Konferenca e Përgjithshme
Përqendrohuni te Jezu Krishti
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


Përqendrohuni te Jezu Krishti

Zoti Jezu Krisht është zgjidhja e problemeve tona, por ne duhet t’i ngremë sytë dhe ta ngulitim vështrimin për ta parë Atë.

Im atë e kishte zakon të më thoshte: “Mos u përqendro aq fort te problemet e tua saqë nuk mund ta shohësh zgjidhjen”.

Unë dëshmoj se Zoti Jezu Krisht është zgjidhja madje dhe për problemet tona më të vështira. Konkretisht, Ai ka mundur katër probleme me të cilat përballet çdonjëri prej nesh dhe që asnjëri prej nesh nuk mund t’i zgjidhë dot i vetëm:

  1. Problemi i parë është vdekja fizike. Ne mund të përpiqemi që ta vonojmë ose ta shpërfillim atë, por ne nuk mund ta mundim atë të vetëm. Megjithatë, Jezu Krishti e mundi vdekjen për ne dhe, për rrjedhojë, të gjithë ne do të ringjallemi një ditë.1

  2. Problemi i dytë përfshin mundimet, përvojat e vështira, trishtimin, dhembjen dhe padrejtësitë e kësaj bote. Jezu Krishti i mundi të gjitha këto. Për ata që përpiqen fort ta ndjekin Atë, Ai një ditë “do të thajë çdo lot nga sytë e tyre” dhe do t’i rregullojë përsëri gjërat2. Ndërkohë, Ai mund të na forcojë që ne t’i kalojmë sprovat tona me vetëbesim, kurajë dhe paqe.3

  3. Problemi i tretë është vdekja shpirtërore që vjen nga mëkati. Jezu Krishti e mundi këtë problem duke marrë mbi Vete “ndëshkimi[n] për të cilin kemi paqen”4. Për shkak të flijimit të Tij shlyes, ne mund të çlirohemi nga pasojat e mëkateve tona nëse kemi besim te Shpëtimtari, pendohemi sinqerisht, i pranojmë besëlidhjet që na ofron Ati nëpërmjet ordinancave thelbësore të tilla si pagëzimi, dhe durojmë deri në fund.5

  4. Problemi i katërt është natyra jonë e kufizuar dhe e papërsosur. Jezu Krishti e ka zgjidhjen edhe për këtë problem. Ai nuk na i fshin thjesht gabimet dhe na bën sërish të pafajshëm. Ai mund të kryejë “një ndryshim të madh … në zemrat tona, që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”6. Ne mund të përsosemi me anë të hirit të Krishtit dhe një ditë të bëhemi si Ai.7

Fatkeqësisht, tepër shpesh ne fiksohemi kaq shumë te vetë problemet tona saqë e humbasim përqendrimin te zgjidhja, Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Si ta shmangim atë gabim? Besoj se përgjigjja qëndron te besëlidhjet që ftohemi të bëjmë me Të dhe Atin tonë në Qiell.

Përqendrimi te Jezu Krishti nëpërmjet Besëlidhjeve

Besëlidhjet tona na ndihmojnë t’i përqendrojmë vëmendjen tonë, mendimet tona dhe veprimet tona te Krishti. Teksa “kap[emi] pas besëlidhjeve që ke[mi] bërë”, ne mund t’i identifikojmë më lehtësisht “gjërat e kësaj bote” që duhet t’i “lë[më] mënjanë”, dhe “gjërat e një [bote] më të mir[ë]” që duhet t’i kërkojmë me zell.8

Këtë bëri populli i Amonit në Librin e Mormonit. Teksa mësuan për Jezu Krishtin dhe filluan ta përqendronin jetën e tyre tek Ai, ata kuptuan se duhet t’i varrosnin armët e tyre të luftës dhe u bënë krejtësisht të ndershëm dhe “u dalluan gjithashtu për zellin e tyre ndaj Perëndisë”9.

