam W. Felpsin për të ndihmuar në shkrimin dhe shtypjen e materialeve të Kishës

Që më parë kërkojini një studenti të vijë në klasë i përgatitur për të treguar një talent ose një aftësi. Sigurohuni që paraqitja e studentit do të jetë nxitëse për Shpirtin. Ose kërkojuni studentëve të renditin në tabelë disa nga talentet dhe aftësitë që i kanë parë te njëri-tjetri. Më pas thirreni një student me emër dhe bëjini pyetjet vijuese:

  • Si mendoni, përse talentet dhe aftësitë tuaja janë të ndryshme nga talentet dhe aftësitë e të tjerëve në klasë?

  • Si mendoni, përse u bekuat ju me ato talente dhe aftësi?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 55 duke kërkuar një prej aftësive të Uilliam W. Felpsit. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që zbulojnë.

Shpjegoni se Uilliam W. Felpsi bleu një kopje të Librit të Mormonit dy javë pasi u ofrua për shitje. Kjo çoi te kthimi i tij në besim. Më vonë ai tha: “Pavarësisht se trupi im nuk u pagëzua në këtë kishë deri … në qershor të vitit 1831, përsëri zemra ime ishte atje që nga koha kur u njoha me librin e Mormonit” (në Documents, Vëllimi 1: qershor 1828–qershor 1831, f. 337). Më 14 qershor 1831, pak kohë pasi Vëllai Felps mbërriti në Kirtland, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 55.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 55:4 dhe vëreni klasën të kërkojë për një talent tjetër që kishte Uilliam W. Felpsi. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Më pas ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 55:5 dhe vëreni klasën të gjejë vendndodhjen ku Vëllai Felps u thirr ta bënte punën e shkrimit dhe të shtypjes. (Zoti e udhëzoi atë të udhëtonte me Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin për në Misuri.)

Shkruani në tabelë parimin vijues: Perëndia mund t’i përdorë talentet, aftësitë dhe zotësitë tona për t’i bekuar fëmijët e Tij.

  • Kur e keni parë Perëndinë t’i përdorë talentet dhe aftësitë e njerëzve për t’i bekuar fëmijët e Tij?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një talent ose aftësi që e kanë dhe për mënyrën se si mund ta përdorin atë aftësi për t’i ndihmuar të tjerët dhe për ta çuar përpara punën e Zotit. Ftojini disa studentë të japin idetë e tyre.

Mbylleni mësimin duke iu drejtuar doktrinave dhe parimeve të shkruara në tabelë. Ftojini disa studentë të zgjedhin një të vërtetë dhe të tregojnë përse ajo është e rëndësishme për ta dhe çfarë do të dëshironin të bënin që ta zbatonin atë më tërësisht në jetën e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 55. Ndihmesat e Uilliam W. Felpsit për Kishën

Uilliam W. Felpsi ngriti shtypshkronjën e parë për Kishën në Misuri. Ai botoi gazetën e parë të Kishës Evening and the Morning Star [Ylli i Mbrëmjes dhe i Mëngjesit]. Ai ndihmoi për të përmbledhur, përgatitur dhe botuar zbulesat në Librin e Urdhërimeve në vitin 1833 dhe më pas në botimin e vitit 1835 të Doktrinës e Besëlidhjeve. Ai ndihmoi të përgatitej libri i parë i himneve të Kishës dhe shkroi fjalët për një numër himnesh, duke përfshirë himnin “Shpirti i Per’ndis’”, i cili u këndua në përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit. Ai dha 500 dollarë për të ndihmuar në përfundimin e atij tempulli.

Doktrina e Besëlidhje 55:6. Ndihmesat e Jozef Kout për Kishën

Jozef Kou, që ishte një i kthyer i hershëm në besim për Kishën në Nju-Jork, mbërriti në Kirtland në vitin 1831. Ai udhëtoi për në Misuri me Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin, duke u larguar nga Kirtlandi më 19 qershor 1831. Më vonë, përsëri në Kirtland, ai u caktua përfaqësues i përgjithshëm i Kishës. Ai mbikëqyri blerjet e tokave në vitin 1833, duke përfshirë 103 hektarë të fermës së Piter Frençit, në të cilën do të ndërtohej Tempulli i Kirtlandit. Ai u thirr në këshillin e lartë të Kirtlandit në shkurt të vitit 1834. Në korrik të vitit 1835, ai ndihmoi në blerjen e mumieve dhe papiruseve egjiptiane, gjë që e bëri Jozef Smithin të sillte në dritë librin e Abrahamit.