Kapitulli 57
Helamani tregon marrjen e qytetit Antiparah; rrethimin dhe më vonë mbrojtjen e Kumenit—Të rinjtë e tij Amonitë luftojnë me trimëri; të gjithë plagosen, por asnjë nuk vritet—Gidi njofton vrasjen dhe ikjen e robërve Lamanitë. Rreth 63 para K.
1 Dhe tani ndodhi që unë mora një letër nga Amoroni, mbreti, në të cilën thoshte se në qoftë se unë do t’i dorëzoja ata robër lufte që kishim zënë, ai do të na dorëzonte qytetin Antiparah.
2 Por, unë i dërgova një letër mbretit se ishim të sigurt që forcat tona ishin të mjaftueshme ta merrnin qytetin Antiparah me fuqinë tonë; dhe se duke dorëzuar robërit e luftës për atë qytet, do ta konsideronim për vete një gjë jo të urtë dhe se do t’i lironim robërit e luftës vetëm nëpërmjet një shkëmbimi.
3 Dhe Amoroni nuk e pranoi letrën time, meqë nuk donte të shkëmbente robër me robër lufte; prandaj ne filluam të bënim përgatitje për të shkuar kundër qytetit Antiparah.
4 Por banorët e qytetit Antiparah e braktisën qytetin dhe ikën në qytetet e tyre të tjera që kishin nën kontroll, për t’i fortifikuar; dhe kështu qyteti Antiparah ra në duart tona.
5 Dhe kështu mbaroi viti i njëzetetetë i mbretërimit të gjykatësve.
6 Dhe ndodhi që në fillim të vitit të njëzetenëntë, ne morëm një sasi furnizimesh, si dhe përforcime për ushtrinë tonë nga toka e Zarahemlës dhe nga toka rreth e përqark, për një numër prej gjashtë mijë ushtarësh dhe gjithashtu për gjashtëdhjetë djemtë e Amonitëve që erdhën për t’u bashkuar me vëllezërit e tyre, me grupin tim të vogël prej dy mijë vetash. Dhe tani vër re, ne ishim të fortë, po, dhe kishim gjithashtu mjaft furnizime që na u sollën.
7 Dhe ndodhi që ne kishim dëshirë të bënim luftë me ushtrinë që ishte vendosur të mbronte qytetin e Kumenit.
8 Dhe tani vër re, do të të tregoj se shpejt e plotësuam dëshirën tonë; po, me forcat tona të fuqishme, ose me një pjesë të forcave tona të fuqishme, rrethuam gjatë natës qytetin e Kumenit, pak para se ata të merrnin një sasi furnizimesh.
9 Dhe ndodhi që fushuam rreth e përqark qytetit për shumë net; por flinim me shpata në dorë dhe nxorëm roja, që Lamanitët të mos na binin natën dhe të na vrisnin, gjë që ata u përpoqën ta bënin shumë herë, por çdo herë që u përpoqën, gjaku i tyre u derdh.
10 Më në fund arritën furnizimet e tyre dhe ishin gati të futeshin në qytet gjatë natës. Dhe ne, në vend që të ishim Lamanitë qemë Nefitë; prandaj i kapëm ata dhe furnizimet e tyre.
11 Dhe megjithëqë Lamanitëve iu prenë në këtë mënyrë furnizimet, ata qenë akoma të vendosur ta mbanin qytetin; prandaj u pa e nevojshme që t’i merrnim ato furnizime dhe t’i dërgonim në Jude dhe robërit tanë në tokën e Zarahemlës.
12 Dhe ndodhi që nuk kaluan shumë ditë para se Lamanitët të fillonin të humbnin çdo shpresë ndihme; prandaj e dorëzuan qytetin në duart tona; dhe kështu plotësuam qëllimet tona në marrjen e qytetit Kumeni.
13 Por, ndodhi që robërit tanë të luftës qenë kaq të shumtë, sa me gjithë numrin e madh që ishim, qemë të detyruar të përdornim gjithë trupat tona që t’i ruanim ose t’i vrisnim.
14 Pasi vër re, një numër i madh prej tyre përpiqeshin vazhdimisht të iknin dhe luftonin me gurë dhe me shkopinj ose me çfarëdo gjëje që të kishin mundësi të merrnin në dorë, kaq sa ne vramë mbi dy mijë prej tyre, pasi u dorëzuan dhe u bënë robër lufte.
15 Prandaj, u bë e nevojshme për ne që t’i jepnim fund jetës së tyre ose t’i çonim me shpatë në dorë deri në Zarahemla; dhe gjithashtu furnizimet tona ishin vetëm të mjaftueshme për njerëzit tanë, qoftë edhe pse kishim marrë nga Lamanitët.
16 Dhe tani, në ato rrethana kritike, u bë një çështje shumë serioze që të vendosej në lidhje me këta robër lufte; megjithatë, vendosëm t’i çonim në tokën e Zarahemlës; prandaj zgjodhëm një pjesë të ushtarëve tanë dhe u dhamë autoritet mbi robërit e luftës, që t’i çonin në Zarahemla.
17 Por, ndodhi që të nesërmen ata u kthyen. Dhe tani vër re, ne nuk i pyetëm në lidhje me robërit e luftës pasi, vër re, Lamanitët na kishin rënë dhe ata u kthyen në kohë, që të na shpëtonin nga rënia në duart e tyre. Pasi vër re, Amoroni u kishte dërguar për ndihmë një sasi të re furnizimesh, si dhe një numër të madh ushtarësh.
