2016
Kur Pornografia Godet Shtëpinë – Bashkëshortet dhe Bashkëshortët, që të Dyja Palët Kanë Nevojë për t’u Shëruar
Prill 2016


Kur Pornografia Godet Shtëpinë – Bashkëshortet dhe Bashkëshortët që të Dyja Palët Kanë Nevojë për t’u Shëruar

E kam parë vetë se fuqia e Shpëtimtarit për të shëruar mund t’u vijë bashkëshorteve si edhe bashkëshortëve kur bashkëshortët ndeshen me pornografinë.

Pamja
husband, wife, and Christ

Ilustrime me foto të pozuara nga modele

Brenda gjashtë muajve të mi të parë si peshkop, pata disa çifte në lagjen time që erdhën tek unë në mirëbesim për të më treguar shqetësimin e bashkëshortit me përdorimin e pornografisë. Në disa raste, bashkëshortja po dridhej nga tronditja që sapo kishte mësuar të fshehtën shkatërruese; bashkëshorte të tjera e kishin ditur prej muajsh ose prej vitesh.

Kam ndier dhembshuri për secilin prej këtyre çifteve dhe e kam ndier fuqinë shëlbuese të Shpëtimtarit teksa jam këshilluar rregullisht dhe në mënyrë të kujdesshme me secilin prej vëllezërve për t’i ndihmuar ata që të “flak[in] zinxhirët … që do [t’i] lidh[in] shtrëngueshëm” (2 Nefi 9:45).

Ndoshta dhurimet më të mëdha të Shpirtit kanë ardhur, megjithatë, teksa jam takuar me bashkëshortet e tyre. Kam mësuar se, ndërkohë që disa prej plagëve janë të freskëta dhe të tjerat kanë lënë shenja përgjatë viteve të ekspozimit, të gjitha këto motra përballen me një lëndim të thellë shpirtëror, të shkaktuar nga pyetje të tilla si: “Çfarë kam bërë për t’i shkaktuar atij që të mos tërhiqet fizikisht nga unë?” ose “Përse dëshiron ai ta përfytyrojë veten e tij me dikë tjetër dhe jo me mua?”

Ngaqë është bashkëshorti i cili ka bërë shkelje, është e lehtë për peshkopin që të ndiejë se bashkëshorti ka më shumë nevojë për përdorimin e çelësave që çlirojnë fuqinë shëruese të Shpëtimtarit, por unë kam mësuar se nevoja e bashkëshortes për t’u shëruar nga dhembja dhe tronditja është po aq e madhe sa dhe nevoja e bashkëshortit për t’u shëruar nga mëkati dhe dëshirat e forta, të ngulitura në mendjen e tij.

Në bisedën e tij dhënë nefitëve, profeti Jakob i qortoi burrat për sjelljen e tyre të pabesë ndaj bashkëshorteve të tyre, “shumë nga ndjenjat e të cil[a]ve [ishin] jashtëzakonisht të buta dhe të dëlira dhe të brishta para Perëndisë, gjë e cila është e këndshme ndaj Perëndisë” (Jakobi [LiM] 2:7). Ai vazhdoi: “Ju keni thyer zemrat e bashkëshorteve tuaja të buta … për shkak të shembujve tuaj të këqij para tyre; dhe ngashërimi i zemrave të tyre ngjitet lart te Perëndia kundër jush” (Jakobi [LiM] 2:35). I kam dëshmuar këto ngashërime vetë. Ato shpesh lindin jo vetëm nga ndjenja e thellë e bashkëshortes për tradhtinë e shkaktuar nga përdorimi i pornografisë nga ana e bashkëshortit të saj, por gjithashtu nga fjalët poshtëruese dhe sjellja harbute që shpesh shfaqet si rrjedhojë e ndeshjes së tij të brendshme. Nuk është e pazakontë, në fakt, për një burrë, zakoni i të cilit ka dalë në dritë, që t’ia hedhë fajin bashkëshortes së tij për sjelljen e tij, duke përmendur veprime të ndryshme që ajo ka bërë ose nuk ka arritur t’i bëjë. Fatkeqësisht, gjithashtu nuk është e pazakontë për bashkëshorten që të fillojë t’i përvetësojë dhe madje t’i besojë këto akuzime.

Një çift i tillë u ul në zyrën time vetëm pak ditë pas njoftimit nga bashkëshorti se një zakon i pornografisë e kishte pushtuar atë që nga rinia e tij. Teksa e dëgjonte mësimin e Shoqatës së Ndihmës bazuar në bisedën e Motrës Linda S. Rivs në konferencën e përgjithshme të prillit 2014, “Mbrojtja nga Pornografia – një Shtëpi e Përqendruar te Krishti”, bashkëshortja filloi të dallojë në sjelljen kritike të bashkëshortit të saj kundrejt saj shumë prej prirjeve që po përshkruante mësuesja. Pas mësimit, ajo ia drejtoi bashkëshortit të saj pyetjen dhe ai rrëfeu të fshehtën që e kishte mbajtur për kaq shumë kohë. Vetëvlerësimi i saj tashmë i dëmtuar u ndërthur tani me një pakënaqësi therëse. Gjatë mbledhjes së tyre të parë me mua, ata e kishin të vështirë të shihnin se si martesa e tyre mund të vazhdonte. I sigurova se kishte shpresë, u dhashë disa këshilla fillestare dhe më pas i ftova të vinin sërish e të takoheshin me mua në mënyrë individuale.

