Konferenca e Përgjithshme
Dhënia e Shërbesës
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


Dhënia e Shërbesës

Le ta shtrijmë dorën e ndihmës dhe të kujdesemi siç do të kujdesej Shpëtimtari ynë, veçanërisht për ata të cilëve kemi privilegjin, me anë të dashurisë dhe detyrës, që t’u japim shërbesë.

Të dashur vëllezër dhe motra, miq, mirësevini në konferencën e përgjithshme!

Pas konferencës së përgjithshme tetorin e kaluar, unë dhe Motra Gong ecëm nëpër Qendrën e Konferencave për t’ju përshëndetur dhe për të dëgjuar përvojat tuaja në lidhje me ungjillin.

Anëtarët tanë nga Meksika thanë: “Hoy es el tiempo de México” [“Tani është koha e Meksikës”].

Pamja
Xhilli dhe Meri me Plakun dhe Motrën Gong

Mësuam se Xhilli dhe Meri janë mikesha nga Anglia. Kur Meri u bashkua me Kishën, ajo e humbi vendin ku banonte. Xhilli plot bujari e ftoi Merin që të vinte dhe të jetonte me të. Plot besim Xhilli tha: “Asnjëherë nuk kam pasur dyshim se Zoti është me mua”. Në konferencë, Xhilli gjithashtu u takua përsëri plot gëzim me motrën misionare që i dha mësime 47 vjet më parë.

Pamja
Xhefi dhe Melisa me Plakun dhe Motrën Gong

Xhefi dhe bashkëshortja e tij, Melisa, po e frekuentonin konferencën e përgjithshme për herë të parë. Xhefi luante bejzboll në nivel profesionistësh (ishte pritësi i topave) dhe tani është një mjek anestezist. Ai më tha: “Për habinë time të madhe, po shkoj drejt pagëzimit ngaqë e ndiej si mënyrën më të mirëfilltë dhe më të ndershme për të jetuar”.

Më përpara, Melisa i kishte kërkuar falje vëllait shërbestar të caktuar për Xhefin: “Xhefi nuk do ‘[misionarë] këmishëbardhë’ në shtëpinë tonë”. Vëllai shërbestar tha: “Do ta gjej një mënyrë”. Tani ai dhe Xhefi janë miq të mirë. Në pagëzimin e Xhefit, u takova me një bashkësi shenjtorësh të ditëve të mëvonshme të cilët Xhefi, Melisa dhe bija e tyre, Sharlota, i duan.

Si pasues të Jezu Krishtit, ne përpiqemi t’u japim shërbesë të tjerëve ashtu siç do t’u jepte Ai, sepse jetë njerëzish janë në pritje për ndryshim.

Kur Pegi më tha se bashkëshorti i saj, Xhoni, pas 31 vjetësh martese, kishte ndërmend të pagëzohej, e pyeta se çfarë kishte ndryshuar.

Pegi tha: “Xhoni dhe unë po studionim programin Eja, Më Ndiq për Dhiatën e Re dhe Xhoni bëri pyetje për doktrinën e Kishës”.

Pegi tha: “Le të ftojmë misionarët”.

Xhoni tha: “Jo, asnjë misionar – ose vetëm po mundi të vijë miku im”. Gjatë 10 vjetësh, vëllai shërbestar i Xhonit ishte bërë miku i tij i mirëbesuar. (Mendova: Po sikur vëllai shërbestar i Xhonit të mos kishte ardhur pas një, dy ose nëntë vjetësh?)

Xhoni dëgjoi. E lexoi Librin e Mormonit me qëllim të vërtetë. Kur misionarët e ftuan Xhonin të pagëzohej, ai tha “po”. Pegi tha: “Mbeta me gojë hapur dhe fillova të qaja”.

Xhoni tha: “Ndryshova ndërsa i afrohesha më shumë Zotit”. Më vonë, Xhoni dhe Pegi u vulosën në tempullin e shenjtë. Dhjetorin e kaluar, Xhoni ndërroi jetë në moshën 92 vjeç. Pegi thotë: “Xhoni gjithmonë ishte një burrë i mirë, por ai ndryshoi në një mënyrë të bukur pasi u pagëzua”.

