2019
Në Kohë Shkurajimi, Kujtoni të Venë e Nainit
Prill 2019


Në Kohë Shkurajimi, Kujtoni të Venë e Nainit

Kur ndihemi veçanërisht të harruar apo të shpërfillur, ne duhet të kujtojmë: Jezusi i erdhi në ndihmë të vesë pikërisht në kohën e saj të nevojës, dhe Ai do të vijë edhe te ne.

Pamja
the widow of Nain

Ndonjëherë në uljet dhe ngritjet e jetës, ne mund të mendojmë sikur Perëndia nuk është shumë aktiv në jetën tonë të përditshme. Jeta jonë duket mjaft e lodhshme dhe monotone. Jo shumë ndryshime, dhe ndonjëherë është e vështirë të tregohet një aspekt ku Perëndia ka ndërhyrë drejtpërdrejt në rrethanat tona. Sa herë që marr goditje nga këto ndjenja të parëndësishme në vetë jetën time, shpesh mendoj për një grua në Dhiatën e Re që mund të jetë ndier në këtë mënyrë. Ajo nuk përmendet në shkrimet e shenjta, por thjesht njihet nga emri i fshatit të saj dhe nga statusi i saj martesor.

Gruaja është e veja e Nainit, dhe vetëm ungjilltari Lluka e shënon historinë e saj të mahnitshme. Për mua ajo përfaqëson thelbin e shërbesës së personalizuar të Shpëtimtarit dhe mënyrën se si Ai ia shtriu dorën e ndihmës njerëzve të shkurajuar e të zakonshëm të shoqërisë së Tij. Ky rrëfim e zgjidh qartësisht çështjen nëse Perëndia na njeh dhe kujdeset për ne.

Një përmbledhje e shkurtër e mrekullisë te Lluka kapitulli 7 përshkruan Jezusin kur arrin një kortezh varrimi dhe risjell në jetë e në mënyrë mrekullibërëse një të ri që kishte vdekur. Por ka shumë më tepër për të kuptuar rreth mjedisit. Si me të gjitha mrekullitë, por veçanërisht me këtë, konteksti është jetik për ta kuptuar këtë ndodhi. Ngaqë kam dhënë mësim në Qendrën e Universitetit “Brigam Jang” në Jerusalem, unë do t’ju tregoj disa njohuri vetjake për këtë mrekulli.

Në kohën e Jezusit, Naini ishte një fshat i vogël bujqësor, që ndodhej pranë malit Morehu, i cili kufizonte anën lindore të luginës së Jezreelit. Vetë qyteti ishte jashtë shtegut të rrahur. Në qytet mund të hyje vetëm nga një rrugë. Gjatë kohës së Jezusit, ky vendbanim duhet të ketë qenë i vogël dhe relativisht i varfër, dhe ka mbetur kështu që nga ajo kohë. Herë pas here në historinë e tij, ky qytet ka përfshirë gati 34 shtëpi dhe vetëm 189 njerëz.1 Sot ai është shtëpia e rreth 1 500 banorëve.

Lluka e fillon rrëfimin e tij duke vënë në dukje se Jezusi ishte në Kapernaum një ditë më parë dhe kishte shëruar shërbëtorin e centurionit (shih Lluka 7:1–10). Më pas ne mësojmë që “të nesërmen” (vargu 11; theksimi i shtuar), Shpëtimtari u fut në një qytet të quajtur Nain, i shoqëruar nga një grup i madh dishepujsh. Ky rend ngjarjesh është shumë i rëndësishëm. Kapernaumi ndodhet në bregun verior të Detit të Galilesë, 183 m nën nivelin e detit. Naini është rreth 48 km në jugperëndim të Kapernaumit, 213 m mbi nivelin e detit, duke kërkuar në këtë mënyrë një ngjitje të lodhshme dhe të përpjetë në Nain. Që të ecni nga Kapernaumi në Nain, do të kërkonte të paktën një ose dy ditë. Kohët e fundit, një grupi studentësh të rinj nga Qendra e UBJ-së në Jerusalem, iu deshën 10 orë për ta bërë në këmbë këtë itinerar në rrugë të shtruara. Kjo do të thotë se Jezusit ndoshta iu desh të ngrihej shumë herët ose madje të ecte gjatë natës në mënyrë që “të nesërmen” të arrinte kortezhin e varrimit2.

