Konferenca e Përgjithshme
Një në Krisht
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


Një në Krisht

Është vetëm në dhe nëpërmjet besnikërisë sonë individuale ndaj Jezu Krishtit dhe dashurisë sonë për Të, që ne mund të shpresojmë të jemi një.

Siç ka vënë në dukje edhe Presidenti Dallin H. Ouks, sot është e Diela e Palmave, fillimi i Javës së Shenjtë, që shenjon hyrjen ngadhënjimtare të Zotit në Jerusalem, vuajtjen e Tij në Gjetseman dhe vdekjen në kryq pak ditë më vonë dhe Ringjalljen e Tij të lavdishme të Dielën e Pashkës. Zgjedhshim të mos e harrojmë kurrë atë që Krishti duroi për të na shëlbuar!1 Mos e humbshim kurrë gëzimin e madh që do të ndiejmë përsëri në ditën e Pashkës, teksa mendojmë për fitoren e Tij mbi varrin dhe dhuratën e ringjalljes së përbotshme!

Mbrëmjen përpara sprovave dhe kryqëzimit që e prisnin Atë, Jezusi u bashkua në një vakt Pashke me Apostujt e Tij. Në përfundim të kësaj Darke të Fundit, në një Lutje të shenjtë Ndërmjetësuese, Jezusi i bëri kërkesë Atit të Tij me këto fjalë: “O Atë i shenjtë, i ruaj [Apostujt e mi] në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne”2.

Pastaj, me zemërgjerësi, Shpëtimtari e zgjeroi kërkesën e Tij duke përfshirë të gjithë besimtarët:

“Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre,

që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne.”3

Bërja një, është një temë e përsëritur në ungjillin e Jezu Krishtit dhe në ndërveprimet e Perëndisë me fëmijët e Tij. Lidhur me qytetin e Sionit në kohën e Enokut, thuhet se “ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje”4. Për shenjtorët e parë në Kishën e hershme të Jezu Krishtit, Dhiata e Re shënon: “Numri i madh i atyre që besuan ishte me një zemër të vetme dhe me një shpirt të vetëm”5.

Në periudhën tonë ungjillore, Zoti këshilloi: “Unë ju them, jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”6. Ndër arsyet që dha Zoti se përse shenjtorët e hershëm në Misuri nuk ia dolën të themelonin një vend Sioni, ishte se “nuk [ishin] të bashkuar sipas bashkimit të kërkuar nga ligji i mbretërisë çelestiale”7.

Aty ku Perëndia triumfon në zemrën dhe mendjen e të gjithë njerëzve, populli përshkruhet si “të gjithë një, fëmijë të Krishtit”8.

Kur Shpëtimtari i ringjallur iu shfaq njerëzve të lashtë të Librit të Mormonit, Ai vuri në dukje me mosmiratim se në të shkuarën kishte pasur grindje midis njerëzve rreth pagëzimit dhe çështjeve të tjera. Ai urdhëroi:

“Nuk do të ketë grindje mes jush, sikurse ka pasur gjer tani, as nuk do të ketë grindje mes jush në lidhje me pikat e doktrinës sime, sikurse ka pasur gjer tani.

Pasi në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes.”9

Në botën tonë me një [frymë] ekstreme grindjeje, si mund të arrihet uniteti, veçanërisht në Kishë, ku duhet të kemi “një Zot [të] vetëm, një besim [të] vetëm, një pagëzim [të] vetëm”10? Pali na jep çelësin:

“Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.

Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.”11

Ne jemi shumë të ndryshëm dhe nganjëherë tepër të papajtueshëm për të qenë të aftë që të bashkohemi si një i vetëm, mbi ndonjë bazë ose nën ndonjë emër tjetër. Vetëm te Jezu Krishti mund të bëhemi mirëfilli një.

Procesi i bërjes një në Krishtin ndodh hap pas hapi, secili prej nesh e fillon nga vetja. Ne jemi qenie të dyzuara prej mishi dhe shpirti dhe nganjëherë jemi në luftë brenda vetes. Sikurse u shpreh Pali:

“Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm,

por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia”12.

Jezusi ishte gjithashtu një qenie prej mishi dhe shpirti. Ai u sprovua; Ai na kupton; Ai mund të na ndihmojë që të arrijmë unitet brenda vetes.13 Si rrjedhim, duke u mbështetur në dritën dhe hirin e Krishtit, ne bëjmë çmos për t’i dhënë shpirtit tonë – dhe Shpirtit të Shenjtë – sundim mbi [materien] fizike. Kur nuk ia dalim mbanë, Krishti, me anë të Shlyerjes së Tij, na ka dhënë dhuratën e pendimit dhe mundësinë për t’u përpjekur sërish.

