Kapitulli 2
Amlici kërkon të bëhet mbret dhe nuk pranohet nga zëri i popullit—Pasuesit e tij e bëjnë atë mbret—Amlicitët bëjnë luftë kundër Nefitëve dhe shpartallohen—Lamanitët dhe Amlicitët bashkojnë forcat dhe shpartallohen—Alma vret Amlicin. Rreth 87 para K.
1 Dhe ndodhi që në fillim të vitit të pestë të mbretërimit të tyre, filloi një grindje mes popullit; pasi një farë njeriu, i quajtur Amlici, duke qenë njeri shumë dinak, po, njeri i zgjuar, sipas zgjuarsisë së botës, duke qenë i urdhërit të njeriut që vrau me shpatë Gideonin, i cili u ekzekutua sipas ligjit—
2 Tani, ky Amlici, me dinakërinë e tij, tërhoqi pas vetes shumë njerëz; madje kaq shumë, saqë ata filluan të bëhen shumë të fuqishëm; dhe ata filluan të përpiqen që të vënë Amlicin mbret mbi popullin.
3 Tani kjo ishte alarmuese për njerëzit e kishës dhe gjithashtu për të gjithë ata që nuk ishin tërhequr që të bindeshin nga Amlici; pasi ata e dinin se sipas ligjit të tyre gjëra të tilla duhej të vendoseshin nga zëri i popullit.
4 Prandaj, po të ishte e mundur që Amlici të fitonte zërin e popullit, ai, duke qenë njeri i lig, do t’u hiqte atyre të drejtat dhe privilegjet e kishës; pasi ishte qëllimi i tij të shkatërronte kishën e Perëndisë.
5 Dhe ndodhi që populli u mblodh tok nga të gjitha anët e vendit, çdo njeri sipas mendjes së tij, qoftë për Amlicin ose kundër tij, në grupe të veçuara, duke patur shumë kundërshtime dhe grindje të habitshme me njëri-tjetrin.
6 Dhe kështu u mblodhën tok së bashku për të treguar me zërat e tyre në lidhje me këtë çështje; dhe ata u çuan para gjykatësve.
7 Dhe ndodhi që zëri i popullit qe kundër Amlicit, kështu që ai nuk u bë mbret mbi popullin.
8 Tani, kjo shkaktoi gëzim të madh në zemrat e atyre që ishin kundër tij; por Amlici i nxiti ata që ishin në favor të tij, që të zemëroheshin kundër atyre që nuk ishin në favor të tij.
9 Dhe ndodhi që ata u mblodhën tok së bashku dhe caktuan që Amlici të ishte mbreti i tyre.
10 Tani, kur Amlici u bë mbret mbi ta, ai i urdhëroi ata të rroknin armët kundër vëllezërve të tyre; dhe këtë e bëri që të mund t’i nënshtronte nën vete.
11 Tani, njerëzit e Amlicit dalloheshin me emrin e Amlicit, duke u quajtur Amlicitë; dhe të tjerët quheshin Nefitë, ose njerëzit e Perëndisë.
12 Prandaj populli i Nefit ishte në dijeni të qëllimit të Amlicitëve dhe prandaj u përgatitën t’i përballonin ata; po, ata u armatosën me shpata dhe me kordha dhe me harqe, dhe me shigjeta, dhe me gurë, dhe me hobe, dhe me të gjitha llojet e armëve të luftës, të çdo lloji.
13 Dhe kështu ata u përgatitën të përballonin Amlicitët në kohën e ardhjes së tyre kur ata të vinin. Dhe ata u caktuan kapitenë dhe kryekapitenë dhe komandantë, sipas numrit të tyre.
14 Dhe ndodhi që Amlici armatosi njerëzit e tij me armë të ndryshme lufte të çdo lloji; dhe ai caktoi gjithashtu sundues dhe udhëheqës mbi popullin e tij, për t’i udhëhequr në luftë kundër vëllezërve të tyre.
15 Dhe ndodhi që Amlicitët shkuan në kodrën Amnihu, që ishte në lindje të lumit Sidon, që rridhte pranë tokës së Zarahemlës dhe aty ata filluan të luftonin kundër Nefitëve.
16 Tani Alma, duke qenë kryegjykatësi dhe guvernatori i popullit të Nefit, prandaj shkoi me popullin e tij, po, me kapitenët dhe kryekapitenët e tij, po, në krye të ushtrive të tij për të luftuar kundër Amlicitëve.
17 Dhe ata filluan të vrisnin Amlicitët në kodrën në lindje të Sidonit. Dhe Amlicitët luftuan me Nefitët me fuqi të madhe, derisa shumë nga Nefitët ranë para Amlicitëve.
18 Megjithatë, Zoti forcoi dorën e Nefitëve dhe ata i vranë Amlicitët me shumicë të madhe, sa ata filluan t’ia mbathnin para tyre.
19 Dhe ndodhi që Nefitët iu vunë pas Amlicitëve gjithë atë ditë dhe i vranë ata me egërsi të madhe, kaq sa vranë nga Amlicitët dymbëdhjetëmijë e pesëqind e tridhjetë e dy shpirtra; dhe nga Nefitët u vranë gjashtë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy shpirtra.