Pamja
map of Galilee

Ndërsa Krishti iu afrua qytetit pas një udhëtimi shumë të lodhshëm, një i ri ndoshta në të 20-at3, po mbartej në një rrasë varri. Lluka na tregon se ky i ri ishte bir i vetëm i një të veje, dhe disa studiues e interpretojnë tekstin grek që nënkupton se ajo nuk kishte asnjë pasardhës tjetër.4 Një grup i madh fshatarësh e shoqëruan atë në këtë tragjedi familjare kaq fatkeqe.

Natyrisht, vdekja e një djali do të ishte tragjedi për këdo, por merrni në shqyrtim ndërlikimet për këtë të ve. Çfarë domethënie do të ketë pasur në pikëpamjen shoqërore, shpirtërore dhe financiare të ishe e ve, pa trashëgimtar, në Izraelin e lashtë? Në kulturën e Dhiatës së Vjetër, besohej se kur një bashkëshort vdiste para pleqërisë, kjo ishte një shenjë e gjykimit të Perëndisë për mëkatin. Pra, disa besonin se Perëndia po e ndëshkonte këtë të ve të mbijetuar. Në librin e Ruthit, kur Naomi ishte e ve në moshë të hershme, ajo vajtoi: “Mbi të gjitha, Zoti është kundër meje dhe i Plotfuqishmi më ka shkatërruar” (Ruthit 1:21, Varianti Standard Ndërkombëtar).5

Jo vetëm që kishte dhembje shpirtërore dhe emocionale, por kjo e ve nga Naini po përballej edhe me rrënim financiar – madje po përballej me vdekjen nga uria.6 Në martesë, një grua i caktohej familjes së bashkëshortit të saj për mbrojtje financiare. Nëse ai vdiste, atëherë kujdesi për të i delegohej djalit të saj të parëlindur. Tani që djali i parëlindur dhe i vetëm i së vesë kishte vdekur, ajo nuk kishte asnjë mbrojtje financiare. Nëse djali i saj ishte në të 20-at, ajo ndoshta ishte një grua në moshë të mesme, që jetonte në një qytet bujqësor të vogël e të veçuar, dhe tani e pa veten në skamje nga pikëpamja shpirtërore, shoqërore dhe financiare.

Pamja
widow of Nain with the Savior

Pikërisht gjatë kohës së shkurtër kur fshatarët po e çonin birin e kësaj gruaje për t’u varrosur, Jezusi u takua me kortezhin dhe pati “dhembshuri për të” (Lluka 7:13). Në të vërtetë, ky mund të jetë minimizimi më i madh që bën Lluka. Jezusi e ndjeu disi situatën krejt të dëshpëruar të kësaj të veje. Ndoshta ajo e kishte kaluar natën e plandosur në dyshemenë prej dheu, duke iu përgjëruar Atit Qiellor që të dinte arsyen. Ndoshta, ajo mund ta ketë pyetur haptazi se pse Ai po kërkonte që ajo të jetonte më gjatë në këtë tokë. Ose ndoshta ajo ishte e tmerruar nga vetmia e pritshme me të cilën do të përballej. Ne nuk e dimë. Por ne e dimë se Shpëtimtari zgjodhi të largohej menjëherë nga Kapernaumi, gjë e cila mund t’i ketë kërkuar Atij që të ecte natën, në mënyrë që të kapte kortezhin e varrimit pikërisht përpara se ta futnin trupin në dhe.

Po, kur Ai e pa fytyrën e saj të lagur nga lotët teksa ecte pas kortezhit, Jezusi ndjeu dhembshuri të madhe për këtë grua – por duket se dhembshuria e Tij buronte nga ndjenja që Ai i përjetoi shumë kohë përpara se të “rastiste” ta arrinte atë shpurë varrimi. Ai mbërriti atje pikërisht në çastin e saj të nevojës.

