2016
Misionarët në Moshë: të Nevojshëm, të Bekuar dhe të Dashur
Prill 2016


Misionarët në Moshë: të Nevojshëm, të Bekuar dhe të Dashur

Shërbimi si një çift misionar mund të jetë më i kollajshëm, më pak i shtrenjtë dhe më i gëzueshëm nga sa e mendoni.

Pamja
the Malmroses serving in Ghana

“A mund të vini dhe të ndihmoni?”

Kjo është një pyetje së cilës Xherald dhe Lorna Malmrozi nga Uashingtoni në SHBA, i ishin përgjigjur më parë. Ata thanë “po” kur peshkopi i tyre i dikurshëm, në atë kohë një president misioni, i pyeti nëse mund të shërbenin me të në Inditë Perëndimore. Ata thanë “po” përsëri, kur presidenti i tyre i kunjit i thirri të përmbushnin një mision shërbimi në zyrat qendrore të Kishës në Solt-Lejk-Siti, në Juta të SHBA-së, duke punuar me kompjuterët dhe burimet njerëzore.

Kur peshkopi i tyre i mëparshëm dhe presidenti i misionit, Rid Robisoni, i mori në telefon sërish, këtë herë si presidenti i qendrës misionare të trajnimit në Akra të Ganës, ai i pyeti nëse çifti Malmroz mund të ndihmonte edhe njëherë tjetër.

“E dinim se mund t’i mirëbesonim Zotit”, thotë Plaku Malmroz. “Kështu vendosëm t’i mirëbesonim Zotit sërish.” Ata thanë po, i plotësuan formularët e rekomandimit, e morën thirrjen e tyre dhe shpejt ishin në Ganë.

Shërbimi si Çift

Përvojat e çiftit Malmroz tregojnë disa parime rreth misionarëve në moshë që shërbejnë misione, të cilat mund të mos kuptohen gjerësisht:

  • Ka dy lloje misionesh: 1) Presidenti i Kishës thërret çifte në moshë që të shërbejnë nga shtëpia e tyre ose larg prej shtëpisë. 2) Një president kunji thërret çifte misionare për shërbim në Kishë për të përmbushur nevoja me kohë të pjesshme, vendore ose krahinore, nga 8 deri në 32 orë në javë. Ata kryesisht jetojnë e shërbejnë në vende pranë shtëpisë, por nganjëherë mund të thirren për të shërbyer larg shtëpisë.

  • Presidentët e misioneve nxiten të gjejnë çifte që mund të plotësojnë nevojat në misionet e tyre dhe çiftet mund t’i tregojnë parapëlqimet e tyre. “Nuk po themi që çiftet mund të përcaktojnë e zgjedhin detyrat e tyre misionare”, shpjegoi Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Një thirrje është ende një thirrje. … [Por] ne u flasim çifteve tona në moshë rreth parapëlqimeve të tyre për shërbim dhe bëhet çdo konsideratë për t’i lejuar ata të shërbejnë atje ku dëshirojnë të shërbejnë dhe sipas mënyrës se si duan të shërbejnë.”1

  • Presidentët e misioneve këshillohen me çiftet rreth mënyrës se si t’i përdorin sa më mirë aftësitë dhe zotësitë e tyre. “Që të keni përvojën më domethënëse si një çift në moshë”, thotë Presidenti Robison, “ju nevojitet të keni mundësinë për të punuar që të dy në fusha që i keni pasion dhe ku keni një nivel zotësie që ju bën të ndiheni se keni diçka për të ofruar”.

Për shembull, Presidenti Robison e dinte që Plaku Malmroz flet frëngjisht, e dobishme ngaqë shumë afrikanë flasin frëngjisht. “E kisha përfytyruar atë të përfshihej me udhëtimet dhe nxjerrjen e vizave”, tha Presidenti Robison. “Por kur ai mbërriti këtu, e ndjeva se ky nuk ishte interesi i tij i vërtetë. Prandaj e ftova të përdorte aftësitë e tij kompjuterike. Na ka kursyer orë të tëra.” Plaku Malmroz gjithashtu ndihmon misionarët, veçanërisht misionarët frëngjishtfolës, përgatit emra dhe bën punë në tempull për familjet e tyre. Motra Malmroz, një ndihmësmjeke e certifikuar, u caktua të punonte me mjekun dhe infermieren e misionit.

