2016
Tronditja, Hidhërimi dhe Plani i Perëndisë
Prill 2016


Tronditja, Hidhërimi dhe Plani i Perëndisë

Autorja jeton në Shqipëri.

Nëpërmjet përvojës më shkatërruese të jetës sime, kam ndier se Ati Qiellor ishte me mua gjatë gjithë udhëtimit tim.

Pamja
illustration like a stained-glass window

Ilustrimi nga David Curtis

Ishte një mëngjes herët në vitin 2008 kur nëna ime më zgjoi për të shkuar në shkollë. Isha vërtet e lumtur atë mëngjes, por nuk e dija që ajo do të kthehej në ditën më të keqe të jetës sime ose në herën e fundit që do të isha me të. Nuk i përfundova të gjitha orët e mësimit atë ditë sepse një mikeshë e familjes duhej të më merrte nga shkolla dhe të më thoshte që mamaja ime kishte vrarë veten. Isha vetëm 12 vjeçe.

Mendova: “Si mund të jetoj pa nënën time?” Ajo ishte mikja ime më e mirë.

Qava për muaj të tërë. Nuk më pëlqente të shkoja në shkollë sepse fëmijët e tjerë më trajtonin ndryshe dhe ndienin keqardhje për mua. Nuk ia kisha idenë se çfarë hamendësohej të bëja; vetëm dija që duhej të bëhesha e fortë për çdokënd tjetër.

Një ditë, pesë ose gjashtë muaj pas vdekjes së nënës sime, isha vetëm në dhomën time pranë dritares, duke qarë, duke u përpjekur të kuptoja se për çfarë isha këtu. Papritur dëgjova një zë në kokën time: “Ti je bija ime; nuk do të të lë të vuash”. E dija që ishte Perëndia. Por më befasoi sepse nuk besoja më në Të, veçanërisht që kur ndjeva se ishte Perëndia që e kishte marrë nënën time nga unë. Edhe pse nuk e dija çfarë donte të thoshte Ai, u ndjeva e sigurt.

Tri vite më vonë vajta në Romë, Itali, për të vizituar dajën tim. Ai vazhdoi të më tregonte rreth kishës ku ai shkonte. Një të diel, ai më mori me vete. Gjithmonë do ta mbaj mend tek ecja drejt dyerve të kishës për herë të parë dhe tek ndieja dashurinë e Atit Qiellor kur hyra brenda. U ndjeva si në shtëpi.

Fillova të shkoja në kishë çdo të diel dhe në çdo veprimtari gjatë javës. Më pëlqente të isha me rininë e Kishës. Ata më bënë më të lumtur. Ata mendonin dhe besonin të njëjtat gjëra si unë. Pastaj, pas tre muajsh, pushimet e mia të verës mbaruan dhe duhej të kthehesha në Shqipëri.

Kur u ktheva në shtëpi, i tregova babit tim rreth ndjenjave që kisha pasur dhe sa e lumtur isha ndier gjatë gjithë asaj kohe. Atij nuk i pëlqeu. Ai më tha se nuk do më lejonte të vazhdoja të shkoja në kishë ose të mësoja më shumë rreth saj. Kështu që do më duhej të isha e duruar për tri vitet e ardhshme derisa të mbushja 18 vjeçe. Pastaj mund të vendosja për veten time dhe të pagëzohesha.

Gjatë kësaj kohe u bekova me kaq shumë njerëz të cilët më tregonin se çfarë mësonin çdo të diel në kishë. Një prej atyre njerëzve ishte Stefëni. Ajo kishte jetuar në Itali kur daja im u bashkua me Kishën, por ajo ishte kthyer në shtëpinë e saj në Shtetet e Bashkuara. Daja im mendoi se do të ishte mirë për ne që t’i shkruanim njëra-tjetrës, kështu që unë e shtova atë si një mike në Facebook.

Edhe pse asnjëherë nuk ishim takuar ballë për ballë, do t’i jem gjithmonë mirënjohëse asaj që më ndihmoi të ndërtoja besimin tim dhe të mësoja më shumë rreth ungjillit të Jezu Krishtit. Ajo më shkroi pothuajse çdo të diel dhe më tregoi gjithçka që kishte mësuar në kishë dhe pastaj do t’u përgjigjej pyetjeve të mia. Ajo ishte një shoqe e mrekullueshme për mua.

Më në fund, pas vitesh durimi, unë u pagëzova vetëm dy ditë pas ditëlindjes sime të 18-të. Dhe së shpejti do të ndaj me nënën time lumturinë që unë ndjeva atë ditë, sepse do të pagëzohem për të. Unë e di se ajo do të jetë krenare për jetën që kam zgjedhur.

Ndihem e bekuar nga Ati Qiellor sepse Ai ishte me mua përgjatë gjithë udhëtimit tim në kaq shumë mënyra. Thjesht duhej të prisja dhe të isha e duruar sepse Ai kishte një plan për mua. Ishte Ai i cili më dha forcë për t’i kaluar të gjitha sfidat me të cilat u përballa. Ai ishte gjithmonë aty, duke më ndihmuar të jem më e lumtur.