2016
Pezot për Atin Qiellor
Prill 2016


Pezot për Atin Qiellor

Autorja jeton në Karolinën e Veriut, SHBA.

“Zbatojini urdhërimet. Në këtë gjë ka siguri dhe paqe” (Children’s Songbook, f. 146).

Pamja
pesos for Heavenly Father

Ana përtypi kafshatën e fundit të pites së saj meksikane. Ishte e butë dhe e shijshme. Ana i pëlqente shumë pitet meksikane të gjyshes së saj. Ato ishin pjesa më e mirë e mëngjesit.

Ana e vështroi gjyshen e saj, Abuelën, tek lante enët.

Ishte si çdo mëngjes tjetër. Por një gjë nuk ishte njësoj.

Abuela zakonisht shkonte në dyqan për të blerë ushqime. Por jo sot. Sot nuk kishte para për të blerë ushqime.

“Çfarë do të hamë nesër?” pyeti veten Ana.

Më pas Ana kujtoi. Ajo e dinte se ku ishin disa para! Mbrëmjen e djeshme ajo pa Abuelën të vendoste disa pezo [monedha meksikane] në një cohë të vogël të bardhë.

“Abuela, harrove? Ti ke para për të blerë ushqime.”

“Çfarë parash?” pyeti Abuela.

Ana vrapoi për të marrë paratë. Ajo e shkundi çantën e vogël me monedha. Ting! Ting!

Abuela buzëqeshi. “Kjo është e dhjeta jonë, Ana. Këto janë paratë e Tij.”

“Por çfarë do të hamë nesër?” pyeti Ana.

“Mos u shqetëso”, tha Abuela. “Kam besim se Ati Qiellor do të na ndihmojë.”

Mëngjesin tjetër Abuela i dha Anës piten e fundit me miell gruri. Pastaj u ul në karrigen e saj. Ajo qepi lule të kuqe te një fustan dhe i tregoi histori rreth kohës kur ajo ishte vajzë e vogël. Ajo nuk dukej e shqetësuar.

Më pas Ana dëgjoi një trokitje. Ajo vrapoi për të hapur derën.

“Dajë Pedro!”

“Pata një ndjenjë se duhej t’ju vizitoja ju të dyjave”, tha dajë Pedro. Ai vendosi tri thasë mbi tavolinë. Njëri kishte miell gruri për pite. Tjetri kishte mish. Tjetri kishte perime të freskëta nga dyqani.

“Oh, djali im i ëmbël”, tha Abuela. “Do t’ju bëj supën time më të mirë me qofte!”

“Supa jote është më e mira në botë”, tha dajë Pedro.

Ana qeshi dhe përplasi duart.

Pastaj ndaloi. Kishte një gjë që ajo donte ta dinte. “Abuela, a e dije se dajë Pedro do të vinte sot? Kjo ishte arsyeja që nuk ishe e shqetësuar?”

“Jo”, tha Abuela. “Kur unë e paguaj të dhjetën, kam besim se Ati Qiellor do të më bekojë. Dhe Ai e bëri!”

Ana e përqafoi Abuelën. Ajo u ndje si vajza më e lumtur në Meksikë. Ajo dhe Abuela patën besim tek Ati Qiellor. Tani ajo mezi po priste të hante supën e shijshme të Abuelës!