2020
Më e Çmueshme se një Byzylyk Argjendi
Prill 2020


Më e Çmueshme se një Byzylyk Argjendi

Silvi Humau

Kebek, Kanada

Pamja
bracelet

Ilustrimi nga Emily Lui

Kur më kërkuan të drejtoja një diskutim në Shoqatën e Ndihmës mbi ftesën e Shpëtimtarit për t’i ushqyer delet e Tij, vendosa që nëse doja t’i nxitja motrat, duhet të bëja diçka për një prej deleve të Tij.

Mora kurajë dhe e ftova një motër më pak aktive që të vinte në aktivitetin e Shoqatës së Ndihmës me mua. Ajo e pranoi ftesën time dhe ne kaluam një kohë të këndshme së bashku. Mendova se ky ishte një shembull i mirë dhe mezi prisja ta tregoja përvojën time. Por Zoti kishte më shumë për të më mësuar.

Një mëngjes teksa po vishesha, kuptova se më mungonte byzylyku prej argjendi. Këtë byzylyk ma kishin dhënë si dhuratë për ditëlindje ndërkohë që po vizitoja Francën, kështu që kishte një domethënie të veçantë për mua. Fillova ta kërkoja në vendet ku kisha më shumë gjasa ta kisha lënë, por nuk po e gjeja. Atëherë i thashë vetes që nëse thjesht lutesha, do të isha në gjendje ta gjeja shpejt byzylykun tim.

Pasi u luta, pashë kudo. Për dy ditë u luta me qëllim dhe kërkova me vrull. Iu përgjërova Atit Qiellor që të më ndihmonte ta gjeja, por prapë nuk mund ta gjeja. Zemra ime ishte e rënduar ngaqë ky byzylyk ishte i çmuar për mua.

Një mbrëmje im bir u lut me mua pranë shtratit tim. Pas lutjes sonë, ai ngriti diçka nga dyshemeja dhe ma dha mua. Ishte byzylyku im! E kishte gjetur poshtë krevatit. Gjatë kërkimit që bëra, duhet të më kishte shpëtuar disi. Qava nga gëzimi që e gjeta përsëri.

Papritur një mbresë më erdhi: “A lutesh me kaq zell për motrat e tua në Kishë? A janë ato po aq të çmuara për ty sa byzylyku yt? Po motrat e tua jashtë Kishës? A lutesh edhe për ato?”

Kur e tregova përvojën e byzylykut që më kishte humbur në Shoqatën e Ndihmës, ne patëm një diskutim të bukur. U thashë motrave se kisha mësuar që kur Shpëtimtari na kërkon të ushqejmë delet e Tij, ne duhet të kujtojmë se “vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 18:10). Ai dëshiron që ne të jemi të vëmendshëm ndaj atyre që janë përreth nesh, dhe t’i duam, të kujdesemi dhe të lutemi me gjithë energjinë tonë për ta. Ndërkohë që e bëjmë këtë, ne do të zbulojmë se gjithsecili është më i çmuar se një byzylyk argjendi.