Ai e Përgatit Udhën

Sikurse çifti Malmroz, çifte të tjera kanë mësuar që, kur i mirëbesojnë Zotit, Ai e përgatit udhën. Kjo është çfarë ndodhi për Alvin dhe Korason Rietën nga Kauiti në Kavite të Filipineve.

Pamja
the Rietas serve in the Philippines

“Dy vjet përpara vendimit tonë për të shërbyer, ne filluam të bënim plane të qëndrueshme për biznesin tonë familjar”, shpjegon Plaku Rieta. “Biri dhe bija jonë ishin diplomuar nga kolegjet dhe mund ta drejtonin biznesin në vendin tonë, por ne pyetnim veten se kush do t’i zgjidhte problemet e biznesit dhe se si do të reagonin klientët tanë ndaj planeve tona.”

Motra Rieta gjithashtu shqetësohej për largimin nga nëna e saj e plakur. “Kisha frikë se ajo mund të vdiste ndërkohë që ishim larg”, thotë ajo. “Gjithashtu u ndjeva e papërshtatshme ndaj sfidës për mësimdhënien e ungjillit.”

Ata u këshilluan me peshkopin e tyre dhe me një çift, i cili kohët e fundit kishte shërbyer në Davao. “Ata të gjithë dhanë dëshmi të fuqishme se Zoti do ta drejtojë secilin çift që të dijë se si të merret me çështjet e tyre në shtëpi, në familjen e tyre dhe me fondet për misionin e tyre”, thotë Motra Rieta.

“Teksa kërkuam udhërrëfim”, thotë Plaku Rieta, “frika jonë u largua – biznesi ynë shkoi mirë pavarësisht nga sfidat, klientët tanë shprehën gëzim e mbështetje dhe familja jonë u afrua më pranë së bashku për t’u përkujdesur për nënën tonë të sëmurë. Ne filluam ta kuptonim që Zoti me të vërtetë do të na ndihmonte.”

Çifti Rieta tani po shërben në mbështetjen e anëtarëve dhe të udhëheqësve në Misionin e Filipineve në Kagajan de Oro.

Shumë Gjëra që Mund të Bëni

Disa çifte pyesin veten rreth paaftësive fizike, por jo çifti Kith dhe Xhenilin Mauërmen nga Juta në SHBA. Vite më parë, katër muaj pasi u martuan në Tempullin e Los Anxhelosit në Kaliforni, Kithi u thirr në ushtri dhe u dërgua në luftë. Si komandant i një skuadre të paratrupave, ai po ecte përpara ushtarëve të tjerë kur shpërtheu një minë tokësore. I humbi të dyja këmbët. Kur mbërriti në shtëpi, Xhenilini me nxitim u afrua pranë tij.

“E dija që nuk kisha përse të shqetësohesha”, thotë Kithi, “sepse ne kemi një martesë të përjetshme. Gruaja ime më ka përkrahur gjatë gjithë kohës. Ajo ende më mbështet çdo ditë.”

Pamja
the Mauermans serving in military relations

Kur Motra Mauërmen doli në pension, ata vendosën të shërbenin në një mision. Por a do të shkaktonte problem fakti që Plakut Mauërmen i mungonin të dyja këmbët? “Ka gjithmonë gjëra që nuk mund t’i bëj”, thotë ai, “por ka shumë gjëra që mund t’i bëj, prandaj e dinim se do të kishte një vend për ne”.

Teksa i mbushnin formularët e rekomandimit të tyre, ai shënoi një kuti ku tregohej se kishte shërbyer në ushtri. Shpejt ata morën një telefonatë nga sektori i Marrëdhënieve Ushtarake të Kishës. “Unë kisha një kartë identiteti që do të na lejonte të hynim në baza ushtarake, prandaj ata na kërkuan lejen tonë që të na rekomandonin për një mision në marrëdhëniet ushtarake.”

Çifti Mauërmen u thirr të shërbente në një bazë ushtarake në Karolinën e Veriut në SHBA. Plaku Mauërmen sjell ndërmend: “Shenja te porta thoshte ‘Fortesa Brag, Shtëpia e Paratrupave’. Kur roja na përshëndeti me moton e paratrupave ‘Gjer në Fund!’ ishte hera e parë që e kisha dëgjuar atë pas shumë vitesh. U ndjeva si në shtëpi, edhe pse nuk kisha qenë kurrë në Fortesën Brag. E dija që thirrja jonë e misionit ishte një zgjedhje e përsosur dhe që Zoti është i vetëdijshëm për mua.”

