Konferenca e Përgjithshme
Pas Ditës së Katërt
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


Pas Ditës së Katërt

Kur shkojmë përpara me besim te Jezu Krishti, dita e katërt përherë do të vijë. Ai do të na vijë përherë në ndihmë.

Siç na është kujtuar këtë mëngjes, sot është e Diela e Palmave, që shënon hyrjen ngadhënjimtare të Shpëtimtarit në Jerusalem dhe fillimin e asaj jave të shenjtë që parapriu Shlyerjen e Tij të madhe, e cila do të përfshinte vuajtjet, Kryqëzimin dhe Ringjalljen e Tij.

Jo shumë kohë përpara hyrjes së Tij të profetizuar në qytet, Jezu Krishti ishte tërësisht i përfshirë në shërbesën e Tij kur i erdhi fjala nga mikeshat e Tij të dashura, Maria dhe Marta, se vëllai i tyre, Llazari, ishte i sëmurë.1

Ndonëse sëmundja e Llazarit ishte e rëndë, Zoti “qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte. Pastaj u tha dishepujve: ‘Të kthehemi përsëri në Jude’.”2 Para se të fillonte udhëtimin për në shtëpinë e mikeshave të Tij në Betani, “Jezusi u tha [dishepujve të Tij] haptas: ‘Llazari ka vdekur’”3.

Kur Jezusi arriti në Betani dhe takoi në fillim Martën dhe më pas Marien, ndoshta prej zhgënjimit për mbërritjen e Tij me vonesë, secila e përshëndeti Atë duke thënë: “Zot, po të ishe [ti] këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur”4. Marta më tej thirri: “Ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh”5.

Këto katër ditë ishin domethënëse për Marien dhe Martën. Sipas disa shkollave rabinike të të menduarit, besohej se shpirti i një personi që vdiste, do të qëndronte tri ditë me trupin, duke ofruar shpresë se jeta ishte ende e mundur. Megjithatë, në ditën e katërt ajo shpresë shuhej, ndoshta ngaqë trupi do të fillonte të prishej dhe “qelbe[j]”6.

Maria dhe Marta ishin në një gjendje dëshpërimi. “Atëherë Jezusi, kur pa se [Maria] … po qan[te], … psherëtiu në frymë dhe u trondit,

dhe tha: ‘Ku e keni vënë?’ Ata i thanë: ‘Zot, eja e shih’.”7

Pikërisht në këtë çast ne shohim një nga mrekullitë e mëdha gjatë shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri. Fillimisht Zoti tha: “Hiqni gurin”8. Më pas, pasi falënderoi Atin e Tij, “thirri me zë të lartë: ‘Llazar, eja jashtë!’

Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: ‘Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!’”9

Ashtu si Maria dhe Marta, ne kemi mundësinë të përjetojmë gjithçka që lidhet me vdekshmërinë, madje vuajtje/hidhërim10 dhe dobësi11. Secili prej nesh do të përjetojë pikëllimin që shoqëron humbjen e dikujt që e duam. Udhëtimi ynë në vdekshmëri mund të përfshijë sëmundje vetjake ose sëmundjen ligështuese të një njeriu të dashur; depresion, ankth ose sfida të tjera të shëndetit mendor; vështirësi financiare; tradhti; mëkat. Dhe nganjëherë këto shoqërohen nga ndjenja të mungesës së shpresës. As unë nuk jam ndryshe. Ashtu si ju, unë kam përjetuar një mori sfidash që priten në këtë jetë. Më tërheq ky rrëfim për Shpëtimtarin dhe ajo që më mëson rreth marrëdhënies sonë me Të.

Gjatë shqetësimeve tona më të mëdha, ne, ashtu si Maria dhe Marta, kërkojmë Shpëtimtarin ose i kërkojmë Atit ndërhyrjen e Tij hyjnore. Historia e Llazarit na mëson parime që mund të zbatohen në vetë jetën tonë, kur përballemi me sfidat tona individuale.

