2019
Mirëbesoni në Shpëtimin e Shpëtimtarit
Prill 2019


Mirëbesoni në Shpëtimin e Shpëtimtarit

Nga një bisedë në një takim shpirtëror, “The Power of Deliverance” [“Fuqia e Shpëtimit”], e mbajtur në Universitetin “Brigam Jang” më 15 janar 2008.

Shlyerja dhe Ringjallja e Shpëtimtarit i japin Atij fuqinë për të na forcuar në sprovat tona ose për të na shpëtuar prej tyre.

Pamja
image of the Savior with arms outstretched

DETAJ NGA PËR KËTË QËLLIM, nga Yongsung Kim, ME MIRËSINË E Haven Light

Për ata prej nesh që kanë humbur njerëz të dashur, rruga përpara mund të jetë e trishtuar dhe e vetmuar – madje edhe më shumë për ata që nuk kanë njohuri dhe dëshmi për Shlyerjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit Jezu Krisht. Ju kujtohen dy dishepujt e Tij dyshues rrugës për në Emaus. Zoti i ringjallur u afrua pranë tyre dhe i pyeti pse ishin të trishtuar. Lluka na jep përgjigjen:

“Ata i thanë: ‘Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.

Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.

Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin” (Lluka 24:19–21).

Ne ngushëllohemi nga njohuria dhe dëshmia jonë se ishte Ai që e çliroi Izraelin. Ishte Ai që i “[këputi] lidhjet e vdekjes” (Mosia 15:23). Ishte Ai që u bë “fryti i parë i atyre që kanë fjetur” (1 Korintasve 15:20). Ishte Ai që i bëri të mundura besëlidhjet e tempullit, që na lidhin përgjithmonë me ata që i kemi “dashur prej kohësh pak t’humbura!”1

Në këtë stinë Pashke, do të doja të tregoja një pjesë të një mesazhi nga një takim shpirtëror që dhashë pak vite më parë lidhur me fuqinë shpëtuese të Shpëtimtarit. Ky mesazh më forcoi teksa e përgatita dhe e dhashë. Lutem që t’ju forcojë [edhe ju] teksa do ta lexoni.

Jeta përfundon më herët për disa dhe në fund të fundit do të përfundojë për të gjithë ne. Secili prej nesh do të vihet në provë duke u përballur me vdekjen e dikujt që e duam.

Një ditë takova një njeri që nuk e kisha parë që kur bashkëshortja e tij vdiq. Ishte një takim i rastësishëm në një situatë të këndshme pushimesh si shoqëri. Ai po buzëqeshte teksa m’u afrua. Duke e mbajtur mend vdekjen e gruas së tij, e formulova me shumë kujdes përshëndetjen time: “Si po ia kalon?”

Buzëqeshja u zhduk, sytë iu njomën dhe ai tha qetësisht e me seriozitet të madh: “Po ia kaloj mirë. Por është shumë e vështirë”.

Është shumë e vështirë, ashtu siç ju të gjithë e keni mësuar dhe që të gjithë ne një ditë do ta dimë. Pjesa më e vështirë e asaj prove është të dimë se çfarë të bëjmë me pikëllimin, vetminë dhe humbjen që mund të ndiejmë, sikur një pjesë e jona të ketë humbur. Brenga mund të vazhdojë si një dhembje kronike. Dhe për disa njerëz, mund të ketë ndjenja zemërimi ose padrejtësie.

Shpëtimtari i Njeh Brengat Tona

Shlyerja dhe Ringjallja e Shpëtimtarit i japin Atij fuqinë për të na shpëtuar në një sprovë të tillë. Nëpërmes përvojës së Tij, Ai arriti t’i njohë të gjitha brengat tona. Ai mund t’i kishte njohur ato me anë të frymëzimit të Shpirtit, por në vend të kësaj Ai zgjodhi t’i njihte ato duke i përjetuar Vetë. Ky është rrëfimi:

“Dhe vini re, ai do të lindet nga Maria në Jeruzalem, që është toka e stërgjyshërve tanë, ajo duke qenë virgjëreshë, një enë e çmueshme dhe e zgjedhur, që do të jetë e mbuluar nga hija dhe do të mbetet shtatzënë nga fuqia e Frymës së Shenjtë dhe do të lindë një djalë, po, madje Birin e Perëndisë.

Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.

Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:10–12).

Pamja
Jesus Christ praying

DETAJ NGA ZOTI I LUTJES, NGA YONGSUNG KIM, ME MIRËSINË E HAVEN LIGHT

Njerëz të mirë përreth jush do të përpiqen ta kuptojnë brengën tuaj për vdekjen e një njeriu të dashur. Ata vetë mund ta ndiejnë brengën. Shpëtimtari jo vetëm që e kupton dhe ndien brengën, por Ai gjithashtu ndien brengën tuaj vetjake që vetëm ju e ndieni. Dhe Ai ju njeh në mënyrë të përsosur. Ai e njeh zemrën tuaj.

