Seminari
Mësimi 75: Doktrina e Besëlidhje 69–71


Mësimi 75

Doktrina e Besëlidhje 69–71

Hyrje

Në fund të tetorit ose fillim të nëntorit të vitit 1831 Oliver Kaudëri mori një detyrë ta çonte dorëshkrimin e Librit të Urdhërimeve nga Ohajo në Misuri. Në Misuri Uilliam W. Felpsi do ta shtypte librin në shtypshkronjën e tij. Më 11 nëntor 1831 Zoti e caktoi Xhon Uitmerin të ishte shoku shoqërues i Oliverit dhe e urdhëroi atë të vazhdonte në detyrat e tij si Historiani i Kishës (shih DeB 69). Ditën vijuese Zoti caktoi gjashtë burra që të shërbenin si kujdestarë për zbulesat (shih DeB 70). Në dhjetor 1831 Zoti i urdhëroi Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin të shërbenin një mision për të zbutur ndjenjat armiqësore kundër Kishës dhe të përgatitnin udhën për zbulesat dhe urdhërimet që do të botoheshin (shih DeB 71).

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 69

Zoti zbulon rëndësinë e mbajtjes së historive

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani në tabelë pyetjen vijuese: A iu ka mirëbesuar ndonjëherë dikush që të kujdeseni për diçka të çmuar?

Në fillim të mësimit jepuni studentëve kohë që të mendojnë rreth pyetjes në tabelë. Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë iu mirëbesua të bënit? Si ndikoi ky mirëbesim te përkujdesja juaj për gjënë e çmuar?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 69. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që iu mirëbesua Oliver Kaudërit.

  • Çfarë iu mirëbesua Oliver Kaudërit?

  • Nëse juve do t’u mirëbesoheshin këto sende të çmuara, si do kujdeseshit për to?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 69:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar këshillat që dha Zoti lidhur me këto sende të çmuara.

  • Si mendoni, përse do të ishte diçka e urtë që të ketë më shumë se një njeri për t’i mbajtur këto sende të çmuara?

Shpjegoni se Zoti i mirëbesoi Xhon Uitmerit një tjetër përgjegjësi të rëndësishme, përveçse të ndihmonte Oliverin me transportimin për në Misuri të zbulesave dhe parave. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 69:3–8 dhe kërkojini klasës të gjejë se çfarë tjetër i mirëbesoi Zoti Xhon Uitmerit të bënte. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se Xhon Uitmeri ishte thirrur të shërbente si Historian dhe Shkrues i Kishës në fillim të vitit 1831 (shih DeB 47).

Shpjegoni se që nga koha e Jozef Smithit, udhëheqësit e Kishës janë përpjekur me zell që të ndjekin udhëzimin e Zotit për të shënuar “të gjith[a] gjëra[t e] rëndësishme … lidhur me kishën” (DeB 69:3). Ata kanë mbajtur “të gjitha gjërat që do të jenë për të mirën e kishës” (DeB 69:8), madje edhe kur disa prej atyre gjërave mund të shkaktonin siklet. Për shembull, Doktrina e Besëlidhje përfshin disa zbulesa në të cilat Zoti i qorton udhëheqësit e hershëm të Kishës (shih DeB 3:5–9; 93:41–50). Sot Historiani i Kishës, nën udhëheqjen e Presidencës së Parë, drejton përpjekjet e Departamentit të Historisë së Kishës që të mbajë një histori të saktë të “të gjitha gjërave të rëndësishme”.

Për t’i ndihmuar studentët të gjejnë një parim te Doktrina e Besëlidhje 69:3, 8, shkruani në tabelë thënien vijuese të paplotësuar: Zoti pret që historitë të mbahen për të mirën e …

Pyetini studentët se si do ta plotësonin këtë thënie, bazuar te vargjet 3 dhe 8. Ndërsa ata përgjigjen, plotësoni thënien në tabelë: Zoti pret që historitë të mbahen për të mirën e Kishës dhe për brezat në rritje. Ju mund të doni të siguroheni që studentët të kuptojnë se fraza “brezat në rritje” u referohet atyre, të rinjve të Kishës.

  • Sipas mendimit tuaj, si mund të përfitojë Kisha nga historitë e Kishës dhe historitë vetjake? Si mund të përfitojë brezi në rritje?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rrëfim nga historia e Kishës apo nga historia e tyre familjare që i ka ndihmuar ata. Ndajini studentët në dyshe dhe u kërkoni atyre t’i tregojnë njëri-tjetrit rrëfimet e tyre. Gjithashtu kërkojuni të flasin për mënyrën se si kanë ndikuar rrëfimet tek ata. Ose ju mund të doni të ftoni disa studentë t’ia tregojnë rrëfimet e tyre të gjithë klasës.

