Konferenca e Përgjithshme
Një Zë Gëzimi!
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


Një Zë Gëzimi!

Ndërtimi i tempujve ka qenë një nga përparësitë më të larta të të gjithë profetëve që nga koha e Profetit Jozef Smith.

“Tani, çfarë dëgjojmë në ungjillin që kemi marrë? Një zë [gëzimi]! Një zë mëshire nga qielli; dhe një zë të vërtete nga toka; … një zë gëzimi për të gjallët dhe të vdekurit; lajme të gëzuara të gëzimit të madh.”1

Vëllezër e motra, është thuajse e pamundur t’i dëgjoj këto fjalë nga Profeti Jozef Smith dhe mos të më vijë një buzëqeshje e madhe!

Shprehja ngazëlluese e Jozefit e rrok vërtet gëzimin e plotë e madhështor që gjendet në planin e madhërishëm të Perëndisë, Atit tonë Qiellor, për lumturinë, pasi, ashtu si Ai na ka siguruar “njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim”2.

Të gjithë lëshuam britma gëzimi3 në jetën tonë paratokësore kur dëgjuam planin e Perëndisë për lumturinë dhe ne vazhdojmë të lëshojmë britma gëzimi këtu teksa jetojmë sipas planit të Tij. Por cili ishte saktësisht konteksti i kësaj deklarate të gëzueshme nga Profeti? Çfarë i nxiti këto emocione të thella dhe të ndiera?

Profeti Jozef kishte dhënë mësime rreth pagëzimeve për të vdekurit. Kjo ishte njëmend një zbulesë e lavdishme që u pranua me gëzim të madh. Kur anëtarët e Kishës mësuan së pari se ata mund të pagëzoheshin për njerëzit e tyre të dashur që kishin ndërruar jetë, ata u gëzuan. Uillford Udrafi tha: “Që në çastin që dëgjova për këtë, shpirti më hovi nga gëzimi”4.

Pagëzimi për njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur, nuk ishte e vërteta e vetme që Zoti do të zbulonte dhe rivendoste. Kishte një sërë dhuratash ose dhurimesh të tjera që Perëndia mezi priste t’i derdhte mbi bijtë dhe bijat e Tij.

Këto dhurata të tjera përfshinin autoritetin e priftërisë, besëlidhjet dhe ordinancat, martesat që mund të zgjatnin përgjithmonë, vulosjen e fëmijëve te prindërit e tyre brenda familjes së Perëndisë dhe së fundi, bekimin e kthimit në shtëpi në praninë e Perëndisë, Atit tonë Qiellor, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Të gjitha këto bekime u bënë të mundura nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Për shkak se Perëndia i konsideroi këto si ndër bekimet e Tij më të larta e më të shenjta5, Ai udhëzoi që të ngriheshin ndërtesa të shenjta ku Ai mund t’ua jepte këto dhurata të çmuara fëmijëve të Tij.6 Këto ndërtesa do të ishin shtëpia e Tij në tokë. Këto ndërtesa do të ishin tempuj ku ajo e cila vulosej ose lidhej në tokë në emrin e Tij, me anë të fjalës së Tij dhe autoritetit të Tij, do të lidhej edhe në qiell.7

Si anëtarë të Kishës sot, për disa nga ne mund të jetë e lehtë që t’i marrin këto të vërteta të lavdishme si të mirëqena. Ato na janë bërë të natyrshme. Nganjëherë është e dobishme kur i shohim ato nëpërmjet syve të atyre që mësojnë rreth tyre për herë të parë fare. Kjo m’u bë e qartë nëpërmjet një përvoje të kohëve të fundit.

Vitin e shkuar, pikërisht përpara ripërkushtimit të Tempullit të Tokios në Japoni, shumë vizitorë jo të besimit tonë bënë një vizitë në atë tempull. Në një vizitë të tillë ishte një udhëheqës i vëmendshëm nga një fe tjetër. Ne i mësuam vizitorit tonë rreth planit të Atit Qiellor për lumturinë, rolin shëlbues të Jezu Krishtit në atë plan dhe doktrinën se familjet mund të bashkohen përjetësisht nëpërmjet ordinancës së vulosjes.

Në përfundim të vizitës, e ftova mikun tonë që të shprehte ndjenjat e tij. Në lidhje me bashkimin e familjeve, në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, ky njeri i mirë pyeti me gjithë sinqeritetin: “A e kuptojnë vërtet anëtarët e besimit tuaj se sa e thellë është kjo doktrinë?” Ai shtoi: “Kjo fare mirë mund të jetë një nga mësimet e vetme që mund ta bashkojë këtë botë, e cila është kaq e përçarë”.

Çfarë vrojtimi i fuqishëm! Ky njeri nuk u prek thjesht nga mjeshtëria elegante e [ndërtimit] të tempullit, por përkundrazi, nga doktrina mahnitëse dhe e thellë që familjet bashkohen dhe vulosen përgjithmonë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.8

Atëherë, nuk duhet të habitemi kur edhe dikush që nuk është i besimit tonë, e dallon madhështinë e asaj që ndodh në tempull. Ajo që mund të bëhet e zakonshme ose rutinë për ne, nganjëherë shihet me gjithë shkëlqimin dhe madhështinë e vet nga ata që e dëgjojnë ose e ndiejnë atë për herë të parë fare.

