Seminari
Mësimi 149: Doktrina e Besëlidhje 136:19–42


Mësimi 149

Doktrina e Besëlidhje 136:19–42

Hyrje

Në janar të vitit 1847, Brigam Jangu mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 136, në Lagjet Dimërore të Nebraskës. Ky mësim shqyrton Doktrinën e Besëlidhjet 136:19–42, e cila përfshin udhëzimet e Zotit për shenjtorët mbi mënyrën se si të punojnë së bashku dhe të marrin mbrojtjen e Tij në udhëtimin e tyre për në perëndim.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 136:19–29

Zoti i udhëzon shenjtorët se si të veprojnë gjatë udhëtimit të tyre

Fillojeni mësimin duke bërë pyetjet vijuese:

  • Çfarë mundësish keni për të bashkëvepruar me njerëz të tjerë në një grup? (Përgjigjet mund të përfshijnë në familje, kuorumet e priftërisë dhe klasat e Të Rejave, ekipet e futbollit, klasat në shkollë dhe skuadrat e punës.)

  • Cilat janë disa anë pozitive të të punuarit me të tjerë në grup?

Shpjegoni se kur shenjtorët u detyruan të largoheshin nga Navuja në fillim të vitit 1846 dhe filluan të udhëtonin për në perëndim, shumë njerëz ishin të papërgatitur për udhëtimin. Shenjtorët fillimisht u shpërndanë në hapësirën e shumë kilometrave, gjë e cila e zvogëloi aftësinë e tyre për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Në një zbulesë që Brigam Jangu mori në Lagjet Dimërore rreth një vit më vonë, Zoti i udhëzoi shenjtorët ta organizonin veten e tyre në mënyrë që të mund ta ndihmonin njëri-tjetrin ndërkohë që vazhdonin udhëtimin e tyre.

Ftojini studentët të rishikojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 136:2, 8–10 dhe të raportojnë mënyrën se si Zoti i udhëzoi shenjtorët ta ndihmonin njëri-tjetrin.

Vini në dukje që, megjithëse të punuarit në grup na lejon ta ndihmojmë njëri-tjetrin, ai mund të na krijojë edhe sfida.

  • Sipas përvojës suaj, cilat janë disa sfida të të punuarit në grupe?

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni çdo çift të lexojë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 136:19–27. Vërini ata të kërkojnë udhëzimet e Zotit për shenjtorët ndërsa udhëtonin dhe punonin së bashku. Pas një kohe të mjaftueshme, bëjini klasës pyetjet vijuese:

  • Çfarë udhëzimesh patë që do t’i ndihmonin shenjtorët të udhëtonin dhe punonin së bashku? Si mendoni ju, përse do të ishin të nevojshme këto udhëzime?

  • Si mund t’i zbatoni këto udhëzime ndërkohë që bashkëveproni dhe punoni me njerëz të tjerë?

  • Cilat janë pasojat kur njerëzit nuk u binden këtyre këshillave?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 136:23–24. Kërkojini klasës që ta ndjekë. Mund t’ju duhet të shpjegoni arsyen përse Zoti i udhëzoi shenjtorët ta “ndal[nin] dehjen” edhe pasi e kishin marrë Fjalën e Urtësisë. Kujtojuni atyre se shenjtorët përparuan gradualisht në respektimin e Fjalës së Urtësisë. Kur u dha zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 136, shenjtorëve të ditëve të mëvonshme nuk u ndalohej konsumi i të gjitha pijeve alkoolike siç na ndalohet sot.

  • Sipas vargut 24, çfarë duhet të bëjnë fjalët tona për ata që janë përreth nesh? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Fjalët tona duhet t’i lartësojnë të tjerët. Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se të lartësosh do të thotë ta ngresh dikë shpirtërisht apo emocionalisht.)

  • Si mendoni ju, përse do të ishte e rëndësishme që shenjtorët të përdornin fjalë lartësuese ndërsa udhëtonin së bashku?

  • Kur e keni parë dikë të përdorë fjalë që e lartësojnë një person tjetër?

Ftojini studentët të shqyrtojnë atë që mund të thonë, e cila do t’i lartësojë ata përreth tyre.

Ftoni dy studentë ku secili të lexojë me zë të lartë rrëfimet vijuese të përvojave të shenjtorëve në udhëtimin e tyre. Vëreni klasën të mendojë për karakterin e këtyre shenjtorëve besnikë.

