2019
Unë do ta Shoh Atë Përsëri
Prill 2019


Unë do ta Shoh Atë Përsëri

Pamja
I Will See Him Again

Unë u rrita në Nikaragua. Kur isha e vogël, çdo gjë e bëja me vëllanë më të madh. Shkonim në shkollë bashkë. Shkonim në dyqan bashkë. Kaluam gjithfarë aventurash në oborrin tonë. Ishim të lumtur.

Më pas, kur isha nëntë vjeçe, ndodhi diçka shumë e trishtuar. Vëllai im vdiq nga një tërmet. Në fillim fakti që ai nuk ishte më nuk dukej i vërtetë. Përfytyroja sikur ai do t’i binte derës kryesore. Do të na thoshte se thjesht kishte qenë diku larg. Vështroja ngultas derën, duke dëshiruar që ajo të ndodhte. Doja kaq shumë që ta shihja atë sërish.

Me kalimin e kohës, kjo gjë u bë më e lehtë. Ende më merrte malli për tim vëlla, por munda të ndihesha sërish e lumtur.

Në atë kohë nuk isha anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Por kur u rrita, mësova rreth Kishës dhe u pagëzova. Një ditë po laja enët. Ishte kohë Pashke. Po mendoja për Ringjalljen dhe mendova për tim vëlla.

Papritmas më përshkoi një ndjenjë. M’u kujtua ëndrra me sy hapur që kisha për vëllanë. E kuptova se nuk ishte aspak budallallëk! Ajo erdhi nga Fryma e Shenjtë për të më ngushëlluar dhe për të më udhëhequr. Një ditë vëllai im me të vërtetë do të ringjallet. Dhe njëmend do ta shohë atë sërish.

Nëse dikush të cilin e do ka vdekur, është normale të të marrë malli dhe të ndiesh i trishtuar. Fol me familjen tënde ose me një të rritur kur të ndihesh gati. Lutju Atit Qiellor për mënyrën se si ndihesh. Ai mund të të ndihmojë të ndiesh sërish paqe.

Pavarësisht nga gjithçka, kujto se Jezu Krishti të do. Gjatë Pashkës ne kujtojmë sakrificën e Tij për ne. Për shkak të Tij, ne të gjithë do të ringjallemi dhe ne mund të jetojmë me familjet tona përgjithmonë. ●

Karta Ngushëlluese

Priti këto karta. Mund t’i palosësh më dysh ose t’i përdorësh si libërshenjuesa. Mbaji te shkrimet e tua të shenjta ose në një vend tjetër për t’i parë kur ndihesh i trishtuar, i vetmuar ose i frikësuar.

“Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju.”

Gjoni 14:18

“Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre.”

Zbulesa 21:4

“Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah.”

Doktrina e Besëlidhje 68:6