Së bashku me lutjet e zjarrta që ofrova në përgatitje për ato mbledhje, unë shqyrtova edhe sugjerimet e dhëna te Ministering Resources [Burimet për Shërbesë] në LDS.org, veçanërisht në burimin për përkrahjen e bashkëshorteve të përdoruesve të pornografisë, ku lexova sa vijon: “Shpreheni dashurinë dhe shqetësimin tuaj për të individualisht, si edhe për bashkëshortin e saj. Sqarojeni që ajo nuk është përgjegjëse për përdorimin e pornografisë ose sjelljen e keqe nga ana e bashkëshortit të saj dhe nuk pritet që ajo ta durojë sjelljen keqtrajtuese”.

Kur u takova me këtë motër, ia vura veshin kësaj këshille dhe i shtova asaj sigurinë që veprimet e bashkëshortit të saj nuk kishin aspak të bënin me të, as me diçka që ajo e kishte bërë apo nuk e kishte bërë, por përkundrazi kishin të bënin me vetë shqetësimin e tij të brendshëm. Pashë një valë lehtësimi dhe ngushëllimi të vinte mbi të, ndërkohë që i rrokte këto fjalë dhe ndiente miratimin e Shpirtit se ato vërtet ishin të vërteta. Në fund të intervistës, ajo më pyeti nëse do t’i jepja një bekim priftërie. E kuptova që unë isha i vetmi njeri tek i cili ajo mund të shkonte për një bekim të tillë, pasi ajo dëshironte ta mbante situatën e saj të fshehtë nga familja dhe shoqëria.

Për të ndihmuar me procesin e shërimit, unë e ftova bashkëshortin e saj që të frekuentonte një grup vendor të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për shërimin nga varësia dhe e nxita bashkëshorten e tij që të frekuentonte grupin përkatës për bashkëshortet dhe anëtarët e familjes. Ajo më tregoi për ngushëllimin që ndjeu nga takimi me motra të tjera, të cilat e kuptonin atë që ajo po e vuante dhe shpresën që iu dha asaj kur pa çifte që ishin endur përmes të njëjtës sprovë dhe ia kishin dalë mbanë të dilnin prej saj së bashku.

Disa muaj kanë kaluar tashmë që nga takimi im i parë me këtë çift dhe dashuria e përkujdesja ime për ta janë rritur si rrjedhojë e ndërveprimeve tona të shumta. Ndërkohë që e pranoj se shtegu i tyre i vazhdueshëm nuk do të jetë pa pengesa, është kënaqësi për mua të mësoj për secilin muaj të mëtejshëm që bashkëshorti i saj e ka mbajtur veten të paprekur nga epshi e pornografia dhe të shoh rritjen e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit te bashkëshortja e tij, gjë e cila është mjaft e dukshme.

Në intervistat e kohëve të fundit me ta, ankthi dhe lotët e takimeve tona të hershme janë zëvendësuar me buzëqeshje të shpeshta dhe madje të qeshura. Por ndoshta rezultati më i madh ka qenë shpresa – shpresa jo vetëm që martesa e tyre të mund të vazhdojë, por edhe që ajo ka mundësinë për t’u bërë diçka e bukur dhe ekzaltuese.

Unë e kuptoj se, për fat të keq, çdo çift nuk e përjeton këtë rezultat të njëjtë. Disa martesa mund të dështojnë kur përdoruesit e pornografisë nuk pranojnë të bëjnë përparim. Megjithatë, pavarësisht nga shtegu që bashkëshorti zgjedh të ndjekë, unë kam mësuar se këshilla për t’u shërbyer bashkëshorteve është e frymëzuar. Shpresoj që asnjë motër në këtë situatë nuk do ta ndiejë ndonjëherë që ajo është lënë pas dore, është keqgjykuar apo keqkuptuar nga peshkopi i saj. Shërbesa e peshkopit është një drejtim kyç nëpërmjet të cilit Shpëtimtari shfaq fuqinë e Tij për ta shëruar tërësisht çdo zemër – edhe ato zemra të cilat janë “të shpuara me plagë të rënda” (Jakobi [LiM] 2:35).

Pamja
family studying scriptures

Poshtë: Keri ishte shumë e lënduar kur mësoi për problemin e bashkëshortit të saj me pornografinë, por ajo gjeti shpresë dhe shërim nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij.