Dhiata e Vjetër 2022
Udhëzime për Kohën e të Kënduarit dhe Programin e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit


“Udhëzime për Kohën e të Kënduarit dhe Programin e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër (2022) (2021)

“Udhëzime për Kohën e të Kënduarit dhe Programin e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Pamja
fëmijë duke bërë veprime teksa këndojnë në kishë

Udhëzime për Kohën e të Kënduarit dhe Programin e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit

Të Dashura Presidenca të Fillores dhe Udhëheqës/e të Muzikës,

Këngët e Fillores janë një mjet i fuqishëm për t’i ndihmuar fëmijët që të mësojnë rreth planit të Atit Qiellor për lumturinë dhe të vërtetave themelore të ungjillit të Jezu Krishtit. Teksa fëmijët këndojnë rreth parimeve të ungjillit, Fryma e Shenjtë do të dëshmojë për vërtetësinë e tyre. Fjalët dhe muzika do të mbeten në mendjen dhe zemrën e fëmijëve gjatë gjithë jetës së tyre.

Kërkoni ndihmën e Shpirtit ndërsa përgatiteni që ta jepni mësim ungjillin nëpërmjet muzikës. Jepni dëshminë tuaj për të vërtetat për të cilat këndoni. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si muzika lidhet me atë që ata po mësojnë e përjetojnë në shtëpi dhe në orët mësimore të Fillores. Fëmijët dhe familjet e tyre do të bekohen nga përpjekjet tuaja të përkushtuara.

Ne ju duam dhe ju shprehim mirënjohjen tonë për shërbimin e përkushtuar që po jepni për t’i forcuar dhe për t’i mbrojtur fëmijët tanë të çmuar.

Presidenca e Përgjithshme e Fillores

Udhëzime për Kohën e të Kënduarit

5 minuta (presidenca e Fillores): Lutja e hapjes, një shkrim i shenjtë ose neni i besimit dhe një bisedë

20 minuta (udhëheqësi ose udhëheqësja e muzikës): Koha e të kënduarit

Presidenca e Fillores dhe udhëheqësi/ja i/e muzikës përzgjedhin këngë për çdo muaj, për t’i përforcuar parimet që fëmijët po i mësojnë në klasat e tyre dhe në shtëpi. Në këtë udhëzues përfshihet një listë këngësh që i përforcojnë këto parime. Këto këngë gjithashtu sugjerohen në përvijimet tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren dhe Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.

Teksa u mësoni këngë fëmijëve, ftojini të tregojnë atë që kanë mësuar tashmë për historitë, dhe parimet doktrinore te këngët që u mësoni. Ju mund të doni t’i shqyrtoni përvijimet tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren, të cilat fëmijët po i studiojnë në orët e tyre mësimore. Kjo do t’ju ndihmojë të bëheni të vetëdijshëm për historitë dhe parimet që ata po mësojnë, që ju të mund të shqyrtoni se si ta përkrahni të mësuarit e tyre me anë të muzikës.

Gjatë kohës së të kënduarit, ju mund të përsëritni edhe këngë që fëmijët i kanë mësuar më parë, dhe këngë që atyre u pëlqen t’i këndojnë. Teksa i përsëritni këngët, ftojini fëmijët të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth të vërtetave që gjenden në to.

Libri i Këngëve të Fëmijëve është burimi bazë për muzikën në Fillore. Himne nga libri i himneve dhe këngë nga revista Miku ose Liahona janë gjithashtu të përshtatshme. Me raste, fëmijët mund të këndojnë këngë patriotike ose festash, të cilat janë të përshtatshme për ditën e diel dhe për moshat e fëmijëve. Përdorimi i çfarëdo muzike tjetër në Fillore duhet të miratohet nga peshkopata (shih Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 12.3.4, ChurchofJesusChrist.org).