Pamja
Xheni dhe Mebi

Unë dhe Motra Gong u takuam me Mebin dhe Xhenin nëpërmjet videokonferencave gjatë pandemisë së COVID‑it. (U takuam me shumë çifte dhe individë të mrekullueshëm me anë të videokonferencave gjatë COVID‑it, secili prej tyre plot lutje na u prezantua nga presidenti i kunjit të tyre.)

Mebi dhe Xheni plot përulësi thanë se shqetësimet në jetën e tyre i bënin të pyesnin veten nëse martesa e tyre në tempull mund të shpëtohej dhe, nëse po, në çfarë mënyre. Ata besonin se Shlyerja e Jezu Krishtit dhe zotimet e tyre besëlidhëse mund t’i ndihmonin.

Përfytyroni gëzimin tim kur Mebi dhe Xheni morën rekomandime të reja të tempullit dhe u kthyen së bashku në shtëpinë e Zotit. Më vonë Mebi për pak sa nuk vdiq. Çfarë bekimi që Mebi dhe Xheni i kanë rivendosur marrëdhëniet besëlidhëse me Zotin dhe njëri‑tjetrin dhe e ndiejnë dashurinë shërbestare të shumë njerëzve përreth tyre.

Kudo ku shkoj, plot mirënjohje mësoj nga ata që japin shërbesë dhe përkujdesen ashtu si do të bënte Shpëtimtari ynë.

Pamja
Salvadori me Plakun dhe Motrën Gong

Në Peru, unë dhe Motra Gong u takuam me Salvadorin dhe motrat e vëllezërit e tij.1 Salvadori dhe vëllezërit e motrat e tij janë jetimë. Ishte ditëlindja e Salvadorit. Udhëheqësit e Kishës dhe anëtarët të cilët plot besim i japin shërbesë kësaj familjeje, më frymëzojnë mua. “Feja e pastër dhe pa njollë … është kjo: Të vizitosh jetimët dhe të vejat”2, të “ndihmo[sh] të dobëtit, [të] ngr[esh] duart që varen poshtë, … [të] forco[sh] gjunjët e këputur”3.

Në Hong-Kong, një president i kuorumit të pleqve me thjeshtësi tregon se si kuorumi i tyre vazhdimisht i kryen 100 përqind intervistat e dhënies së shërbesës. “Plot lutje organizojmë dyshe shoqëruese që çdo njeri të mund të kujdeset për dikë dhe të tjerë të kujdesen për të” – thotë ai. “E pyesim rregullisht çdo dyshe shoqëruese rreth atyre të cilëve u jep shërbesë. Ne nuk shenjojmë kutiza në listë; ne u japim shërbesë shërbestarëve që kujdesen për njerëzit tanë.”

Pamja
Familja Bokolo

Në Kinshasë, në Republikën Demokratike të Kongos, Presidenti Bokolo tregon se si ai dhe familja e tij u bashkuan me Kishën në Francë. Një ditë, teksa po lexonte bekimin e tij patriarkal, Shpirti e frymëzoi Vëllanë Bokolo të kthehej me familjen e tij në Republikën Demokratike të Kongos. Vëllai Bokolo e dinte se do të hasnin shumë sfida nëse ktheheshin. Kisha e tyre, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ende nuk ishte krijuar në Kinshasë.

Prapëseprapë, me besim, sikurse kanë bërë shumë të tjerë, familja Bokolo ndoqi Shpirtin e Zotit. Në Kinshasë, ata u dhanë shërbesë njerëzve përreth tyre dhe i bekuan ata, kapërcyen sfida, morën bekime shpirtërore dhe materiale. Sot, ata gëzojnë që kanë një shtëpi të Zotit në atdheun e tyre.4

Një të kthyeri në besim iu dha shërbesë nëpërmjet shembullit vetjak. Kur ishte djalë i ri, ai tha se i kalonte ditët duke ndenjur në plazh. Një ditë, tha ai, “pashë një vajzë tërheqëse me rroba banje modeste”. I çuditur, ai shkoi ta pyeste përse një vajzë e tillë tërheqëse vishej me rroba banje kaq modeste. Ajo ishte anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe e pyeti duke buzëqeshur: “A dëshiron të vish në kishë të dielën?” Ai tha “po”.

