2016
Plaku Ronald A. Rasband: Udhëheqës plot Dhunti, Atë plot Përkushtim
Prill 2016


Plaku Ronald A. Rasband: Udhëheqës plot Dhunti, Atë plot Përkushtim

Pamja
Elder Rasband

Fotografitë me mirësinë e familjes Rasband, përveçse kur shënohet ndryshe

Ron Rasbandi kurrë nuk dyshoi se ai do të shërbente në një mision kohëplotë. E vetmja pyetje që kishte 19-vjeçari teksa hapte thirrjen e tij të misionit, ishte se ku do të shërbente.

“Babai im shkoi në një mision në Gjermani. Vëllai im më i madh shkoi në një mision në Gjermani. Kunati im i ardhshëm shkoi në një mision në Gjermani”, kujton ai. “Mendova se do të shkoja në Gjermani.”

Por Zoti kishte plane të tjera. Në vend të kësaj, Roni ishte thirrur në Misionin e Shteteve Lindore, me zyrat qendrore të vendosura në Nju-Jork-Siti të SHBA-së. I zhgënjyer, ai e mori thirrjen e tij në dhomën e gjumit, u ul në gjunjë pranë shtratit, tha një lutje, i hapi rastësisht shkrimet e tij të shenjta dhe filloi të lexonte:

“Vini re dhe shihni, unë kam shumë njerëz në këtë vend, në krahinat përreth; dhe një derë frytdhënëse do të hapet në krahinat përreth në këtë tokë të lindjes.

Si rrjedhim, unë, Zoti, ju kam lejuar të vini në këtë vend; sepse kështu është e dobishme për mua për shpëtimin e shpirtrave” (DeB 100:3–4; theksimi i shtuar).

Menjëherë, Fryma e Shenjtë i pohoi Ronit se thirrja e tij për në Misionin e Shteteve Lindore nuk ishte një gabim.

“Shkova nga të qenit i zhgënjyer në të pasurin e mbresës sime të parë nga shumë mbresa të shkrimeve të shenjta, se atje ishte vendi ku Zoti donte që unë të shkoja”, kujton ai. “Ajo ishte një përvojë shpirtërore jetike për mua.”

Misioni i tij për në Shtetet Lindore ishte thirrja e parë nga shumë thirrje të Kishës që do ta çonin atë në vende ku kurrë nuk e priste se do të shkonte. Dhe me çdo thirrje – si mësues, peshkop, këshilltar i lartë, president misioni, anëtar i Të Shtatëdhjetëve, Presidenti Kryesues i Të Shtatëdhjetëve dhe Apostull i Zotit Jezu Krisht – Plaku Ronald A. Rasband e ka pranuar vullnetin e Zotit dhe ka vazhduar të mbështetet te Shpirti i Tij, ndërkohë që u ka shërbyer fëmijëve të Perëndisë.

I Lindur nga Prindër të Mirë

Në bisedën e tij të parë si Apostull i Jezu Krishtit, Plaku Rasband shprehu mirënjohje të përzemërt për paraardhësit e tij. “Unë u linda në ungjill nga prindër të mirë”, tha ai, “dhe ata nga prindër të mirë duke shkuar pas gjashtë breza.”1

Pamja
young Elder Rasband with parents

Nëna e tij, Verda Anderson Rasbandi, ishte një udhëheqëse e dashur, e cila e ushqeu dashurinë e Ronit të ri për shkrimet e shenjta. Babai i tij, Ralon Hokins Rasbandi, ishte një mbajtës besnik i priftërisë, i cili ishte një shembull i virtytit të punës së shumtë.

I lindur më 6 shkurt 1951 në Solt-Lejk-Siti të Jutës në SHBA, Ronald A. (Anderson) Rasbandi ishte i vetmi fëmijë i martesës së prindërve të tij. Që të dy ishin martuar e divorcuar dhe Roni u rrit nën kujdesin e shtuar të dy vëllezërve më të mëdhenj dhe të një motre më të madhe.

