2019
Ndershmëria e Ëmbël
Prill 2019


Ndershmëria e Ëmbël

Autorja jeton në Kolorado, SHBA.

“Bëni atë që është e [ndershme]” (2 Korintasve 13:7).

Pamja
Sweet Honesty

“Kam nevojë që ti të kujdesesh për vëllanë”, tha Mami. “Unë dhe babi do të shkojmë të ndihmojmë dikë që është i sëmurë.”

Ngrita sytë lart ndërsa po laja dyshemenë e shtëpisë sonë të vogël dhe tunda kokën. Mami ishte presidente e Shoqatës së Ndihmës dhe ajo shpesh shkonte për të vizituar motrat në lagjen tonë.

“Faleminderit, Arlin”, tha Mami, duke më puthur në majë të kokës. “Xhoni është në gjumë. Dhe ka brumë buke që po vjen në banak. Të lutem mos e prek.”

Pashë përmes hapësirës së derës ndërsa ajo dhe Babi i hipën automjetit në rrugën e pluhurosur. U ndjeva krenare që Mami më mirëbesoi.

Ndërsa lava kuzhinën, u ndala për t’i hedhur një sy brumit të bukës. Mezi po prisja që Mami ta piqte sonte. Zakonisht e hanim bukën e freskët me reçel të bërë vetë. Por nuk kishim reçel prej tre muajsh.

Reçel! Mendimi më shtiu nepsin për diçka të ëmbël. Pashë kavanozin e sheqerit lart në raft. E dija se Mami po e ruante që të bënte më shumë reçel.

Por sa më shumë që mendoja për sheqerin, më shumë më shtohej nepsi. Më në fund, tërhoqa një karrige deri te banaku dhe e arrita. Gishtat e mia mezi e prekën kavanozin e sheqerit. E tërhoqa më afër cepit të raftit. …

Dhe më pas kavanozi rrëshqiti nga rafti. U përpoqa ta kapja por ai ra me një zhurmë të madhe pikërisht në mes të brumit të bukës. Sheqeri u përhap në të gjithë brumin, në banak dhe në dysheme.

“O, jo!” bërtita. Kjo e zgjoi nga gjumi vëllaçkon. Ai filloi të qante. Edhe unë doja të qaja. Çfarë do të thoshte Mami për këtë rrëmujë?

Pasi e qetësova Xhonin, bëra më të mirën për ta pastruar sheqerin. E nxora kavanozin nga brumi dhe e lava. E fshiva sheqerin nga banaku dhe dyshemeja. Por nuk kishte asgjë që mund të bëja për ta hequr sheqerin nga brumi.

Mendova që ta vendos kavanozin sërish në raft. Ndoshta Mami nuk do ta vinte re që ishte bosh. Por e dija se nuk ishte e drejtë. Ndaj e vendosa kavanozin mbi tavolinë dhe prita Mamin dhe Babin që të vinin në shtëpi.

Kur arritën në shtëpi, Mami e vuri re menjëherë kavanozin e sheqerit.

Mora frymë thellë. “Thjesht doja ta provoja pak sheqerin. Por e hodha kavanozin nga rafti. U përpoqa ta pastroja por nuk mund ta nxirrja nga brumi i bukës.” Fjalët dolën rrufeshëm ndërsa pashë në dysheme.

Mami ishte e qetë për një çast.

“Më fal”, pëshpërita.

Mami nxori një psherëtimë. “Epo, ma merr mendja se buka do të jetë shumë po shumë e ëmbël sonte”, tha ajo. Ngrita sytë. Ajo buzëqeshi pak. “Faleminderit që na tregove se çfarë ndodhi.”

Ndërsa e hëngrëm bukën e sheqerosur atë natë, unë, Mami dhe Babi folëm për ndershmërinë.

“Ne të gjithë bëjmë shumë gabime në jetë”, tha Babi. “Por kur jemi të ndershëm dhe përpiqemi të pendohemi, Ati Qiellor dhe Jezusi janë të lumtur. Ne gjithmonë do të bekohemi për faktin që jemi të ndershëm – edhe nëse në fillim duket më e vështirë.”

Isha ende e trishtuar që e kisha derdhur sheqerin. E dija që ndoshta nuk do të kishim dhe aq shumë reçel këtë vit për shkak të gabimit tim. Por isha e lumtur që kisha thënë të vërtetën. Ajo ishte një ndjenjë e ëmbël që nuk mund të ta japë asnjë dozë sheqeri. ●