2016
Një Mundësi e Dytë
Prill 2016


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Një Mundësi e Dytë

Kejli Bollduin, Arizonë, SHBA

Pamja
violin

Herën e parë që e takova atë, unë po mbaja violinën time.

Duke zvarritur këmbët erdhi pranë meje, ndërsa po ecja për në sallën e drekës, me kutinë e violinës që më godiste këmbën.

“Violina”, tha ai teksa afrohej.

“Po”, thashë unë.

Me të vërtetë kurrë nuk kisha folur me dikë që kishte një paaftësi dhe nuk dija se çfarë tjetër të thoja. Ai më ndoqi deri te tavolina ime dhe u ul pranë meje, duke treguar te kutia e violinës sime.

“Violina”, tha ai përsëri.

Hapa kutinë dhe sytë e tij shndritën. Me shumë ashpërsi, ai i tërhoqi telat. Zemra më rrahu mbyturazi kur përfytyrova një tel duke u këputur nga violina ime dhe me ngadalë e mbylla kutinë. Ai më mbërtheu në një përqafim përpara se të largohej.

E pashë shpesh pas kësaj.

Sa herë që të më shihte, ai do të m’i rrethonte supet me krahët e tij teksa më puthte në majë të kokës.

Për pjesën e mbetur të shkollës së mesme, unë përpiqesha t’i shmangesha atij kur e shihja të vinte. Kur ai më gjente dhe më mbulonte me përqafimet dhe të puthurat e tij me pështymë, unë do t’i duroja ato për pak çaste me një buzëqeshje të sforcuar dhe më pas do të largohesha me të shpejtë pa shqiptuar asnjë fjalë.

“O, jo”, pëshpërita kur e pashë atë në koncertin tim të fundit të orkestrës së shkollës së mesme. Pas koncertit, ai dredhoi drejt vendit ku qëndroja me shoqet e mia jashtë sallës së shfaqjeve.

Shoqet e mia qëndruan pas, ndërkohë që ai erdhi drejt meje me një buzëqeshje, me krahë të hapur për një përqafim.

“Uilliam!”

U ktheva dhe pashë një grua që vraponte drejt nesh.

“Më vjen keq”, tha ajo, duke i gërshetuar krahët e saj me krahët e tij. “Uilliamit i pëlqen shumë violina. M’u lut shumë që ta sillja në këtë koncert sonte. Le të shkojmë, zemër.”

Deri në atë çast, nuk e kisha kuptuar që kurrë nuk e kisha ditur as emrin e tij. Isha takuar me Uilliamin para dy vjetësh, por kalova kaq shumë kohë duke iu shmangur atij sa kurrë nuk e bëra përpjekjen për ta njohur atë vërtet. Teksa e pashë Uilliamin dhe nënën e tij të largoheshin, valët e turpit u derdhën mbi mua.

Vite më vonë, pasi isha martuar, unë linda një djalë të vogël, të bukur, me sindromën Daun, të cilin e quajtëm Spenser. Shpesh i gjeja mendimet e mia duke u kthyer tek Uilliami, ndërkohë që shihja birin tim dhe pyesja veten nëse Spenseri do të kishte përvoja të ngjashme. A do t’i shmangeshin njerëzit atij ngaqë ai puthte shumë ose përqafonte me shumë forcë? A do të ndiheshin të bezdisur bashkëmoshatarët e tij me kufizimet e tij?

Kur Spenseri ishte katër muajsh, e çova te spitali ynë vendor për një vizitë mjekësore. Kur e nxora nga makina, pashë dy njerëz duke dalë nga spitali. Pa u besuar syve, e kuptova se ishte Uilliami me nënën e tij.

“Uilliam!” Thirra kur u afrova më pranë, me zemrën që më rrihte.

“Përshëndetje!” Ai eci me qetësi përmes vendparkimit, me një buzëqeshje të madhe duke ia ndriçuar fytyrën. E shtriu dorën e tij dhe mbërtheu dorën time në një shtrëngim entuziast të duarve.

“Si je?” E pyeta.

“Violina”, tha ai, me ngazëllimin duke shkëlqyer në sytë e tij.

Violina. Ai më mbante mend gjithashtu. “Po”, mezi fola përmes një të qeshure me lot, “unë i bija violinës”.

Teksa flisnim, zemra ime u lartësua në lutje për mëshirat e dhembshura të një Ati të dashur në Qiell, i cili e dinte se sa shumë kisha dëshiruar ta takoja sërish Uilliamin. Jam mirënjohëse që Perëndia më pa mua – një nënë të re në vështirësi, të gjithëpushtuar nga problemet shëndetësore të birit tim dhe e shqetësuar për të ardhmen e tij – dhe më dha një përvojë që më kujtoi se Ai është i vetëdijshëm për ne.