Konferenca e Përgjithshme
Koha Kur ta Merrni Bekimin Tuaj Patriarkal
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


Koha Kur ta Merrni Bekimin Tuaj Patriarkal

Kur të merrni bekimin tuaj, do të kuptoni dhe ndieni se sa ju duan Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe se si Ata përqendrohen tek ju individualisht.

Dje miku im i dashur, Plaku Randall K. Benet, foli për bekimet patriarkale. Ishte një mesazh i mrekullueshëm dhe na frymëzoi të gjithëve. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, a mund t’ju flas edhe unë për bekimet patriarkale? Patriarkë, ndërsa kërkesat për bekime patriarkale mund të shtohen, lutem që Zoti t’ju bekojë teksa vazhdoni ta lartësoni thirrjen tuaj.

Teksa shkoj në konferenca kunjesh, takohem gjithmonë me patriarkun e kunjit dhe bashkëshorten e tij. Patriarkët janë udhëheqës të butë, të bindur dhe të jashtëzakonshëm, të thirrur nga Perëndia. Ata më tregojnë shumë përvoja të mrekullueshme shpirtërore. Unë i pyes se cila është mosha më e re dhe më e vjetër e personit që i kanë dhënë një bekim. Deri më tani, personi më i ri ishte 11 vjeç dhe më i vjetri 93 vjeç.

E mora bekimin tim patriarkal kur isha anëtar i ri i Kishës, në moshën 19‑vjeçare, dy vjet pasi u pagëzova. Patriarku im ishte tejet i moshuar. Ai u bashkua me Kishën në vitin 1916 dhe ishte një pionier i Kishës në Japoni. Ishte nder i madh për mua ta merrja bekimin tim patriarkal nga ai dishepull i jashtëzakonshëm i Zotit. E kisha pak të vështirë ta kuptoja japonishten e tij, por ishte e fuqishme.

Patriarkët që kam takuar më thonë se shumë individë e marrin bekimin e tyre patriarkal pikërisht përpara se të shërbejnë në një mision. Të dashur të rinj, të reja, prindër dhe peshkopë, bekimet patriarkale nuk janë vetëm për përgatitje për të shërbyer në një mision. Anëtarët e denjë të pagëzuar mund ta marrin bekimin e tyre patriarkal kur të jetë koha e duhur për ta.1

Të dashur anëtarë në moshë madhore, disa prej jush nuk e keni marrë ende bekimin tuaj patriarkal. Mbajeni mend, se nuk ka moshë maksimale.

Vjehrra ime ishte një anëtare shumë aktive e Kishës, që shërbente si mësuese e Shoqatës së Ndihmës derisa ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare. U trishtova kur mësova se nuk e kishte marrë bekimin patriarkal. Ajo përjetoi shumë vështirësi në jetën e saj dhe për shkak se nuk kishte një mbajtës të priftërisë në shtëpi, nuk mori shumë bekime nga priftëria. Një bekim patriarkal mund t’i kishte dhënë asaj ngushëllim kur i nevojitej më së shumti.

Ju që jeni në moshë madhore, nëse nuk e keni marrë ende një bekim patriarkal, ju lutem mos u shqetësoni. Koha shpirtërore e gjithsecilit është e ndryshme. Nëse jeni 35 apo 85 vjeç dhe keni dëshirë, flisni me peshkopin për marrjen e bekimit tuaj.

Anëtarë të rinj të Kishës, a keni dëgjuar për bekimet patriarkale? Unë nuk isha në dijeni për mundësinë e marrjes së një bekimi kur u bashkova me Kishën, por peshkopi im i dashur më tregoi për bekimet patriarkale dhe më nxiti të përgatitesha për ta marrë bekimin tim pasi të pagëzohesha. Të dashur anëtarët e mi të rinj, edhe ju mund të merrni një bekim patriarkal. Zoti do t’ju ndihmojë të përgatiteni për këtë mundësi të shenjtë.

Le të shqyrtojmë dy qëllime për [marrjen] e një bekimi patriarkal:

  1. Bekimi patriarkal përmban këshilla vetjake nga Zoti për ju.2

  2. Bekimi patriarkal deklaron prejardhjen tuaj në shtëpinë e Izraelit.

Bekimi juaj patriarkal është një mesazh nga Ati juaj Qiellor dhe me gjasë do të përfshijë premtime dhe këshilla të frymëzuara për t’ju udhërrëfyer gjatë gjithë jetës suaj. Një bekim patriarkal nuk do të tregojë çdo hollësi të jetës suaj ose t’iu përgjigjet të gjitha pyetjeve tuaja. Nëse aty nuk përmendet një ngjarje e rëndësishme e jetës, mos e merrni sikur nënkupton që nuk do ta keni atë mundësi. Po ashtu, nuk ka garanci që gjithçka brenda bekimit tuaj do t’ju ndodhë në këtë jetë. Bekimi patriarkal është i përjetshëm dhe nëse jetoni i/e denjë, premtimet që nuk janë përmbushur në këtë jetë, do t’ju jepen në jetën tjetër.3

Ndërsa merrni një deklaratë për prejardhjen tuaj, ju do të arrini të kuptoni se jeni nga shtëpia e Izraelit dhe nga fara e Abrahamit.4 Për ta kuptuar domethënien e kësaj, përqendrohuni te premtimet që Zoti i bëri shtëpisë së Izraelit nëpërmjet Abrahamit.