Doktrina e Besëlidhje 70

Shpëtimtari cakton kujdestarë që të kujdesen për zbulesat e Tij

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 70 dhe kërkoni atë që thotë historia e Jozef Smithit rreth Doktrinës e Besëlidhjeve (fillimisht i quajtur Libri i Urdhërimeve).

  • Si e përshkroi Zoti Doktrinën e Besëlidhjet?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 70:1 dhe vëreni klasën të kërkojë emrat e gjashtë udhëheqësve të Kishës. Më pas ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 70:2–4. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar përgjegjësinë që Zoti u dha këtyre gjashtë burrave.

  • Çfarë përgjegjësie u dha Zoti këtyre gjashtë burrave? (Ata do të ishin kujdestarë për zbulesat dhe urdhërimet.)

  • Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 70:4, çfarë tha Zoti se do t’u kërkonte këtyre burrave në ditën e gjykimit? (Ai do t’u kërkonte një rrëfim të kujdestarisë së tyre. Me fjalë të tjera, ai do t’u kërkonte atyre të raportonin lidhur me shërbimin e tyre.)

  • Çfarë sugjeron kjo rreth asaj që Zoti do të na kërkojë neve në ditën e gjykimit? (Teksa studentët përgjigjen, i ndihmoni të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Zoti do të na mbajë përgjegjës për detyrat që Ai na ka besuar. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Si mund të ndikojë kjo e vërtetë në mënyrën se si ne u përgjigjemi thirrjeve dhe detyrave në Kishë?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 70:5–18 duke shpjeguar se Zoti u tha këtyre gjashtë burrave ta bënin kujdestarinë e tyre mbi zbulesat “detyr[ën] e tyre në kishën e Perëndisë, për t’i mbikëqyrur ato dhe çështjet e lidhura me to, po, përfitimet e tyre” (DeB 70:5). Në përputhje me ligjin e përkushtimit, çdo të ardhur që merrnin, e cila ishte e tepërt për nevojat e tyre, duhej t’i jepej shtëpisë së ruajtjes së Zotit për përkujdesjen ndaj të varfërve (shih DeB 70:7).

Doktrina e Besëlidhje 71

Zoti i mëson Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit se si t’u përgjigjen kritikuesve të Kishës

Pyetini studentët nëse ndonjëri prej tyre ka dëgjuar ndonjëherë kritika rreth Kishës. Ju mund të merrni parasysh të ftoni disa studentë të tregojnë përvojat e tyre.

  • Cilat janë mënyrat e duhura për t’iu përgjigjur kritikave ndaj Kishës?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin e Doktrinës e Besëlidhjeve 71, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë informacionin vijues (ose lexojeni vetë paragrafin). Kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrën se si Kisha dhe udhëheqësit e saj po kritikoheshin në kohën që u dha kjo zbulesë.

Ezra Buthi ishte një ish-shërbestar metodist, i cili u bë anëtar i Kishës pasi lexoi Librin e Mormonit, duke biseduar me Jozef Smithin dhe duke dëshmuar një shërim. Ai udhëtoi si një misionar për në Misuri, por u zhgënjye kur nuk mund të kryente mrekulli për t’i bindur të tjerët për të vërtetën. Përveç kësaj, Buthi nuk besonte se qëndrimi i Jozef Smithit ishte i duhur për një profet apo udhëheqës shpirtëror. Ai u bë shumë kritikues ndaj Jozef Smithit, e la Kishën dhe shkroi nëntë letra kritikuese ndaj Kishës dhe udhëheqësve të saj. Këto letra, të botuara në gazetën e quajtur Ohajo Star [Ylli i Ohajos], bënë që disa njerëz të krijonin ndjenja armiqësore ndaj Kishës dhe udhëheqësve të saj. Historia e Profetit Jozef Smith i quan shkrimet e Ezra Buthit një “seri letrash, të cilat, me anë të paragjykimeve, mashtrimit dhe përllogaritjeve të kota për të hedhur poshtë punën e Zotit, vunë në dukje dobësinë, ligësinë dhe marrëzinë e [Buthit] dhe i lanë atij një përmendore të vetë turpit të tij që e gjithë bota të çuditej” (History of the Church, 1:216–217). Sajmonds Rajdëri, një anëtar tjetër i pakënaqur, i dha një gazete tjetër kopje të disa prej zbulesave, duke u orvatur t’i shkurajonte njerëzit nga bashkimi me Kishën.

