Shkrimet e Shenjta
Abrahami 2


Kapitulli 2

Abrahami largohet nga Uri për të shkuar në Kanaan—Jehova i shfaqet atij në Haran—Të gjitha bekimet e ungjillit i premtohen farës së tij dhe nëpërmjet farës së tij të gjithëve—Ai shkon në Kanaan dhe më tej në Egjipt.

1 Tani Zoti Perëndi e bëri zinë e bukës të përhapet së tepërmi në tokën e Urit, aq shumë sa Harani, vëllai im, vdiq; por Terahu, ati im, përsëri jetonte në tokën e Urit të Kaldeasve.

2 Dhe ndodhi që unë, Abrahami, e mora Sarain për grua dhe Nahori, vëllai im, mori Milkahun për grua, e cila ishte bija e Haranit.

3 Tani Zoti më kishte thënë mua: Abraham, dil jashtë nga vendi yt dhe nga farefisi yt e nga shtëpia e atit tënd, në një tokë që unë do të ta tregoj.

4 Si rrjedhim, unë e lashë tokën e Urit të Kaldeasve, për të shkuar në tokën e Kanaanit; dhe mora Lotin, birin e vëllait tim, dhe gruan e tij, dhe Sarain, gruan time; dhe gjithashtu ati im më ndoqi mua për në tokën që ne e quajtëm Haran.

5 Dhe zija e bukës u pakësua; dhe ati im qëndroi në Haran dhe banoi atje, pasi kishte shumë bagëti në Haran; dhe ati im iu kthye përsëri idhujtarisë së tij, si rrjedhim ai mbeti në Haran.

6 Por unë, Abrahami, dhe Loti, biri i vëllait tim, iu lutëm Zotit dhe Zoti m’u shfaq mua e më tha: Çohu dhe merre Lotin me vete; sepse unë kam si qëllim të të largoj prej Haranit dhe të të bëj një shërbestar për ta çuar emrin tim në një tokë të huaj, të cilën do t’ia jap farës tënde pas teje për një zotërim të përjetshëm, kur ata t’i binden zërit tim.

7 Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt; unë banoj në qiell; toka është stoli i këmbëve të mia; unë e shtrij dorën time mbi det dhe ai i bindet zërit tim; unë i bëj erën dhe zjarrin të jenë koçia ime; unë u them maleve—Largohuni këtej—dhe vini re, ata merren prej një vorbulle ere menjëherë, papritur.

8 Unë quhem Jehova dhe e njoh mbarimin që nga fillimi; si rrjedhim dora ime do të jetë mbi ty.

9 Dhe unë do të bëj prej teje një komb të madhërishëm dhe do të të bekoj jashtë mase, dhe do ta bëj emrin tënd të madh mes gjithë kombeve, dhe ti do të jesh një bekim për farën tënde pas teje, që në duart e tyre ata do ta mbajnë këtë shërbesë dhe Priftëri për të gjitha kombet;

10 Dhe unë do t’i bekoj ata nëpërmjet emrit tënd; sepse të gjithë ata që e marrin këtë Ungjill, do të quhen sipas emrit tënd e do të llogariten si fara jote dhe do të ngrihen e do të të bekojnë ty, si atin e tyre;

11 Dhe unë do t’i bekoj ata që të bekojnë ty dhe do t’i mallkoj ata që të mallkojnë ty; dhe në ty (që është, në Priftërinë tënde) dhe në farën tënde (që është, Priftëria jote), sepse unë të jap një premtim se kjo e drejtë do të vazhdojë në ty dhe në farën tënde pas teje (që do të thotë, fara e drejtpërdrejtë ose fara e trupit) të gjitha familjet e tokës do të bekohen, madje me bekimet e Ungjillit, të cilat janë bekimet e shpëtimit, madje të jetës së përjetshme.

12 Tani, pasi Zoti ishte larguar së foluri me mua dhe e kishte larguar fytyrën e tij prej meje, unë thashë në zemrën time: Shërbëtori yt të ka kërkuar me shumë zell; tani unë të kam gjetur;

13 Ti vërtet e dërgove engjëllin tënd për të më çliruar nga perënditë e Elkenahut dhe unë do të bëj mirë t’i bindem zërit tënd, si rrjedhim, le të ngrihet shërbëtori yt dhe të largohet në paqe.

14 Kështu unë, Abrahami, u largova sikurse Zoti më kishte thënë, dhe Loti me mua; dhe unë, Abrahami, isha gjashtëdhjetë e dy vjeç kur u largova nga Harani.

15 Dhe mora Sarain, që e mora për grua kur isha në Ur, në Kaldea, dhe Lotin, djalin e vëllait tim, dhe gjithë pasurinë tonë që e kishim mbledhur, dhe shpirtrat që kishim fituar në Haran dhe u nisëm për udhë për në tokën e Kanaanit dhe banuam në çadra ndërkohë që ishim në udhë;

16 Si rrjedhim, përjetësia ishte mbulesa jonë dhe shkëmbi ynë e shpëtimi ynë, ndërsa udhëtonim nga Harani nëpërmjet rrugës së Jershonit, për të shkuar në tokën e Kanaanit.

17 Tani unë, Abrahami, ndërtova një altar në tokën e Jershonit dhe i bëra flijim Zotit e u luta që zija e bukës të mund të largohej prej shtëpisë së atit tim, që ata të mos shkatërroheshin.

18 Dhe më pas ne kaluam nga Jershoni nëpërmjet tokës për në vendin e Sikemit; ai ishte i vendosur në pllajat e Morehut dhe ne tashmë kishim ardhur në kufijtë e tokës së Kanaanitëve dhe unë ofrova flijim atje, në pllajat e Morehut, dhe i thirra Zotit me plot zell, sepse ne tashmë kishim ardhur në tokën e këtij kombi idhujtar.

19 Dhe Zoti m’u shfaq në përgjigje të lutjeve të mia dhe më tha: Farës tënde do t’ia jap këtë tokë.

20 Dhe unë, Abrahami, u ngrita nga vendi i altarit që ia kisha ndërtuar Zotit, dhe u largova që atje për në një mal në lindje të Bethelit dhe e ngrita çadrën time atje, me Bethelin në perëndim dhe Hain në lindje; dhe atje i ndërtova një altar tjetër Zotit dhe i bëra thirrje përsëri emrit të Zotit.

21 Dhe unë, Abrahami, udhëtova, duke vazhduar akoma drejt jugut; dhe pati një vazhdim të zisë së bukës në tokë; dhe unë, Abrahami, vendosa të zbres në Egjipt, për të banuar atje, sepse zija e bukës u bë më e rëndë.

22 Dhe ndodhi që, kur u afrova pranë hyrjes në Egjipt, Zoti më tha: Vër re, Sarai, gruaja jote, është një grua shumë e pashme në pamje;

23 Si rrjedhim, do të ndodhë, kur Egjiptianët ta shohin atë, ata do të thonë—Ajo është gruaja e tij; dhe ata do të të vrasin ty, por do ta ruajnë atë të gjallë; si rrjedhim, sigurohuni që të veproni sipas kësaj mënyre të urtë:

24 Ajo duhet t’u thotë Egjiptianëve se është motra jote dhe shpirti yt do të jetojë.

25 Dhe ndodhi që unë, Abrahami, i tregova Sarait, gruas sime, gjithçka që Zoti më kishte thënë—Si rrjedhim, thuaju atyre, të lutem, se je motra ime, që të jetë mirë me mua për hirin tënd, dhe shpirti im do të jetojë për shkakun tënd.