2019
Ta Shikoja Babanë Duke Kënduar
Prill 2019


Ta Shikoja Babanë Duke Kënduar

Maria Oka

Kaliforni, SHBA

Pamja
watching choir singing

Ilustrimi nga Allen Garns

Kisha qenë në misionin tim në Honolulu, Havai në SHBA, për vetëm katër muaj e gjysmë, kur pata një krizë të rëndë dhe më pas u diagnostikova me epilepsi. Muajt pasues sollën vizita në spital, analiza të panumërta dhe një ilaç të ri me efekte acaruese anësore.

Deri atëherë, kisha qenë aq e përqendruar në punën misionare, saqë nuk kisha përjetuar shumë mall për shtëpinë, por që nga çasti i krizës, më dhembte zemra. Më merrte malli për prindërit dhe ndihesha e vetmuar edhe pse isha e rrethuar nga njerëz të mrekullueshëm dhe plot përkujdesje. Nuk doja të shkoja në shtëpi, por doja të ndieja paqe.

Me lejen e presidentit të misionit, fola me prindërit e mi në telefon për ilaçet e mia. Babai im, i cili sapo kishte përmbushur ëndrrën e tij të jetës për t’u bashkuar me Korin e Tabernakullit në Sheshin e Tempullit, më siguroi se do të këndonte me gjithë zemër për mua në konferencën e përgjithshme, e cila fillonte të nesërmen.

Mëngjesin pasues, u luta me zell për paqen që më nevojitej kaq shumë. Kisha marrë përgjigje për pyetje specifike gjatë konferencës së përgjithshme më parë dhe besoja se mund të merrja përsëri udhërrëfim. Kur konferenca u hap, kori këndoi “F’mij’ të Dashur, Pran’ Ësht’ Zoti” (Himne, nr. 49). Brenda minutës së parë, e pashë babanë tim në ekranin e televizorit. Kamera u përqendrua në fytyrën e tij për një kohë të gjatë.

Më dolën lot nga sytë teksa një ndjenjë e pamasë paqeje më pushtoi të tërën. E dija që Perëndia më donte. Ai e dinte saktësisht se për çfarë kisha nevojë atë ditë – një siguri e thjeshtë se Ai ishte pranë dhe ishte në dijeni për mua. Ndjeva dashurinë e Perëndisë, dhe gjithashtu, dashurinë e familjes sime, të shoqeve të mia dhe të presidentit tim të misionit. Në vend që të ndihesha e munduar, tani pashë një mundësi për t’u afruar më shumë me Zotin.

Sfidat e mia shëndetësore nuk u zhdukën. Mbi të gjitha, m’u desh të largohesha nga misioni më herët, por e dija se Perëndia ishte atje dhe se Ai më donte. Kjo siguri më ka shoqëruar përmes shumë sprovave të tjera dhe më ka dhënë shpresë në orët e mia më të errëta. Të tjerë mund ta quajnë rastësi, por unë e di se duke e parë babanë tim të këndojë rreth dashurisë së Perëndisë, ishte një mrekulli e vogël në kohën time të nevojës.