Konferenca e Përgjithshme
A e Dini Përse Unë si i Krishterë Besoj te Krishti?
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


A e Dini Përse Unë si i Krishterë Besoj te Krishti?

Jezu Krishtit iu desh të vuante, të vdiste dhe të ngrihej sërish për të shëlbuar të gjithë njerëzimin nga vdekja fizike dhe për të dhënë jetë të përjetshme me Perëndinë.

Një mbrëmje pas pune, vite më parë, mora autobusin e zakonshëm për në shtëpi nga Nju-Jork-Siti në Nju‑Xhersi. Gruaja pranë së cilës ndodhi që u ula, e vuri re atë që po shkruaja në kompjuterin tim dhe më pyeti: “Ju besoni te … Krishti?” Unë thashë: “Po, besoj!” Ndërkohë që flisnim, mësova se ajo sapo ishte shpërngulur në atë zonë nga atdheu i saj i bukur aziatik për të punuar në sektorin tejet konkurrues të teknologjisë së informacionit të Nju-Jorkut.

Natyrisht, e pyeta: “A e dini përse unë si i krishterë besoj te Jezu Krishti?” Edhe ajo u përgjigj siç pritej normalisht dhe më ftoi t’i tregoja. Por kur po bëhesha gati të flisja, pata një nga ato çastet kur shumë mendime të vërshojnë në mendje. Kjo ishte hera e parë që do t’i shpjegoja “përse‑në” e krishterimit dikujt që nuk e njihte fare ungjillin dhe qe tejet inteligjente. Nuk mund të thosha thjesht: “E ndjek Jezu Krishtin ngaqë Ai vuajti dhe vdiq me gatishmëri për mëkatet e mia”. Ajo mund të kishte pyetur veten: “A duhej të vdiste Jezusi? A nuk mund të na falte thjesht Perëndia dhe të na pastronte nga mëkatet tona, në qoftë se ia kërkonim Atij?”

Si do të ishit përgjigjur brenda pak minutave? Si do t’ia shpjegonit këtë një miku ose mikeshe? Fëmijë dhe ju të rinj e të reja: ju lutem, a do t’i pyetni prindërit tuaj ose një udhëheqës/e më vonë: “Përse duhej të vdiste Jezusi?” Vëllezër e motra, unë kam për të bërë një rrëfim: pavarësisht nga të gjitha gjërat që mendova se i dija rreth doktrinës, historisë, rregullores së Kishës e kështu me radhë, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje qendrore për besimin tonë nuk erdhi me kaq lehtësi. Atë ditë vendosa të përqendrohesha më shumë tek ajo që ka rëndësinë më të madhe lidhur me jetën e përjetshme.

Pra, i dhashë informacion mikeshës sime të re1 se ne kemi një shpirt përveç një trupi dhe se Perëndia është Ati i shpirtrave tanë2. I thashë se ne jetuam me Atin tonë Qiellor përpara lindjes sonë në këtë botë të vdekshme.3 Për shkak se Ai e do atë dhe të gjithë fëmijët e Tij, Ai bëri një plan për ne që të marrim një trup sipas shëmbëlltyrës së trupit të Tij të lavdishëm4, të jemi pjesë e një familjeje5 dhe të kthehemi në praninë e Tij të dashur për të gëzuar jetën e përjetshme me familjet tona6, siç e gëzon Ai me familjen e Tij7. Por, i thashë se do të përballeshim me dy pengesa kryesore në këtë botë domosdoshmërisht të rënë:8 1) vdekjen fizike, ndarjen e trupit tonë nga shpirti ynë. Sigurisht, ajo e dinte se ne të gjithë do të vdisnim. 2) Vdekjen shpirtërore, ndarjen tonë nga Perëndia për shkak se mëkatet, gabimet dhe të metat tona si njerëz të vdekshëm na largojnë nga prania e Tij e shenjtë.9 Ajo e kuptoi edhe këtë.

