2019
As Uragani Nuk Mund Të Na Ndalte
Prill 2019


As Uragani Nuk Mund të na Ndalte

Koraima Santiago de Jezus

San Huan, Porto-Riko

Pamja
Couple standing in hurricane aftermath

Ilustrim nga Suzanne Simmons

Pak pasi u ktheva nga misioni, mora një ftesë për të shkuar në një vallëzim. Gjatë kërcimit, e humba telefonin dhe një i ri ofroi të më ndihmonte që ta gjeja. Teksa biseduam, zbuluam se që të dy ishim misionarë të kthyer dhe kishim shumë ide dhe synime.

Marrëdhënia jonë vazhdoi të zhvillohej dhe ne u fejuam. Ishte ëndrra jonë që të vuloseshim në Tempullin e Uashington D.K.-së para se të mbyllej për rimodelim në mars të vitit 2018. Por pasi e morëm atë vendim, ne u vumë në provë. Së pari, humba punën dhe nuk kisha mënyrë për të kursyer para për udhëtimin tonë për në tempull. Pastaj, një uragan po vinte për të goditur Porto-Rikon pak para datës sonë të dasmës.

Kur uragani Maria goditi, ai e shkatërroi ishullin tonë të bukur. Dyqanet u mbyllën. Ishim pa energji elektrike; uji, ushqimi dhe sende të tjera bazë u bënë të vështira për t’u gjetur. Ne humbëm gjithçka që kishim planifikuar të përdornim në pritjen tonë. Na u desh ta anulonim pritjen dhe dukej se do të duhej ta anulonim edhe dasmën tonë. Udhëtimi brenda dhe jashtë Porto-Rikos ishte i kufizuar dhe askush nuk e dinte se për sa kohë. Fillova të ndihem e shkurajuar dhe u mbusha me dyshime e pështjellim.

Një natë, unë dhe i fejuari im folëm për gjendjen tonë. Udhëtimi ishte i pasigurt dhe ne nuk do të kishim as pritje as veshje dasme, por Shpirti na pohoi se duhej t’i mirëbesonim Zotit. Gjëja më e rëndësishme ishte të vuloseshim në tempull. Iu lutëm Atit Qiellor për ndihmë.

Pasi rifilluan fluturimet me avion nga Porto-Riko, na u desh të bënim plane të reja për fluturimin dhe të ndryshonim datën tonë të vulosjes. Ishim pa komunikim për javë të tëra pas uraganit, por telefoni i një shoqeje funksiononte. Ajo na la ta përdornim atë për t’u lidhur me tempullin. Ne mundëm të riorganizonim gjithçka, që prapë të mund të vuloseshim! Pak javë përpara udhëtimit tonë, pjesëtarët e familjes dhe miqtë dhuruan këpucë dhe veshje, dhe na ndihmuan të merrnim shumë gjëra për dasmën tonë.

Kur më në fund hymë në tempull, ne i lamë të gjitha shqetësimet tona prapa. U kapëm për dore për të hyrë së bashku në të ardhmen tonë. Me të vërtetë mund të them se e ndjeva dorën e Zotit të na udhëzonte dhe të na siguronte sërish se, për aq kohë sa ne i mirëbesonim Atij, gjithçka do të shkonte mirë. Sot ne jemi bekuar me një djalë të hijshëm dhe jemi një familje e vulosur për gjithë përjetësinë.