2020
Familja e Përjetshme e Alonsos
Prill 2020


Familja e Përjetshme e Alonsos

“Se një vend i shenjt’ ësht’ tempulli ku ne bashk’ vulosemi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99).

“A mund të jem sërish me mamin dhe babin tim?”

Pamja
Alonsos Forever Family

“Pashka është një kohë e mirë për të menduar rreth Jezusit dhe për ta kujtuar Ringjalljen e Tij”, tha Motra Rohas. Ajo po tregonte një figurë të Jezusit. “Për shkak të Tij, njerëzit që kanë vdekur, mund të jetojnë përsëri.”

Alonsoja vështroi lart kur mësuesja e tij e Fillores e tha këtë. “A do të thotë kjo që unë do t’i shoh përsëri prindërit e mi?” pyeti me vete Alonsoja.

Mamaja pati vdekur vite më parë. Alonsoja nuk e mbante mend mirë atë, por atij i pëlqente të shihte fotografitë e saj. Pastaj babai vdiq gjithashtu.

Tani Alonsoja jetonte me abuelën, gjyshen e tij. Ajo po i mësonte rreth kishës së saj: Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai do të pagëzohej dhe të konfirmohej vitin tjetër, kur të arrinte moshën e duhur.

Pastaj Motra Rohas tregoi një fotografi të një ndërtese të bardhë. “Një dhuratë tjetër e mrekullueshme nga Jezusi janë tempujt. Ky është një nga tempujt këtu në Kili.”

Alonsoja pa statujën prej ari në majë të ndërtesës. Ishte e bukur! Ai vriste mendjen se çfarë ndodhte brenda.

“Tempujt janë vende ku familjet vulosen bashkë përgjithmonë”, tha Motra Rohas. “Ky tempull në Santiago është tempulli ku unë u vulosa me prindërit e mi pasi u bashkuam me Kishën. Për shkak se u vulosëm, unë mund të jem me ta edhe pas kësaj jete.”

Alonsoja u ndie i emocionuar kur e dëgjoi këtë. “A mund të vulosem me prindërit e mi?”, pyeti ai. “Edhe pse ata kanë vdekur tashmë?”

Motra Rohas pohoi me kokë. “Po! Kjo është një nga arsyet pse tempujt janë kaq të rëndësishëm. Ata i bekojnë të gjithë pjesëtarët e familjes sonë, përfshirë edhe ata që kanë vdekur.”

Deri në mbarim të ditës, Alonsos nuk i hiqeshin nga mendja tempujt. Ai i kërkoi abuelës që t’i mësonte më shumë. Ajo i foli për rrobat e bardha që njerëzit i veshin brenda, dhe veprat e bukura artistike nëpër mure.

“Më e mira nga të gjitha, është se atje mund të vulosesh me prindërit e tu”, tha abuela. “Ne do t’u kërkojmë dy njerëzve nga lagjja që të qëndrojnë në vend të tyre gjatë vulosjes.”

“A mund të shkojmë nesër?”, e pyeti Alonsoja. “Dua të jem përgjithmonë me mamin dhe babin!”

Abuela buzëqeshi. “Gëzohem që dëshiron të shkosh”, tha ajo. “Por tempulli më i afërt është në Konsepsion. Nuk kemi para mjaftueshëm për të blerë bileta autobusi.”

“Do të të ndihmoj unë që të kursejmë për udhëtimin!”, tha Alonsoja.

Që nga ajo ditë, sa herë që Alonsoja gjente një monedhë në rrugë ose kishte mundësi që të fitonte ca para, ai paguante të dhjetën dhe më pas pjesën e mbetur e shtonte te fondi i tyre për tempullin.

Pasi kursyen për muaj me radhë, Alonsoja dhe abuela më në fund kishin para mjaftueshëm për të udhëtuar drejt tempullit. Ata i kërkuan Vëllait dhe Motrës Silva që të shkonin me ta. Ditën e udhëtimit, ata bënë rrugë të gjatë me autobus deri në qytetin Konsepsion. Pothuajse ishte duke perënduar kur Alonsoja vërejti diçka të artë nga larg.

“Mund ta shoh engjëllin Moroni!” tha Alonsoja, duke treguar statujën në majë të çatisë së kupolës ngjyrë blu të tempullit.

Ata e kaluan natën në një apartament ngjitur me tempullin. Në mëngjes, Alonsoja hyri brenda në tempull për herë të parë. Atje ai pa një pikturë të madhe të Jezusit. Ai dhe abuela u veshën me të bardha. U ndie i lumtur dhe në paqe.

Kur erdhi koha për vulosjen, Alonsoja hyri në një dhomë të bukur me pasqyra nëpër mure. Një punonjës i tempullit iu tregoi Alonsos, abuelës dhe çiftit Silva se si të gjunjëzoheshin rreth një tryeze të veçantë që quhej altar. Altari ishte i veshur me një cohë të butë.

Vëllai dhe Motra Silva ishin atje në vend të mamit dhe babit të Alonsos. Abuela ishte atje në vend të motrës së tij që kishte vdekur përpara se të lindte Alonso.

Me sytë e mbyllur, Alonsoja e përfytyroi të gjithë familjen e tij së bashku.

Mezi pres t’i shoh përsëri ata, mendoi Alonso. Jam shumë mirënjohës që familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë!

Ilustrimet nga Mark Jarman