2019
Bobi dhe Lori Thërston – Misioni i Pnom Penit në Kamboxhia
Prill 2019


Portrete Besimi

Bobi dhe Lori Thërston

Shërbyen në Misionin e Pnom-Penit në Kamboxha.

Pamja
senior missionary couple

Kur mësuam se ishim thirrur për të shërbyer në Misionin e Pnom Penit në Kamboxhia, ne qamë. Ishim të ngazëllyer!”, thotë Vëllai Bob Thërston. “Nuk do ta kishim zgjedhur Kamboxhian, por çfarë dhurate! Ç’bekim!”, thotë Motra Thërston.

Pamja
senior missionary hugging Cambodian woman

Çifti Thërston ndien një lidhje të veçantë me popullin e Kamboxhias. “Ne i duam ata dhe e kemi ndier atë dashuri të na kthehet në të njëjtën mënyrë”, thotë motra Thërston. “Njerëzit në Kamboxhia kanë treguar dashamirësi të madhe ndaj nesh.”

Pamja
senior couple visiting members

Nga të gjitha përgjegjësitë që Thërstonët kishin në misionin e tyre, ata ruajnë më shumë si thesar mundësinë për t’i vizituar anëtarët në shtëpitë e tyre.

Pamja
senior missionary with Cambodian woman

Motra Thërston kujton duke parë ata të cilëve u shërbeu në Kamboxhia dhe mendon: “Mezi pres t’ju shoh në jetën tjetër; atëherë unë me të vërtetë do të jem në gjendje t’ju tregoj të gjitha gjërat që ndiej për ju dhe dashurinë që kam për ju.”

Në misionin e tyre të parë së bashku, Bob dhe Lori Thërston mësuan se dhënia e shërbesës kuptimplotë mund të ndodhë pavarësisht nga pengesat gjuhësore dhe dallimet kulturore, pasi të gjithë ne jemi fëmijë të Perëndisë.

Lesli Nilson, fotografe

Pamja
Sister Thurston hugging grieving girl

Bobi:

Para se unë dhe Lori të martoheshim, biseduam për të shërbyer në misione kur të dilnim në pension. Të dy kishim shërbyer misione më parë. Lori shërbeu në Kobe të Japonisë, dhe unë shërbeva në Brisbejn të Australisë. Kur më në fund filluam të përgatiteshim për të dalë në pension, ne u thamë fëmijëve tanë se donim të shërbenim shumë misione.

Ishim me fat që qemë në gjendje të dilnim në pension të rinj. Kur dëgjuam se disa çifte të moshuara nuk janë në gjendje të shërbejnë në disa vende, për shembull si në vendet e botës së tretë për shkak të problemeve shëndetësore dhe shqetësimeve të tjera, ne menduam, “Nuk kemi bërë ende 60 vjeç. Jemi të shëndetshëm, prandaj na përdorni!”

Dola në pension vetëm dy ditë pas ditëlindjes sime të 56-të. Në fakt, ne e morëm thirrjen tonë të misionit kur isha ende duke punuar. Kur e hapëm thirrjen tonë dhe morën vesh se ishim thirrur për të shërbyer në Misionin e Pnom Penit në Kamboxhia, ne qamë. Ishim të ngazëllyer!

Lori:

Kamboxhia nuk ishte në të vërtetë në radarin tonë. Mendova se do të shkonim në Afrikë apo diçka e tillë. Filluam të pyesnim veten: “Pra, çfarë aventurash na presin?” Nuk do ta kishim zgjedhur Kamboxhian, por çfarë dhurate që ishte! Ç’bekim! Zoti është më i zgjuar se ne. Ai na dërgoi atje ku nevojiteshim.

Ne shërbyem një mision humanitar. Punuam në projekte për LDS Charities [Organizatat Bamirëse SHDM], plotësuam raporte dhe kërkuam projekte të reja. Ne gjithashtu kontrolluam projektet e kaluara të tilla si puset që ishin shpuar dy vjet më parë. Përfunduam duke shërbyer edhe në mënyra të tjera.

Morëm pjesë në konferencat e kunjeve dhe të distriktit për të ndihmuar në trajnimin e udhëheqësve dhe misionarëve, inspektuam apartamentet e misionarëve dhe i vizituam anëtarët në shtëpitë e tyre. Bëmë të gjitha llojet e gjërave për ta ndihmuar misionin të shkonte mirë.

