2016
Çaste të Misionarëve në Moshë
Prill 2016


Çaste të Misionarëve në Moshë

Një nga mënyrat më të mira për çiftet në moshë që të krijojnë kujtime të madhërishme, është që të shërbejnë në një mision së bashku.

Pamja
senior missionary couple

Kur miqtë tanë që janë 60 ose 70 vjeç, harrojnë diçka, ne shpesh me shaka i drejtohemi ndërprerjes në kujtesë si një “çast pleqërie”. Por do të doja të diskutoja një lloj tjetër të çastit të pleqërisë – një çasti kaq të madhërishëm sa kujtesa për të do të jetë e përhershme. Është çasti kur një çift misionar në moshë e kupton se ata po bëjnë pikërisht atë që Zoti do donte që ata të bënin. Në çaste të tilla të paharrueshme ata kuptojnë që:

  • Ata kanë një jetë të tërë përvoje për ta ndarë dhe talente, aftësi e kuptueshmëri të ungjillit që mund t’i përdorin për të bekuar të tjerët.

  • Shembulli i tyre është një bekim për fëmijët e tyre dhe për fëmijët e fëmijëve të tyre.

  • Teksa shërbejnë, ata po krijojnë miqësi të qëndrueshme.

  • Martesa e tyre po bëhet më e fortë çdo ditë.

  • Shërbimi në emrin e Tij, është i ëmbël.

Çaste në Krijim

Miqtë e mi që jeni çifte në moshë, çaste të tilla duhet të jenë në krijim e sipër për shumë prej jush. Merrni parasysh ngjarjen e treguar nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth asaj që ishte në gjendje të bënte një çift në moshë që po shërbente në Kili. Prindi i njërit prej misionarëve të rinj vdiq. Presidenti i misionit ishte mjaft larg sa nuk mund të arrinte te misionari me të shpejtë.

“Por ndodhej një çift misionar i dashur, [i pjekur], që shërbente në zonë”, thotë Plaku Holland. “Ata erdhën dhe u ulën me atë misionar dhe plot dhembshuri u përkujdesën për të dhe e ngushëlluan derisa presidenti i misionit mundi të takohej vetë me të. Ne kishim misionarë të rinj shumë të mirë në misionet tona, por asnjë misionar i ri beqar nuk mund të kishte bërë për atë misionar çfarë ishte në gjendje të bënte ai çift.”1

Aftësia e tyre në atë çast ishte thjesht të përçonin dhembshuri në një kohë nevoje. Ata nuk shqetësoheshin rreth të folurit të ndonjë gjuhe tjetër përveç gjuhës së dashurisë si ajo e Krishtit. Ata nuk shqetësoheshin rreth mungesës në ditëlindjen e një nipi ose mbese, apo mungesës në bekimin e një foshnjeje, sado të rëndësishme mund të jenë këto ngjarje. Ata shqetësoheshin rreth të qenit atje ku Zoti mund t’i përdorte për ta bekuar jetën e njërit prej fëmijëve të Tij. Dhe ngaqë ata ishin të gatshëm, Ai ishte në gjendje t’i lejonte që ta përfaqësonin Atë.

Shërbimi Është Rrallë i Volitshëm

E vërteta është, asnjë misionar në moshë nuk e sheh të volitshme që të largohet nga shtëpia. As nuk e panë të volitshme Jozef Smithi, Brigam Jangu, Xhon Tejlori apo Uillford Udrafi. Edhe ata kishin fëmijë dhe nipër e mbesa, dhe i donin familjet e tyre po ashtu siç i duam ne. Por gjithashtu e donin Zotin dhe dëshironin t’i shërbenin Atij. Një ditë ne mund t’i takojmë këta njerëz të papërtuar, të cilët ndihmuan në themelimin e kësaj periudhe të kujdestarisë ungjillore. Kur t’i takojmë, ata do të gëzohen që ne nuk kërkuam rehatinë kur do të duhej të kishim shërbyer.

Disa njerëz mund të parapëlqejnë të shërbejnë ndërkohë që ende jetojnë në shtëpi. Pasi një hemorragji cerebrale e la Ejsa Shumejkër Nelsonin (nuk ka lidhje me Presidentin Nelson) të kufizuar në një karrige invalidi, ajo pati frikë se dëshira e saj e të gjithë jetës për të shkuar në mision me bashkëshortin e saj, Donin, nuk do të përmbushej. Më pas një fqinj u foli atyre rreth misionit të tij në Kishë të shërbimit te një shtëpi e ruajtjes për peshkopin. Të mbushur me kurajë, ata folën me një mbikëqyrës te shtëpia e ruajtjes, plotësuan formularët e tyre të rekomandimit dhe u thirrën të shërbenin për dy ditë në javë te një shtëpi ruajtjeje pranë shtëpisë së tyre.

“Është e lehtë të shtrihesh e të mendosh: ‘O, unë nuk jam më e nevojshme’”, thotë Ejsa Nelson. “Por tani ndiej që jam e nevojshme. Dhe kjo ka qenë një dëshmi për mua.”

Ju Jeni Patjetër të Nevojshëm

Nëse tundoheni të mendoni se nuk jeni të nevojshëm, më lejoni t’ju siguroj sërish se ju jeni të nevojshëm. Nuk ka asnjë president misioni në Kishë që nuk do të donte të kishte çifte shtesë duke shërbyer në misionin e tij. Misionarët në moshë i forcojnë misionarët dhe misionaret e reja. Ata sigurojnë mbështetje që i ndihmon të tjerët për të shërbyer më mirë në vetë përgjegjësitë e tyre. Dhe a mund të përfytyroni se çfarë do të thotë për një udhëheqës, i cili ka qenë anëtar vetëm për disa vjet, që të ketë ndihmën e gatshme të anëtarëve me përvojë të Kishës? Çiftet në moshë shpesh janë një përgjigje e mirëfilltë ndaj lutjeve të peshkopëve dhe presidentëve të degëve.

Ne i nxitim presidentët e misioneve për të kërkuar çifte që përmbushin nevoja, në misionet e tyre. Peshkopët duhet të kërkojnë çifte që mund të shërbejnë. LDS.org rendit faqe të tëra mundësish për çiftet në moshë. Por më e rëndësishmja, çiftet mund të bien në gjunjë dhe t’i kërkojnë Atit Qiellor nëse koha ka ardhur për ta që të shërbejnë në një mision së bashku. Nga të gjitha kualifikimet, dëshira për të shërbyer mund të jetë kualifikimi më i rëndësishëm (shih DeB 4:3).

Teksa e lëvdoj punën e misionarëve në moshë, unë e kuptoj se ka shumë njerëz që do të donin të shërbenin, por janë të paaftë për ta bërë këtë gjë. Kufizimet e vendosura nga mosha ose shëndeti jo i mirë meritojnë një vlerësim realist, sikurse e meritojnë nevojat e rëndësishme të anëtarëve të familjes. Kur dëshira digjet përbrenda edhe pse ekzistojnë kufizime të tilla, njerëz të tjerë mund të jenë krahët e këmbët tuaja dhe ju mund të jepni fondet e nevojshme.

Çifte në moshë, pavarësisht se cilët jeni apo ku jeni, ju lutem, lutuni rreth kësaj mundësie për të krijuar së bashku çaste të madhërishme të misionarëve në moshë. Ati Qiellor do t’ju ndihmojë të dini se çfarë mund të bëni.

Shënim

  1. Jeffrey R. Holland në Joseph Walker, “Elder Jeffrey Holland: LDS Church Desperately Needs More Senior Missionaries”, Deseret News, 14 shtator 2011, f. 3.