Meri An Ueston Mogan shkroi:

“Ne u thirrëm të varrosnim dy veta nga kompania jonë, të cilët vdiqën këtë mëngjes nga kolera, një burrë i quajtur Braun dhe një fëmijë. Ka më shumë njerëz të sëmurë në kamp. Kemi qenë gjatë gjithë ditës pranë lumit Plejt. Udhëtuam 24.14 kilometra, fushuam në përroin Solt. Shpejt kompanisë sonë iu bashkua edhe vdekja e një fëmije tjetër. Ata e varrosën atë në agim, buzë përroit. Ka më shumë të sëmurë. Na pikëllon t’i varrosim miqtë tanë përgjatë udhës. Moti është shumë i nxehtë” (ditari i Meri An Ueston Mogan, 3 vëll., 21 qershor 1850, 2:1, Biblioteka e Historisë Familjare, Solt-Lejk-Siti; germëzimi, shkrimi me germa të mëdha dhe pikësimi të përditësuara).

Klarisa Jang Spenser (vajza e Brigam Jangut) shkroi:

“Një nga cilësitë më të shquara të babait si udhëheqës ishte mënyra me të cilën ai kujdesej për mirëqenien materiale dhe shoqërore të popullit të tij, së bashku me udhëheqjen në nevojat e tyre shpirtërore. Në udhëtimin e gjatë përmes rrafshnaltave, ku çdokush përveçse më të pafuqishmëve, e bëri në këmbë pjesën më të madhe të rrugës, shenjtorët do të mblidheshin rreth zjarrit për argëtimin e mbrëmjes, nëse moti ishte krejt i favorshëm. Atje këndoheshin këngë, muzika luhej nga violinistë, dhe burrat e gratë do ta harronin rraskapitjen e të ecurit rreth 24.14 kilometra në një shkretëtirë pa krye, ndërsa bashkoheshin në kërcimin me katër veta. Kjo ishte mënyra e tij për ta mbajtur lart ‘moralin’, përpara se një fjalë e tillë të krijohej ndonjëherë” (me Mabel Harmer, One Who Was Valiant [1940], f. 162).

  • Bazuar te këto rrëfime, si do t’i përshkruanit këta pionierë besnikë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 136:28–29.

Pyetini studentët se çfarë këshille përmbahet në këto vargje. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, shkruani në tabelë të vërtetat vijuese: Nëse jemi të lumtur, ne duhet ta lëvdojmë dhe ta falënderojmë Atin Qiellor. Nëse jemi të pikëlluar, ne duhet të lutemi që shpirti ynë të mund të gëzohet.

  • Si mendoni ju që këto parime i ndihmuan shenjtorët në udhëtimin e tyre?

  • Si mund të na ndihmojnë këto parime sot?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për raste kur Ati Qiellor iu është përgjigjur lutjeve të tyre duke i ndihmuar ata të jenë të lumtur. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre.

Nxitini studentët që ta lëvdojnë dhe ta falënderojnë Zotin kur janë të lumtur dhe të luten për ndihmë kur janë të pikëlluar.

Doktrina e Besëlidhje 136:30–42

Zoti i siguron shenjtorët dhe i udhëzon ata të jenë të zellshëm në mbajtjen e të gjitha urdhërimeve të Tij

Kujtojuni studentëve se shenjtorët kishin duruar sprova të mëdha dhe ata e dinin se udhëtimi i tyre në vazhdim do të ishte gjithashtu një sfidë e madhe.

  • Si mendoni ju, çfarë i ndihmoi shenjtorët të qëndronin besnikë edhe nën rrethana të tilla të vështira?

Ndajini studentët në dy grupe. Ftojeni grupin e parë të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 136:30–33. Ftojeni grupin e dytë të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 136:34–40. Vërini të dyja grupet që të kërkojnë parime që mund t’i kenë nxitur shenjtorët.

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve nga secili grup që të raportojnë. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. Përgjigjet e tyre mund të përfshijnë parimet dhe doktrinat e mëposhtme:

Ne nuk duhet të kemi frikë nga armiqtë tanë, sepse ata janë në duart e Zotit.

Sprovat tona mund të na përgatitin që të marrim lavdinë që Perëndia ka për ne.

Nëse e përulim veten tonë dhe e thërrasim Perëndinë, atëherë Shpirti do të na ndriçojë.