Ftojeni Frymën e Shenjtë

Shpëtimtari mund ta dijë se cilën prej shumë gjërave mund të bëni që do të ishte më e mira për ju, teksa e ftoni Frymën e Shenjtë t’ju ngushëllojë e t’ju bekojë. Ai do ta dijë se ku është vendi më i mirë për të filluar. Ndonjëherë do të jetë që të luteni. Ndonjëherë do të jetë që të shkoni e ngushëlloni dikë tjetër. Njoh një të ve me një sëmundje ligështuese, e cila u frymëzua për të vizituar një të ve tjetër. Nuk isha aty, por jam i bindur se Zoti e frymëzoi një ndjekëse besnike që t’i afrohej një tjetre, dhe kështu ishte në gjendje që t’i ndihmonte të dyja.

Ka shumë mënyra se si Shpëtimtari mund t’i ndihmojë ata që vajtojnë, secila mënyrë e përshtatur për ta. Por mund të jeni të sigurt se Ai mund dhe do ta bëjë atë në mënyrën që është më e mira për ata që vajtojnë dhe për ata përreth tyre. Një gjë e pandryshueshme që ndodh kur Perëndia i shpëton njerëzit nga brenga, është se ata ndiejnë përulësi fëmijërore para Tij. Një shembull i madh i fuqisë së përulësisë besnike vjen nga jeta e Jobit (shih Jobit 1:20–22). Një tjetër gjë e pandryshueshme, që Jobi gjithashtu kishte, është besimi i qëndrueshëm në fuqinë e Ringjalljes së Shpëtimtarit (shih Jobit 19:26).

Të gjithë do të ringjallemi, përfshirë njerëzit tuaj të dashur që vdesin. Bashkimi që do të kemi me ta nuk do të jetë i lehtë, por do të jetë me trupa që nuk do të vdesin, as nuk do të plaken apo nuk do të sëmuren kurrë.

Kur Shpëtimtari iu shfaq Apostujve të Tij pas Ringjalljes, Ai jo vetëm që i qetësoi ata në pikëllimin e tyre, por edhe të gjithë ne që mund të vajtojmë ndonjëherë. Ai i qetësoi ata dhe ne në këtë mënyrë:

“Paqja qoftë me ju. …

Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” (Lluka 24:36, 39).

Zoti mund të na frymëzojë që të marrim nga fuqia për të shpëtuar nga brenga jonë në mënyrën më të përshtatshme për ne. Ne mund të zgjedhim t’u shërbejmë të tjerëve për Zotin. Ne mund të dëshmojmë për Shpëtimtarin, ungjillin e Tij, rivendosjen e Kishës së Tij dhe Ringjalljen e Tij. Ne mund t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.

Të gjitha këto zgjedhje e ftojnë Frymën e Shenjtë. Është Fryma e Shenjtë që mund të na ngushëllojë në mënyrën që i përshtatet nevojës sonë. Dhe me anë të frymëzimit të Shpirtit, ne mund të kemi një dëshmi për Ringjalljen dhe një pamje të qartë të bashkimit të lavdishëm që është përpara nesh. E ndjeva atë ngushëllim ndërsa vështroja gurin e varrit të dikujt që e njihja – të dikujt që e di se mund ta mbaj në krahët e mi në të ardhmen. Duke e ditur këtë, jo vetëm që u çlirova nga brenga, por u mbusha gjithashtu me një pritshmëri të lumtur.

Nëse ajo vogëlushe do të jetonte deri në pjekuri, asaj do t’i nevojitej shpëtim nga një grup tjetër sprovash. Ajo do të ishte vënë në provë për t’i qëndruar besnike Perëndisë nëpërmjet sfidave fizike dhe shpirtërore që i vijnë gjithkujt. Megjithëse trupi është një krijim madhështor, mbajtja e tij në funksionim është një sfidë që na vë në provë të gjithëve. Gjithkush duhet të luftojë me sëmundjen dhe pasojat e plakjes.

“Ji i Përulur”

Fuqia për të na shpëtuar nga sprovat tona është aty. Ajo funksionon në të njëjtën mënyrë si shpëtimi nga sprova që vjen kur përballemi me vdekjen e një njeriu të dashur. Ashtu sikurse shpëtim nuk do të thotë gjithmonë që të kursehet jeta e një njeriu të dashur, shpëtimi nga sprovat e tjera mund të jetë që ato të mos hiqen. Zoti mund të mos japë lehtësim derisa ne të zhvillojmë besimin për të bërë zgjedhje që do ta vënë në veprim fuqinë e Shlyerjes në jetën tonë. Ai nuk e kërkon atë nga moskokëçarja, por nga dashuria për ne.