“Ai ishte një ndërthurje e prindërve tanë, kështu që ne të gjithë e donim atë”, thotë motra e tij, Nensi Shindleri. “Roni kurrë nuk i lejoi mamin dhe babin të qëndronin pranë njëri-tjetrit ose të uleshin së bashku pa qëndruar vetë në mes të tyre.”

Roni ishte në përgjithësi një djalë i mirë, por ai e pranon se kishte një prirje mistrece.

“Mjaft herë, mësueset e mia [të Fillores] shkuan te nëna ime, presidentja e Fillores së kunjit, dhe i thanë: ‘Ai Roni Rasbandi është një fëmijë i vogël, i vështirë’”, thotë ai. “Por ato kurrë nuk hoqën dorë nga unë. Ato më treguan dashuri të madhe dhe gjithmonë më ftuan të vija përsëri në klasë.”2

Fëmijëria e Ronit u përqendrua te Kisha – mbledhjet e lagjes, festimet e lagjes, darkat e lagjes dhe skuadrat sportive të lagjes. Kur nuk ishte i zënë me punë në shtëpinë e mbledhjeve të Lagjes së Parë të Kotënudit, ai bënte punë të ndryshme, kryente veprimtaritë e skautizmit dhe kalonte kohë me shokët e tij. Në shtëpi, koha familjare përqendrohej te shkrimet e shenjta, lojërat dhe punët e shtëpisë.

“Babai im më mësoi se çfarë është puna nëpërmjet shembullit të tij”, thotë ai. “Nëna ime më mësoi rreth punës duke më bërë që ta bëja atë.”

Babai i Ronit ngiste një kamion që shpërndante bukë, duke u ngritur çdo ditë në orën 4:00 të mëngjesit dhe duke u kthyer në shtëpi vonë çdo natë. Nëna e tij qëndronte në shtëpi për të rritur fëmijët, duke i shtuar të ardhurat e familjes nëpërmjet bërjes dhe shitjes së kukullave prej porcelani me veshje me dantella.

Aftësia e brendshme e Ronit për të udhëhequr, për të caktuar detyra dhe për t’i bërë gjërat – aftësi e cila do t’i shërbente atij mirë në përgjegjësitë e tij profesionale dhe kishtare – u provua të ishte e dobishme që herët.

“Roni u caktua të priste barin e oborrit”, kujton motra e tij. Por Roni, sikurse Tom Sojeri i Mark Tuenit, kishte një mënyrë për t’i bindur shokët e tij që ta ndihmonin.

“Do të shihja jashtë dhe atje do të ishte shoku i tij i ngushtë duke prerë barin për të”, thotë Nensi. “Javën pasuese një tjetër nga shokët e tij po priste barin. Ai thjesht ulej në hajatin përpara shtëpisë dhe qeshte e bënte shaka me ta, ndërkohë që ata bënin punën e tij.”

Prindërit e Ronit kishin vështirësi financiare, por familja kishte ungjillin. “Ne kurrë nuk kishim shumë para”, kujton Roni, “por kjo gjë nuk e ndikoi kurrë lumturinë time.”

Miqtë dhe Udhëheqësit e Mirëbesuar

Teksa rritej, Roni u bekua me miq të mirë dhe mësues të mirëbesuar të priftërisë, duke përfshirë presidentin e kunjit të djalërisë së tij për 14 vjet – Xhejms E. Faustin (1920–2007), i cili më pas shërbeu në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe në Presidencën e Parë. Familja e Ronit gëzonte një lidhje të ngushtë me Presidentin Faust dhe familjen e tij. “Ai gjithmonë m’u drejtua mua si njëri prej djemve të tij nga Kotënudi, sepse më ndihmoi të rritesha”, thotë ai.

Roni nuk kishte kohë për sporte shkollore kur arriti në shkollën e mesme ngaqë gjithmonë kishte një punë, por ai gjente kohë për miq besnikë që kanë mbetur të tillë gjatë gjithë jetës.

