2016
Dëshmia e Ithënit
Prill 2016


Dëshmia e Ithënit

Autori jeton në Juta, SHBA.

Dukej sikur të gjithë përveç Ithënit kishin një dëshmi.

“Dëgjo, dëgjo. Fryma e Shenjtë do të të pëshpëritë. Dëgjoje, dëgjoje zërin e qetë dhe të ulët” (Children’s Songbook, f. 106).

Pamja
ethans testimony

Ithëni u ul në orën e kohës së përbashkët dhe vështroi ndërsa shoku i tij të ngushtë, Semi, dha dëshminë e tij. Shoqja e tij, Sara, po priste radhën. Semi foli për një projekt shërbimi që bëri. Ai tha se kishte dëshmi për shërbimin. Sara dha dëshminë e saj për familjet. Mësuesi i Ithënit gjithashtu dha dëshminë e tij. Ai foli për punën në tempull. Të gjithë ata dëshmuan se Kisha është e vërtetë. Dukej sikur të gjithë përveç Ithënit kishin një dëshmi.

“Për çfarë kam dëshmi unë?” pyeti veten Ithëni.

Ai u kthye disa vite pas, në kohën kur ai dhe shokët e tij u pagëzuan. Mësuesja e tij e Fillores, motra Keldër, kishte dhënë një bisedë për Frymën e Shenjtë.

“Fryma e Shenjtë mund të të japë një ndjenjë përvëluese në zemër. Ai mund të të ndihmojë të dish se çfarë është e vërtetë”, kishte thënë ajo. “Dhe kjo është mënyra se si ti merr një dëshmi për atë që beson.”

Ithëni u përpoq të bënte atë që ishte e drejtë në mënyrë që të mund ta ndiente Frymën e Shenjtë. Ai i lexoi shkrimet e shenjta dhe u lut. Por ai nuk e kishte pasur asnjëherë atë ndjenjë përvëluese për të cilën folën njerëzit. Mos kjo do të thoshte se ai nuk kishte një dëshmi?

Kjo pyetje qëndroi në mendjen e Ithënit tërë ditën e nesërme. Ai ende po mendonte për të kur ai dhe Semi po rrëshqitnin me dërrasa me rrota pas shkolle. Ai pyeti veten se si mund ta pyeste Semin për këtë.

“Ej, Sem”, e pyeti Ithëni më në fund, “a ishe i frikësuar kur dhe dëshminë tënde dje?”

Semi kërceu nga dërrasa e tij dhe eci drejt barit. “Në të vërtetë, jo”, tha ai, duke u ulur. “E kam dhënë dëshminë time në mbrëmje familjare më parë.”

Ithëni u bashkua me të dhe e vendosi në prehër dërrasën e tij me rrota. “Por nga e dije që kishe një dëshmi?”

“Epo, u luta dhe u ndjeva mirë rreth saj.”

Ithëni me ngadalë tundi kokën dhe rrotulloi me dorë njërën rrotë. Ai dëshironte disi të ndihej po ashtu.

Atë natë, kur shtëpia ishte e errët dhe e qetë, Ithëni u gjunjëzua në shtratin e tij për t’u lutur.

“Atë Qiellor”, tha ai, “të lutem më ndihmo të kem një dëshmi. Më ndihmo të di se Kisha është e vërtetë. Se Jozef Smithi ishte një profet. Dhe se Libri i Mormonit është i vërtetë.”

Në mes të lutjes së tij, Ithëni ndaloi. Ai u mendua një çast. Më pas pyeti veten: “Epo, a di unë ndonjë gjë deri tani?”

Dhe atëherë një ndjenjë e qetë, e paqtë erdhi mbi të. Nuk ishte një ndjenjë e fuqishme përvëluese. Por Ithëni e dinte se ishte Fryma e Shenjtë.

Një mendim erdhi në mendjen e Ithënit: “Unë e di se e di”. Ndërsa u mendua rreth saj, ai e kuptoi se e kishte ndier këtë ndjenjë të paqtë më parë.

Kurdoherë që ai e lexonte Librin e Mormonit, ndiente se kjo ishte e mirë dhe e drejtë. Tani ai e dinte se ajo ndjenjë ishte Fryma e Shenjtë duke i dëshmuar atij. Kur shkonte në kishë dhe ndiente se ishte e mirë dhe e drejtë që ishte atje, ishte prapë Fryma e Shenjtë. Ai tashmë po merrte një dëshmi!

Ai nuk kishte nevojë të dinte çdo gjë pikërisht tani. Por ai e dinte vërtet se Fryma e Shenjtë ishte i vërtetë dhe mund ta ndihmonte atë të ndërtonte dëshminë e tij.

Ithëni filloi të lutej sërish. Por këtë herë për të thënë faleminderit.