Mbajtja e besëlidhjeve na prin të kërkojmë çfarëdo gjëje që e fton ndikimin e Shpirtit, dhe të mos pranojmë asgjë që e largon atë, “sepse ne e dimë që, në qoftë se mund të jemi të denjë për praninë e Frymës së Shenjtë, ne mund të jemi gjithashtu të denjë që të jetojmë në praninë e Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit”10. Kjo mund të nënkuptojë se duhet ta ndryshojmë fjalorin tonë, duke përdorur fjalë më dashamirëse. Mund të nënkuptojë zëvendësimin e zakoneve të pashëndetshme shpirtërore me zakone të reja që e forcojnë marrëdhënien tonë me Zotin, të tilla si lutja dhe studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta, individualisht dhe me familjen tonë.

Presidenti Rasëll M. Nelson tha se “çdo person që bën besëlidhje në vaskat e pagëzimit dhe në tempuj dhe i mban ato, ka qasje më të madhe te fuqia e Jezu Krishtit. …

Shpërblimi për mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë është fuqi qiellore; fuqi që na forcon t’u bëjmë ballë më mirë sprovave, tundimeve dhe pikëllimeve tona.”11

Përtëritja e besëlidhjeve tona gjatë sakramentit çdo të diel, është një mundësi e shkëlqyer për të shqyrtuar vetveten12 dhe për ta ripërqendruar jetën tonë te Jezu Krishti. Kur e marrim sakramentin, ne deklarojmë që njëmend “gjithmonë [e] kujtoj[m]ë atë”13. Fjala gjithmonë është kaq shumë domethënëse. Ajo e shtrin ndikimin e Shpëtimtarit në çdo pjesë të jetës sonë. Ne nuk e kujtojmë Atë vetëm në kishë ose vetëm gjatë lutjeve tona të mëngjesit, ose vetëm kur jemi në telashe dhe na nevojitet diçka.

Po, ne nganjëherë shpërqendrohemi. Harrojmë. E humbasim përqendrimin tonë. Por përtëritja e besëlidhjeve tona do të thotë se ne duam ta kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin, se ne do të përpiqemi ta bëjmë këtë gjatë gjithë javës dhe se ne do të rizotohemi dhe ripërqendrohemi tek Ai përsëri në tryezën e sakramentit javën e ardhshme.

Përqendrimi te Jezu Krishti në Shtëpitë Tona

Qartësisht, përqendrimi te Jezu Krishti duhet të jetë më shumë sesa një veprimtari që bëhet në kishë të dielën. Kur Presidenti Nelson paraqiti programin Eja, Më Ndiq në vitin 2018, ai tha: “Është koha për një Kishë të përqendruar te shtëpia14. Ai tha se ne duhet “ta shndërroj[m]ë shtëpinë [tonë] në një shenjtërore besimi” dhe “në një qendër të të mësuarit të ungjillit”. Dhe ai na bëri katër premtime të mrekullueshme nëse e bëjmë këtë.15

Premtimi i parë: “Ditët tuaja të Shabatit, me të vërtetë do të jenë një kënaqësi”. Do të jetë një ditë kur ne afrohemi më shumë me Shpëtimtarin tonë. Siç e tha një e re nga Peruja: “Dita e Zotit është dita kur marr përgjigjet më të shumta nga Zoti”.

Premtimi i dytë: “Fëmijët tuaj do të ngazëllehen që t’i mësojnë dhe jetojnë mësimet e Shpëtimtarit”. Për këtë arsye, “ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, … që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”16.

Ne e bëjmë këtë që një ditë, kur biri ynë të dalë për punë ose ngjitje në male, apo të gjuajë kafshë në pyje, siç bëri Enosi, ai të mund të kujtojë se çfarë i mësuam për Krishtin dhe për gëzimin që vjen nga të jetuarit e ungjillit. Dhe ku i dihet? Ndoshta kjo do të jetë dita kur ai si përfundim do ta ndiejë urinë shpirtërore që e kthen atë te Jezu Krishti, që ai të mund ta dëgjojë zërin e Zotit duke i thënë: “Mëkatet e tua të janë falur dhe ti do të jesh i bekuar”17.

Premtimi i tretë: “Ndikimi i kundërshtarit në jetën tuaj dhe në shtëpinë tuaj do të pakësohet”. Përse? Sepse sa më shumë të përqendrohemi te Jezu Krishti, aq më shumë e humbet mëkati aftësinë e vet tërheqëse.18 Kur shtëpitë tona janë të mbushura me dritën e Shpëtimtarit, ka gjithnjë e më pak vend për errësirën e kundërshtarit.