Në misionin tonë dy ditë nuk ishin të njëjta. Disa ditë ishim në zona të pazhvilluara, të zhytur deri në gju në ujë ose në baltë. Ditë të tjera u kaluan në zyrën e misionit. Me misionarët e Çështjeve Publike, vizituam Ministrinë e Kulteve dhe të Fesë. Në Kamboxhia, termi “kult” nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe. Feja zyrtare është budizmi – çdo gjë tjetër konsiderohet kult. Ne e vizituam Ministrinë që të na ndihmonte në vendosjen e precedentit se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një organizatë e mirë dhe mund të besohet.

Krijuam një raport të mirë me ta, dhe ata ishin të shpejtë të kërkonin ndihmë. Ata merrnin në telefon dhe na thoshin: “Kishim një përmbytje dhe na nevojitet ushqim për 200 familje që janë shpërngulur”. Ata e dinin se mund të mbështeteshin te Kisha për t’i çuar gjërat atje ku nevojiteshin shpejt dhe për të plotësuar gjërat që nuk i kishin.

Çfarë përjetuam në Kamboxhia? Vërini një emër sepse ne ndoshta e përjetuam atë! Jemi ulur në dyshemetë më të përulura – zakonisht prej dheu ose bambuje – në shtëpitë më të përulura. Kemi qenë gjithashtu në shtëpitë madhështore të zyrtarëve të qeverisë. Bobi madje shërbeu në një presidencë dege për njëfarë kohe.

Bobi:

Presidenti i misionit më telefonoi dhe më tha: “Hej, dua që të jesh këshilltari i dytë në një degë”. Një vit e gjysmë më vonë, isha në dhomën e vulosjes së Tempullit të Hong Kongut në Kinë me presidentin e degës me të cilin shërbeva. Ai po hynte në tempull për herë të parë! Ai dhe familja e tij kishin kursyer para dhe u përpoqën shtatë herë për të shkuar në tempull, por do të ndodhte ndonjë e papritur ose dikush do të sëmurej. Gjithmonë dilte diçka. Pas shtatë vitesh, ata kishin kursyer vetëm 40 dollarë.

Tri herë në misionin tonë, ne qemë në gjendje t’i ndihmonim shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Kamboxhia të shkonin në tempull. Ne çuam shumë presidentë degësh, të cilët kishin bërë intervista për rekomandimet e tempullit, por vetë nuk kishin qenë kurrë në tempull. Të paktën në Kamboxhia, një çift i moshuar do t’i ndihmonte këto familje në rrugën e tyre për në tempull. Ata duhej të kishin dikë me vete sepse nuk dinin se si të fluturonin me avion. Shumë njerëz nuk kanë udhëtuar as me autobus! Dhe tani duhet të fluturonin me avion për në Hong Kong dhe të shkonin në tempull. Ishte e vështirë për ta që ta bënin vetë këtë. Ne jemi mirënjohës për Fondin e Ndihmës për Frekuentuesit e Tempullit që ndihmoi në përkujdesjen për ta.

Lori:

Të jesh anëtar i Kishës në Kamboxhia mund të jetë sfiduese. Si vend, Kamboxhia nuk ka mendësi për ditën e Shabatit. Gjithkush që vjen në kishë duhet të bëjë sakrifica për të qenë atje.

Gjithashtu, Kamboxhia është gjashtë përqind myslimanë dhe vetëm dy përqind të krishterë – pjesa tjetër janë budistë. Ndryshimi nga një mënyrë jetese budiste në një mënyrë jetese të krishterë është shumë i vështirë. Disa njerëz vijojnë të humbasin punën e tyre dhe shumë herë ata shmangen nga të tjerë në lagje.

E dhjeta është gjithashtu një problem i madh. Murgjit budistë vijnë rrotull çdo mëngjes dhe kërkojnë oriz ose ndonjë pare, dhe njerëzit janë mësuar me këtë. Por ta marrësh pagën dhe të heqësh një pjesë të saj për të dhjetën është një problem i madh.

Shumë njerëz kanë pasur trauma të vërteta në jetën e tyre. Për shkak të Khmer Ruzhit [Kmerëve të Kuq], një regjimi komunist që sundoi në Kamboxhia në fund të viteve ’70, gjithsecili që është mbi 40 vjeç ka një histori vetjake tmerri. Nuk takova askënd që nuk ishte prekur nga kjo. Gjithsecili kishte pjesëtarë të familjes që ishin vrarë. Megjithëse kanë kaluar shumë vuajtje, nuk mund të besoja se sa të qëndrueshëm ishin, sa të gatshëm ishin për ta provuar që ishin. Por prapa qëndrueshmërisë të tyre, shumë njerëz ende kanë vetëbesim të ulët. Shumë njerëz ndiejnë sikur nuk janë të rëndësishëm ose që kanë vlerë.