Kur Shpëtimtari mbërriti në Betani, të gjithë i kishin humbur shpresat se Llazari mund të shpëtohej – kishin kaluar katër ditë dhe ai kishte ikur nga kjo jetë. Ndonjëherë, gjatë vetë sfidave tona, mund të ndihemi sikur Krishti është shumë me vonesë dhe mund të ndiejmë se madje shpresa e besimi ynë po sfidohen. Dëshmimi im dhe dëshmia ime janë se kur shkojmë përpara me besim te Jezu Krishti, dita e katërt përherë do të vijë. Ai do të na vijë përherë në ndihmë ose do të na i risjellë në jetë shpresat. Ai ka premtuar:

“Zemra juaj mos u trondittë”12.

“Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju.”13

Ndonjëherë mund të duket sikur Ai nuk vjen tek ne deri në ditën e katërt, në kuptimin figurativ, pasi çdo shpresë duket e shuar. Por përse kaq vonë? Presidenti Tomas S. Monson dha mësim: “Ati ynë Qiellor, që na jep kaq shumë gjëra në të cilat të gjejmë gëzim, gjithashtu e di se ne mësojmë, rritemi dhe bëhemi më të fortë teksa përballemi dhe u mbijetojmë sprovave që duhet të kalojmë”14.

Edhe Profeti Jozef Smith u përball me një përvojë të jashtëzakonshme të ditës së katërt. A ju kujtohet përgjërimi i tij? “O Perëndi, ku je ti? Dhe ku është tenda që mbulon vendin tënd të fshehjes?”15 Ndërsa mirëbesojmë tek Ai, mund të presim një përgjigje të ngjashme: “Biri im [ose bija ime], paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër”16.

Një mesazh tjetër që mund ta mësojmë nga historia e Llazarit, është se cili mund të jetë roli ynë në ndërhyrjen hyjnore që kërkojmë. Kur Jezusi iu afrua varrit, Ai së pari iu tha atyre që ishin pranë: “Hiqni gurin”17. Me fuqinë që kishte Shpëtimtari, a nuk mund ta kishte lëvizur Ai mrekullisht gurin, pa përpjekje? Kjo do të kishte qenë mbresëlënëse për t’u parë dhe një përvojë e paharrueshme, megjithatë Ai u tha të tjerëve: “Hiqni gurin”.

Së dyti, Zoti “thirri me zë të lartë: ‘Llazar, eja jashtë!’”18 A nuk do të kishte qenë më mbresëlënëse sikur Zoti Vetë mrekullisht ta kishte vendosur Llazarin te hyrja, që ai të ishte menjëherë i dukshëm prej turmës kur të hiqej guri?

Së treti, kur Llazari doli njëmend jashtë, ai ishte “me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: ‘Zgjidheni dhe lëreni të shkojë’.”19 Jam i sigurt se Zoti e kishte aftësinë ta vendoste Llazarin në këmbë te hyrja, tashmë të pastër dhe të këndshëm, me rripat e tij të pëlhurës së varrimit të palosura mirë.

Cili është qëllimi i theksimit të këtyre aspekteve? Secila nga këto tri gjëra kishte diçka të përbashkët – asnjëra nuk kërkonte përdorimin e fuqisë hyjnore të Krishtit. Atë që mund ta bënin dishepujt e Tij, Ai i udhëzoi ata që ta bënin. Dishepujt sigurisht që ishin në gjendje ta lëviznin vetë gurin; Llazari, pasi u ngrit së vdekuri, e kishte aftësinë të qëndronte në këmbë dhe të shfaqej vetë te hyrja e shpellës; dhe ata që e donin Llazarin, patjetër që mund ta ndihmonin për t’i hequr rripat e pëlhurës së varrimit.