Jezusi më pas i tha të vesë të “mos qa[nte]” (vargu 13). I pafrikësuar nga papastërtia rituale, Ai e “preku arkivolin” dhe kortezhi “u ndal”. Atëherë, Ai urdhëroi: “‘Djalosh, unë të them, çohu!’.

Pamja
widow with son

Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës” (vargjet 14–15). Natyrisht, turma e fshatarëve dhe e pasuesve të Jezusit ishin të habitur, sepse brenga e tyre e përbashkët u kthye në gëzim të vërtetë. Ata të gjithë “e lëvd[uan] Perëndinë duke thënë: ‘Midis nesh doli një profet i madh’” (vargu 16). Por kjo mrekulli ishte gjithashtu për shpëtimin e një shpirti të dëshpëruar. Jezusi ishte i vetëdijshëm se kishte diçka shumë të gabuar ndaj kësaj gruaje – një person që përçmohej në kulturën e tyre. Situata e saj kërkonte vëmendjen e Tij të menjëhershme, edhe nëse Atij do t’i duhej të udhëtonte larg për të qenë atje pikërisht në çastin e duhur. Ai e dinte situatën e saj të dëshpëruar dhe Ai erdhi shpejt. Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) foli për të vërtetën e pamohueshme kur tha: “Një ditë, kur ta hedhim vështrimin prapa, te rastësitë në dukje në jetën tonë, ne do të kuptojmë se ndoshta, tek e fundit, ato nuk ishin kaq të rastësishme”7.

Tani, aq lartësuese sa ç’është kjo ndodhi, ajo duhet të bëhet shumë më tepër sesa një histori Bible e kënaqshme për ne. Ajo vërteton në mënyrë të pagabueshme se Jezusi e njihte këtë të ve të varfër, të harruar dhe në skamje. Kur ndihemi veçanërisht të harruar, të shpërfillur ose të parëndësishëm, ne duhet të kujtojmë: Jezusi erdhi tek e veja në një kohë nevoje të dëshpëruar, dhe Ai do të vijë edhe tek ne. Përveç kësaj, një mësim i dytë që mund të marrim nga shembulli i Shpëtimtarit tonë është rëndësia e të ndihmuarit për t’i bekuar të tjerët rreth jush. Shumë njerëz brenda rrethit tuaj do të shkurajohen herë pas here. Nëse mund t’u tregoni për “Motrën Nain” dhe mënyrën se si Zoti e kuptonte saktësisht shkurajimin e saj dhe krizën e madhe vetjake, kjo mund ta kthejë natën në ditë. Sillni ndër mend vëzhgimin prekës të Presidentit Spenser W. Kimball (1895–1985): “Perëndia na vë re dhe kujdeset për ne. Por zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që ai i plotëson nevojat tona.”8

Pamja
widow hugging her son

Nga të gjitha mrekullitë e Jezusit gjatë jetës së Tij këtu në tokë, për mua, pak janë aq të ndjeshme dhe të dhembshura sa shërbimi i Tij ndaj të vesë së Nainit. Kjo na kujton se ne kemi rëndësi për Të dhe se Ai nuk do të na harrojë kurrë. Ne nuk mund ta harrojmë këtë.

Shënime

  1. Shih E. Mills, Census of Palestine 1931: Population of Villages, Towns, and Administrative Areas (1932), f. 75.

  2. Shih S. Kent Brown, The Testimony of Luke (2015), f. 364.

  3. Shih Brown, The Testimony of Luke, f. 365.

  4. Shih Brown, The Testimony of Luke, f. 365.

  5. Tek Isaia 54:4, Zoti i thotë Izraelit të ve se ajo “nuk do ta kujtojë më turpin e braktisjes së [saj]” (Përkthim i Ri në Anglisht).

  6. Shih Brown, The Testimony of Luke, f. 365.

  7. Thomas S. Monson, në Joseph B. Wirthlin, “Lessons Learned in the Journey of Life”, Liahona, maj 2001, f. 38.

  8. Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 82.