Seminari
Mësimi 104: Doktrina e Besëlidhje 101:1–16


Mësimi 104

Doktrina e Besëlidhje 101:1–16

Hyrje

Më 16 dhe 17 dhjetor 1833, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë lidhur me vuajtjet që po përjetonin shenjtorët në Misuri. Kjo zbulesë, e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 101, do të shqyrtohet në tre mësime. Ky mësim i parë përfshin shpjegimin e Zotit se përse Ai i lejoi shenjtorët të brengoseshin. Ai gjithashtu përfshin fjalët e Tij këshilluese dhe ngushëlluese për shenjtorët e vuajtur.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 101:1–8

Zoti shpjegon përse Ai e lejon popullin e Tij që të përjetojë prova

Vizatoni hartën shoqëruese në tabelë përpara orës mësimore. Ju mund të doni t’i referoheni hartës gjatë gjithë mësimit për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rrëfimet historike në mësim.

Pamja
hartë, Misuri

Për ta filluar mësimin, bëni pyetjen vijuese:

  • Cilët janë disa shembuj të përndjekjes që vuajtën shenjtorët në kontenë Xhekson të Misurit? (Mund t’ju nevojitet që t’u kujtoni studentëve shkatërrimin e shtypshkronjës, të shtëpive dhe të të korrave të shenjtorëve dhe lyerjen me zift e pupla të Eduard Partrixhit dhe Çarls Alenit.)

Përmblidhni ose lexoni paragrafin vijues ose kërkojini një studenti ta lexojë atë.

Për shkak të dhunës së turmës në kontenë Xhekson të Misurit, në korrik 1833, udhëheqësit e Kishës në Misuri ranë dakord që të largoheshin nga konteja. Megjithatë, në gusht 1833, një këshill i udhëheqësve të përgjithshëm të Kishës në Kirtland u takua për të diskutuar për vështirësitë në Misuri. Ata dërguan udhëzime që shenjtorët në Misuri nuk duhej t’i shisnin tokat e tyre ose të lëviznin nga konteja, vetëm nëse tashmë kishin nënshkruar marrëveshje për ta bërë atë. Udhëheqësit e Kishës i bënë kërkesë qeverisë dhe përdorën kanalet ligjore në dispozicion për t’i mbajtur tokat e tyre në Misuri dhe kërkuan drejtësi për ata që ishin përgjegjës për dhunën. Pasi dëgjuan për këto veprime, dhe duke besuar se shenjtorët nuk po planifikonin të largoheshin ashtu siç pritej, kolonët që nuk ishin shenjtorë të ditëve të mëvonshme i sulmuan përsëri shenjtorët. Natën e 31 tetorit 1833, një turmë prej afro 50 kalorësish, sulmuan Koloninë Uitmer, në perëndim të Indipendënsit. Ata hoqën çatitë e 13 shtëpive dhe rrahën me kamxhik disa burra, derisa gati i vranë ata. Këto sulme vazhduan për dy netët vijuese në Indipendëns dhe në vendet e tjera ku jetonin shenjtorët. Burrat u rrahën dhe gratë e fëmijët u terrorizuan.

  • Si mendoni ju, çfarë pyetjesh mund të kenë pasur shenjtorët në Misuri në këtë kohë? (Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, merrni parasysh të sugjeroni se shenjtorët mund të kenë pyetur veten se përse Zoti lejoi që ata të përndiqeshin.)

Pyetini studentët nëse e kanë pyetur ndonjëherë veten përse Zoti lejon që ata ose njerëzit që ata njohin, të përjetojnë brenga.

Shpjegoni se kur shenjtorët në Misuri po vuanin nga këto prova, Zoti zbuloi të vërteta rreth arsyes përse Ai e lejon popullin e Tij të përjetojë brenga. Ftojini studentët të shohin te hyrja e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 101 dhe të përcaktojnë datat kur Jozef Smithi e mori këtë zbulesë. Më pas ftojini ata që t’i hedhin një sy pjesës tjetër të hyrjes së seksionit, për të gjetur vështirësi të tjera që përjetuan shenjtorët midis sulmit të turmës më 31 tetor dhe datave kur u dha kjo zbulesë. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që zbulojnë. (Pasi të raportojnë, ju mund të doni të shpjegoni se më shumë se 1000 shenjtorë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në kontenë Xhekson.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:1–2. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të gjejë një arsye përse Zoti lejoi që shenjtorët në kontenë Xhekson të vuanin përndjekje dhe brenga. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë mund të mësojmë nga vargu 2 rreth pasojave të shkeljes së urdhërimeve të Perëndisë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin parimin vijues: Kur ne i shkelim urdhërimet, Perëndia na lejon që të vuajmë.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që të kuptohet ky parim?