“Gjithmonë e kam admiruar Ronin për atë që është, por ai nuk ishte i përsosur”, thotë shoku i fëmijërisë Kreig Mek-Kliri. Me buzëqeshje, ai shton: “I kam thënë që, nëse ai shkon në qiell, edhe unë do të shkoj atje ngaqë ne bënim të njëjtat gjëra ndërkohë që rriteshim”.

Roi u nis për në misionin e tij në fillim të vitit 1970, por Kreigu po mendonte ta shtynte shërbimin misionar deri pas sezonit të gjuetisë atë vjeshtë. Ajo ishte koha kur Roni e mori në telefon nga misioni i tij.

“Nuk e di se si mori leje që të merrte në telefon, por ai më qortoi që nuk isha më i gëzuar për të vajtur menjëherë në misionin tim”, thotë Vëllai Mek-Kliri. “Sigurisht që nuk e vonova më atë.”

Roni e quan misionin e tij një përvojë “fantastike”. “Zoti më bekoi me shumë përvoja të mrekullueshme dhe besimforcuese”, thotë ai. “Misioni im ishte shumë i rëndësishëm për jetën time shpirtërore.”

Roni e kaloi një pjesë të misionit të tij në ishujt e Bermudës. Presidenti i tij i misionit, Harold Nefi Uillkinsoni, dërgonte atje vetëm “misionarët e patundshëm” ngaqë ai mund t’i vizitonte ata vetëm me raste.

“Ishim tërësisht të vetëm, por presidenti nuk kishte përse të shqetësohej rreth nesh”, kujton Roni. “Ne e kryenim punën.”

“Vajza Ideale” nga Delta Fi-ja

Pasi e përfundoi misionin e tij në vitin 1972, Roni gjeti një punë, u regjistrua në Universitetin e Jutës atë vjeshtë dhe u bashkua me Delta Fi Kapën, një klub studentor për misionarët e kthyer nga misioni. Në veprimtaritë shoqërore të klubit studentor, nuk mundi të mos vinte re një vajzë të re tërheqëse, të quajtur Melani Tuiçëll. Melania ishte një nga “vajzat ideale”, të zgjedhura nga Delta Fija, e cila ndihmonte për veprimtaritë e shërbimit të klubit studentor.

Sikurse Roni, Melania vinte nga një familje aktive e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Babai i saj, me një karrierë si oficer ushtarak, dhe nëna e saj nuk i lejuan kurrë transferimet e shpeshta të familjes që të bëheshin një justifikim për të mos shkuar në kishë.

Melanisë i bëri përshtypje mirësia, mirësjellja dhe njohuria e Ronit për ungjillin. “Thashë me vete: ‘Ai është një djalë kaq i mahnitshëm sa s’ka rëndësi nëse kurrë nuk shkoj në një takim me të. Unë thjesht dua të jem shoqja e tij më e ngushtë.’”

Ndërkohë që marrëdhënia e tyre u rrit, Shpirti ia pohoi mbresat e saj për Ronin dhe për zotimin e tij ndaj Zotit. Shpejt miqësia e tyre lulëzoi në atë që Melania e quajti një “romancë përrallore, si nëpër libra”.

Plaku Rasband thotë se ajo ishte një përputhje e përsosur. “Melania ishte tërësisht e barabarta ime në përkushtimin ndaj ungjillit dhe në prejardhje shoqërore. Ne fillimisht u bëmë miqtë më të mirë dhe ishte atëherë që i kërkova të martohej me mua.”