Nëse secili prej nesh individualisht e “[vesh] Krishtin”, atëherë së bashku mund të shpresojmë të bëhemi një, siç tha Pali, “trupi i Krishtit”14. Të “[veshësh] Krishtin” sigurisht përfshin bërjen e “urdhërimi[t të] parë dhe [të] madh…”15 zotimin tonë të parë e më të madh dhe, nëse e duam Perëndinë, ne do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij16.

Uniteti me vëllezërit dhe motrat tona në trupin e Krishtit rritet teksa ia vëmë veshin urdhërimit të dytë, të lidhur në mënyrë të pandashme me të parin, urdhërimit për t’i dashur të tjerët si vetja.17 Supozoj se një unitet edhe më i përkryer do të arrihej mes nesh po të ndiqnim shprehjen më të lartë e më të shenjtë të Shpëtimtarit për këtë urdhërim të dytë, që ta duam njëri-tjetrin jo thjesht siç e duam veten, por siç Ai na deshi.18 Për ta përmbledhur, është “cilido [njeri që] kërk[on] interesin e të afërmit të tij dhe … bë[n] gjithçka me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë”19.

Presidenti Marion G. Romni, ish-këshilltar në Presidencën e Parë, duke shpjeguar se si fitohet paqja afatgjatë dhe uniteti tha:

“Nëse një person i vetëm, që i nënshtrohet Satanit, është i mbushur me veprat e mishit, ai ka luftë brenda vetes. Nëse nënshtrohen dy njerëz, secili prej tyre ka luftë brenda vetes dhe lufton me tjetrin. Nëse nënshtrohen shumë njerëz, një shoqëri [mbledh] të korrat e një stresi dhe grindjeje të madhe. Nëse nënshtrohen drejtuesit e qeverisë së një vendi, ka grindje mbarëbotërore.”

Presidenti Romni vijoi: “Sikurse veprat e mishit gjejnë zbatim universal, po ashtu gjen zbatim ungjilli i paqes. Nëse një njeri e jeton atë, ai ka paqe brenda vetes. Nëse dy njerëz e jetojnë atë, secili prej tyre ka paqe brenda vetes dhe me tjetrin. Nëse shtetasit e jetojnë atë, kombi ka paqe brenda vendit. Kur ka mjaft kombe që gëzojnë frytet e Shpirtit për t’i kontrolluar punët botërore, atëherë dhe vetëm atëherë, nuk do të bien më daullet e luftës dhe flamujt e betejës do të palosen. … (Shih Alfred Lord Tennyson, “Locksley Hall”, The Complete Poetical Works of Tennyson, red. W. J. Rolfe, Boston: Houghton-Mifflin Co., 1898, f. 93, rreshtat 27–28)”20

Kur e “[veshim] Krishtin”, bëhet e mundur që ose t’i zgjidhim ose t’i lëmë mënjanë ndryshimet, mosmarrëveshjet dhe grindjet. Një shembull disi dramatik i mposhtjes së përçarjes gjendet në historinë e Kishës sonë. Plaku Brigam Henri Roberts (i njohur përgjithësisht si B. H. Roberts), lindur në Angli në vitin 1857, shërbeu si anëtar i Këshillit të Parë të Të Shtatëdhjetëve të cilit sot i referohemi si Presidenca e Të Shtatëdhjetëve. Plaku Roberts ishte një mbrojtës i aftë dhe i palodhur i ungjillit të rivendosur dhe i Kishës në disa nga periudhat e saj më të vështira.

Pamja
B. H. Robertsi në rini

Sidoqoftë, në vitin 1895, shërbimi i Plakut Roberts në Kishë u rrezikua për shkak të grindjes. Brigam Henri ishte caktuar si delegat për kongresin që hartoi një kushtetutë për Jutën kur u bë shtet. Më pas, ai vendosi të bëhej kandidat për Kongresin e Shteteve të Bashkuara, por nuk e lajmëroi ose t’i kërkonte leje Presidencës së Parë. Presidenti Jozef F. Smith, këshilltar në Presidencën e Parë, e kritikoi Brigam Henrin për atë gabim në një mbledhje të përgjithshme të priftërisë. Plaku Roberts i humbi zgjedhjet dhe mendoi se disfata e tij erdhi kryesisht si pasojë e deklaratave të Presidentit Smith. Ai ishte kritik ndaj udhëheqësve të Kishës në disa fjalime dhe intervista politike. Ai u tërhoq nga shërbimi aktiv në Kishë. Në një mbledhje të gjatë në Tempullin e Solt-Lejkut me anëtarët e Presidencës së Parë dhe Këshillin e Të Dymbëdhjetëve, Brigam Henri i qëndroi me ngulm justifikimit të vetes. Më vonë, “Presidenti [Uillford] Udraf i dha [Plakut Roberts] tri javë kohë për ta shqyrtuar edhe një herë pozicionin e tij. Nëse nuk do të pendohej, ata do ta lironin atë nga Të Shtatëdhjetët.”21