Shpjegoni se trazira e shkaktuar nga Ezra Buthi dhe Sajmons Rajdëri u rrit derisa u bë një problem serioz. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 71:1–4 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Zoti i tha Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit të bënin, për të qetësuar ndjenjat armiqësore që erdhën si rrjedhojë e artikujve në gazeta.

  • Sipas vargut 1, çfarë i udhëzoi Zoti Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin të bënin për të qetësuar ndjenjat negative të njerëzve rreth Kishës? (Ata duhej të përdornin shkrimet e shenjta dhe fuqinë e Shpirtit që Zoti do t’u jepte atyre.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky udhëzim rreth mënyrës se si t’u përgjigjemi kritikave për Kishën? (Megjithëse studentët mund të japin shumë përgjigje të sakta, sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Kur njerëzit e kritikojnë Kishën, ne mund të përgjigjemi duke treguar të vërtetat nga shkrimet e shenjta dhe duke ndjekur udhëheqjen e Shpirtit. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Çfarë mund të bëjmë tani që të përgatitemi për t’iu përgjigjur kritikave ndaj Kishës dhe udhëheqësve të saj?

Për t’i ndihmuar studentët që të kuptojnë më mirë rëndësinë e pasjes së udhëheqjes së Shpirtit kur u përgjigjen kritikave ndaj Kishës, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrën se si Shpirti mund të na ndihmojë t’u përgjigjeni kritikave ndaj Kishës.

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Kur ne u përgjigjemi të tjerëve, çdo rrethanë do të jetë e ndryshme. Fatmirësisht, Zoti i njeh zemrat e akuzuesve tanë dhe mënyrën si ne mund t’u përgjigjemi atyre më me efikasitet. Kur dishepujt e vërtetë kërkojnë drejtim nga Shpirti, ata marrin frymëzim të përshtatur për çdo përballje. Dhe në çdo përballje, dishepujt e vërtetë përgjigjen në mënyra që e ftojnë Shpirtin e Zotit” (“Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 73).

Lexoni me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 71:5–11. Vërini studentët të kërkojnë këshillat dhe ngushëllimin që u dha Zoti atyre që u përgjigjen kritikave ndaj Kishës.

Shpjegoni se Sidni Rigdoni iu bind këshillës së Zotit dhe e ftoi Ezra Buthin që të takohej me të në qytetin e Ravenës, ku ata do të diskutonin publikisht letrat që Ezra i kishte dërguar gazetës. Sidni e sfidoi edhe Sajmonds Rajdërin në një debat publik mbi Librin e Mormonit. Të dy burrat nuk i pranuan ftesat. Sidni ende dëshmoi për të vërtetën në Ravena dhe vende të tjera.

Ftojini studentët të marrin në shqyrtim atë që do të bëjnë, për ta përgatitur më mirë veten e tyre për t’iu përgjigjur kritikave ndaj Kishës. Jepni dëshminë tuaj për Kishën dhe udhëheqësit e saj.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 69:3, 8. “Ai do të vazhdojë të shkruajë dhe të bëjë një histori”

Presidenti Spenser W. Kimball dëshmoi për rëndësinë e të shkruarit të historive vetjake:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Ditari juaj është autobiografia juaj, prandaj duhet mbajtur me kujdes. Ju jeni i pashoq dhe mund të ketë ndodhi në përvojën tuaj që janë më shumë fisnike dhe të lavdërueshme në mënyrën e tyre sesa ato të shënuara në jetën e dikujt tjetër. Mund të ketë një fije ndriçimi të mendjes këtu dhe një histori besnikërie atje. …

Historia juaj duhet të shkruhet tani, ndërsa është e freskët dhe kur hollësitë e vërteta janë në dispozicion. …

Çfarë mund të bëni më mirë për fëmijët tuaj dhe fëmijët e fëmijëve tuaj se sa të shënoni historinë e jetës suaj, të ngadhënjimit ndaj fatkeqësive, të ngritjes pas rënies, të përparimit kur gjithçka dukej e zezë, të gëzimit tuaj kur më në fund e arritët diçka? …

Merrni një bllok shënimesh, … një ditar që do të vazhdojë gjatë gjithë kohës dhe ndoshta engjëjt mund të citojnë prej tij në përjetësi. Filloni sot dhe shkruani të përditshmet tuaja, mendimet tuaja më të thella, arritjet tuaja dhe dështimet tuaja, shoqërimet dhe ngadhënjimet tuaja, mbresat dhe dëshmitë tuaja” (“The Angels May Quote from It”, New Era, tetor 1975, f. 5).