Megjithëse tempujt kanë ekzistuar në lashtësi, me Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit, ndërtimi i tempujve ka qenë një nga përparësitë më të larta të të gjithë profetëve që nga koha e Profetit Jozef Smith. Është e thjeshtë ta kuptosh arsyen.

Kur Profeti Jozef po jepte mësim rreth pagëzimit për të vdekurit, ai zbuloi një të vërtetë tjetër të madhe. Ai dha mësim: “Më lini t’ju siguroj se këto janë parime në lidhje me të vdekurit dhe të gjallët, të cilat nuk duhet të kalohen me lehtësi, përsa i përket shpëtimit tonë. Sepse shpëtimi i tyre është i nevojshëm dhe thelbësor për shpëtimin tonë, … ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur – as ne nuk mundemi, pa të vdekurit tanë, të bëhemi të përsosur.”9

Siç mund ta shohim, nevoja për tempuj dhe punën që bëhet si për të gjallët, edhe për të vdekurit bëhet shumë e qartë.

Kundërshtari rri vigjilent. Fuqia e tij kërcënohet nga ordinancat dhe besëlidhjet që kryhen në tempuj, dhe ai bën gjithçka që mundet për t’u përpjekur që ta ndalë punën. Pse? Sepse ai e di ç’fuqi vjen nga kjo punë e shenjtë. Teksa çdo tempull i ri përkushtohet, fuqia shpëtuese e Jezu Krishtit zgjerohet në të gjithë botën për të vepruar kundër përpjekjeve të kundërshtarit dhe për të na shëlbuar ndërsa vijmë tek Ai. Ndërsa tempujt dhe mbajtësit e besëlidhjeve rriten në numër, kundërshtari bëhet më i dobët.

Në ditët e hershme të Kishës, disa njerëz shqetësoheshin kur lajmërohej një tempull i ri, duke thënë: “Nuk ndodh kurrë që të fillojmë të ndërtojmë një tempull pa rënë më parë kambanat e ferrit”. Por, Brigam Jangu raportoi guximshëm: “Dëshiroj t’i dëgjoj ato të bien përsëri”10.

Në këtë jetë të vdekshme, nuk do t’i shpëtojmë kurrë luftës, por mund të kemi fuqi mbi armikun. Ajo fuqi dhe forcë vjen nga Jezu Krishti teksa i bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet e tempullit.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim: “Koha po vjen kur ata që nuk i binden Zotit, do të veçohen prej atyre që i binden Atij. Siguria jonë më e madhe është të vazhdojmë të jemi të denjë për pranimin në shtëpinë e Tij të shenjtë.”11

Ja tek janë disa bekime të tjera që Perëndia na ka premtuar nëpërmjet profetit të Tij:

A keni nevojë për mrekulli? Profeti ynë ka thënë: “Ju premtoj se Zoti do t’i sjellë mrekullitë që Ai e di se ju nevojiten teksa bëni sakrifica për të shërbyer dhe adhuruar në tempujt e Tij”12.

A keni nevojë për fuqinë shëruese dhe forcuese të Shpëtimtarit Jezu Krisht? Presidenti Nelson na siguron se: “Çdo gjë që jepet mësim në tempull, … e rrit kuptimin tonë për Jezu Krishtin. … Ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, Ai na dhuron fuqinë e Tij shëruese, forcuese. Dhe o, sa do të na nevojitet fuqia e Tij në ditët në vazhdim.”13

Të Dielën e parë të Palmave, kur Jezu Krishti hyri ngadhënjimtar në Jerusalem, një turmë dishepujsh të Tij u “gëz[ua dhe] lavdëro[i] Perëndinë me zë të lartë … duke thënë: ‘Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit’”14.

Sa gjë e përshtatshme që të Dielën e Palmave në vitin 1836, u përkushtua Tempulli i Kirtlandit. Për atë rast po gëzonin edhe dishepujt e Jezu Krishtit gjithashtu. Në atë lutje përkushtuese, Profeti Jozef Smith tha këto fjalë përlëvdimi:

“O Zot, Perëndia i Plotfuqishëm, na dëgjo … dhe na u përgjigj nga qielli, … ku ti ulesh në fron, me lavdi, nder, fuqi, madhështi [dhe] forcë. …

Na ndihmo me fuqinë e Shpirtit tënd, që ne të mund ta përziejmë zërin tonë me ata serafinë të shkëlqyeshëm, ndriçues përreth fronit tënd, me thirrje përlëvdimi, duke kënduar: Hosana Perëndisë dhe Qengjit!

Dhe këta … shenjtorët e tu le të bërtasin me zë të lartë nga gëzimi.”15

Vëllezër dhe motra, sot në këtë të Diel Palmash, ne si dishepuj të Jezu Krishtit gjithashtu e përlëvdofshim Perëndinë tonë të shenjtë dhe gëzofshim në mirësinë e Tij ndaj nesh! “Çfarë dëgjojmë në ungjillin që kemi marrë?” Vërtet “një zë gëzimi”16!

Unë jap dëshmim se ju do të ndieni gëzim gjithmonë e më shumë teksa hyni në tempujt e shenjtë të Zotit. Unë jap dëshmim se ju do të provoni gëzimin që Ai në këmbim ka për ju, në emrin e Jezu Krishtit, amen.