E njoftova se ky ishte një rezultat i ligjit të drejtësisë. Ky ligj i përjetshëm kërkon që një ndëshkim i përjetshëm të paguhet për secilin prej mëkateve tona ose shkeljeve tona të ligjit apo të së vërtetës së Perëndisë, përndryshe ne nuk mund të ktheheshim kurrë për të jetuar në praninë e Tij të shenjtë.10 Kjo do të ishte e padrejtë dhe Perëndia “nuk mund t[a] mohojë drejtësinë”11. Ajo e kuptoi këtë, por fare kollaj e kapi idenë se Perëndia është gjithashtu i mëshirshëm, i dashur dhe i zellshëm për të bërë të ndodhë jeta jonë e përjetshme.12 E njoftova mikeshën time se ne do të kishim edhe një kundërshtar dinak, të fuqishëm, burimin e ligësisë dhe gënjeshtrave, që do të ishte kundër nesh.13 Prandaj dikush me fuqi të pafundme perëndishmërie për të kapërcyer të gjithë kundërshtimin dhe pengesa të tilla, do të nevojitej për të na shpëtuar.14

Më pas i fola për lajmin e mirë, “gëzim[in e] madh për të gjithë popullin”15, se “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”16. I dëshmova mikeshës sime dhe ju dëshmoj juve se Jezu Krishti është ai Shpëtimtar, se Atij iu desh të vuante, vdiste dhe ngrihej sërish nëpërmjet Shlyerjes së pafundme, për ta shëlbuar gjithë njerëzimin nga vdekja fizike17 dhe për t’u dhënë jetë të përjetshme me Perëndinë dhe familjet tona18gjithë atyre që do ta ndjekin Atë. Libri i Mormonit shpall: “Kështu Perëndia … korr[i] fitore mbi vdekjen; duke i dhënë Birit fuqi të bëjë ndërmjetësim për fëmijët e njerëzve … ; duke qenë i mbushur me [mëshirë e] dhembshuri … ; duke këputur lidhjet e vdekjes, duke marrë përsipër paudhësinë e tyre dhe shkeljet e tyre, duke i shëlbuar ata dhe duke plotësuar kërkesat e drejtësisë”19.

Hapat që Perëndia i zbuloi, të cilat duhet t’i ndërmarrim për ta ndjekur Jezusin dhe për të marrë jetë të përjetshme, quhen doktrina e Krishtit. Këto hapa përfshijnë “besimin te Jezu Krishti dhe Shlyerjen e Tij, pendimin, pagëzimin [në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme], marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimin deri në fund”20. I tregova për këto hapa mikeshës sime, por ja ku janë disa mënyra sipas të cilave profetët dhe apostujt kanë dhënë mësim kohët e fundit për mënyrën se si doktrina e Krishtit mund t’i bekojë të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha udhëzim: “Doktrina e kulluar e Krishtit është e fuqishme. Ajo e ndryshon jetën e kujtdo që e kupton atë dhe kërkon ta zbatojë në jetën e vet.”21

Plaku Diter F. Uhtdorf, dha mësim: “[Udhëzuesi] Për Forcën e Rinisë është [i] guximsh[ëm] në shpalljen e doktrinës së … Krishtit. [dhe] në ftesën ndaj jush [rinisë] që të bëni zgjedhje të bazuara te[k] [ajo]”22.

Plaku Dejll G. Renland, dha mësim: “Ne i ftojmë misionarët të bëjnë atë që u kërkojnë të bëjnë atyre të cilëve u japin mësim… ta zbatojnë doktrinën e Krishtit në jetën e tyre [dhe] të hyjnë e të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve”23.

Doktrina e Krishtit i fuqizon ata që po hasin vështirësi ose ndiejnë se nuk përkasin në Kishë, sepse i ndihmon, siç e shprehu Plaku D. Tod Kristoferson, që të “pohoj[n]ë: Jezu Krishti vdiq për mua … [dhe] më do”24.

