Konferenca e Përgjithshme
Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti

Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit.

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, jemi ushqyer shpirtërisht gjatë këtyre dy ditëve të fundit. Muzika e korit ka qenë e mahnitshme. Ata që kanë folur, kanë qenë mjete për Zotin. Unë lutem që ju ta kërkoni Frymën e Shenjtë për t’ju udhërrëfyer në studimin tuaj teksa i meditoni të vërtetat e dhëna mësim nga kjo foltore. Ato vërtet janë dërguar nga qielli.

Si sot java, është e diela e Pashkës. Është riti i rëndësishëm fetar për pasuesit e Jezu Krishtit. Arsyeja kryesore pse e kremtojmë Krishtlindjen, është për shkak të Pashkës. Mësimi i programit Eja, Më Ndiq për këtë javë, do t’ju nxitë t’i studioni hyrjen ngadhënjimtare të Shpëtimtarit në Jerusalem, pastrimin e tempullit prej Tij, vuajtjen e Tij në Kopshtin e Gjetsemanit, Kryqëzimin e Tij, Ringjalljen e Tij të lavdishme dhe shfaqjet e Tij vijuese te pasuesit e Tij.1

Shijojini këto vargje të shenjta dhe gjeni çdo mënyrë që të mundeni, për ta falënderuar Atin tonë Qiellor që na dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur.2 Për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të pendohemi dhe të na falen mëkatet. Për shkak të Tij, secili prej nesh do të ringjallet.

Ju ftoj gjithashtu që ta studioni sërish rrëfimin e shfaqjes së Shpëtimtarit te nefitët në kontinentin amerikan, siç shënohet tek 3 Nefi. Jo shumë kohë para asaj shfaqjeje, zëri i Tij u dëgjua mes njerëzve, duke përfshirë këto fjalë përgjërimi:

“A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?

… Vini re, krahu im i mëshirës është shtrirë drejt jush dhe kushdo që do të vijë, unë do ta pranoj.”3

Të dashur vëllezër e motra, Jezu Krishti jua shtrin po atë ftesë juve sot. Unë ju përgjërohem që të vini tek Ai që Ai të mund t’ju shërojë ju! Ai do t’ju shërojë nga mëkati kur pendoheni. Ai do t’ju shërojë nga trishtimi dhe frika. Ai do t’ju shërojë nga plagët e kësaj bote.

Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit. Mësoni më shumë për Shlyerjen e Tij, dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, doktrinën e Tij dhe ungjillin e Tij të rivendosur të shërimit dhe përparimit. Drejtohuni tek Ai! Ndiqeni Atë!

Jezu Krishti është arsyeja pse ndërtojmë tempuj. Secili është shtëpia e Tij e shenjtë. Bërja e besëlidhjeve dhe marrja e ordinancave thelbësore në tempull, si edhe synimi për t’iu afruar më shumë Atij atje, do ta bekojnë jetën tuaj në mënyra që asnjë lloj tjetër adhurimi nuk mundet ta bëjë. Për këtë arsye, ne po bëjmë gjithçka kemi fuqi, që t’i bëjmë bekimet e tempullit më të arritshme për anëtarët tanë përreth botës. Sot, jam mirënjohës të njoftoj planet tona për të ndërtuar një tempull të ri në secilën prej vendndodhjeve vijuese:

  • Retaluleu, Guatemalë

  • Ikitos, Peru

  • Teresina, Brazil

  • Natal, Brazil

  • Tugegarao-Siti, Filipine

  • Iloilo, Filipine

  • Xhakartë, Indonezi

  • Hamburg, Gjermani

  • Lethbrixh, Alberta, Kanada

  • San-Hoze, Kaliforni

  • Bejkërsfilld, Kaliforni

  • Springfilld, Misuri

  • Sharlot, Karolina e Veriut

  • Uinçester, Virxhinia

  • Herrisburg, Pensilvani

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, unë jap dëshmi se Jezu Krishti i drejton punët e Kishës së Tij. Unë dëshmoj se ndjekja e Tij është udha e vetme për lumturi afatgjatë. Unë e di se fuqia e Tij po zbret mbi njerëzit e Tij që i mbajnë besëlidhjet, të cilët janë të “armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”4. Unë dëshmoj kështu, me dashurinë dhe bekimin tim për secilin prej jush, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.