Vite më parë, ndërsa ishim bashkë me detyrë, Plaku L. Tom Peri, tregoi se si ai dhe shoku i tij i jepnin rregullisht shërbesë një motre që jetonte e vetme në një lagje me kriminalitet të lartë në Boston. Kur Plaku Peri dhe shoku i tij arrinin [te dera], motra me maturi u jepte udhëzimin: “Futini rekomandimet tuaja të tempullit nën derë”. Vetëm pasi të shihte rekomandimet e tempullit ajo do të shkyçte bravat e shumta dhe do të hapte derën.5 Sigurisht, nuk po them se dysheve shërbestare iu nevojiten rekomandime tempulli. Por më pëlqen ideja se, kur njerëzit që japin shërbesë i nderojnë besëlidhjet, shtëpitë shkyçen dhe zemrat hapen.

Plaku Peri gjithashtu ofroi një këshillë praktike. Ai tha: “Jepuni dysheve shoqëruese një numër të arsyeshëm caktimesh, të zgjedhura plot lutje, të grumbulluara gjeografikisht atje ku është e përshtatshme, me qëllim që koha e udhëtimit të përdoret mirë”. Ai dha këshillë: “Fillojeni me ata që kanë nevojë më shumë për vizita. Vijoni me ata që kanë më shumë të ngjarë t’i mirëpresin dhe t’u përgjigjen mirë vizitave.” Ai përfundoi: “Vazhdimësia besnike sjell mrekulli”.

Dhënia më e lartë dhe më e shenjtë e shërbesës6 vjen kur lutemi për “dashuri[në] e pastër [të] Krishtit”7 dhe kur e ndjekim Shpirtin. Gjithashtu vjen teksa presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës, nën drejtimin e peshkopit, i mbikëqyrin përpjekjet për dhënien e shërbesës, përfshirë caktimin e dysheve shoqëruese për dhënien e shërbesës. Ju lutem, jepuni të rinjve dhe të rejave tona mundësinë e nevojshme për të shoqëruar dhe për t’u mësuar nga vëllezër e motra shërbestare me përvojë. Dhe, ju lutem, lejojeni brezin tonë të ri që t’i frymëzojë vëllezërit dhe motrat shërbestare që ata shoqërojnë.

Në disa vende në Kishë ne kemi një mospërputhje në dhënien e shërbesës. Më shumë njerëz thonë se po japin shërbesë nga sa thonë se atyre po u jepet shërbesë. Nuk dëshirojmë interesim vetëm ngaqë i kemi njerëzit në lista. Por shpesh na nevojitet më tepër se një përshëndetje e çiltër në korridor ose një thënie rastësore: “A mund të të ndihmoj?” në vendparkim. Në shumë vende, ne mund të shtrijmë dorën e ndihmës, t’i kuptojmë të tjerët në ç’gjendje janë dhe të ndërtojmë marrëdhënie kur i vizitojmë rregullisht anëtarët në shtëpitë e tyre. Ftesat e frymëzuara e ndryshojnë jetën. Kur ftesat na ndihmojnë të bëjmë dhe të mbajmë besëlidhje të shenjta, ne i afrohemi më shumë Zotit dhe njëri‑tjetrit.

Thuhet se ata që e kuptojnë shpirtin e vërtetë të dhënies së shërbesës, bëjnë më shumë se më parë, ndërkohë që ata që nuk e kuptojnë, bëjnë më pak. Bëfshim më shumë, siç do të bënte Shpëtimtari ynë. Siç thotë himni ynë, ky është një “bekim dashurie”8 dhe detyre.

Këshilla të lagjeve, kuorume të pleqve dhe Shoqata të Ndihmës, ju lutem, vëruani veshin Bariut të Mirë dhe ndihmojeni Atë që të “kërkoj[ë] të humburën, … ta kthej[ë] të hutuarën, … t’i lidh[ë] plagën, … ta forcoj[ë] të sëmurën”9. Ne “pa e ditur” mund të presim “engjëj”10 teksa bëjmë vend në hanin e Tij për të gjithë njerëzit11.