“Ne dhamë mësime rreth bërjes të mbështetur te vetja dhe bërjes së patundur dhe rreth forcimit të martesës”, thotë Motra Mauërmen. “Fillimisht nuk donim ta tregonim historinë tonë, por mësuam se të treguarit e saj solli shumë ndryshim. Ushtarët dhe bashkëshortet e tyre na shihnin dhe thoshin: ‘Nëse ju mund t’ia dilni mbanë, ne mund t’ia dalim mbanë gjithashtu’.”

Çifti Mauërmen pati një përvojë kaq të kënaqshme në Karolinën e Veriut sa ata kërkuan të shërbenin sërish. Sot ata udhëtojnë rreth 64 kilometra nga shtëpia e tyre në Orem për në Solt-Lejk-Siti dy herë në javë që të shërbejnë në zyrën e Marrëdhënieve Ushtarake të Kishës. Ata gjithashtu u japin mësim çifteve në moshë në qendrën e trajnimit misionar në Provo, ku shohin se pothuajse çdo grup përfshin dikë që ka kapërcyer pengesa me qëllim që të shërbejë.

Gjuhët Mbarëbotërore

Të thirrur në Misionin e Brazilit në Kuiabá, Rendi dhe Lu Ellën Romrelli nga Juta ishin të shqetësuar. Edhe pse Plaku Romrell kishte shërbyer në Brazil kur ishte misionar i ri në moshë, ai e kishte lënë pas dore gjuhën portugeze. Dhe Motra Romrell nuk dinte portugalisht. Megjithatë, studimi dhe përpjekja ndihmuan për t’i rikthyer aftësitë e Plakut Romrell në portugalisht dhe për ta rritur aftësinë e Motrës Romrell në atë gjuhë. Po ashtu i ndihmoi edhe një kitarë e vogël havajane.

“Në të vërtetë s’kisha në plan ta sillja atë”, thotë Motra Romrell, “por Plaku Romrell pati frymëzim që ta sillnim dhe është e mahnitshme kur shohim se çfarë ka bërë ajo. Teksa u japim mësim kërkuesve dhe punojmë për riaktivizimin dhe shoqërimin e anëtarëve, është e hareshme ta përdorim atë që t’i bëjmë njerëzit të këndojnë himne. Ne mësojmë gjuhën dhe himnet sjellin një shpirt të fortë me vete.”

Pamja
the Romrells playing a ukulele

Edhe pse aftësitë e saj në portugalisht janë ende duke u zhvilluar, ajo tashmë e flet rrjedhshëm gjuhën e muzikës. “Muzika i sjell njerëzit së bashku”, thotë ajo. “Edhe nëse nuk mund të kuptoj gjithçka që thonë gjatë një vizite, kur këndojmë, ne lidhemi së bashku.” Të ftuar të flisnin në shkolla rreth festës amerikane të Ditës së Falënderimeve, çifti Romrell këndoi himne mirënjohjeje – të shoqëruara nga kitara havajane. Dhe Motra Romrell gjithashtu përdor një vegël më tradicionale, pianon, për të shoqëruar himne në kishë.

Dhe portugalishtja? “Edhe nëse nuk e flet rrjedhshëm, të mësuarit e vetëm pak fjalëve ndihmon”, thotë ajo. “Thjesht të thuash ngjatjeta dhe t’i përshëndetësh njerëzit luajnë një rol të madh. Bëjuani atyre të ditur se po mësoni. Bëjeni të thjeshtë dhe mbështetuni te Shpirti.” Dhe Shpirti, sigurisht, është një gjuhë tjetër që çdo njeri mund ta përdorë.

Shërbimi në Shtëpi

Pol dhe Mar Xhin Ljuisi nga Juta kishin shërbyer tashmë në tri misione së bashku (në Tempullin e Palmirës në Nju-Jork; në Tempullin e Hong-Kongut në Kinë; dhe në Kroaci, Serbi e Slloveni me seminaret dhe institutet). Ata po përgatiteshin të shërbenin në një mision tjetër kur presidenti i tyre i kunjit i pyeti: “A do të ishit të gatshëm të shërbenit pikërisht këtu në kunjin tonë, duke mbështetur e përkrahur misionin në të cilin jetojmë?”