Vini në dukje që edhe pse shumë shenjtorë në Misuri ishin besnikë dhe të bindur, ata ende vuajtën për shkak të përndjekjes. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë një arsye tjetër përse Zoti lejon që edhe shenjtorët e drejtë të brengosen. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Ju mund të doni të shpjegoni se fjala ndëshkim do të thotë të disiplinosh ose të korrigjosh, se fjala sprovoj do të thotë të provohesh dhe se fjala shenjtëroj do të thotë ta bësh dikë ose diçka të kulluar ose të shenjtë.

  • Sipas këtyre vargjeve, përse Zoti e ndëshkon dhe e provon popullin e Tij? (Studentët duhet të shprehin parimin vijues: Nëse nuk do ta durojmë ndëshkimin, ne nuk mund të shenjtërohemi. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Në ç’mënyrë ndëshkimi mund të na ndihmojë të bëhemi të shenjtëruar?

  • Në ç’mënyrë mesazhi në këto vargje mund të ketë ndikuar te shenjtorët e Misurit?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si të qenit të ndëshkuar dhe të sprovuar na ndihmon të bëhemi të shenjtëruar, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Përveç nxitjes së pendimit tonë, vetë përvoja e durimit të ndëshkimit mund të na pastrojë e të na përgatitë për privilegje më të mëdha shpirtërore” (“Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 98).

Vini në dukje se Zoti iu referua Abrahamit si një shembull i dikujt që u ndëshkua dhe u provua. Ju mund të doni të ftoni një student të përmbledhë shkurtimisht rrëfimin e Zotit ku ai e urdhëron Abrahamin ta japë birin e tij, Isakun, si një sakrificë (shih Zanafilla 22:1–14). Shpjegoni se besnikëria e Abrahamit gjatë asaj sprove dhe gjatë sprovave të tjera, e përgatiti atë për të marrë bekime të mëdha shpirtërore (shih Zanafilla 22:15–18). Drejtojini studentët te parimet që keni shkruar në tabelë.

  • Si mund të na ndihmojë kjo e vërtetë gjatë kohëve të vështira?

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 101:6–8, duke kërkuar mëkatet e kryera nga disa prej shenjtorëve në Misuri, që i çuan të gjithë ata drejt brengave. Kërkojuni studentëve t’ia raportojnë gjetjet e tyre klasës.

  • Çfarë mësoni nga vargjet 7–8?

  • Bazuar në vargun 8, çfarë priren të bëjnë disa njerëz kur jeta e tyre është e paqtë?

  • Sipas vargut 8, çfarë fillojnë të bëjnë disa njerëz në brengat e tyre? Çfarë mendoni se do të thotë “ndihen afër” Zotit?

Nxitini studentët të përsiatin përvoja kur provat e tyre i kanë shtyrë që ta kthejnë zemrën e tyre te Zoti.

Doktrina e Besëlidhje 101:9–16

Zoti i këshillon dhe i ngushëllon shenjtorët

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:9 dhe vëreni klasën të kërkojë një mesazh shprese që Zoti ua dha shenjtorëve që po vuanin në Misuri.

  • Çfarë mesazhi jep Zoti në vargun 9, i cili mund të na ndihmojë kur ne vuajmë pasojat e mëkateve tona? (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Edhe kur ne mëkatojmë, Zoti do të ketë mëshirë për ne. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë. Ju mund të doni gjithashtu të sugjeroni që studentët ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Si mund të na sjellë shpresë kjo e vërtetë?

Kërkojuni studentëve të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që mund të bëjnë për t’i kthyer zemrat e tyre te Zoti dhe të përjetojnë dhembshurinë e Tij.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 101:10–11 duke shpjeguar që edhe pse Zoti lejoi që shenjtorët të përndiqeshin, Ai tha se do t’i ndëshkonte njerëzit që i përndiqnin ata. Ftojeni një student t’i lexojë me zë të lartë fragmentet vijuese dhe kërkojini klasës të dëgjojë për provat e tjera që përjetuan shenjtorët në Misuri. Ju mund të doni t’i ftoni studentët të përfytyrojnë se si mund të ketë qenë t’i dëshmoje apo t’i përjetoje ato prova.

Turma në kontenë Xhekson vazhdoi t’i përndiqte shenjtorët derisa të gjithë anëtarët e Kishës u dëbuan nga konteja. Liman Uajti raportoi: “Unë pashë njëqind e nëntëdhjetë gra dhe fëmijë të çuar dyzet e tetë kilometra përtej rrafshinës, vetëm me tre burra të thyer në moshë në shoqërinë e tyre, në muajin nëntor, [kur] toka ishte veshur me ngricë të hollë; dhe mund t’i ndiqja lehtësisht gjurmët e tyre prej gjakut që rridhte nga këmbët e tyre të çara në kashtën e barit të djegur të stepës!” (në History of the Church, 3:439).