Megjithatë, ishte vetëm Krishti që kishte fuqinë dhe autoritetin për ta ngritur Llazarin nga vdekja. Përshtypja ime është se Shpëtimtari pret nga ne që të bëjmë gjithçka mundemi, dhe Ai do të bëjë atë që vetëm Ai mund ta bëjë.20

Ne e dimë se “besimi [te Zoti Jezu Krisht] është një parim veprimi”21 dhe “mrekullitë nuk prodhojnë besim, por besimi i fortë zhvillohet nëpërmjet bindjes ndaj ungjillit të Jezu Krishtit. Me fjalë të tjera, besimi vjen nëpërmjet drejtësisë.”22 Ndërsa përpiqemi të veprojmë me drejtësi duke bërë e duke mbajtur besëlidhje të shenjta dhe duke e zbatuar doktrinën e Krishtit në jetën tonë, besimi ynë jo vetëm që do të jetë i mjaftueshëm për të na çuar deri në ditën e katërt, por me ndihmën e Zotit ne gjithashtu do të jemi vërtet në gjendje të lëvizim gurët që gjenden në shtegun tonë, duke u ngritur nga dëshpërimi dhe duke e zgjidhur veten tonë nga gjithçka që na lidh. Ndonëse Zoti pret nga ne që të bëjmë “të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë”23, mbani mend se Ai do të ofrojë ndihmën e nevojshme për të gjitha këto gjëra ndërsa mirëbesojmë tek Ai.

Si mund t’i lëvizim gurët dhe të ndërtojmë mbi shkëmbin e Tij?24 Ne mund t’i përmbahemi këshillës së profetëve.

Për shembull, tetorin e kaluar, Presidenti Rasëll M. Nelson na u lut që të marrim mbi vete përgjegjësinë për dëshmitë tona për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij, të punojmë për to e t’i kultivojmë ato, t’i ushqejmë me të vërtetën dhe ta shmangim ndotjen e tyre me filozofitë e rreme të jobesimtarëve. Ai i premtoi secilit prej nesh: “Teksa e bëni forcimin e vazhdueshëm të dëshmisë suaj për Jezu Krishtin përparësinë tuaj më të lartë, vëzhgoni për mrekullitë që ndodhin në jetën tuaj”25.

Ne mund ta bëjmë këtë!

Si mund të ngrihemi dhe të dalim jashtë në mënyrë figurative? Ne mund të pendohemi me gëzim dhe të zgjedhim që t’u bindemi urdhërimeve. Zoti tha: “Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij”26. Ne mund të përpiqemi të pendohemi çdo ditë dhe të shkojmë përpara me gëzim, me një zemër të gatshme plot dashuri për Zotin.

Ne mund ta bëjmë këtë!

Si mundemi, me ndihmën e Zotit, të zgjidhemi nga gjithçka që na lidh? Ne mund të lidhemi qëllimisht para së gjithash me Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, nëpërmjet besëlidhjeve. Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Cili është burimi i … fuqi[së sonë] morale dhe shpirtërore dhe si arrijmë ta kemi atë? Burimi është Perëndia. E drejta jonë për atë fuqi është nëpërmjet besëlidhjeve me Të. … Në këto marrëveshje të shenjta[,] Perëndia e lidh Veten të na mbështe[t]ë, shenjtërojë dhe ekzaltojë në përgjigje të zotimit tonë për t’i shërbyer Atij dhe për [t’i zbatuar] urdhërimet e Tij.”27 Ne mund të bëjmë besëlidhje të shenjta dhe t’i mbajmë ato.

Ne mund ta bëjmë këtë!

“Hiqni gurin!” “Eja jashtë!” “Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!”

Këshillat, urdhërimet dhe besëlidhjet. Ne mund ta bëjmë këtë!

Plaku Xhefri R. Holland premtoi: “Disa bekime vijnë shpejt, disa vijnë vonë dhe disa nuk vijnë derisa të jemi në qiell; por për ata që e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ato vijnë28.

Dhe së fundi: “Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah”29.

Ky është dëshmimi im dhe kjo është dëshmia ime, në emrin e shenjtë të Atij që përherë do të vijë, madje Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih te Gjoni 11:3.

