2020
Ata Patën Shpresë për Ardhjen e Krishtit – dhe Ne Mund të Kemi Gjithashtu
Prill 2020


Ata Patën Shpresë për Ardhjen e Krishtit – dhe Ne Mund të Kemi Gjithashtu

Profetët e Librit të Mormonit kishin shpresë se Krishti do të vinte. Gjatë leximit të fjalëve të tyre, ne mund të kemi të njëjtën shpresë për kohën kur Ai do të vijë përsëri.

Pamja
Christ visiting the Americas

“VIZITA”, Pikturat nga Jorge Cocco Santangelo

Çfarë fjalësh ju vijnë në mendje kur mendoni për Librin e Mormonit?

Nefitët, lamanitët, ‑itët e tjerë?

Lufta, vendi i shkretë, mjerimi?

Pendimi, shëlbimi, drejtësia?

Jezu Krishti?

Shpresa?

Pashka është koha e përsosur për të përsiatur rishtas mesazhin e Librit të Mormonit. Më e rëndësishmja, mesazhin që Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Për shkak të Tij, ne mund të çlirohemi më së fundi nga dhembjet e trupit dhe të shpirtit. Nga vdekja dhe mëkati. Ne mund ta mposhtim çdo gjë të keqe që na ndodh në botë.

E thënë thjesht, ne mund të kemi shpresë.

Shpresa – shpresa e vërtetë, e përqendruar te Jezu Krishti – frymëzoi profetë të lashtë që të mbanin anale në fletë të arta, të cilat do të bëheshin Libri i Mormonit. Jakobi na thotë: “Pasi, për këtë qëllim ne i kemi shkruar këto gjëra, që ata të mund të dinë se ne dinim për Krishtin dhe ne kishim një shpresë të lavdisë së tij, shumë qindra vjet para ardhjes së tij” (Jakobi [LiM] 4:4; theksimi i shtuar).

Jakobi donte që ne të dinim se ai – dhe profetët e tjerë që mbajtën anale – kishin dijeni për ardhjen e Krishtit. Qindra vjet përpara se Ai të vinte! Dhe ata u frymëzuan ta kishin atë shpresë nga fjalët e profetëve që ata i lexonin. Jakobi shpjegon: “Dhe se jo vetëm ne vetë kishim një shpresë të lavdisë së tij, por gjithashtu të gjithë profetët e shenjtë që ishin para nesh.

Vini re, ata besonin në Krisht dhe adhuronin Atin në emrin e tij dhe gjithashtu ne adhurojmë Atin në emrin e tij. …

Kështu që, ne kërkojmë profetët dhe kemi shumë zbulesa dhe shpirtin e profecisë; dhe duke pasur gjithë këto dëshmi, ne marrim një shpresë dhe besimi ynë bëhet i patundur” (Jakobi [LiM] 4:4–6; shih edhe 1 Nefi 19:21; Jakobi [LiM] 7:11; Mosia 3:13; Helamani 8:16).

Shpresa që ata e fituan si nga vetë përvojat e tyre ashtu edhe nga profecitë që i lexuan në shkrimet e shenjta, i përgatiti për ditën kur Krishti do të vinte. Po ashtu, profetët sot na nxitin të përgatitemi për kohën kur Krishti do të vijë përsëri. Nëse duhet të kemi po atë shpresë, ne gjithashtu kemi nevojë të “kërkojmë profetët dhe [të kërkojmë të] kemi shumë zbulesa dhe shpirtin e profecisë”. Dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin jo vetëm që do t’i forcojnë dëshmitë tona, por gjithashtu do të na ndihmojnë të përgatitemi për ardhjen e Tij.

Lehi

“Kështu që, sa e madhe rëndësia që këto gjëra t’u bëhen të njohura banorëve të tokës, që ata të mund të dinë se nuk ka mish që mund të banojë në prani të Perëndisë, veçse nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë, i cili jep jetën e tij sipas mishit dhe e merr rishtas nëpërmjet fuqisë së Shpirtit, që ai të mund të shkaktojë ringjalljen e të vdekurve, duke qenë ai i pari që do të ngrihet.”