18 Dhe ndodhi që ata ushtarë që i dërguam me robërit e luftës erdhën në kohë për t’i ndaluar, ndërsa ishin gati të na mposhtnin.
19 Por vër re, grupi im i vogël prej dy mijë e gjashtëdhjetë vetë luftoi me tërë fuqinë; po; ata ishin të vendosur përballë Lamanitëve dhe vranë të gjithë ata që u kundërshtuan.
20 Dhe ndërsa pjesa që mbeti e ushtrisë sonë ishte gati të tërhiqej përballë Lamanitëve, vër re, ata dy mijë e gjashtëdhjetë qenë të vendosur dhe të paepur.
21 Po, ata u bindën dhe u përpoqën të zbatonin çdo fjalë të urdhërit me përpikmëri; po, dhe madje u bë çdo gjë sipas besimit të tyre; dhe unë kujtova fjalët që ata më kishin thënë se nënat e tyre ua kishin mësuar.
22 Dhe tani vër re, qenë këta bijtë e mi dhe ata njerëzit që qenë zgjedhur të shoqëronin robërit e luftës, të cilëve u detyrohemi për këtë fitore të madhe; pasi qenë ata që i mundën Lamanitët; prandaj i shtynë deri në qytetin e Mantit.
23 Dhe ne mbajtëm qytetin tonë të Kumenit dhe nuk u shkatërruam të gjithë nga shpata; megjithëqë pësuam humbje të madhe.
24 Dhe ndodhi që pasi ikën Lamanitët, unë dhashë menjëherë urdhër që ushtarët e mi që ishin plagosur të veçoheshin nga të vdekurit dhe që plagët e tyre të mjekoheshin.
25 Dhe ndodhi që qenë dyqind nga dy mijë e gjashtëdhjetë, të cilëve u kishte rënë të fikët për shkak të humbjes së gjakut; megjithatë, sipas mirësisë së Perëndisë dhe për çudinë tonë të madhe dhe gëzimin e gjithë ushtrisë sonë, nuk pati asnjë shpirt prej tyre që të mbaronte; po, nuk pati asnjë shpirt mes tyre që të mos kishte marrë shumë plagë.
26 Dhe tani, shpëtimi i tyre ishte një habi për të gjithë ushtrinë tonë, po, që ata të shpëtonin ndërsa pati një mijë prej vëllezërve tanë që u vranë. Dhe ne, me të drejtë, ia detyrojmë këtë fuqisë mrekulluese të Perëndisë, për shkak të besimit të tyre të pamasë në atë që iu mësua të besojnë—se kishte një Perëndi të drejtë dhe se të gjithë ata që nuk dyshonin, do të ruheshin nga fuqia e tij mrekulluese.
27 Tani, ky ishte besimi i këtyre, për të cilët ju fola; ata janë të rinj dhe mendjet e tyre janë të vendosura dhe ata e vendosin përherë besimin e tyre në Perëndi.
28 Dhe tani ndodhi që pasi ne u kujdesëm në këtë mënyrë për të plagosurit tanë dhe varrosëm të vdekurit tanë dhe gjithashtu të vdekurit e Lamanitëve që qenë shumë, vër re, ne pyetëm Gidin në lidhje me robërit e luftës, që filluan t’i përcillnin për në tokën e Zarahemlës.
29 Tani, Gidi ishte kryekapiteni i grupit, i cili qe caktuar t’i ruante ata deri në atë vend.
30 Dhe tani, këto janë fjalët që më tha Gidi: Vër re, ne u nisëm me robërit tanë për të vajtur në tokën e Zarahemlës. Dhe ndodhi që u takuam me spiunët e ushtrive tona, të cilët qenë dërguar për të vëzhguar kampin e Lamanitëve.
31 Dhe ata na thirrën, duke thënë—Vini re, ushtritë Lamanite po marshojnë drejt qytetit Kumeni; dhe vini re, do të bien mbi ta, po, dhe do t’i shkatërrojnë njerëzit tanë.
32 Dhe ndodhi që robërit tanë të luftës dëgjuan thirrjet e tyre të cilat bënë që ata të merrnin zemër; dhe u ngritën në rebelim kundër nesh.
33 Dhe ndodhi që për shkak të rebelimit të tyre, ne bëmë që shpatat tona të binin mbi ta. Dhe ndodhi që ata u hodhën të gjithë së bashku mbi shpatat tona dhe kështu shumica e tyre u vranë dhe ata që mbetën mundën të çanin dhe ikën.
34 Dhe vër re, pasi ata ikën dhe ne nuk mund t’i zinim, u kthyem me shpejtësi në drejtim të qytetit Kumeni; dhe vër re, arritëm në kohë, që të ndihmonim vëllezërit tanë ta shpëtonim qytetin.
35 Dhe vër re, ne shpëtuam përsëri nga duart e armiqve tanë. Dhe i bekuar qoftë emri i Perëndisë tonë; pasi vër re, është ai që na ka shpëtuar; po, që ka bërë këtë gjë kaq të madhe për ne.
36 Tani ndodhi që kur unë, Helamani, i dëgjova këto fjalë të Gidit, u mbusha me gëzim të jashtëzakonshëm për shkak të mirësisë së Perëndisë që na shpëtoi, që të mos mbaronim të gjithë; po, dhe besoj që shpirtrat e atyre që u vranë, kanë hyrë në pushimin e Perëndisë së tyre.