Prindër, nëse fëmija juaj has vështirësi me një parim të ungjillit ose një mësim profetik, ju lutem, përmbahuni nga çfarëdo lloji të foluri të keq25 ose aktivizmi kundrejt Kishës apo udhëheqësve të saj. Këto metoda me më pak vlerë dhe laike nuk janë për ju dhe mund të jenë vdekjeprurëse kundrejt besnikërisë afatgjatë të fëmijës suaj.26 Duket e lavdërueshme që ju do të ishit të gatshëm për ta mbrojtur ose përkrahur fëmijën tuaj të çmuar ose të tregonit shenja solidariteti për të. Por bashkëshortja ime, Xhejni, dhe unë e dimë nga përvoja vetjake se të mësuarit ndaj fëmijës suaj të dashur se përse ne të gjithë kemi dëshpërimisht nevojë për Jezu Krishtin dhe se si ta zbatojmë doktrinën e Tij të gëzueshme, është gjëja që do ta forcojë e shërojë atë. I kthefshim ata tek Jezusi, i cili është mbrojtësi i tyre i vërtetë me Atin! Apostulli Gjon dha mësim: “Kushdo që … qëndron në doktrinën e Krishtit, … ka Atin dhe Birin”. Më pas ai na paralajmëron që të jemi të vetëdijshëm “në qoftë se dikush vjen tek ju dhe nuk [e] sjell këtë doktrinë”27.

Xhejni dhe unë kohët e fundit vizituam vendin e shkretë ku Moisiu ngriti lart një gjarpër prej bronzi përpara fëmijëve endacakë të Izraelit. Zoti kishte premtuar që t’i shëronte të gjithë ata që ishin kafshuar nga gjarpërinjtë helmues nëse thjesht do të shikonin tek ai gjarpër.28 Duke mbajtur të ngritur lart doktrinën e Krishtit përpara nesh, profeti i Zotit po bën të njëjtën gjë, “që ai të shërojë kombet”29. Cilatdo qofshin kafshimet ose helmi apo vështirësitë që përjetojmë në këtë vend të shkretë të vdekshmërisë, mos qofshim si ata që, në lashtësi dhe në kohën tonë, mund të ishin shëruar por, trishtueshëm, “nuk donin të shikonin … se[pse] nuk besonin se ai do t’i shëronte ata”30. Libri i Mormonit pohon: “Vini re, … kjo është udha; dhe s’ka udhë tjetër dhe as emër të dhënë nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë. Dhe tani, vini re, kjo është doktrina e Krishtit.”31

Ajo mbrëmje në Nju-Xhersi, duke treguar se përse kemi nevojë për Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij, më dha një motër të re dhe asaj një vëlla të ri. E ndiem dëshminë paqësore dhe pohuese të Frymës së Shenjtë. Sigurisht që e ftova atë të më jepte informacionin e kontaktit dhe ta vazhdonte bashkëbisedimin me misionarët tanë. Ajo ishte e lumtur që ta bënte këtë gjë.

“Kështu që, sa e madhe rëndësia që këto gjëra t’u bëhen të njohura banorëve të tokës”, shpall Libri i Mormonit, për të dhënë dashuri, treguar dhe ftuar32 teksa e mbledhim Izraelin në të gjitha komunitetet dhe familjet tona “që ata të mund të dinë se nuk ka mish që mund të banojë në prani të Perëndisë, veçse nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe [doktrinës s]ë Mesias së Shenjtë”33. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Unë kam zgjedhur që të mos e publikoj emrin e mikeshës sime apo të përdor një emër të sajuar.

  2. Shih te Romakëve 8:15–17; Hebrenjve 12:9; Doktrina e Besëlidhje 88:15.

  3. Shih te Jeremia 1:4–5; Doktrina e Besëlidhje 138:55–56; Abraham 3:22–23, 26; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Jetë Para Lindjes”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org; “Mësimi 2: Plani i Shpëtimit”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 51.

