2019
Biznesi po Lulëzon
Prill 2019


Bekimet e Mbështetjes te Vetja

Biznesi po Lulëzon

Falë asaj që mësoi në klasat e mbështetjes te vetja, kur një derë u mbyll për Tedi Rejesin, një tjetër shpejt u hap.

Pamja
couple preparing food

Fotografi nga Raul Sandoval

Është ora 04:00 në Santo Domingo, në Republikën Domenikane, dhe Tedi Rejesi është ngritur tashmë e po punon. Ai ka shumë punë për të bërë sot për ta mbajtur biznesin e tij të suksesshëm. Ai fillon të presë në feta domatet dhe bukën. Pastaj bën salcën e tij të veçantë.

Nga ora 06:00, dy punonjës vijnë për ta ndihmuar dhe përgatitjet përshpejtohen. Deri në orën 08:00, kanë bërë 300 sanduiçe, mbështjellë secila me plastikë dhe futur në çanta. Gjashtë punonjës të tjerë shfaqen dhe i gjithë grupi shkon për t’i shitur.

Deri në orën 09:00, të gjitha sanduiçet përveç disave – tre ose katër që Tedi i ruajti për të ushqyer grupin e tij – janë shitur.

Biznesi po shkon mirë për Tedin. Por gjërat nuk kanë qenë gjithnjë të lehta. Në fakt, pesë vitet e fundit, ai nuk ka mundur të gjejë punë të qëndrueshme në profesionin e tij të zgjedhur – si avokat.

Pra, si e bëri Tedi kalimin nga këshillimi për klientët te shitja e sanduiçeve? Natyrisht, kërkoi shumë punë, por gjithashtu kërkoi një zbatim të kujdesshëm të parimeve që i mësoi në klasat e ofruara nëpërmjet nismës së Shërbimeve të Mbështetjes te Vetja të Kishës.

Humbja e Punës së Tij

Pesë vjet më parë, jeta për Tedin dukej e mahnitshme. Ai kishte një punë të mirë si avokat, sapo ishte martuar dhe kishte pagëzuar bashkëshorten e tij. “Por patëm disa sfida”, thotë ai, “dhe e humba punën”.

Gjatë katër viteve pasuese, Tedi luftoi për të gjetur punë. “Mund të bëja shumë punë, por askush nuk donte të më paguante. U përpoqa të nisja vetë punë të ndryshme, por nuk funksionoi.”

Bashkëshortja e tij, Stefanija, kishte një punë të mirë, por vetëm paga e saj nuk mund t’i përballonte faturat. Shpejt çifti pati një fëmijë. Ata ishin të kënaqur, por financat e tyre u shtrënguan edhe më shumë. Ata e humbën shtëpinë e tyre, iu desh të shisnin makinën dhe t’i shfrytëzonin të gjitha kursimet e tyre. Përfundimisht atyre iu desh të zhvendoseshin në një shtëpi të vogël që zotërohej nga nëna e Stefanisë.

Por Tedi nuk u dorëzua. Shpejti iu paraqit një mundësi e papritur.

Fuqia e Mbështetjes te Vetja

Pas vitesh mundimi, Tedi e dinte se ishte koha për një ndryshim.

“Vendosa të bëja kurset e mbështetjes te vetja të Kishës”, thotë ai. “Kisha dëgjuar për to, por gjithmonë mendoja se nuk ishin për mua. Mendoja se ishin thjesht për t’i bërë gjërat individualisht. Klasat ishin të mrekullueshme.”

Së pari, Tedi iu bashkua grupit “Financat Vetjake”. Pastaj iu bashkua grupit “Nisja dhe Rritja e Biznesit Tim”. Klasat e grupit e ndihmuan Tedin për njohuritë e tij për biznes, por gjithashtu e ndihmuan që të zhvillohej shpirtërisht.

“Bërja e këtyre klasave ndryshoi gjithçka”, thotë ai. “Vendosa të bëja gjithçka që më mësonin. Dhe financat e mia ndryshuan menjëherë. Fillova të paguaja një të dhjetë të plotë, të lutesha çdo ditë, t’i studioja shkrimet e shenjta dhe të ushtroja besim. Dhe gjërat ndryshuan – fillova të kurseja para dhe ta mbajta ditën e Shabatit të shenjtë. Çdo parim më bekoi.”

Në grupin e tij “Nisja dhe Rritja e Biznesit Tim”, Tedi mësoi se si të përcaktonte një produkt potencial që mund të ishte i dobishëm për klientët në vendin ku ai jetonte. Teksa përcaktoi se çfarë kërkonin njerëzit, frymëzimi filloi të vërshonte. Në zonën e tij, njerëzit i pëlqenin sanduiçet e freskëta, por gjithashtu u pëlqente që t’i porositnin – dhe t’ua çonin.

“Shumë restorante kanë një salcë të veçantë që e bën ushqimin e tyre të dallohet”, thotë Tedi. “Kështu që krijova salcën time të veçantë për sanduiçin!”

Rritja e Biznesit të Tij

Ditën kur e nisi biznesin e tij, Tedi bëri 30 sanduiçe.

“Tridhjetë minuta më vonë, u ktheva në shtëpi”, thotë ai. “Bashkëshortja ime u shqetësua kur më gjeti në divan. Ajo më pyeti se çfarë po bëja tashmë në shtëpi – a nuk duhej të isha duke shitur sanduiçe? Tashmë i kisha shitur të gjitha!”

Gjatë javëve të ardhshme, Tedi kontaktoi me bizneset e zonës dhe shkollat. Shumë prej tyre mezi prisnin t’i blinin sanduiçet e tij, dhe biznesi i tij filloi të rritet. Shpejt mësoi se si të kujdesej për perimet e freskëta në mënyrë që ato të qëndronin më gjatë të freskëta. Ai gjithashtu e di saktësisht se sa kohë mban salca e tij e veçantë. Ai e porosit dhe e merr bukën çdo mbrëmje. Ai blen perime me çmime të ulura të shtunave, të cilat kushtojnë më pak, por do të jenë ende të mira të hënën.

Shpejt ai po merrte porosi për lloje të veçanta sanduiçesh, madje edhe në numër të madh për raste të veçanta. Ai kishte nevojë për ndihmë dhe filloi të punësonte njerëz.

Duke krijuar marrëdhënie pozitive me shkollat dhe bizneset e zonës, Tedi krijoi një klientelë aktive dhe të vazhdueshme. Brenda katër muajsh, ai kishte tetë punonjës dhe shiste 300 sanduiçe në ditë, pesë ditë në javë. Grupi i tij i shitjes ishte kaq i efektshëm saqë ata shisnin çdo sanduiç edhe gjatë verës kur shkollat ishin të mbyllura. Tani Tedi është gati të zgjerohet përsëri.

Për shkak se bëri klasat e mbështetjes te vetja, ai u frymëzua të vinte me idenë e biznesit të sanduiçeve. “Për shkak të këtij udhërrëfimi nga Kisha dhe të bekimeve që kam marrë”, thotë ai, “unë kam një dëshmi shumë të fortë për Kishën dhe Jezu Krishtin”.