Në një mbledhje private të radhës me Apostujt Hibër J. Grant dhe Frensis Lajman, Brigam Henri fillimisht u tregua kokëfortë, por si përfundim triumfoi dashuria dhe Shpirti i Shenjtë. Sytë iu mbushën me lot. Dy Apostujt qenë në gjendje t’u përgjigjeshin atyre shpërfilljeve dhe fyerjeve të perceptuara që e shqetësonin Brigam Henrin dhe ata u larguan me një lutje të çiltër për pajtim. Mëngjesin tjetër, pas një lutjeje të gjatë, Plaku Roberts u dërgoi një shënim Pleqve Grant dhe Lajman se ai ishte i përgatitur për t’u ribashkuar me vëllezërit e tij.22

Kur u takua më vonë me Presidencën e Parë, Plaku Roberts tha: “Iu drejtova Zotit dhe mora dritë e udhëzim nëpërmjet Shpirtit të Tij që t’i nënshtrohesha autoritetit të Perëndisë”23. I shtyrë nga dashuria e tij për Perëndinë, B. H. Robertsi, mbeti një udhëheqës besnik dhe i aftë i Kishës deri në fund të jetës së tij.24

Pamja
Plaku B. H. Roberts

Ne mund të shohim gjithashtu në këtë shembull se unitet nuk do të thotë thjesht të biesh dakord se gjithsecili duhet të bëjë atë që do ose të ndjekë rrugën e vet. Ne nuk mund të jemi një nëse ne të gjithë nuk ia kushtojmë përpjekjet tona më të mira kauzës së përbashkët. Kjo do të thotë, me fjalët e B. H. Robertsit, t’i nënshtrohesh autoritetit të Perëndisë. Ne jemi anëtarë të ndryshëm të trupit të Krishtit, duke kryer funksione të ndryshme në kohë të ndryshme: veshi, syri, koka, dora, këmba e megjithatë, të gjitha pjesë të një trupi.25 Si rrjedhim, synimi ynë është “të mos k[etë] përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën”26.

Për unitetin nuk kërkohet njëjtësi, por njëmend kërkohet harmoni. Ne mund t’i kemi zemrat tona të bashkuara në dashuri, të jemi një në besim dhe doktrinë dhe prapëseprapë të brohorasim për ekipe të ndryshme, të mos biem dakord për çështje të ndryshme politike, të debatojmë për synimet dhe mënyrën e duhur për t’i arritur ato dhe shumë gjëra të tjera të këtij lloji. Mirëpo kurrë nuk mund të kemi mosmarrëveshje ose grindje apo përbuzje për njëri-tjetrin. Shpëtimtari tha:

“Pasi në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin.

Vini re, kjo nuk është doktrina ime, që të nxis zemrat e njerëzve në zemërim, njëri kundër tjetrit; por, doktrina ime është kjo, që gjëra të tilla duhet të zhduken.”27

Një vit më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson, na u lut me këto fjalë: “Asnjëri prej nesh nuk mund t’i kontrollojë kombet, ose veprimet e të tjerëve, as pjesëtarët e vetë familjeve tona madje. Por ne mund të kontrollojmë veten. Thirrja ime sot, të dashur vëllezër e motra, është t’u jepni fund konflikteve që po ziejnë në zemrën tuaj, në shtëpinë tuaj dhe në jetën tuaj. Groposeni çfarëdo prirjeje dhe të gjitha prirjet për t’i lënduar të tjerët, qoftë nëse ajo prirje është një temperament, një gjuhë e mprehtë ose inat ndaj dikujt që ju ka lënduar. Shpëtimtari na urdhëroi të kthejmë faqen tjetër [shih tek 3 Nefi 12:39], t’i duam armiqtë tanë dhe të lutemi për ata që na keqtrajtojnë [shih tek 3 Nefi 12:44].”28

E them përsëri se është vetëm në dhe nëpërmjet besnikërisë sonë individuale ndaj Jezu Krishtit dhe dashurisë sonë për Të, që ne mund të shpresojmë të jemi një; një së brendshmi, një në shtëpi, një në Kishë, si përfundim një në Sion dhe mbi të gjitha, një me Atin, me Birin dhe Frymën e Shenjtë.

U kthehem ngjarjeve të Javës së Shenjtë dhe triumfit suprem të Shëlbuesit tonë. Ringjallja e Jezu Krishtit jep dëshmi për natyrën e Tij hyjnore dhe se Ai i ka mundur të gjitha gjërat. Ringjallja e Tij jep dëshmi se, të lidhur tek Ai me anë të besëlidhjeve, edhe ne mund t’i mundim të gjitha gjërat dhe të bëhemi një. Ringjallja e Tij jep dëshmi se nëpërmjet Tij, pavdekësia dhe jeta e përjetshme janë realitet.

Këtë mëngjes, jap dëshmi për Ringjalljen e Tij të mirëfilltë dhe gjithçka që ajo nënkupton, në emrin e Jezu Krishtit, amen.