Pamja
Rasbands wedding day

Ata u martuan më 4 shtator 1973 në Tempullin e Solt-Lejkut. Që nga ajo kohë, thotë ai, bashkëshortja ime vetëmohuese, e përjetshme … më “ka ndihmuar për të më dhënë formë, sikurse argjilës së poçarit, në një dishepull më të përpunuar të Jezu Krishtit. Dashuria dhe përkrahja e saj, dhe ajo e 5 fëmijëve tanë, e bashkëshortëve të tyre dhe e 24 nipërve e mbesave tona, më mbështetin mua.”3

“Le të Shkojmë”

Ndërsa shërbente si president i kuorumit të pleqve në lagjen e tij të studentëve të martuar, Roni u njoh me Xhon Hantsman Plakun, këshilluesin nga këshilli i lartë për lagjen. Xhonit i bëri përshtypje menjëherë mënyra se si Roni e drejtonte kuorumin.

“Ai kishte aftësi udhëheqëse dhe organizuese të pabesueshme”, kujton Plaku Hantsman, i cili shërbeu si një I Shtatëdhjetë Zonal nga viti 1996 deri në 2011. “E mendova të pazakontë që një i ri, i cili ishte ende në kolegj, mund ta drejtonte një kuorum në një mënyrë të tillë.”

Për disa muaj, Xhoni e vëzhgoi Ronin t’i kthente idetë në veprime teksa përmbushte detyrat e priftërisë. Kur një pozitë marketingu e nivelit të lartë u hap në kompaninë e Xhonit – që do të bëhej Korporata Hunstman Chemical – ai arriti në përfundimin që Roni i kishte aftësitë që ai dëshironte, dhe ia ofroi atij punën. Pozita fillonte javën pasuese në Ohajo të SHBA-së.

“I thashë Melanisë: ‘Nuk do ta lë shkollën dhe të transferohem’”, kujton Roni. “Kam punuar tërë jetën time që të diplomohem nga kolegji dhe më së fundi jam pranë arritjes së synimit tim.”

Melania ia kujtoi Ronit se gjetja e një pune të mirë ishte arsyeja përse ishte në shkollë.

“Për çfarë shqetësohesh?” pyeti ajo. “Unë di se si të paketoj dhe të transferohem. E kam bërë atë tërë jetën time. Do të të lë ta marrësh nënën tënde në telefon çdo natë. Le të shkojmë.”

Pamja
Elder Rasband with Jon Huntsman Sr

Vetëbesimi i Xhonit te Roni u provua të ishte i drejtë. Nën kujdestarinë e Xhonit, Roni përparoi me të shpejtë brenda një kompanie në rritje, duke u bërë presidenti dhe drejtori kryesues operativ i saj në vitin 1986. Ai udhëtoi gjerësisht për kompaninë – si brenda edhe jashtë Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht nga programi i tij i ngjeshur, Roni përpiqej të ishte në shtëpi në fundjavat. Dhe kur udhëtonte, me raste ai do të merrte me vete pjesëtarë të familjes.

“Kur ishte në shtëpi, ai me të vërtetë i bënte fëmijët të ndiheshin të veçantë dhe të dëshiruar”, thotë Melania. Ai i frekuentonte aktivitetet dhe veprimtaritë e tyre sportive kurdoherë që mundej. Xhenesa Mek-Firsoni, një nga katër bijat e çiftit Rasband, thotë që detyrat kishtare të së dielës shpesh e bënë babanë e saj që të mos ulej me familjen gjatë mbledhjeve të Kishës.

“Ne do të ziheshim se kush do të ulej pranë tij në kishë, sepse ishte një gjë e rrallë ta kishim atë atje”, thotë ajo. “Më kujtohet ta vija dorën time mbi dorën e tij dhe të mendoja me vete: ‘Nëse thjesht mund të mësoja që të isha si ai, unë do të jem në udhën e duhur dhe do të bëhem më shumë si Shpëtimtari’. Ai ishte gjithmonë heroi im.”

Pamja
Rasband family

Biri i çiftit Rasband, Kristiani, tregon kujtime të përzemërta të “kohës babë-bir”. Miqtë vinin e shkonin për shkak të transferimeve të shpeshta të familjes, thotë ai, “por babai im ishte gjithmonë miku im më i mirë” – edhe pse ai ishte një mik konkurrues.

