2016
Dallimi i Falsifikimeve të Satanit
Prill 2016


Dallimi i Falsifikimeve të Satanit

Autori jeton në Juta, SHBA.

Kur ne përballemi me falsifikime shpirtërore, Libri i Mormonit mund të na ndihmojë të përcaktojmë atë që është e vërtetë ose jo.

Pamja
woman with money

Po vija disa kartëmonedha dollarësh amerikanë në kuletë në një dyqan ushqimesh, kur më zuri syri një nga kartëmonedhat. Mendova se ngjyra e blertë ishte më e hapur se të tjerat, kështu që e pashë më me hollësi. Më pas vura re se figura e Presidentit Xhorxh Uashington nuk dukej aq qartë. Edhe letra nuk ndihej njësoj. Ishte e falsifikuar! Nëpunësi e shkëmbeu atë me një kartëmonedhë dollari të vërtetë dhe më pas ia dha kartëmonedhën e falsifikuar përgjegjësit të dyqanit.

Qysh atëherë kam menduar shumë për atë kartëmonedhë dollari të falsifikuar. Pyesja veten se për sa kohë kishte qenë në qarkullim dhe sa shumë njerëz kishte mashtruar përgjatë viteve. Në fakt, po të mos i kisha kushtuar vëmendje, edhe unë mund të isha mashtruar. Por, duke e krahasuar me gjënë e vërtetë dhe duke u përqendruar tek ndryshimet në vend të ngjashmërive, unë mund ta dalloja që ishte e falsifikuar.

Libri i Mormonit është i mbushur me shembuj të falsifikuesve shpirtërorë, të cilët i ndoqën metodat e Satanit duke i gënjyer dhe duke i mashtruar të tjerët për vetë përfitimin e tyre. Nëpërmjet studimit të marifeteve dhe taktikave të tyre, ne fillojmë t’i vërejmë gabimet dhe pasaktësitë e tyre në të njëjtën mënyrë siç një sy i stërvitur fillon të vërejë ndryshimin midis monedhave të vërteta dhe të falsifikuara. Sa më shumë që ta stërvitim syrin tonë për të dalluar ndryshimet, aq më të përgatitur do të jemi ne për të vënë në dukje falsifikimet e së sotmes dhe për t’u bërë ballë gënjeshtrave të tyre.

Mbledhja e Inteligjencës për Falsifikimet e Satanit

Satani kërkon që të na largojë nëpërmjet vetë markës së tij të falsifikimit shpirtëror dhe, nëse nuk jemi të kujdesshëm, ne do të mashtrohemi. Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918) paralajmëroi: “Satani është një imitues i zoti dhe ashtu si e vërteta autentike e ungjillit i jepet botës me një bollëk përherë e më të madh, po ashtu ai përhap monedhat e falsifikuara të doktrinës së rreme. Ruhuni nga monedhat e tij të rreme, nuk do t’ju japin veçse zhgënjim, mjerim dhe vdekje shpirtërore.”1

Mbrojtja më e mirë që kemi ndaj të qenit të mashtruar nga falsifikimet e Satanit, është të njihemi aq sa është e mundur me të vërtetat e ungjillit. Sa më thellë ta njohim të vërtetën, aq më e lehtë do të jetë të dallojmë ndryshimet kur Satani na paraqet falsifikimet e tij. Pra, kur ai e bën këtë, ne duhet të kërkojmë ndryshimet dhe jo ngjashmëritë, ashtu siç bëra unë me kartëmonedhat e dollarit, sepse është atje që gënjeshtrat gjithmonë do të zbulohen.

Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dha mësim: “Libri i Mormonit nxjerr në pah armiqtë e Krishtit. … Perëndia, me njohurinë e tij paraprake të pafundme, i dha formë në mënyrë të tillë Librit të Mormonit që ne të mund ta kuptojmë gabimin dhe të dimë se si t’i luftojmë konceptet e rreme arsimore, politike, fetare dhe filozofike të kohës sonë.”2

Sot ne jemi në luftë me Satanin. Ne, ashtu si çdo ushtri, kemi nevojë të dimë atë që po bën armiku. Njohuria se kur dhe ku do të sulmojë armiku, për shembull, mund të jetë një informacion i paçmueshëm. Kjo është arsyeja përse termi për marrjen e një informacioni të tillë quhet “mbledhje e inteligjencës”. Të njohim armikun tonë do të thotë të bëhemi më të zgjuar se armiku ynë. Libri i Mormonit mund të na ndihmojë të “mbledhim inteligjencë” mbi metodat falsifikuese të Satanit.

