2020
Një Kishë për Zulmën
Prill 2020


Një Kishë për Zulmën

Ndoshta kishte më shumë gjëra që Perëndia donte që Zulma t’i dinte.

“Kërkoni dhe do të gjeni” (3 Nefi 14:7).

Pamja
A Church for Zulma

Zulma u ul te një stol i kishës dhe rregulloi fundin e uniformës së shkollës. Nga dritaret me artin e vitrazhit rrezëllinte një dritë shumëngjyrëshe dhe te muri i kishës përballë ngrihej një kryq. Zulma ndiqte një shkollë kishe, kështu që ajo shkonte në shërbesat për adhurim dy herë në ditë bashkë me nxënësit e tjerë. Zulmës i pëlqente kisha e saj. Ajo e donte Jezusin dhe i pëlqente të mësonte rreth Tij.

Ajo ndenji ulur qetësisht ndërkohë që prifti filloi të fliste. Por sot kishte diçka ndryshe. Befas, një mendim i ri i erdhi në mendje dhe në zemër: Gjetiu gjenden më shumë të vërteta.

Zulma mblodhi vetullat. Më shumë të vërteta? Çfarë do të thoshte kjo?

Mendimi i erdhi sërish. Ka më shumë të vërteta.

Zulma i mbylli sytë dhe u përqendrua tek ajo që po ndiente. Ajo kishte mësuar shumë gjëra të mira në kishë. Por tani vriste mendjen nëse mungonte diçka. Ndoshta kishte më shumë gjëra që Perëndia donte që ajo t’i dinte. Por si mund t’i gjente?

Më vonë ajo foli me vëllanë e saj më të madh, Alberton, për mendimet e veta.

“Ti mendon se ka më shumë të vërteta gjetiu?” e pyeti Albertoja.

Zulma pohoi me kokë. “Dua të mësoj për kisha të tjera”, tha ajo.

“Në rregull”, iu përgjigj Albertoja. “Do të të shoqëroj unë!”

Për disa vjet, Zulma dhe Albertoja vizituan kisha të ndryshme. Pas një shërbese në kishë, Albertoja tha: “Ajo kisha jepte mësim gjëra të mira”.

Zulma e pranoi, por sërish ndienin se mungonte diçka, kështu që ata vazhduan të kërkonin.

Një ditë Albertoja nxitoi të vinte në shtëpi. “E gjeta kishën që po kërkonim!” tha Albertoja. Ai e përqafoi fort Zulmën.

Zulma hapi sytë fort. “Ku? Si?”

“Shoku im takoi disa misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, tha Albertoja. “I dëgjova dhe i besoj ato që më mësuan!”

Zulma dhe Albertoja ishin kaq të lumtur aq sa vallëzuan nëpër shtëpi. Por pastaj Zulma mori disa lajme të këqija. Mamaja nuk donte që ajo të takohej me misionarët. “Je vetëm 12 vjeçe”, tha mamaja. “Je shumë e vogël.”

Meqenëse Albertoja ishte më i madh, atij ia lejuan të vazhdonte të takohej me misionarët. Disa javë më vonë, ai u pagëzua.

Zulma vazhdonte tʼi kërkonte mamasë pa pushim nëse mund të mësonte nga misionarët. Më në fund, mamaja tha po.

Kur misionarët e mësonin Zulmën, asaj i ngrohej zemra. Njëri nga misionarët e kishte të vështirë të fliste spanjisht, por kjo nuk kishte rëndësi. Ajo që kishte rëndësi, ishte se sa mirë ndihej Zulma. Kur mësoi për Jozef Smithin dhe Librin e Mormonit, ajo e dinte që e kishte gjetur të vërtetën që po kërkonte!

Zulma dëshironte të pagëzohej. Por ç’do të thoshte mamaja? Zulma u lumturua aq shumë kur mamaja i tha po! Në ditën e pagëzimit të saj, Zulma u vesh e tëra me të bardha. Ajo e dinte se Perëndia e donte. Ajo e dinte se Ai e njihte. Dhe ajo e dinte që Ai e kishte ndihmuar të gjente Kishën e Tij të rivendosur! ●

Këtu është Zulma kur ishte vajzë e vogël. Në të djathtë është një fotografi e saj sot me bashkëshortin e vet, Plakun Uolter F. Gonzales, i Të Shtatëdhjetëve.

Ilustrimet nga Scott Wakefield