Ishte e mahnitshme të shihje se si ungjilli i Jezu Krishtit i ndihmoi të lulëzonin. Kur ata zbulonin se ishin jo vetëm të mrekullueshëm, por edhe fëmijë të Perëndisë, ata do të thoshin: “Po bëni shaka? Tani kam diçka për të dhënë.”

Kisha me të vërtetë do të lulëzojë në Kamboxhia. Njerëz të jashtëzakonshëm janë udhëhequr drejt Kishës. Shenjtorët atje janë pionierë dhe ata që me të vërtetë e përqafojnë ungjillin janë të bekuar në mënyra të shumta, sepse arrijnë ta njohin Shpëtimtarin. Është vërtet e mahnitshme.

Kemi shumë anëtarë dhe lagje shumë të forta rreth një vendi të quajtur “Trash Mountain [Mali i Plehrave]”, i cili është një grumbull mbeturinash i hapur ku jetojnë njerëz. Anëtarët atje janë mbledhës dhe grumbullues. Ata bëjnë para nga riciklimi i plastikës dhe aluminit që marrin nga pirgjet e mbeturinave. Ata jetojnë në shtëpi të vockla, në të cilat ne kemi qenë dhjetëra herë.

Bobi:

Një ditë ne mund të dëgjonim muzikë që gjëmonte, dhe vumë re se po ngrihej një tendë. Në Kamboxhë, kjo nënkupton se dikush është duke u martuar ose dikush ka vdekur.

Lori:

Zbuluam se një nënë e pesë ose gjashtë fëmijëve sapo kishte vdekur. Bashkëshorti nuk ishte atje. Fëmijët sapo ishin zgjuar dhe kuptuan se nëna e tyre kishte vdekur.

Njëra nga vajzat thjesht qante me ngashërim. Përmes një përkthyesi, ajo tha: “Jam më e madhja. Kam gjithë këta vëllezër e motra. Nuk di se çfarë do të bëj.”

E përqafova fort pas vetes. Si të mos e bëja? Kjo vajzë sapo humbi nënën. I fola në anglisht dhe i thashë: “E di që ti nuk më kupton, por të premtoj se do ta shohësh nënën tënde përsëri. Çdo gjë do të jetë mirë. Nuk do të ngelesh vetëm.”

Përvoja të shumta si kjo na kanë dhënë një lidhje të veçantë me njerëzit në Kamboxhë.

E kemi ndier atë dashuri të na kthehet në të njëjtën mënyrë. Njerëzit në Kamboxhia treguan dashamirësi të madhe ndaj nesh. Ne i duam ata sepse ata janë fëmijë të Perëndisë. Ata janë vëllezërit dhe motrat tona.

Me disa njerëz, më kujtohet që mendoja: “Mezi pres t’ju shoh në jetën tjetër; atëherë unë me të vërtetë do të jem në gjendje t’ju tregoj të gjitha gjërat që ndiej për ju dhe dashurinë që kam për ju, dhe atë që unë admiroj te ju, sepse tani nuk mund ta them.”

Misioni ynë na ka bekuar në kaq shumë mënyra. Disa njerëz thonë: “Nuk e di nëse mund të shërbej në një mision. Nuk mund të largohem nga nipërit e mbesat e mia.” Kishim pesë nipër të vegjël kur u larguam, moshat pesë, katër, tre, dy, një vjeç. Dy mbesa lindën ndërkohë që ishim larguar. Do t’i ruaj dy nga etiketat e mia misionare kamboxhiane dhe do t’ia jap vajzave të mia të vogla, kështu që ato do ta dinë se gjyshja nuk ishte me to ngaqë gjyshja po bënte atë që Zoti kishte nevojë që ajo të bënte.

Bobi:

Ka shumë mënyra për t’i shërbyer Zotit si misionarë. Marrim zemër nga ajo që tha Plaku Xhefri R. Holland rreth shërbimit misionar të çifteve të moshuara. Ai tha: “Ju premtoj se ju do të bëni gjëra për [familjen tuaj] gjatë shërbimit për Zotin që, për mijëra vjet nuk do t’i bënit dot kurrë nëse do të qëndronit në shtëpi për t’u kujdesur për ta. Çfarë dhurate më të madhe mund t’i japin gjyshërit pasardhësve të tyre sesa t’u thonë me vepra dhe me fjalë: ‘Në këtë familje, ne shërbejmë misione!’ [“Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar”, Liahona, nëntor 2011, f. 46.]”