Fjalët Lajkatare Janë Falsifikim

Më shumë se gjysma e falsifikuesve në Librin e Mormonit përdorin fjalë lajkatare dhe një personalitet tërheqës për të arritur synimet e tyre. Për shembull, Sheremi “kishte njohuri të përkryer të gjuhës së popullit; prandaj ai mundi të përdorte shumë lajka dhe shumë fuqi të fjalës, sipas fuqisë së djallit” (Jakobi [LiM] 7:4). Priftërinjtë e ligj të mbretit Noe thanë “fjalë [të] kota dhe lajkatuese” (Mosia 11:7), duke e bërë kështu popullin që të përfshihej në idhujtari dhe ligësi të tjera. Korihori arriti rezultate të ngjashme në kohën e tij, “duke [i] nxjerrë zemrat e shumë prej tyre nga udha e drejtë” (Alma 30:18). Amalikia dhe Gadiantoni, të dy, e përdorën prirjen e tyre për lajka që të formonin ushtri me pasues të ligj (shih Alma 46:10; Helamani 2:4).

Kjo nuk është e rastësishme. Lajkatimi është i cekët, i pasinqertë, bosh dhe i tepruar. Nefi i paralajmëroi ata që “do të mësojnë sipas kësaj mënyre doktrina të rreme dhe të kota dhe të marra, dhe do të fryhen në zemrat e tyre dhe ata do të përpiqen t’i fshehin thellë planet e tyre nga Zoti; dhe punët e tyre do të jenë në errësirë” (2 Nefi 28:9).

Lajkat shpesh përdoren për të mashtruar; ato zakonisht kanë një motiv të mëtejshëm ose një plan të fshehtë. Lajkat kanë të bëjnë më shumë me stilin sesa thelbin dhe joshin kotësinë dhe krenarinë e njeriut natyror që është brenda tij. Megjithatë, profetët e Zotit, na thonë të vërtetat e thjeshta, por ende të rëndësishme, që ne kemi nevojë të dëgjojmë.

Lajkatimi është gjuha që flet Satani. Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, shpjegoi: “Zëri [i Satanit] shpesh duket kaq i arsyeshëm dhe mesazhi i tij kaq i lehtë për t’u justifikuar. Është një zë tërheqës, intrigues me tone të ëmbla. Ai nuk është as i fortë as i vrazhdë. Askush nuk do ta dëgjonte zërin e Satanit nëse ai do të tingëllonte i ashpër ose i lig.”3

Pamja
whispering

Kur bota na paraqet një ide, filozofi ose opinion që duket se josh vetëm kotësinë ose krenarinë tonë apo që thjesht tingëllon shumë i mirë për të qenë i vërtetë, ky duhet të jetë menjëherë një paralajmërim për ne. Trajtojini ato ide si falsifikime. Krahasojini ato me të vërtetat e dhëna mësim nga profetët e Zotit. Kërkoni ndryshimet, jo ngjashmëritë, dhe idetë falsifikuese do të bëhen të dukshme.

Nehori – një Falsifikues i Njohur!

Nehori e përdori lirisht metodën e Satanit për të bërë lajka. Le ta analizojmë atë si një rast studimi të një falsifikimi shpirtëror. Nehori, doktrina e të cilit dukej se e përqafonte idenë e një shëlbuesi, ishte një predikues i njohur dhe tërheqës midis nefitëve. Nehori bëri shumë pasues duke dhënë mësim se “i gjithë njerëzimi duhet të shpëtohet ditën e fundit” dhe “do të k[etë] jetë të përjetshme” (Alma 1:4).

A mund ta shohim përse mesazhi i Nehorit do të ishte kaq tërheqës? Ai po jepte mësim rreth një Perëndie të shoqërueshëm dhe tolerant – një Perëndie, i cili, për shkak se e do gjithsecilin, do ta shpëtojë gjithsecilin, pavarësisht gjithçkaje. Prandaj, vazhdoni dhe bëni atë që doni, sepse gjithçka është në rregull. Kjo është një filozofi joshëse që u përqafua nga po aq njerëz në kohën e Nehorit (shih Alma 1:5) ashtu siç përqafohet edhe nga shumë njerëz sot. Një biletë falas për në qiell është diçka që njerëzit me sa duket e duan.