  4. Shih te “Mësimi 2: Plani i Shpëtimit”, Predikoni Ungjillin Tim, f. 51.

  5. Plani i përsosur i Atit, i quajtur plani i madh i lumturisë, plani i shpëtimit dhe plani i shëlbimit, mes referencave të tjera, organizohet në mënyrë të tillë që çdo njeri që vjen në vdekshmëri, në mënyrë të domosdoshme e bën këtë gjë në një familje dhe çdo njeri është pjesë e një familjeje. Sigurisht, jo të gjitha rrethanat familjare janë ideale ose në përputhje me vegimin plot dashuri të Atit tonë për të gjithë fëmijët e Tij dhe disa rrethana janë tragjike. Sidoqoftë, kur e jetojmë doktrinën e Krishtit, Jezu Krishti na ndihmon të marrim të gjitha bekimet që Ati ka për fëmijët e Tij nëpërmjet planit të Tij të mëshirshëm dhe gjithëpërfshirës. Shih edhe poshtëshënimin nr. 6.

  6. Një nga premtimet më të mëdha që Perëndia ua ka bërë fëmijëve të Tij është gjithashtu dhurata më e madhe nga të gjitha dhuratat e Tij për ne: ekzaltimi, ose jeta e përjetshme, që është të jetojmë përjetësisht “në praninë e Perëndisë dhe të vazhdojmë si familje” (Gospel Topics, “Eternal Life”, topics.ChurchofJesusChrist.org; shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 14:7). “Familjet” përfshijnë bashkëshortin, bashkëshorten dhe fëmijët, si edhe të afërmit tanë të gjallë dhe të vdekur, të cilët e pranojnë dhe e jetojnë doktrinën e Krishtit. Pjesëtarët tashmë të vdekur të familjeve në botën e shpirtrave, të cilët nuk ishin në gjendje ta përqafonin doktrinën e Krishtit në këtë jetë, mund ta bëjnë këtë gjë në botën e shpirtrave kur ordinanca të tilla si pagëzimi, marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe të tjera që na ndihmojnë të durojmë deri në fund, kryhen plot dashuri në mënyrë mëkëmbëse nga të afërm të tyre të gjallë në tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Përveç kësaj, premtimi për jetë të përjetshme nuk është thjesht për ata që janë martuar në këtë jetë. Presidenti M. Rasëll Ballard, dha mësim: “Shkrimet e shenjta dhe profetët e ditëve të mëvonshme pohojnë se çdo njeri që është besnik në mbajtjen e besëlidhjeve të ungjillit, do të ketë mundësinë për ekzaltim” (“Shpresë te Krishti”, Liahona, maj 2021, f. 55; theksimi i shtuar). Duke cituar Presidentin Rasëll M. Nelson dhe Presidentin Dallin H. Ouks, Presidenti Ballard vazhdoi: “Koha dhe mënyra e përpiktë në të cilat jepen bekimet e ekzaltimit, nuk janë zbuluar të gjitha, por sidoqoftë ato janë të sigurta” (“Shpresë te Krishti”, f. 55; theksimi i shtuar). Presidenti Nelson dha mësim: “Në mënyrën dhe kohën e vetë Zotit, asnjë [bekim] nuk do t’u ndalohet shenjtorëve të Tij besnikë. Zoti do ta gjykojë dhe do ta shpërblejë çdo individ sipas dëshirës së zemrës dhe po ashtu veprimeve të tij” (“Celestial Marriage”, Liahona, nëntor 2008, f. 94). Presidenti Ouks shpjegoi: “Shumë nga mungesat më të rëndësishme të vdekshmërisë do të vihen në vendin e duhur në Mijëvjeçar, që është koha për përmbushjen e gjithçkaje që është e paplotë në planin e madhërishëm të lumturisë për të gjithë fëmijët e denjë të Atit tonë” (“The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, f. 75). Shih edhe poshtëshënimin nr. 5.