Shumica e shenjtorëve ia mbathën drejt veriut, ku iu desh të kalonin lumin Misuri. Brigjet e lumit pranë tragetit qenë të mbushura me refugjatë. Disa njerëz qenë me mjaft fat që u larguan me disa nga artikujt e tyre shtëpiakë, por shumë prej tyre humbën gjithçka. Parli P. Prat shkroi: “Qindra njerëz shiheshin në çdo drejtim, disa në çadra dhe disa në qiell të hapur rreth zjarreve të tyre, ndërsa shiu binte rrëke. Burrat po kërkonin bashkëshortet e tyre, gratë po kërkonin bashkëshortët e tyre; prindërit po kërkonin fëmijët dhe fëmijët prindërit. … Skena ishte e papërshkrueshme dhe, jam i sigurt, do të kishte prekur zemrën e cilitdo njeriu në tokë, përveç të shtypësve tanë të verbër dhe të një komuniteti të verbër e të paditur” (Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 102).

  • Cilat aspekte të këtyre provave do të kishin qenë veçanërisht të vështira nga ana juaj për t’u dëshmuar apo përjetuar?

  • Si mendoni se do të mund të reagonit nëse do të kishit përjetuar brenga të tilla? (Ju mund të doni t’i lejoni studentët që ta përsiatin këtë pyetje pa u përgjigjur me zë të lartë.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:12–16. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë premtimin e Zotit për shenjtorët e drejtë. Kërkojuni studentëve të raportojnë gjetjet e tyre. Shpjegoni se te vargu 12, fraza “gjithë Izraeli im” i referohet atyre që janë të vërtetë ndaj besëlidhjes së ungjillit.

  • Çfarë parimi mësoni nga vargjet 12–16? (Përmblidhini përgjigjet e studentëve në një thënie në tabelë. Përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Kur jetojmë me drejtësi, ne mund të gjejmë ngushëllim në njohurinë se të gjithë njerëzit janë në duart e Zotit.)

  • vargun 16, çfarë mendoni se është kuptimi i urdhrit “rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi”?

  • Në ç’mënyrë të qenit të “qetë” na ndihmon të marrim ngushëllim nga Zoti?

Ftojini studentët të mendojnë për rastet kur ata kanë ndier paqe dhe e kanë ditur se ishin në duart e Perëndisë. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë përvojat e tyre. Ju mund të doni të tregoni një përvojë që keni pasur kur u bekuat me paqe gjatë një periudhe vuajtjeje.

Nxitini studentët që të kthehen vazhdimisht te Zoti dhe të besojnë se Ai do të bëjë atë që është më e mira për ta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 101:2. “Si pasojë e shkeljeve të tyre”

Përpara se shenjtorët të dëboheshin nga konteja Xhekson në Misuri, ata kishin marrë disa paralajmërime se do të provonin brenga nëse nuk pendoheshin. Për shembull, në janar 1833, Jozef Smithi e qortoi Uilliam W. Felpsin dhe Sidni Gilbertin për “frymën që mbartej” në letrat që kishin shkruar, duke thënë se një frymë e tillë “po e çonte dëm forcën e Sionit” dhe se do ta “bënte Sionin gati për Gjykimet kërcënuese të Perëndisë”. Orson Hajdi dhe Hajrëm Smithi, duke i shkruar Peshkopit Eduard Partrixh, këshilltarëve të tij dhe një konference të priftërinjve të lartë, dërguan një letër paralajmëruese për udhëheqësit e Kishës në Misuri. Ata iu referuan një letre nga Sidni Gilberti që përmbante “fjalë intriguese të rëndomta, të errëta dhe të verbra”. Ata ndëshkuan edhe një tjetër letër që linte të kuptonte se Profeti “po kërkonte fuqi dhe autoritet mbretëror”. Për shkak të këtyre shkeljeve dhe të tjerave, Orson Hajdi dhe Hajrëm Smithi paralajmëruan se shenjtorët në Misuri do të përballeshin me një “fshikullim dhe gjykim” (shih Documents, Vëllimi 2: korrik 1831–janar 1833, vëllimi 2 i serive “Documents” të The Joseph Smith Papers [2013], f. 367, 373–374).

Doktrina e Besëlidhje 101:5. Qëllimi i “ndëshkimit hyjnor”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Ndëshkimi hyjnor ka të paktën tri qëllime: 1) të na mbushë mendjen që të pendohemi, 2) të na pastrojë e shenjtërojë dhe 3) nganjëherë ta ridrejtojë orientimin e jetës sonë në atë që Perëndia e di se është një shteg më i mirë” (“Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 98).