Pra, çfarë problemi kishte mesazhi i Nehorit? Le të shohim sërish pikat kryesore të argumentit të tij:

  • Perëndia i krijoi të gjithë njerëzit – e vërtetë.

  • Perëndia i do të gjithë njerëzit – e vërtetë.

  • Ne nuk duhet të kemi frikë nga Perëndia – e vërtetë.

  • Ne duhet të gëzohemi në idenë e shpëtimit – e vërtetë.

Deri tani, ka shumë ngjashmëri midis asaj që dha mësim Nehori dhe të vërtetave të ungjillit. Por mbani mend – ashtu siç ishte me paranë e falsifikuar, ne duhet të kërkojmë ndryshimet, jo ngjashmëritë. Prandaj, le të shohim pikën e fundit të Nehorit:

  • Perëndia do t’i jap çdokujt jetë të përjetshme – e rreme!

Tani, ja ku është ndryshimi i rëndësishëm që na tregon se Nehori është një falsifikues shpirtëror. Shpëtimi nga vdekja fizike u jepet falas të gjithëve, por shpëtimi nga vdekja shpirtërore varet nga gatishmëria për t’u penduar. Nëse pendohemi, atëherë ne mund të marrim jetë të përjetshme (shih Jakobi [LiM] 6:11). Por nuk ka udhëtim falas.

Gideoni dhe Alma e Dalluan Falsifikuesin

E liga e Nehorit u vu në pah ditën që ai takoi Gideonin, një mësues i drejtë në Kishën e Perëndisë. Gideoni i kishte bërë ballë mbretit Noe vite më parë dhe si rrjedhojë kishte përvojë me falsifikuesit shpirtërorë (shih Mosia 19:4–8). Nehori “filloi të grindej rreptë me të, kështu që ai të mund të largonte njerëzit nga kisha; por [Gideoni] i bëri ballë atij duke e qortuar me fjalët e Perëndisë” (Alma 1:7). Gideoni e dalloi Nehorin si një falsifikues. Sapo u nxor në pah, Nehori iu drejtua një metode tjetër të Satanit – vrasjes. Por vdekja e Gideonit nuk ishte e kotë. Njerëzit e sollën Nehor falsifikuesin përpara Almës që të gjykohej.

Alma kuptoi që Nehori ishte fajtor jo vetëm për intrigat e priftërinjve dhe vrasje, por edhe që, nëse e linte të padënuar, intriga e priftërinjve midis njerëzve “do të ço[nte] në shkatërrimin e [tyre] të plotë” (Alma 1:12). Prandaj Nehori u dënua me vdekje dhe vuajti “një vdekje të turpshme” (Alma 1:15).

Gideoni dhe Alma janë shembuj për ne. Kur e kemi Shpirtin me vete, ne do t’i shohim dhe dëgjojmë “gjëra[t] ashtu siç janë në të vërtetë” (Jakobi [LiM] 4:13). Ne do t’i kuptojmë planet dhe skemat e falsifikuara të Satanit “me [një] njohuri të përkryer, … sa është të dallo[jmë] dritën e ditës nga errësira” (Moroni 7:15).

Armiku ynë “falsifikues” është i zgjuar, por ashtu si Gideoni dhe Alma, ne mund të jemi më të zgjuar. Ashtu siç unë fillova t’i dalloj gradualisht ndryshimet midis kartëmonedhave të mia në dollarë, ne mund t’i stërvitim gradualisht sytë tanë po aq mirë sa edhe mendjen e shpirtin tonë, për të dalluar ndryshimet midis së vërtetës dhe gënjeshtrave. Kur veprojmë kështu, ne do t’i dallojmë falsifikuesit dhe do t’u bëjmë ballë gënjeshtrave të tyre.

Shënime

  1. Jozef F. Smith, Gospel Doctrine, botimi i 5-të (1939), f. 376.

  2. Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 139.

  3. James E. Faust, “The Forces That Will Save Us”, Liahona, janar 2007, f. 4.