Ato premtime përfshijnë:

  • Pasardhësit e tij do të ishin të shumtë (shih te Zanafilla 17:5–6; Abraham 2:9; 3:14).

  • Fara e tij, ose pasardhësit, do të merrnin ungjillin dhe do të mbanin priftërinë (shih tek Abraham 2:9).

  • Nëpërmjet shërbesës së farës së tij, “të gjitha familjet e tokës do të bekohe[shin], madje me bekimet e Ungjillit, të cilat janë bekimet e shpëtimit, madje të jetës së përjetshme” (Abraham 2:11).5

Si anëtarë të Kishës, ne jemi fëmijë të besëlidhjes.6 Ne marrim bekimet e besëlidhjes abrahamike ndërsa u bindemi ligjeve dhe ordinancave të ungjillit.

Përgatitja për bekimin tuaj patriarkal do t’ju ndihmojë që ta rritni besimin tuaj tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Kur ta merrni bekimin tuaj patriarkal, ta lexoni dhe përsiatni atë, mund të përqendroheni tek Ata më shpesh.

Presidenti Tomas S. Monson shpjegoi: “I njëjti Zot, i cili i siguroi një Liahonë Lehit, siguron për ju dhe mua sot një dhuratë të rrallë dhe të çmuar për t’i dhënë drejtim jetës sonë, për të shenjuar rreziqet kundrejt sigurisë tonë dhe për të skicuar udhën, madje një kalim të sigurt, jo drejt një toke të premtuar, por drejt shtëpisë sonë qiellore”7.

Të dashur peshkopë, prindër, presidentë të kuorumit të pleqve dhe presidente të Shoqatës së Ndihmës, udhëheqës të misionit të lagjeve, vëllezër dhe motra shërbestare, ju lutemi inkurajojini ata të rinj e të reja, anëtarë në moshë madhore dhe anëtarë të rinj që nuk e kanë marrë ende bekimin e tyre patriarkal, që të kërkojnë udhëzimin dhe ndihmën e Zotit për t’u përgatitur që ta bëjnë këtë.

Unë e lexoj shpesh dhe plot lutje bekimin tim patriarkal; ai më jep gjithmonë zemër. Unë e dalloj atë që Zoti pret prej meje dhe kjo më ka ndihmuar që të pendohem dhe të jem i përulur. Kur e lexoj dhe e përsiat atë, unë dëshiroj të jetoj i denjë për të marrë bekimet që premtohen aty.

Ashtu si shkrimet e shenjta që i kemi lexuar shumë herë kanë kuptim të ri për ne më vonë, bekimi ynë patriarkal do të ketë një kuptim ndryshe për ne në kohë të ndryshme. Bekimi im tani ka një kuptim ndryshe nga ç’kishte kur isha 30 vjeç dhe 50 vjeç. Nuk është se ndryshojnë fjalët, por ne i shohim ato në një mënyrë ndryshe.

Presidenti Dallin H. Ouks deklaroi se një bekim patriarkal “jepet nën frymëzimin nga Shpirti i Shenjtë dhe duhet të lexohet dhe interpretohet nën ndikimin e po atij Shpirti. Kuptimi dhe domethënia e një bekimi patriarkal do të na mësohet rresht pas rreshti me kalimin e kohës, me anë të fuqisë së po atij Shpirti që e frymëzoi [atë].”8

Vëllezër dhe motra, jap dëshminë time se Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur dhe i Vetëmlinduri, Zoti Jezu Krisht, jetojnë. Ata na duan. Bekimet patriarkale janë dhurata të shenjta nga Ata. Kur të merrni bekimin tuaj, do të kuptoni dhe ndieni se sa Ata ju duan dhe se si Ata përqendrohen tek ju individualisht.

Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Jam mirënjohës që udhëhiqem nga një profet i gjallë, Presidenti Rasëll M. Nelson.

Jam shumë mirënjohës për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Këtë të diel Pashke do të përqendrohem tek Ai dhe Ringjallja e Tij, dhe do ta adhuroj Atë e do t’i jap falënderime për flijimin e Tij. Unë e di se Ai vuajti aq thellësisht për shkak se Ai na do kaq thellësisht. E di se Ai u ringjall për shkak të dashurisë së Tij për ne. Ai është i vërtetë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 18.17, ChurchofJesusChrist.org.

  2. Shih “Bekime Patriarkale”, tek Të Vërtetë ndaj Besimit (2005), f. 16–18.

  3. Shih “Bekime Patriarkale”, tek Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 17

  4. Shih tek Abraham 2:10.

  5. Besëlidhje e Abrahamit”, tek Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 19.

  6. Shih te 3 Nefi 20:25–26.

  7. Thomas S. Monson, “Your Patriarchal Blessing: A Liahona of Light”, Ensign, nëntor 1986, f. 65, [Të Vërtetë ndaj Besimit, 2005, f. 17].

  8. Dallin H. Oaks, “Patriarchal Blessings”, Worldwide Leadership Training Meeting: The Patriarch, 8 janar 2005, f. 10.