Vështrim i Përgjithshëm mbi Filloren

Çdo javë, Fillorja përfshin:

Kohën e të kënduarit:25 minuta

Kalimin nëpër klasa:5 minuta

Orët mësimore:20 minuta

Udhëheqësit/et e Filloreve me shumë fëmijë mund t’i ndajnë fëmijët në dy grupe dhe ta vënë një grup në orët mësimore të Fillores ndërkohë që grupi tjetër është në kohën e të kënduarit. Më pas të dy grupet do të ndërrojnë vendet. Në raste të tilla, udhëheqësit/et e Fillores mund të kenë nevojë t’i ndryshojnë oraret që tregohen më lart për t’iu përshtatur rrethanave të tyre.

Muzika e Sugjeruar për Kohën e të Kënduarit

Janar

Shkurt

Mars

Prill

Maj

Qershor

Korrik

Gusht

Shtator

Tetor

Nëntor

Dhjetor

Pamja
tre fëmijë duke mbajtur figura të Jezusit në krye të dhomës në kishë

Përdorimi i Muzikës për të Dhënë Mësim Doktrinën

Koha e të kënduarit ka për qëllim t’i ndihmojë fëmijët që ta ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë teksa mësojnë të vërtetat e ungjillit. Idetë vijuese mund t’ju frymëzojnë teksa planifikoni mënyra për t’i dhënë mësim parimet e ungjillit që gjenden te himnet dhe këngët e Fillores.

Lexojini shkrimet e shenjta përkatëse. Te Libri i Këngëve të Fëmijëve dhe Himnet, në shumë nga himnet dhe këngët janë përfshirë referenca që lidhen me shkrime të shenjta. Ndihmojini fëmijët t’i lexojnë disa nga këto fragmente dhe flitni për mënyrën se si shkrimet e shenjta lidhen me këngën. Ju gjithashtu mund t’i renditni disa referenca nga shkrimet e shenjta në tabelë dhe t’i ftoni fëmijët të bëjnë lidhjen e secilës referencë me një këngë ose një strofë nga një këngë.

Plotësojeni vendin bosh. Shkruani një strofë të këngës në tabelë me disa fjalë kyç që mungojnë. Më pas kërkojuni fëmijëve ta këndojnë këngën, duke ua vënë veshin fjalëve që i plotësojnë hapësirat boshe. Ndërkohë që e plotësojnë çdo hapësirë boshe, diskutoni se cilat parime të ungjillit mësojnë nga fjalët që mungojnë.

Përdorni citime nga udhëheqës të Kishës. Ftojini fëmijët të dëgjojnë një citim nga një udhëheqës i Kishës që na mëson të njëjtin parim të ungjillit sikurse kënga e Fillores. Kërkojuni të ngrenë dorën kur të dëgjojnë diçka që i ndihmon ta kuptojnë të vërtetën për të cilën po këndojnë. Vërini të flasin për atë që dëgjuan.

Dëshmoni. Shprehuni fëmijëve një dëshmi të shkurtër për të vërtetat e ungjillit që gjenden te kënga e Fillores. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se të kënduarit është një mënyrë se si ata mund të japin dëshmi e ta ndiejnë Shpirtin.

Qëndroni si dëshmitar/e. Ftojini fëmijët të ngrihen në këmbë me radhë dhe të thonë atë që mësojnë nga kënga që po këndojnë, ose mënyrën se si ndihen rreth të vërtetave që u dhanë mësim në këngë. Pyetini se si ndihen ndërkohë që e këndojnë këngën dhe ndihmojini të dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë.

Përdorni figura. Kërkojuni fëmijëve t’ju ndihmojnë të gjeni ose krijoni figura që përputhen me fjalë ose fraza të rëndësishme në këngë. Ftojini të tregojnë se si lidhen figurat me këngën dhe atë që na mëson kënga. Për shembull, nëse po u mësoni këngën “Kur Ai të Vij’ Përs’ri” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46–47), ju mund të vini figura rreth e qark dhomës që përshkruajnë fjalë të rëndësishme nga kënga (të tilla si engjëjt, borë dhe yll). Kërkojuni fëmijëve t’i mbledhin figurat dhe t’i mbajnë lart në rendin e duhur teksa e këndoni këngën së bashku.