Qoftë kur luante basketboll me Kristianin, kur luante një lojë tavoline me bijat e tij apo peshkonte me familjen e shoqërinë, Roni dëshironte të fitonte.

“Teksa rriteshim, ai nuk do ta linte askënd të fitonte”, thotë Kristiani. “Ne duhej ta fitonim vetë atë, por ajo na bëri më të mirë. Dhe tradita vazhdon me nipërit e mbesat e tij të dashura.”

Përgjatë viteve, familja e Ronit nuk mund të mos vinte re se si shërbesa në udhëheqjen e Kishës e lartësoi aftësinë e tij për të treguar dashuri e dhembshuri, për të shprehur ndjenja të Shpirtit dhe për t’i frymëzuar të tjerët të bënin më të mirën që mundeshin. Pas lindjes së nipit të Ronit dhe Melanisë, Pakstonit, familja u mbështet fuqishëm te forca dhe mbështetja shpirtërore e Ronit.

Pakstoni, i lindur me një çrregullim të rrallë gjenetik, vuante nga një mori problemesh shëndetësore, të cilat e vunë në provë familjen fizikisht, emocionalisht e shpirtërisht. Plaku Rasband e ka quajtur udhëtimin që e pasoi lindjen e Pakstonit, “një provë [të] vështirë për marrjen e mësimeve të veçanta lidhur me të ardhmen e tyre në përjetësi[të]”4.

Pamja
Elder and Sister Rasband with grandson

Gjatë tri viteve të shkurtra të Pakstonit në tokë – kur pyetjet ishin të shumta dhe përgjigjet të pakta – Plaku Rasband qëndroi si një shtyllë shpirtërore, duke e udhëhequr familjen e tij që të mbështetej te fuqia e Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Me shpalljen e thirrjes së tij të re, mjaft anëtarë të familjes dhe miq nuk u habitën. “Ata prej nesh që e njohin atë më mirë”, thotë Kristiani, “i ngritëm duart tona më lart nga të gjithë kur ai u mbështet si një Apostull”.

“Do të Shkoj të Shërbej”

Në vitin 1996, në moshën 45-vjeçare, Roni ishte në mes të një karriere të suksesshme kur thirrja erdhi për të shërbyer si president misioni në Misionin e Nju-Jorkut Verior në shtetin e Nju-Jorkut. Si Apostujt e lashtë, ai “i la menjëherë rrjetat [e tij]” (Mateu 4:20).

“Pranimi i thirrjes zgjati më pak se një sekondë”, thotë Plaku Rasband. Ai i tha Zotit: “Në qoftë se Ti dëshiron që unë të shkoj për të shërbyer, unë do të shkoj të shërbej”.

Roni mori me vete një mësim të madhërishëm që e kishte mësuar nga përvoja e tij profesionale: “Njerëzit janë më të rëndësishëm sesa çdo gjë tjetër”5. Me atë dituri dhe aftësitë e tij të mprehtësuara të udhëheqjes, ai ishte gati të fillonte shërbimin e tij kohëplotë në mbretërinë e Zotit.

Pamja
Elder Rasband as mission president in New York

Roni dhe Melania mësuan se puna misionare në Nju-Jork-Siti ishte sfiduese, si edhe gjallëruese. Roni ishte i shpejtë në caktimin e përgjegjësisë misionarëve – duke frymëzuar besnikërinë e tyre dhe duke u dhënë mësim, duke i forcuar e lartësuar ata në atë proces.

Në vitin 2000, vetëm tetë muaj pasi Roni dhe Melania e kishin përmbushur misionin e tyre, Roni u thirr në Të Shtatëdhjetët, ku përgatitja, përvoja dhe talentet e tij të shumta e kanë bekuar Kishën. Në rolin e një anëtari të Të Shtatëdhjetëve, ai shërbeu si këshilltar në Presidencën e Zonës së Europës Qendrore, duke ndihmuar në mbikëqyrjen e punës në 39 kombe. Edhe pse ai u largua nga kolegji më shumë se 40 vjet më parë, ai mbetet një student i vërtetë, duke e mirëpritur mësimdhënien e vazhdueshme nga Vëllezërit e tij më me përvojë, ndërkohë që mbikëqyrte Zonat Perëndimore dhe Veriperëndimore të Amerikës Veriore dhe tri Zona në Juta; ndërkohë që shërbente si Drejtor Ekzekutiv në Departamentin e Tempullit; dhe shërbente në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, duke punuar ngushtësisht me Të Dymbëdhjetët.