Nefi

“Dhe, ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre.”

Mbreti Beniamin

“Dhe ai do të quhet Jezu Krisht, Biri i Perëndisë. …

Dhe vini re, ai vjen mes popullit të tij, që shpëtimi të mund të vijë te fëmijët e njerëzve, madje nëpërmjet besimit në emrin e tij; … 

Dhe ai do të ngrihet ditën e tretë nga të vdekurit; …

Pasi vini re, dhe gjithashtu gjaku i tij shlyen për mëkatet e atyre që kanë rënë nga shkelja e Adamit, që kanë vdekur pa ditur vullnetin e Perëndisë në lidhje me ta, ose që kanë bërë mëkat nga padituria.”

Alma

“Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.

Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.”

Amuleku

“Dhe ai flijim i madh dhe i fundit do të jetë Biri i Perëndisë, po, i pafund dhe i përjetshëm.

Dhe kështu, ai do t’u sjellë shpëtim të gjithë atyre që do të besojnë në emrin e tij; pasi ky është qëllimi i këtij flijimi të fundit, për të sjellë zemrën e mëshirës, e cila e mund drejtësinë dhe u sjell njerëzve mjete që ata të mund të kenë besim deri në pendim.

Dhe kështu mëshira mund të kënaqë kërkesat e drejtësisë dhe i rrethon me krahët e sigurisë, ndërsa ai që nuk ushtron besim deri në pendim, qëndron i ekspozuar para tërë ligjit të kërkesave të drejtësisë; prandaj vetëm atij që ka besim deri në pendim do t’i realizohet plani i madh, i përjetshëm i shëlbimit.”

Pamja
the Savior in Gethsemane

Gethsemane, by Jorge Cocco Santangelo

Samuel Lamaniti

“Pasi vini re, ai duhet të vdesë patjetër, që shpëtimi të mund të vijë; po, është e përshtatshme dhe e nevojshme që ai të vdesë që të ndodhë ringjallja e të vdekurve, kështu që njerëzit të mund të çohen në prani të Zotit.

Po, vini re, kjo vdekje sjell ringjalljen dhe shëlben gjithë njerëzimin nga vdekja e parë–nga vdekja shpirtërore; pasi i gjithë njerëzimi, që nga rënia e Adamit, pasi u përjashtua nga prania e Zotit, u konsiderua i vdekur, si për gjërat tokësore, ashtu dhe për gjërat shpirtërore.

Por vini re, ringjallja e Krishtit shëlben njerëzimin, po, madje, gjithë njerëzimin dhe e sjell përsëri në praninë e Zotit.”

Pamja
Christ with children

Blessing the Children, by Jorge Cocco Santangelo

Mormoni

“Dijeni se ju duhet të vini në njohurinë e etërve tuaj dhe të pendoheni për të gjitha mëkatet dhe paudhësitë tuaja dhe të besoni në Jezu Krishtin, se ai është Biri i Perëndisë dhe se ai u vra nga Judenjtë; dhe se nga fuqia e Atit ai u ngrit përsëri me anë të së cilës ai mori fitoren mbi varrin; dhe gjithashtu në të u gëlltit gjembi i vdekjes.

Dhe ai vërteton ringjalljen e të vdekurve, nëpërmjet së cilës njeriu duhet të ngrihet për të qëndruar para fronit të tij të gjykimit.

Dhe ai solli shëlbimin e botës, me anë të të cilit ai që gjendet i pafajshëm para tij, ditën e gjykimit, do të lejohet të banojë në prani të Perëndisë në mbretërinë e tij, për t’u kënduar me koret qiellore në një gjendje lumturie që nuk ka fund, lavdërime pa mbarim Atit dhe Birit dhe Frymës së Shenjtë që janë një Perëndi.”