Jepni mësim me sende. Ju mund të përdorni një send për të nisur një diskutim rreth një kënge. Për shembull, kënga “Herët Zotin do Kërkoj” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 67) flet rreth kërkimit të Zotit. Mund të fshihni në dhomë një figurë të Shpëtimtarit dhe ftojeni një fëmijë që ta gjejë atë. Pasi fëmija ta ketë gjetur figurën, diskutoni për gjëra që bëri ai ose ajo për ta gjetur atë. Kjo mund të çojë në një diskutim mbi atë se çfarë gjërash që përmenden te kënga, mund të bëjmë për të kërkuar Zotin.

Ftojini të tregojnë përvoja vetjake. Ndihmojini fëmijët t’i lidhin parimet e dhëna mësim në këngë me përvoja të cilat i kanë pasur dhe që lidhen me ato parime. Për shembull, përpara se të këndoni “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99), ju mund t’u kërkoni fëmijëve të ngrenë dorën nëse kanë parë një tempull. Ftojini të mendojnë teksa këndojnë për mënyrën se si ndihen ata kur shohin një tempull.

Bëni pyetje. Ka shumë pyetje që mund të bëni ndërkohë që i këndoni këngët. Për shembull, ju mund t’i pyetni fëmijët se çfarë mësojnë nga secila strofë në këngë. Gjithashtu mund t’u kërkoni atyre të mendojnë pyetje të cilave u jep përgjigje kënga. Kjo mund të çojë drejt një diskutimi për të vërtetat e dhëna mësim në këngë.

Mbani vesh për përgjigjet. Kërkojuni fëmijëve që të mbajnë vesh për përgjigjet e pyetjeve. Për shembull, kënga “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21) përmban pyetje dhe përgjigje. Ju mund t’u bëni fëmijëve pyetje dhe t’i bëni të mbajnë vesh për përgjigjet teksa këndojnë.

Të Ndihmuarit e Fëmijëve që të Mësojnë e Mbajnë Mend Këngë të Fillores dhe Himne

Fëmijët e mësojnë një këngë duke e dëgjuar dhe duke e kënduar atë vazhdimisht. Gjithmonë këndojuani fjalët e një kënge të re fëmijëve – thjesht mos ua lexoni ose recitoni ato. Kjo i ndihmon fëmijët ta lidhin melodinë me fjalët. Pasi ua keni mësuar një këngë, përsëriteni atë në një larmi mënyrash argëtuese gjatë gjithë vitit. Më poshtë janë disa ide për t’i ndihmuar fëmijët që të mësojnë dhe përsëritin këngët.

Krijoni afishe. Paraqitni afishe me fjalë nga secila strofë ose figura që i përfaqësojnë fjalët. Teksa fëmijët këndojnë, mbulojini disa prej fjalëve ose figurave derisa ata të mund ta këndojnë të gjithë strofën pa e përdorur afishen. Ju gjithashtu mund t’i ftoni fëmijët që t’ju ndihmojnë për të krijuar afishe.

Vini në dukje nivelin e notave. Për t’i ndihmuar fëmijët që ta mësojnë melodinë e një kënge, mbajeni dorën në pozicion horizontal dhe ndërkohë që ju i këndoni fjalët, ngrijeni dorën lart për të treguar notat më të larta dhe uleni dorën për të treguar notat më të ulëta.

Përsëritni. Ftojini fëmijët të përsëritin pas jush atë që ju këndoni. Këndojuni fëmijëve një frazë të shkurtër ose një varg dhe më pas bëni që t’jua përsëritin duke kënduar.

Përdorni variacione. Këndojini këngët në një larmi mënyrash, të tilla si duke pëshpëritur, duke e kënduar nën zë melodinë, duke përplasur duart sipas ritmit, duke e ndryshuar tempin ose duke kënduar të ulur apo të ngritur në këmbë. Ju gjithashtu mund të bëni një kub prej letre dhe në çdo faqe të kubit të shkruani një mënyrë të ndryshme për të kënduar. Ftojeni një fëmijë ta rrotullojë kubin për të vendosur se në ç’mënyrë fëmijët do ta këndojnë këngën.