Premtimi i katërt: “Ndryshimet në familjen tuaj do të jenë thelbësore dhe mbështetëse”. Përse? Sepse ndryshimi që sjell Jezu Krishti, është “një ndryshim i madh”19. Ai e ndryshon natyrën tonë në vetvete; ne bëhemi “krijesa të reja”20. Ne bëhemi gradualisht më shumë si Shpëtimtari, të mbushur me dashurinë e Tij të pastër për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

E kush nuk do të donte që këto premtime të përmbusheshin në jetën e vet dhe te familjet e veta? Çfarë kemi nevojë të bëjmë për t’i marrë ato? Përgjigjja është ta shndërrojmë shtëpinë tonë në një shenjtërore besimi dhe në një qendër të të mësuarit të ungjillit. Dhe si e bëjmë atë? Duke u përqendruar tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, duke i bërë Ata qendrën e jetës sonë familjare, ndikimin më të rëndësishëm në shtëpinë tonë.

A mund t’ju sugjeroj që t’ia nisni duke i bërë fjalët e Krishtit që gjenden në shkrimet e shenjta, një pjesë të përditshme të jetës suaj? Nuk ka një formulë të dhënë për studim të përkryer të shkrimeve të shenjta. Mund të jetë 5 ose 10 minuta çdo ditë – ose më shumë nëse mundeni. Mund të jetë një kapitull ose disa vargje në ditë. Disa familje parapëlqejnë të studiojnë në mëngjes përpara se të nisen për në shkollë ose punë. Të tjerë parapëlqejnë të lexojnë në mbrëmje përpara se të bien në shtrat. Disa çifte të reja më kanë thënë se ata studiojnë individualisht rrugës për në punë dhe më pas i shkëmbejnë mbresat me njëri-tjetrin me mesazhe në celular që t’i kenë të regjistruara komentet dhe diskutimet e tyre.

Programi Eja, Më Ndiq jep shumë sugjerime veprimtarish dhe burimesh që mund t’i ndihmojnë individët dhe familjet t’i mësojnë parimet e ungjillit nga shkrimet e shenjta. Materialet filmike nga Bibla dhe Libri i Mormonit gjithashtu mund të jenë mjete të çmuara për t’i bërë më të arritshme shkrimet e shenjta për familjen tuaj. Rinia dhe fëmijët shpesh frymëzohen nga historitë e paharrueshme në shkrimet e shenjta. Këto histori dhe parimet e ungjillit që ato na mësojnë, do të mbeten me fëmijët tuaj, si miq të besuar, kur të kenë nevojë për shembuj të mirë shërbimi, virtyti, bindjeje, durimi, këmbënguljeje, zbulese vetjake, dashurie hyjnore, përulësie dhe besimi te Jezu Krishti. Me kalimin e kohës, qëndrueshmëria juaj në të ushqyerit me bollëk me fjalën e Perëndisë do t’i ndihmojë fëmijët tuaj që të afrohen gjithnjë e më shumë me Shpëtimtarin. Ata do të arrijnë ta njohin Atë si kurrë më parë.

Zoti Jezu Krisht jeton sot. Ai mund të jetë një prani aktive dhe e përditshme në jetën tonë. Ai është zgjidhja e problemeve tona, por ne duhet t’i ngremë sytë dhe ta ngulitim vështrimin për ta parë Atë. Ai ka thënë: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”21. Teksa përqendrohemi tek Ai dhe Ati ynë në Qiell, i bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet me Ta dhe i bëjmë Ata ndikimin më të rëndësishëm në shtëpinë dhe familjen tonë, ne do të bëhemi ai lloj populli që përfytyroi Presidenti Nelson: “Një popu[ll] që është i aftë, gati dhe i denjë ta presë Zotin kur Ai të vijë përsëri; një popull që e ka zgjedhur tashmë Jezu Krishtin mbi këtë botë të rënë; një popull që i gëzohet lirisë së tij të zgjedhjes për t’i jetuar ligjet më të larta e më të shenjta të Jezu Krishtit”22. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.