  2. Gjoni 11:6–7.

  3. Gjoni 11:14.

  4. Gjoni 11:21, 32.

  5. Gjoni 11:39.

  6. “Sipas besimit judeas, shpirti qëndronte në afërsi të trupit për tri ditë pas vdekjes. Si pasojë, sipas bindjeve të judenjve, ringjallja e një njeriu që kishte vdekur, ishte e pamundur në ditën e katërt, pasi shpirti nuk do të hynte përsëri në trupin që i ishte ndryshuar vendndodhja. Ishte edhe më mbresëlënëse për dëshmitarët e mrekullisë që Jezusi e ngriti së vdekuri Llazarin në ditën e katërt. Pra, dita e katërt ka një kuptim të veçantë këtu dhe është marrë qëllimisht nga tregimtari për t’u përdorur në lidhje me mrekullinë më të madhe nga të gjitha mrekullitë e mundshme të ringjalljes” (Ernst Haenchen, John 2: A Commentary on the Gospel of John, Chapters 7–21, red. Robert W. Funk dhe Ulrich Busse, përkth. Robert W. Funk [1984], f. 60–61).

  7. Gjoni 11:33–34.

  8. Gjoni 11:39.

  9. Gjoni 11:43–44.

  10. Shih te Moisiu 4:22–25.

  11. Shih tek Ethëri 12:27.

  12. Gjoni 14:1.

  13. Gjoni 14:18.

  14. Tomas S. Monson, “Nuk do të të Lë, As Nuk do të të Braktis”, Liahona, nëntor 2013, f. 87. Presidenti Monson më tej shpjegoi: “Ne e dimë se ka [raste] kur do të përjetojmë pikëllim zemërthyes, kur do të hidhërohemi dhe kur mund të vihemi në provë deri në skajet tona. Megjithatë, vështirësi të tilla na lejojnë të ndryshojmë për më mirë, ta rindërtojmë jetën tonë në mënyrën që na mëson Ati ynë Qiellor dhe të bëhemi diçka ndryshe nga ajo që ishim – më të mirë seç ishim, më [mirëkuptues] seç ishim, më të dhimbsur seç ishim, me dëshmi më të forta seç kishim më parë” (“Nuk do të të Lë, As Nuk do të të Braktis”, f. 87). Shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 84:119: “Sepse unë, Zoti, kam shtrirë dorën time për të ushtruar fuqitë e qiellit; ju s’mund ta shihni atë tani, por, ja, dhe pak e do ta shihni dhe do të dini se unë jam dhe se unë do të vij”.

    Shih edhe te Mosia 23:21–24:

    “Megjithatë, Zoti e shikon të arsyeshme ta qortojë popullin e tij; po, ai provon durimin e tyre dhe besimin e tyre.

    Megjithatë – kushdo që vendos besimin e tij në të, po ai do të ngrihet në ditën e fundit. Po, dhe kështu ishte me këtë popull.

    Pasi vini re, unë do t’ju tregoj se ata përfunduan në robëri dhe askush nuk mund t’i shpëtonte përveç Zotit, Perëndisë së tyre, po, madje Perëndisë së Abrahamit dhe të Isakut dhe të Jakobit.

    Dhe ndodhi që ai i shpëtoi dhe u tregoi pushtetin e tij të fuqishëm; dhe i madh qe gëzimi i tyre.”

  15. Doktrina e Besëlidhje 121:1.

  16. Doktrina e Besëlidhje 121:7.

  17. Gjoni 11:39.

  18. Gjoni 11:43.

  19. Gjoni 11:44.

  20. Presidenti Rasëll M. Nelson vërejti: “Shpesh, unë dhe këshilltarët e mi kemi parë përmes syve të përlotur ndërsa Ai ka ndërhyrë në rrethana jashtëzakonisht sfiduese pasi ne kemi bërë më të mirën tonë dhe nuk mund të bënim më shumë. Ne vërtet qëndrojmë plot habi” (“Mesazhi i Mirëseardhjes”, Liahona, maj 2021, f. 6).

  21. Bible Dictionary, “Faith”.

  22. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besim”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

  23. Doktrina e Besëlidhje 123:17.

  24. Shih tek 3 Nefi 11:32–39.

  25. Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 97–98.

  26. Gjoni 14:21.

  27. D. Tod Kristoferson, “Forca e Besëlidhjeve”, Liahona, maj 2009, f. 20.

  28. Jeffrey R. Holland, “An High Priest of Good Things to Come”, Liahona, janar 2000, f. 45.

  29. Doktrina e Besëlidhje 68:6.