Doktrina e Besëlidhje 101:6. “Kishte acarime dhe grindje”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se ndërsa ne kërkojmë të ngremë Sionin, ne mund të mësojmë nga gabimet e shenjtorëve të hershëm në Misuri:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Nën drejtimin e Profetit Jozef Smith, anëtarët e hershëm të Kishës, u përpoqën ta krijonin vendin qendror të Sionit në Misuri, por nuk u kualifikuan për të ndërtuar qytetin e shenjtë. Zoti shpjegoi një nga arsyet e dështimit të tyre:

‘Ata nuk kanë mësuar të jenë të bindur ndaj gjërave që i kërkova nga duart e tyre, por janë plot me gjithë llojet e ligësisë dhe nuk u japin nga pasuria e tyre, sikurse u ka hije shenjtorëve, të varfërve dhe të munduarve mes tyre;

Dhe nuk janë të bashkuar sipas bashkimit të kërkuar nga ligji i mbretërisë çelestiale’ (DeB 105:3–4).

‘Kishte acarime dhe grindje, dhe zilira, dhe zënie, dhe dëshira epshore dhe lakmitare mes tyre; si rrjedhim, prej këtyre gjërave ata i ndotën trashëgimitë e tyre’ (DeB 101:6).

Në vend që t’i gjykojmë mjaft ashpër këta shenjtorë të hershëm, ne, sidoqoftë duhet të shohim nga vetja, për të parë a po sillemi më mirë.

Sioni është Sion për shkak të karakterit, cilësive dhe besnikërisë së qytetarëve të tij. Mbani mend, ‘Zoti e quajti popullin e tij Sion, ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre’ (Moisiu 7:18). Nëse do ta vendosnim Sionin në shtëpitë, degët, lagjet dhe kunjet tona, ne duhet të ngrihemi deri te ky standard. Do të jetë e domosdoshme 1) të bashkohemi në një zemër e një mendje; 2) të bëhemi, si individë dhe si kolektiv, një popull i shenjtë; dhe 3) të kujdesemi për të varfrit dhe nevojtarët me aq efektshmëri sa të zhdukim varfërinë midis nesh. Nuk mund të presim derisa Sioni të vijë, që të ndodhin këto gjëra – Sioni do të vijë vetëm kur ato të ndodhin” (“Ejani në Sion”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 38).

Doktrina e Besëlidhje 101:16. “Gjithë mishi është në duart e mia; rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi”

Presidenti Gordon B. Hinkli tregoi për një rast kur ai u ngushëllua nga parimet te Doktrina e Besëlidhje 101:16:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Kohët e fundit ndërsa luftoja në mendjen time për një problem që mendoja se do të ishte me pasoja të rënda, unë u gjunjëzova në lutje. Në mendje më erdhi një ndjenjë paqeje dhe fjalët e Zotit: ‘Rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi’. Iu ktheva shkrimeve të shenjta dhe lexova këtë deklaratë qetësuese që iu tha Profetit Jozef Smith 150 vjet më parë: ‘Zemrat tuaja duhet të ngushëllohen lidhur me Sionin; sepse gjithë mishi është në duart e mia; rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi’. (DeB 101:16.)

Perëndia po end tapicerinë e tij sipas vetë planit të tij madhështor. I gjithë mishi është në duart e Tij. Nuk është e drejta jonë për ta këshilluar atë. Është përgjegjësia dhe mundësia jonë që të kemi paqe në mendjet e zemrat tona, dhe të dimë se ai është Perëndia, se kjo është puna e tij dhe se ai nuk do të lejojë që ajo të dështojë.

Nuk ka nevojë të kemi frikë. Nuk ka nevojë të shqetësohemi. Nuk ka nevojë të hamendësojmë. Nevoja jonë thelbësore është që të gjendemi duke e bërë detyrën tonë individualisht në thirrjet që na kanë ardhur. Dhe për shkak se, në pjesën më të madhe, shenjtorët e ditëve të mëvonshme po ecin me besim dhe po punojnë me bindje, Kisha është duke u rritur në mënyrë të vazhdueshme gjithmonë e më e fortë” (“He Slumbers Not, nor Sleeps”, Ensign, maj 1983, f. 6).

Plaku W. Krejg Zuik, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi se çfarë do të thotë të jesh në duart e Perëndisë:

Pamja
Plaku W. Krejg Zuik

“Të jesh në duart e Perëndisë do të nënkuptonte që ne jemi jo vetëm nën kujdesin e Tij vigjilent, por edhe që ne ruhemi dhe mbrohemi nga fuqia e Tij mrekullibërëse.

Kudo në shkrimet e shenjta, përmendet dora e Zotit. Ndihma e Tij hyjnore provohet pa pushim. Duart e Tij të fuqishme krijuan botë dhe prapë ato qenë mjaftueshëm të buta për të bekuar fëmijët e vegjël” (“The Lord Thy God Will Hold Thy Hand”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 34).