Doktrina e Besëlidhje 71. Misioni i Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit në Ohajo

Historia e Jozef Smithit përfshin një përshkrim të mënyrës se si Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni punuan që të përmbushnin urdhrin e Zotit për të qetësuar ndjenjat armiqësore ndaj Kishës, të cilat ishin krijuar për shkak të artikujve të gazetës të shkruara nga Ezra Buthi:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Që nga kjo kohë deri më 8 ose 10 janar të vitit 1832, unë dhe Plaku Rigdon vazhduam të predikonim në Shalersvill të Ravenës dhe në vende të tjera, duke shprehur të vërtetën, duke shfajësuar kauzën e Shëlbuesit tonë; duke treguar se dita e hakmarrjes po vinte mbi këtë brez si një hajdut natën; që paragjykimi, verbëria dhe errësira mbushnin mendjen e shumë njerëzve dhe i bënin ata të përndiqnin Kishën e vërtetë dhe ta hidhnin poshtë dritën e vërtetë; mënyrë me anë të së cilës ne bëmë shumë ndaj qetësimit të ndjenjave të acaruara që po rriteshin nga letrat e turpshme të botuara atëherë në Ohio Star, në Ravena, nga braktisësi i sipërpërmendur, Ezra Buthi” (në History of the Church, 1:241).

Doktrina e Besëlidhje 71. Sajmonds Rajdëri

Kur Sajmonds Rajdëri mësoi fillimisht për Kishën, ai qëndroi i pavendosur për një kohë rreth faktit nëse donte të pagëzohej apo jo. Megjithatë, në vitin 1831 ai lexoi një rrëfim në gazetë për shkatërrimin e Pekinit në Kinë dhe iu kujtua se një vajzë mormone, gjashtë javë më parë kishte parashikuar shkatërrimin e atij qyteti. Kjo përvojë e çoi atë që të bashkohej me Kishën.

Pak pasi Sajmondsi u pagëzua dhe u konfirmua, ai u shugurua plak. Ai mori një letër të firmosur nga Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni, duke pohuar se ishte vullneti i Zotit, i bërë i njohur përmes Frymës së Shenjtë, se ai duhej të predikonte ungjillin. Megjithatë, si në letrën që mori ashtu edhe në detyrën zyrtare për të predikuar, emri i tij u shkrua Ridër në vend të Rajdër. Për shkak të shkrimit të gabuar, Sajmondsi filloi të vinte në dyshim zbulesat e Jozef Smithit dhe të thirrjes së tij si profet i Perëndisë. Përfundimisht Sajmondsi e la Kishën. Ndërkohë që reagimi i tij për shkrimin e gabuar të emrit të vet nuk ishte e vetmja arsye për braktisjen e tij, ai ndihmoi për këtë. Pas braktisjes së tij, Sajmonds Rajdëri u bë një nga anëtarët e turmës që e leu me zift dhe i hodhi pupla Jozef Smithit jashtë shtëpisë së Xhon dhe Elsa Xhonsonit, natën e 24–25 marsit të vitit 1832.

Doktrina e Besëlidhje 71:7. Të ndihmuarit e të tjerëve për të kuptuar të vërtetën

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këshillën vijuese për mënyrën se si t’u përgjigjemi njerëzve që e kritikojnë Kishën:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

Si dishepuj të vërtetë, shqetësimi ynë parësor duhet të jetë mirëqenia e të tjerëve, jo shfajësimi vetjak. Pyetjet dhe kritikat na japin një mundësi që t’i ndihmojmë të tjerët dhe të tregojmë se ata kanë rëndësi për Atin tonë Qiellor dhe për ne. Qëllimi ynë duhet të jetë që t’i ndihmojmë ata të kuptojnë të vërtetën, jo të mbrojmë egot tona apo të fitojmë pikë në një debat teologjik. Dëshmitë tona të dhëna me zemër janë përgjigjja më e fuqishme që mund t’u japim akuzuesve tanë. Dhe dëshmi të tilla mund të jepen vetëm me dashuri dhe përulësi” (“Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 73–74).

Plaku Marvin J. Ashton, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, këshilloi:

Pamja
Plaku Marvin J. Ashton

“Ndoshta ne kurrë nuk do të jemi të çliruar nga ata që janë haptasi antimormonë. Prandaj, ne i nxitim të gjithë anëtarët tanë të refuzojnë të bëhen antimormonë” (“Pure Religion”, Ensign, nëntor 1982, f. 63).