2016
Ai Është Peshkopi?
Prill 2016


Ai Është Peshkopi?

Autori jeton në Ilinois, SHBA.

Ngaqë kisha qenë më pak aktiv vite më parë, një anëtare që më njihte në atë kohë, nuk mund ta besonte se u thirra të isha një peshkop.

Pamja
the bishop

Ilustrimi nga Mark Smith © 2016

Gjatë një mbledhjeje të komitetit ekzekutiv të priftërisë, misionarët tanë kohëplotë raportuan se ishin takuar me një anëtare dokumentet e të cilës nuk ishin në lagje. E njoha emrin menjëherë dhe përmenda se ajo dhe unë kishim qenë në të njëjtën lagje shumë vite më parë.

Një nga misionarët tha: “Po, peshkop, ajo e përmendi atë dhe u duk mjaft e habitur që ju ishit peshkopi”.

I pyeta: “Çfarë tha ajo?”

Thanë se ajo u duk mjaft e habitur dhe tha: “Ai është peshkopi?”

M’u desh të qeshja dhe shpjegova se kjo motër më njihte si një njeri krejt të ndryshëm 30 vjet më parë.

Ndërsa e solla ndërmend këtë ngjarje më vonë, mendova se sa shumë kishte ndryshuar jeta ime gjatë 30 e ca viteve që familja ime dhe unë kemi qenë anëtarë. Kam njohur shumë anëtarë të lagjes sonë për 20 vjet dhe kam shërbyer si president dege dhe si peshkop, por askush nga këta anëtarë nuk më njihte 30 vjet më parë. Edhe pse me raste kisha treguar ngjarje nga e kaluara ime për të dhënë mësim rreth pendimit dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit, shumica e lagjes nuk e di se çfarë udhëtimi i pabesueshëm ka qenë jeta ime në Kishë.

Familja ime dhe unë u njohëm me Kishën në maj të vitit 1979 dhe menjëherë e dija që kjo ishte Kisha së cilës i përkisnim. U pagëzuam në qershor dhe fillimisht ne të gjithë ishim aktivë, por nuk kaloi shumë kohë përpara se unë të mos e frekuentoja më Kishën dhe të kthehesha te zakonet e vjetra. Në të vërtetë asnjëherë nuk pata ndonjë dyshim rreth vërtetësisë së ungjillit dhe Rivendosjes, por nuk mendoja se e kisha atë që kërkohej për të qenë një anëtar i mirë i Kishës.

Në vitin 1982, për shkak të abuzimit tim të vazhdueshëm me alkoolin, bashkëshortja ime, e cila nuk e kishte braktisur kurrë besimin e saj, bëri dokumentet e divorcit. Në atë kohë familja ime po jetonte në Oklahoma, SHBA, por unë isha kthyer në Ilinois, SHBA, ku isha rritur. Kisha arritur pikën ku isha gati duke humbur të vetmen gjë që kishte me të vërtetë rëndësi për mua: familjen time.

Fillova t’i lutem në gjunjë çdo mëngjes e mbrëmje një Perëndie, për të cilin nuk isha më i sigurt se ekzistonte ose, nëse ekzistonte, mendoja që Ai më kishte harruar prej shumë kohësh. Prapëseprapë për tre muaj u luta besnikërisht. Herët një mëngjes, teksa isha i zhytur thellë në lutje, më erdhi një ndjenjë lehtësimi të madh dhe e dija se Perëndia jetonte, se Ai më njihte mua dhe se Ai më donte mua. Gjithashtu e dija se kurrë nuk do të prekja më me dorë asnjë pikë tjetër alkooli.

Pikërisht atë mbrëmje mora një telefonatë nga bashkëshortja ime për të më thënë se ajo do të dërgonte me postë dokumentet e divorcit për t’u nënshkruar. Gjatë asaj bisede, ajo papritur tha: “Ka diçka shumë ndryshe rreth teje. Nuk besoj se do të pish më ndonjëherë dhe unë do t’i gris këto dokumente”. Ne u ribashkuam dhe dy vjet më vonë ajo lindi djalin tonë të tretë.

Dikush do të hamendësonte se unë do të kthehesha në aktivitet të plotë në Kishë, por unë jam një burrë kokëfortë. U ktheva për njëfarë kohe dhe madje mora një thirrje si mësues në kuorumin e pleqve. Por shpejt fillova të ndihem i papërshtatshëm për të dhënë mësim dhe sërish u bëra joaktiv.

Në vitin 1991 ne lëvizëm në një degë të vogël. Disa muaj përpara ditëlindjes së tetë të djalit tonë më të vogël, bashkëshortja ime, presidentja e Fillores, e pyeti atë se cilin donte ai që ta kryente pagëzimin e tij. Sigurisht ai donte që babai i tij ta kryente ordinancën. Bashkëshortja ime i tha atij se ndoshta ajo nuk do të ndodhte. Ai nuk e pranoi atë përgjigje dhe caktoi detyrën e aktivizimit të babait të tij. Ishte tepër i palëkundshëm dhe pa vonesë unë e gjeta veten duke shërbyer si mësues i skautistëve dhe më vonë e pagëzova dhe e konfirmova birin tim.

Tetë muajt që e pasuan aktivizimin tim, ishin plot ngjarje. Ne u vulosëm si familje në Tempullin e Çikagos në Ilinois dhe përsëri u thirra të shërbeja si mësues në një kuorum të pleqve, veçse këtë herë nuk hoqa dorë. Më pas u thirra si këshilltar në presidencën e degës dhe pesë muaj më vonë u thirra të shërbeja si presidenti i degës. Rreth një muaj pas thirrjes sime, më kujtohet që po mendoja: “Unë jam presidenti i degës?”

Përgjatë viteve u kam thënë shumë shenjtorëve që hasin vështirësi, se, nëse unë mund të përparoj në ungjill, kushdo mund të përparojë. Është veçse një çështje e të kuptuarit të fuqisë së vërtetë të Shpëtimtarit e të Shlyerjes së Tij dhe të ndërmarrjes së hapave për të ardhur tek Ai.

Unë do t’i jem përjetësisht mirënjohës bashkëshortes dhe fëmijëve të mi dhe të gjithë mësuesve besnikë të shtëpisë, udhëheqësve të kuorumeve, peshkopëve dhe shenjtorëve të tjerë besnikë, të cilët dhanë një shembull kaq të mrekullueshëm për mua. Kam pasur privilegjin t’u shërbej Zotit dhe shenjtorëve këta 20 vitet e fundit. Jeta ime është bekuar përtej gjithçkaje që mund ta kisha përfytyruar.