Nëse jemi besnikë në mbajtjen e të gjitha fjalëve që Zoti na ka dhënë, një ditë ne do ta shohim lavdinë e Tij.

Zoti na e jep fjalën e Tij nëpërmjet profetëve të Tij.

Zoti mund të na çlirojë nga armiqtë tanë.

  • Si mendoni ju që këto parime i ndihmuan shenjtorët të qëndronin besnikë?

  • Si mund të na ndihmojnë këto parime të qëndrojmë besnikë gjatë vetë përvojave tona të vështira?

Ftojini studentët t’i rishikojnë me shpejtësi parimet në tabelë. Kërkojuni atyre të marrin në shqyrtim mesazhin e plotë që ata mendojnë se shenjtorët mund të kenë mësuar. Kërkojuni studentëve t’i raportojnë përgjigjet e tyre. Studentët mund të përcaktojnë një shumëllojshmëri mesazhesh, por ndihmojini ata të kuptojnë që Zoti po u jepte siguri shenjtorëve se gjërat do të funksiononin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 136:41–42. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar sigurinë dhe këshillat e mëtejshme nga Zoti.

  • Si mund të ketë qenë bindës për shenjtorët mesazhi i Zotit në vargun 41?

  • Çfarë mund të mësojmë nga urdhri i Zotit të shënuar në vargun 42? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse jemi të zellshëm në mbajtjen e urdhërimeve të Zotit, atëherë gjykimet e Zotit nuk do të vijnë mbi ne, besimi ynë do të jetë i fortë dhe armiqtë tanë nuk do të triumfojnë mbi ne.)

  • Si mund t’i ketë ndihmuar ky parim shenjtorët në udhëtimin e tyre? Si mund të na ndihmojë ne?

Shpjegoni se shenjtorët iu bindën urdhrave të Zotit. Grupi i parë i pionierëve u largua nga Lagjet Dimërore më 5 prill 1847. Ata udhëtuan më shumë se 1609,34 kilometra dhe mbërritën në luginën e Solt-Lejkut në fund të korrikut të vitit 1847. Më 24 korrik 1847, Presidenti Brigam Jang hyri në luginë dhe mori konfirmimin se shenjtorët e kishin gjetur shtëpinë e tyre të re. Në atë kohë ai po udhëtonte prapa qerres së Uillford Udrafit ngaqë ishte i sëmurë me temperaturë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin e Presidentit Uillford Udraf kur Brigam Jangu po shikonte luginën e Solt-Lejkut:

Pamja
Presidenti Uillford Udraf

“Kur mbërritëm … te një pamje e plotë e luginës, unë e rrotullova karrocën, me pamje nga perëndimi dhe Presidenti Jang u ngrit nga shtrati i tij dhe pa rreth e rrotull luginës. Ndërsa po vështronte ngultas skenën përpara nesh, ai u mbështoll në një vegim për disa minuta. Ai e kishte parë luginën më parë në vegim dhe në këtë rast ai pa lavdinë e ardhshme të Sionit dhe Izraelit. … Kur vizioni u mbyll, ai tha: ‘Kjo është e mjaftueshme. Ky është vendi i duhur. Jepini’” (Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 146).

  • Përse do të ishte e rëndësishme për Brigam Jangun dhe shenjtorët që të merrnin një konfirmim se lugina e Solt-Lejkut ishte vendi i duhur për t’u vendosur?

Përfundoni duke i ftuar studentët që të përpiqen t’i mbajnë të gjitha urdhërimet dhe të mbajnë vesh për sigurinë që Zoti u ka dhënë në jetën e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 136:24. “Ndaleni dehjen”

Disa shenjtorë pionierë përdorën substanca që janë të ndaluara nga Fjala e Urtësisë, të tilla si alkooli dhe duhani. Zoti fillimisht nuk ua dha Fjalën e Urtësisë shenjtorëve si një urdhërim (shih DeB 89:2). Presidenti Jozef F. Smith shpjegoi:

Pamja
Presidenti Jozef F. Smith

“Nëse [Fjala e Urtësisë] do të ishte dhënë si një urdhërim, ajo do ta kishte sjellë çdo njeri, që ishte nën varësinë e përdorimit të këtyre gjërave të dëmshme, nën mallkim; kështu që Zoti ishte i mëshirshëm dhe u dha atyre një mundësi për ta kapërcyer, përpara se Ai t’i vinte ata nën ligj” (në Conference Report, tetor 1913, f. 14).

