2019
Një Ftesë për Rikardon
Prill 2019


Një Ftesë për Rikardon

Martin Apolo Kordova

Paranja, Brazil

Pamja
stack of invitations

Ilustrim nga Katy Dockrill

Kur dëgjoj për një veprimtari në Kishë, gjithmonë ftoj 10 njerëz që nuk janë anëtarë të Kishës që të marrin pjesë. E kam bërë këtë për vite me radhë. Bëj ftesa dhe e vendos secilën në një zarf të bardhë dhe lutem që Shpirti të më udhërrëfejë. Pastaj i dorëzoj ftesat. Rrallëherë ndodh që të 10 personat të marrin pjesë, por edhe nëse vetëm një merr pjesë, mendoj se kam qenë i suksesshëm.

Disa vite më parë, unë përgatita dhjetë ftesa për një mbrëmje rreth vatrës për çiftet e martuara. Ia dhashë ftesat nëntë njerëzve në punën time dhe më kishte ngelur edhe një. Nuk dija se kujt t’ia jepja. Disa minuta më vonë, Rikardo, një përfaqësues shitjesh, kaloi nga tryeza ime. U ndjeva i nxitur ta ftoja, edhe pse ai e kishte refuzuar një ftesë nga një koleg tjetër për të marrë pjesë në një ngjarje në kishën e tij. Nuk mendoja se Rikardo do të ishte i interesuar.

Por kur Rikardo kaloi përsëri nga tryeza ime, unë e ndjeva përsëri nxitjen. Megjithatë, ai u largua kaq shpejt saqë nuk kisha mundësi të flisja me të. U luta që Rikardo të kthehej nëse ishte e thënë që t’ia jepja ftesën.

Pasi kisha mbaruar së luturi, Rikardo u kthye për të më bërë një pyetje. Më pas, i thashë: “Rikardo, kisha ime ka një veprimtari për çiftet e martuara. Do të tregojmë përvoja se si të jetojmë të lumtur çdo ditë. Më pas do të ketë vallëzim. Nëse të ftoj, a do të vish?”

“Patjetër që po”, tha Rikardo, por përgjigjja e tij nuk më bindi.

“Të paktën bëra pjesën time”, mendova.

Unë dhe bashkëshortja ime mbërritëm në aktivitet më herët për të përshëndetur njerëzit teksa vinin. Papritmas pashë Rikardon me bashkëshorten e tij, Rexhinën. I njoha me bashkëshorten time dhe të tjerët që po merrnin pjesë. Gjatë gjithë mbrëmjes, Rikardo dhe Rexhina dukeshin sikur po kënaqeshin. U befasova kur thanë se do të vinin në kishë të dielën për të mësuar më shumë.

Rikardo, Rexhina dhe dy fëmijët e tyre mësuan më shumë. Përfundimisht, ata u bashkuan me Kishën. Më vonë, ata u vulosën në tempull. Rikardo një herë më tha se ai dhe gruaja e tij kishin folur për një shkurorëzim, por më pas Zoti e drejtoi Rikardon për në zyrën time.

Që prej asaj kohe unë i kam kërkuar Zotit të më falë që mendova se Rikardo nuk do ta pranonte ftesën time. Kam mësuar se është e rëndësishme që t’i ftojmë të gjithë. Ju kurrë nuk e dini se kush do të pranojë.