  7. Shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Plan i Shëlbimit”; scriptures.ChurchofJesusChrist.org; shih edhe te Gospel Topics, “Plan of Salvation”, topics.ChurchofJesusChrist.org; “Mësimi 2: Plani i Shpëtimit”, Predikoni Ungjillin Tim, f. 48–51, 53.

  8. Shih te “Mësimi 2: Plani i Shpëtimit”, Predikoni Ungjillin Tim, f. 49.

  9. Shih te “Mësimi 2: Plani i Shpëtimit”, Predikoni Ungjillin Tim, f. 47–50.

  10. Shih te “Mësimi 2: Plani i Shpëtimit”, Predikoni Ungjillin Tim, f. 47–50.

  11. Mosia 15:27. Referencat për drejtësinë e përjetshme ose drejtësinë e Perëndisë janë me shumicë në shkrimet e shenjta, por shih veçanërisht tek Alma 41:2–8 dhe Alma 42.

  12. Shih tek Alma 42:14–24; Moisiu 1:39.

  13. Shih te “Mësimi 2: Plani i Shpëtimit”, Predikoni Ungjillin Tim, f. 47–50.

  14. Shih tek Alma 34:9–13; shih edhe te Mosia 13:28, 34–35; 15:1–9; Alma 42:15.

  15. Lluka 2:10.

  16. Gjoni 3:16.

  17. Shih te Helamani 14:15–17; Mormoni 9:12–14.

  18. Shih poshtëshënimet nr. 5 dhe 6.

  19. Mosia 15:8–9.

  20. Cili Është Qëllimi Im si Misionar?”, Predikoni Ungjillin Tim, f. 1; shih edhe te “Mësimi 3: Ungjilli i Jezu Krishtit”, Predikoni Ungjillin Tim, f. 63.

  21. Rasëll M. Nelson, “E Vërtetë e Kulluar, Doktrinë e Kulluar dhe Zbulesë e Kulluar”, Liahona, nëntor 2021, f. 6, theksimi i shtuar.

  22. Diter F. Uhtdorf, “Jezu Krishti Është Forca e Rinisë”, Liahona, nëntor 2022; f. 11 shih edhe Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022), f. 4.

  23. Dale G. Renlund, “Lifelong Conversion of Missionaries” (fjalim i dhënë në seminarin për udhëheqësit e misioneve, 25 qershor 2021), f. 1, Church History Library, Salt Lake City.

  24. D. Tod Kristoferson, “Doktrina e Përkatësisë”, Liahona, nëntor 2022, f. 56; shih edhe D. Tod Kristoferson, “Gëzimi i Shenjtorëve”, Liahona, nëntor 2019, f. 15–18.

  25. Shih te Jakob [Bibël] 4:11; Doktrina e Besëlidhje 20:54; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpifje”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

  26. Shih Ahmad S. Corbitt, “Activism vs. Discipleship: Protecting the Valiant” (fjalim i dhënë në seminarin e kapelanëve, tetor 2022), cdn.vox-cdn.com/uploads/chorus_asset/file/24159863/Brother_Corbitt_Chaplain_seminar.pdf; video: media2.ldscdn.org/assets/general-authority-features/2022-chaplain-training-seminar/2022-10-1000-activism-vs-discipleship-1080p-eng.mp4.

  27. 2 Gjon 1:9–10.

  28. Shih te Numrat 21:5–9.

  29. 2 Nefi 25:20.

  30. Alma 33:20.

  31. 2 Nefi 31:21.

  32. Shih “2021 Broadcast: Principles of Love, Share, and Invite”, broadcasts.ChurchofJesusChrist.org; shih edhe Geri E. Stivenson, “Jepni Dashuri, Tregoni, Ftoni”, Liahona, maj 2022, f. 84–87.

  33. 2 Nefi 2:8.