Dhënia e frymëzuar e shërbesës i bekon familjet dhe individët; gjithashtu i forcon lagjet dhe degët. Mendoni për lagjen ose degën tuaj si një ekosistem shpirtëror. Në frymën e alegorisë së Librit të Mormonit për pemët e ullinjve, Zoti i vreshtit dhe shërbëtorët e tij bëjnë të prodhohen fruta të çmuara dhe e forcojnë çdo pemë duke i lidhur së bashku anët e forta dhe të dobëta të të gjitha pemëve.12 Zoti i vreshtit dhe shërbëtorët e tij në mënyrë të përsëritur pyesin: “Çfarë mund të bëj më shumë?”13 Së bashku, ata bekojnë zemra dhe shtëpi, lagje dhe degë, nëpërmjet dhënies së frymëzuar e të vazhdueshme të shërbesës.14

Pamja
Rrënjë dhe degë që ndërthuren

Dhënia e shërbesës – kujdesi si barinj – e bëjnë vreshtin tonë “një trup”15, një korije të shenjtë. Secila pemë në korijen tonë është një pemë e gjallë familjare. Rrënjët dhe degët ndërthuren. Dhënia e shërbesës bekon breza të tërë. Kur nevojitet shërbim, peshkopët e urtë dhe presidencat e kuorumeve të pleqve e të Shoqatave të Ndihmës pyesin: “Kush janë vëllezërit dhe motrat shërbestare?” Këshillat e lagjeve dhe intervistat për dhënien e shërbesës jo vetëm që bëjnë pyetje rreth sfidave ose problemeve, por edhe vështrojnë me sy për të parë dhe gëzohen në mëshirat e shumta, të dhembshura të Zotit në jetën tonë teksa japim shërbesë ashtu siç do të jepte Ai.

Shpëtimtari ynë është shembulli ynë i përsosur.16 Për shkak se Ai është i mirë, Ai mund të përshkojë vendin duke bërë mirë.17 Ai bekon njërën dhe të 99-at. Ai është personifikimi i dhënies së shërbesës. Ne bëhemi më shumë si Jezu Krishti kur u bëjmë “këtyre … më të vegjël[ve]” atë që do t’ia bënim Atij18, kur e duam të afërmin tonë porsi vetveten19, kur ne e “d[uam] njëri‑tjetrin; sikurse [Ai na] ka dashur”20 dhe kur “secili prej [ne]sh që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori [ynë]”21.

Jezu Krishti jep shërbesë. Engjëjt japin shërbesë.22 Pasuesit e Jezu Krishtit i japin “shërb[esë] njëri‑tjetrit”23, “gëzoh[en] me ata që gëzohen, dhe qa[jnë] me ata që qajnë”24, “kujdes[e]n për njerëzit … dhe i ushq[ejnë] me gjëra që k[anë] të bë[jnë] me drejtësinë”25, “kujto[jnë] … të varfërit dhe nevojtarët, të sëmurët dhe të brengosurit”26, e bëjnë të njohur emrin e Tij nëpërmjet shërbesës së tyre27. Kur japim shërbesë ashtu siç do të jepte Ai, ne dëshmojmë mrekullitë e Tij, bekimet e Tij.28 Ne marrim “një shërbesë … më të shquar”29.

Mund të lodhemi fizikisht. Por në shërbim të Tij ne nuk “lodh[em]i së bëri mirë”30. Me zell ne bëjmë më të mirën, nuk vrapojmë më shpejt sesa kemi fuqi31, por mirëbesojmë, siç na mëson Apostulli Pal, se “Perëndia do një dhurues të gëzuar”32. Sepse Perëndia, i Cili “i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj”33. Me fjalë të tjera, Perëndia e pasuron çdo gjë “për të qenë dorëdhënë”34. Ata “që mbjell[in] dorëhapur edhe do të korr[in] dorëhapur”35.

Kudo ku jemi në këtë stinë Pashke, le ta shtrijmë dorën e ndihmës dhe të kujdesemi siç do të kujdesej Shpëtimtari ynë, veçanërisht për ata të cilëve kemi privilegjin, me anë të dashurisë dhe detyrës, që t’u japim shërbesë. Duke e bërë këtë gjë, iu afrofshim më shumë Jezu Krishtit dhe njëri‑tjetrit, duke u bërë më shumë si Ai dhe pasuesit e Jezu Krishtit që Ai do të donte që secili prej nesh të ishte. Në emrin e Tij të shenjtë, Jezu Krishtit, amen.