20 Dhe ndodhi që kur Alma nuk mund t’i ndiqte më Amlicitët, bëri që populli i tij të ngrinte çadrat në luginën Gideon, lugina duke u quajtur pas atij Gideoni që u vra nga dora e Nehorit me shpatë; dhe në këtë luginë Nefitët ngritën çadrat e tyre për natën.
21 Dhe Alma dërgoi spiunë për të ndjekur mbetjen e Amlicitëve, që ai të mund të dinte mbi planet e tyre dhe komplotet e tyre, kështu që ai të mund të mbrohej kundër tyre, që ai të mund ta ruante popullin e tij nga shkatërrimi.
22 Tani, ata që u dërguan të vëzhgonin kampin e Amlicitëve, quheshin Zeram dhe Amnor, dhe Manti, dhe Limher; këta ishin ata që shkuan me njerëzit e tyre të vrojtonin kampin e Amlicitëve.
23 Dhe ndodhi që të nesërmen ata u kthyen në kampin e Nefitëve me shpejtësi të madhe, duke qenë shumë të çuditur dhe të goditur nga frika e madhe, duke thënë:
24 Vini re, ne ndoqëm kampin e Amlicitëve dhe për çudinë tonë të madhe, në tokën Minon, përmbi vendin e Zarahemlës, në drejtim të tokës së Nefit, ne pamë një ushtri të madhe Lamanitësh; dhe vini re, Amlicitët janë bashkuar me ta;
25 Dhe në atë tokë ata kanë rënë mbi vëllezërit tanë aty; që po ikin para tyre me grigjat e tyre dhe me bashkëshortet e tyre dhe me fëmijët e tyre në drejtim të qytetit tonë; dhe në qoftë se nuk shpejtojmë, ata do të marrin në zotërim qytetin tonë dhe etërit tanë dhe bashkëshortet tona, dhe fëmijët tanë do të vriten.
26 Dhe ndodhi që njerëzit e Nefit morën çadrat e tyre dhe u nisën nga lugina Gideon në drejtim të qytetit të tyre, që ishte qyteti i Zarahemlës.
27 Dhe vini re, ndërsa ata ishin duke kaluar lumin Sidon, Lamanitët dhe Amlicitët që ishin pothuaj sa rëra e detit në numër, erdhën mbi ta për t’i shkatërruar.
28 Megjithatë, Nefitët, duke qenë të fuqizuar nga dora e Zotit, pasi iu lutën me fuqi atij, që ai t’i çlironte nga duart e armiqve të tyre, prandaj Zoti i dëgjoi thirrjet e tyre dhe i fuqizoi ata dhe Lamanitët dhe Amlicitët ranë përpara tyre.
29 Dhe ndodhi që Alma luftoi kundër Amlicit me shpatë, ballë për ballë; dhe ata luftuan rreptësisht njëri me tjetrin.
30 Dhe ndodhi që Alma, duke qenë një njeri i Perëndisë, duke qenë i ushtruar me besim të madh, thirri duke thënë: O Zot, ki mëshirë dhe kurseje jetën time, që unë të mund të jem një mjet në duart e tua, që të shpëtoj dhe të ruaj këtë popull.
31 Tani kur Alma i tha këto fjalë, ai luftoi përsëri me Amlicin; dhe qe fuqizuar kaq shumë, sa ai e vrau Amlicin me shpatë.
32 Dhe ai luftoi gjithashtu me mbretin e Lamanitëve; por mbreti i Lamanitëve ia mbathi kur u gjend para Almës dhe çoi rojat e tij të luftonin me Almën.
33 Por Alma, me rojat e tij, luftoi me rojat e mbretit të Lamanitëve, derisa ai i vrau dhe i shtyu prapa.
34 Dhe kështu ai spastroi terrenin, ose më mirë bregun që ishte në perëndim të lumit Sidon, duke hedhur në ujërat e Sidonit trupat e Lamanitëve që ishin vrarë, kështu që njerëzit e tij të kishin vend të kalonin lumin dhe të luftonin me Lamanitët dhe Amlicitët në anën perëndimore të lumit Sidon.
35 Dhe ndodhi që, kur ata të gjithë kaluan lumin Sidon, Lamanitët dhe Amlicitët filluan t’ia mbathnin para tyre, megjithëse ata ishin aq të shumtë, saqë ata nuk mund të numëroheshin.
36 Dhe ata ikën para Nefitëve në drejtim të vendit të shkretë që ishte në perëndim dhe në veri, tutje, matanë kufijve të vendit; dhe Nefitët i ndoqën ata me fuqinë e tyre dhe i vranë.
37 Po, ata u përballuan nga çdo anë dhe u vranë dhe u dëbuan, derisa ata u shpërndanë në perëndim dhe në veri, derisa ata arritën në vendin e shkretë që quhej Hermounts; dhe ishte ajo pjesë e vendit të shkretë, që ishte plot kafshë të egra dhe të uritura.
38 Dhe ndodhi që shumë vdiqën në vendin e shkretë nga plagët e tyre dhe u përpinë nga ato kafshë dhe gjithashtu nga korbat e ajrit; dhe kockat e tyre u gjetën dhe u grumbulluan mbi tokë.