Pamja
the Lewises serving at home

“Ishim të rinj këtu, kështu që ajo ishte një mundësi e mrekullueshme”, thotë Motra Ljuis. “Ne shërbejmë me misionarët e rinj dhe misionaret e reja, kemi një bashkëpunim të ngushtë me presidentin e misionit, shkojmë në mbledhjet e distriktit dhe të zonës dhe punojmë me udhëheqësit e misioneve të lagjeve.” Ata gjithashtu vizitojnë kërkuesit dhe ata që janë më pak aktivë.

“Ne kemi takuar njerëz të mrekullueshëm që nuk do t’i kishim njohur ndryshe”, thotë Motra Ljuis, “duke përfshirë disa njerëz që janë larguar nga shtegu. T’i shohim ata të kthehen, të marrin ordinancat dhe të shkojnë në tempull është një bekim i mrekullueshëm.”

“Shumë çifte, kur mendojnë rreth shërbimit në një mision, shqetësohen rreth asaj që do të bëjnë me shtëpinë e tyre dhe makinën e tyre, apo rreth asaj që do të humbasin nga familja e tyre”, thotë Plaku Ljuis. “Ne kemi qenë në gjendje të jetojmë në shtëpinë tonë dhe të ngasim makinën tonë. Ne nxitemi që të shkojmë në veprimtari familjare, për aq kohë sa ato nuk ndërhyjnë te përgjegjësitë tona misionare. Dhe madje ishim këtu për lindjen e një nipi.”

Bekimet Familjare

Nga ana tjetër, Xhill dhe Kent Sorenseni, të cilët janë nga i njëjti kunj, thonë se një nga mënyrat më të mira për ta forcuar familjen e tyre ka qenë të shërbejnë larg nga shtëpia. Motra Sorensen thotë: “Njëri nga justifikimet kryesore që japin çiftet për të mos shkuar, është nipërit e mbesat, fëmijët e martuar me probleme, bijat që presin të lindin fëmijë, prindërit e moshuar – e të tjera. Familja është një përparësi dhe ju merr malli çdo ditë. Por të shkuarit në mision dërgon një mesazh të fuqishëm që edhe puna misionare është e rëndësishme.”

Përveç kësaj, Plaku Sorensen vëren: “Tani ka kaq shumë mënyra për të mbajtur lidhje, saqë mund të lidheni me ta gjatë gjithë kohës”.

Udhëtimi misionar i çiftit Sorensen filloi tre vjet më parë, kur peshkopi i tyre u kërkoi që të mbanin mbrëmje mujore rreth vatrës për çiftet që po mendonin për shërbimin misionar. “Pasi flisnim vazhdimisht rreth tij”, thotë Motra Sorensen, “ne duhej të shkonim vetë!” Ata morën një thirrje për të shërbyer në Ishujt Kuk, ku gjyshërit e Xhillit kishin shërbyer 50 vjet më parë.

Pamja
the Sorensons teaching Bible classes

Sot, mes detyrave të tjera, atyre iu kërkohet të jenë mësues të klasave të Biblës në shkolla.

“Ne flasim rreth Krishtit që është shkëmbi”, thotë Plaku Sorensen. “Ne u japim studentëve një gur të vogël dhe i nxitim të qëndrojnë të fortë gur te Krishti. Tani kudo që shkojmë, njerëzit thonë: ‘Të fortë gur!’ kur na shohin.”

Ejani dhe Ndihmoni

Nëse po mendoni për një mision kohëplotë ose një mision shërbimi në Kishë, të gjitha këto çifte do t’ju bënin të njëjtën pyetje që Presidenti Robison ia bëri Xherald dhe Lorna Malmrozit: “A mund të vini dhe të ndihmoni?” Dhe ata do t’ju thonë se, pavarësisht nga mënyra se si merrni pjesë, ky premtim është i sigurt: Ju jeni të nevojshëm, ju mund të jepni ndihmesë dhe ju do të bekoheni e do t’ju duan.

Shënim

  1. “Elder Jeffrey Holland: LDS Church Desperately Needs More Senior Missionaries”, Deseret News, 14 shtator 2011, deseretnews.com.