Kohët e fundit, Plaku Rasband vërejti: “Çfarë nder dhe privilegj i madh është për mua të jem më i vogli mes Të Dymbëdhjetëve dhe të mësoj prej tyre në çdo mënyrë dhe në çdo rast”6.

“Çfarë Ata e Dinin, Unë e Di”

Pamja
two paintings

Majtas lart: Fotografi nga Wendy Keeler; djathtas: Predikues Mormonë, Misionarët e Parë në Danimarkë, nga Arnold Friberg (bazuar në një pikturë nga Christen Dalsgaard, 1856); Den Xhonsi e Zgjon Uellsin, nga Clark Kelley Price

Dy piktura i zbukurojnë muret e zyrës së Plakut Rasband. Njëra është ajo e misionarëve mormonë duke i dhënë mësim një familjeje në Danimarkë në vitet 1850. E dyta është e një misionari të hershëm, Den Xhonsit, duke predikuar nga parmaku i një pusi në Ishujt Britanikë. Pikturat (lart djathtas) i kujtojnë Plakut Rasband paraardhësit e vet.

“Këta pionierë të hershëm dhanë gjithçka që kishin për ungjillin e Jezu Krishtit dhe për të lënë një trashëgimi që ta ndiqnin pasardhësit e tyre”, ka dëshmuar ai.7 Gjëja që i shtyu paraardhësit e Plakut Rasband të ecnin përpara mes kundërshtisë dhe përndjekjes, është gjëja që e kualifikon atë më shumë për thirrjen e tij të re: një dituri dhe një dëshmi e sigurt për Zotin dhe punën e Tij.

“Kam kaq shumë për të mësuar në thirrjen time të re”, ka thënë ai. “Ndihem shumë i përulur rreth kësaj gjëje. Por ka një aspekt të thirrjes sime që mund ta bëj. Unë mund të jap dëshmi për ‘emri[n e] Krishtit në gjithë botën’ (DeB 107:23). Ai jeton!”8

Si një stërnip i pionierëve, ai shton: “Atë që ata e ndien, unë e ndiej. Atë që ata e dinin, unë e di.”9

Dhe ajo për të cilën shpresuan për pasardhësit e tyre, mishërohet në jetën, mësimet dhe shërbimin e Plakut Ronald A. Rasband, i cili po e ndjek shembullin e tyre dhe po e nderon trashëgiminë e tyre teksa ecën përpara si një dëshmitar i veçantë i Zotit.

Shënime

  1. Ronald A. Rasband, “Qëndroj plot Habi”, Liahona, nëntor 2015, f. 89.

  2. Ronald A. Rasband, “Friend to Friend: Golden Nuggets”, Friend, tetor 2002, f. 8.

  3. Ronald A. Rasband, “Qëndroj plot Habi”, f. 89.

  4. Ronald A. Rasband, “Mësime të Veçanta”, Liahona, maj 2012, f. 80.

  5. Ronald A. Rasband, konferencë shtypi, 3 tetor 2015.

  6. Ronald A. Rasband, dëshmi, takim shpirtëror i Departamentit të Priftërisë dhe Familjes, 1 dhjetor 2015.

  7. Ronald A. Rasband, “Qëndroj plot Habi”, f. 89.

  8. Ronald A. Rasband, dëshmi.

  9. Roland A. Rasband, bisedë për Ditën e Pionierëve, në Tabernakullin në Solt-Lejk-Siti, 24 korrik 2007.