Duke pasur këtë në mendje, ne duhet të jemi të kujdesshëm të mos i gjykojmë disa prej udhëheqësve dhe anëtarëve të hershëm të Kishës që përdorën substanca që janë të ndaluara në Fjalën Urtësisë. Gjatë gjithë historisë së hershme të Kishës, udhëheqësit i ftuan shenjtorët që ta jetonin më plotësisht Fjalën e Urtësisë. Në një konferencë të përgjithshme në shtator të vitit 1851, Brigam Jangu u bëri thirrje anëtarëve të besëlidhnin në mënyrë zyrtare që të përmbaheshin nga çaji, kafeja, duhani, uiski dhe “të gjitha gjërat e përmendura në Fjalën e Urtësisë” (shih “Minutes of the General Conference”, Millennial Star, 1 shkurt 1852, f. 35). Në vitin 1919, Presidenca e Parë, nën drejtimin e Presidentit Hibër J. Grant, e bëri zbatimin e Fjalës së Urtësisë një kërkesë për marrjen e rekomandimit të tempullit (shih James R. Clark, përmb., Messages of the First Presidency of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 6 vëll. [1965–1975], 5:163). Fjala e Urtësisë vazhdon të jetë një urdhërim i rëndësishëm sot dhe bindja ndaj tij është një kërkesë paraprake për pagëzim, pjesëmarrjen në tempull, shërbimin misionar dhe shërbime të tjera të denja në Kishë.

Doktrina e Besëlidhje 136:33. “Shpirti im i dërgohet … për ta ndriçuar të përulurin e të penduarin”

Ndërkohë që Presidenti Brigam Jang ishte në Lagjet Dimërore, Jozef Smithi iu shfaq atij në një ëndërr dhe i tha:

Pamja
Presidenti Brigam Jang

“Thuaju njerëzve të jenë të përulur e besnikë, dhe të sigurohen që ta mbajnë shpirtin e Zotit dhe ai do t’i udhëheqë ata në udhën e duhur. Kini kujdes dhe mos e largoni zërin e qetë e të ulët; ai do t’ju mësojë çfarë të bëni dhe ku të shkoni; ai do t’ju japë frytet e mbretërisë. Thuaju vëllezërve që t’i mbajnë zemrat të hapura ndaj bindjes, kështu që, kur t’u vijë Fryma e Shenjtë, zemra e tyre do të jetë gati për ta marrë atë. Ata mund ta dallojnë Shpirtin e Zotit nga gjithë shpirtrat e tjerë; ai do t’u pëshpëritë paqe e gëzim shpirtrave të tyre; ai do të heqë keqdashjen, urrejtjen, grindjen dhe gjithë të ligën nga zemra e tyre; dhe e gjithë dëshira e tyre do të jetë për të bërë mirë, për të sjellë drejtësinë dhe për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Thuaju vëllezërve se nëse do ta ndjekin shpirtin e Zotit, ata do të shkojnë në udhën e duhur. Sigurohu që t’u thuash njerëzve ta mbajnë Shpirtin e Zotit; dhe nëse do ta mbajnë, ata do ta gjejnë veten pikërisht siç u organizuan nga Ati ynë në Qiell përpara se të vinin në botë. …

Thuaju njerëzve të sigurohen që ta mbajnë Shpirtin e Zotit dhe ta ndjekin atë, dhe ai do t’i udhëheqë në udhën e duhur’” (në Manuscript History of Brigham Young, 1846–1847, përp. Elden J. Watson [1971], f. 529–530).

Në një rast tjetër, përpara se shenjtorët të largoheshin nga Navuja, Profeti Jozef Smith iu shfaq në një vegim Presidentit Jang dhe i tregoi atij se ku duhej ta ndërtonte një bashkësi në luginën e Solt-Lejkut. Presidenti Xhorxh A. Smith i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve ritregoi:

Pamja
Presidenti Xhorxh Albert Smith

“[Ai pa] në një vegim Jozef Smithin, i cili i tregoi atij malin që ne tani e quajmë Ensajn Pik, pikërisht në veri të Solt-Lejk-Sitit, dhe atje një shenjë ra mbi atë majë dhe Jozefi tha: ‘Ndërtoni nën atë pikë ku bien ngjyrat dhe ju do të përparoni e do të keni paqe’” (“Historical Discourse”, Deseret News, 30 qershor 1869, f. 248).