Një udhëzim për të marrë fuqinë shpëtuese të Zotit nga kundërshtia në jetë, iu dha Tomas B. Marshit, në atë kohë President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ai ishte në sprova të vështira dhe Zoti e dinte se do të përballej me shumë të tjera. Këtu është këshilla që iu dha atij, të cilën unë e marr për veten time dhe jua ofroj juve: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua” (Doktrina e Besëlidhje 112:10).

Pamja
Christ with lamb

DETAJ NGA DELJA E HUMBUR, NGA YONGSUNG KIM, ME MIRËSINË E HAVEN LIGHT

Zoti gjithmonë dëshiron të na çojë drejt shpëtimit nëpërmjet bërjes sonë më të drejtë. Kjo kërkon pendim. Dhe kjo kërkon përulësi. Pra, udha drejt shpëtimit kërkon gjithmonë përulësi, me qëllim që Zoti të jetë në gjendje të na udhëheqë përdore atje ku Ai dëshiron të na çojë përmes shqetësimeve tona dhe drejt shenjtërimit.

Sprovat mund të prodhojnë pakënaqësi ose shkurajim. Përulësia që na nevojitet mua dhe juve, në mënyrë që Zoti të na udhëheqë përdore, vjen nga besimi. Ajo vjen nga besimi se Perëndia me të vërtetë jeton, se Ai na do dhe se ajo që Ai dëshiron – ndonëse mund të jetë e vështirë – do të jetë gjithmonë më e mira për ne.

Shpëtimtari na e tregoi atë përulësi. Ju keni lexuar se si Ai u lut në Kopshtin e Gjetsemanit ndërkohë që po vuante sprovën në emrin tonë, përtej aftësisë sonë për ta kuptuar ose për ta duruar, apo për mua edhe për ta përshkruar. Ju e mbani mend lutjen e Tij: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42).

Ai e njihte dhe i mirëbesonte Atit të Tij Qiellor, Elohimit të madh. Ai e dinte se Ati i Tij ishte i gjithëfuqishëm dhe pafundësisht dashamirës. Biri i Dashur kërkoi me fjalë të përulura – si ato të një fëmije të vogël – që fuqia shpëtuese ta ndihmonte Atë.

Merrni Zemër dhe Ngushëllohuni

Ati nuk e shpëtoi Birin duke ia hequr sprovën. Për hirin tonë Ai nuk e bëri këtë, por Ai e lejoi Shpëtimtarin ta përfundonte misionin që Ai erdhi për të kryer. Megjithatë, ne mund të marrim gjithmonë zemër dhe ngushëllim nga njohuria e ndihmës që Ati siguroi:

“Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë.

Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.

Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi,

dhe u tha atyre: Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim” (Lluka 22:43–46).

Shpëtimtari u lut për shpëtim. Ajo që iu dha Atij nuk ishte largim nga sprova, por mjaftueshëm ngushëllim sa ta kalonte atë lavdishëm.

Urdhri i Tij ndaj dishepujve të Vet, të cilët edhe vetë po provoheshin, është një udhërrëfyes për ne. Ne mund të vendosim ta ndjekim atë. Mund të vendosim që të çohemi dhe të lutemi me besim e përulësi të madhe. Ne mund ta ndjekim urdhrin e shtuar në librin e Markut: “Çohuni, të shkojmë” (Marku 14:42).

Nga kjo, ju merrni këshillë se si t’i kaloni provat fizike dhe shpirtërore të jetës. Ju do të keni nevojë për ndihmën e Perëndisë pasi të keni bërë gjithçka që mundeni për veten tuaj. Pra, çohuni dhe shkoni, por merreni ndihmën e Tij sa më shpejt që të mundeni, duke mos pritur që kriza të kërkojë shpëtim.

Ju jap dëshminë time solemne se Perëndia, Ati, jeton dhe na do. Unë e di atë. Plani i Tij për ne është i përsosur dhe është një plan lumturie. Jezu Krishti u ringjall, ashtu siç do të ringjallemi ne. Ai vuajti që të mund të na ndihmonte në të gjitha sprovat tona. Ai e pagoi shpërblesën për të gjitha mëkatet tona dhe ato të të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor, në mënyrë që ne të shpëtojmë nga vdekja dhe mëkati.

E di se në Kishën e Jezu Krishtit, Fryma e Shenjtë mund të vijë për të na ngushëlluar dhe për të na pastruar kur e ndjekim Mësuesin. Marrshit ngushëllimin dhe ndihmën e Tij në kohët tuaja të nevojës, gjatë gjithë provave dhe sprovave të jetës suaj.

Shënim

  1. “Drit’, më Drejto”, Himne, nr. 50.