Këndoni në grupe. Jepini çdo klase ose individi një frazë që ta këndojë teksa qëndron në këmbë dhe më pas bëni që t’i shkëmbejnë frazat derisa secila klasë ose secili individ të ketë pasur radhën për ta kënduar secilën frazë.

Përdorni veprime me duar. Ftojini fëmijët të mendojnë për veprime të thjeshta me duar që t’i ndihmojnë të mbajnë mend fjalët dhe mesazhet e një kënge. Për shembull, kur këndoni “Me Nderim, Qetësi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 11), ju mund t’i ftoni fëmijët të mbledhin duart, të përkulin kokat dhe të prekin zemrat e tyre kur këndojnë vargjet përkatëse në këngë.

Vajzat këndojnë, djemtë këndojnë. Vizatoni një figurë të një djali dhe një figurë të një vajze dhe ngjitini ose lidhini figurat në shkopinj të veçantë. Ndërkohë që e përsëritni një këngë, ngrijeni lart njërën prej figurave që të tregoni se kush duhet ta këndojë atë pjesë të këngës.

Hedhja në shportë. Vendosni shporta ose enë të tjera me numra përpara klasës – vendosni aq enë sa ka strofa në një këngë të caktuar. Ftojeni njërin nga fëmijët të hedhë brenda ose pranë një ene me numër një qese me fasule (si top) ose një fletë letre të mbledhur shuk. Vërini fëmijët të këndojnë strofën me të njëjtin numër si ena.

Përputheni një figurë me një frazë. Shkruajeni secilin varg të një kënge në një fletë të ndryshme letre dhe gjeni një figurë që e përfaqëson secilin varg. Vendosini figurat në njërën anë të klasës dhe letrat në anën tjetër. Këndojeni këngën dhe kërkojuni fëmijëve t’i përputhin figurat me fjalët.

Pamja
dy fëmijë duke kënduar në kishë

Udhëzime për Programin në Mbledhjen e Sakramentit

Nën drejtimin e peshkopit, programi i fëmijëve në mbledhjen e sakramentit bëhet zakonisht në tremujorin e katërt të vitit. Presidenca e Fillores dhe udhëheqësi ose udhëheqësja e muzikës në Fillore planifikojnë që të takohen në fillim të vitit me këshilltarin në peshkopatë i cili mbikëqyr Filloren, që të fillojnë diskutimin rreth planeve për programin. Kur t’i keni përfunduar planet, merrni miratimin e tij për to.

Programi duhet t’i lejojë fëmijët të paraqitin atë që fëmijët dhe familjet e tyre kanë mësuar nga Dhiata e Vjetër në shtëpi dhe në Fillore, përfshirë këngët e Fillores që janë kënduar gjatë vitit. Me lutje, merrni parasysh se cilat parime të ungjillit dhe këngë e përkrahin atë që ata kanë mësuar. Gjatë gjithë vitit, mbani shënime rreth bisedave dhe përvojave vetjake të fëmijëve, të cilat mund të përdoren në program. Ftojini fëmijët të tregojnë shkrime të shenjta, histori dhe të japin dëshmitë e tyre në program. Teksa e planifikoni programin, mendoni për mënyra se si ai mund ta ndihmojë bashkësinë të përqendrohet tek Ati Qiellor e Shpëtimtari dhe mësimet e Tyre.

Njësitë me numër të vogël fëmijësh mund të shqyrtojnë mënyra në të cilat pjesëtarë të familjes mund të marrin pjesë me fëmijët e tyre. Një anëtar i peshkopatës mund ta përfundojë mbledhjen me disa komente të shkurtra.

Ndërsa përgatitni programin, kujtoni udhëzimet e mëposhtme:

  • Provat nuk duhet të marrin kohë të panevojshme nga orët mësimore të Fillores apo nga familja.

  • Ilustrimet pamore, veshjet teatrale dhe paraqitjet mediatike nuk janë të përshtatshme për mbledhjen e sakramentit.

Shih Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 12.2.1.2, ChurchofJesusChrist.org.