2010–2019
Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme
Tetor 2018


Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme

Unë lë mbi ju dashurinë dhe bekimin tim, që ju të mund të ushqeheni me bollëk me fjalën e Zotit dhe t’i vini në zbatim mësimet e Tij në jetën tuaj vetjake.

Kjo ka qenë një konferencë frymëzuese dhe historike. Ne shohim drejt të ardhmes me entuziazëm. Kemi marrë shtysë që të bëjmë më mirë dhe të jemi më të mirë. Mesazhet e mrekullueshme, të dhëna nga kjo foltore nga Autoritetet e Përgjithshme dhe Drejtuesit tanë të Përgjithshëm, si dhe muzika, kanë qenë frymëzuese. Unë ju nxit t’i studioni këto mesazhe, duke filluar që këtë javë.1 Ato shprehin mendjen dhe vullnetin e Zotit për popullin e Tij, sot.

Programi i ri dhe i harmonizuar mësimor, i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha, ka fuqinë ta çlirojë forcën e familjeve, teksa secila familje vijon me vetëdije dhe me kujdes që ta shndërrojë shtëpinë e vet në një shenjtërore besimi. Ju premtoj që, teksa ju punoni me zell për ta shndërruar shtëpinë tuaj në një qendër të të mësuarit të ungjillit, me kalimin e kohës, ditët tuaja të Shabatit, me të vërtetë do të jenë një kënaqësi. Fëmijët tuaj do të ngazëllehen që t’i mësojnë dhe jetojnë mësimet e Shpëtimtarit dhe ndikimi i kundërshtarit në jetën tuaj dhe në shtëpinë tuaj do të pakësohet. Ndryshimet në familjen tuaj do të jenë thelbësore dhe mbështetëse.

Gjatë kësaj konference, e kemi forcuar vendosmërinë tonë që ta zbatojmë përpjekjen thelbësore për ta nderuar Zotin Jezu Krisht çdo herë që i referohemi Kishës së Tij. Ju premtoj se vëmendja jonë e rreptë, për ta përdorur emrin e saktë të Kishës së Shpëtimtarit dhe anëtarëve të saj, do të çojë në besim më të madh dhe në të drejtë për të përdorur fuqi shpirtërore më të madhe për anëtarët e Kishës së Tij.

Tani le t’i kthehemi temës së tempujve. E dimë se koha jonë e kaluar në tempull është vendimtare për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë dhe për atë të familjeve tona.

Pasi i marrim vetë ordinancat tona të tempullit dhe bëjmë besëlidhje të shenjta me Perëndinë, secili prej nesh ka nevojë për forcimin dhe udhëzimin e vazhdueshëm shpirtëror, që janë të mundur vetëm në shtëpinë e Zotit. Dhe paraardhësit tanë kanë nevojë që ne të shërbejmë si mëkëmbës për ta.

Merrini parasysh mëshirën dhe paanësinë e madhërishme të Perëndisë, i cili, që përpara krijimit të botës, siguroi një mënyrë për t’ua dhënë bekimet e tempullit atyre që ndërruan jetë pa një njohuri për ungjillin. Këto rite të shenjta të tempullit, janë të lashta. Për mua, fakti që janë të lashta, është emocionues dhe një provë tjetër e vërtetësisë së tyre.2

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sulmet e kundërshtarit po shtohen në mënyrë eksponenciale, për nga intensiteti dhe larmia.3 Nevoja jonë për të qenë në tempull rregullisht dhe shpesh nuk ka qenë kurrë më e madhe. Ju përgjërohem ta merrni parasysh plot lutje mënyrën se si e shpenzoni kohën tuaj. Kushtojani kohën të ardhmes suaj dhe asaj të familjes suaj. Nëse keni mjaftueshëm afër një tempull, ju nxit të gjeni një mënyrë për të lënë një takim rregullisht me Zotin – për të qenë në shtëpinë e Tij të shenjtë – dhe pastaj shkoni në atë takim me përpikëri dhe gëzim. Ju premtoj se Zoti do t’i sjellë mrekullitë që Ai e di se ju nevojiten teksa bëni sakrifica për të shërbyer dhe adhuruar në tempujt e Tij.

Aktualisht ne kemi 159 tempuj të përkushtuar. Kujdesi dhe mirëmbajtja e duhur e atyre tempujve është shumë e rëndësishme për ne. Me kalimin e kohës tempujt kanë nevojë në mënyrë të pashmangshme për rifreskim dhe ripunime. Për këtë arsye, tani po bëhen plane për të përtëritur dhe përditësuar Tempullin e Solt‑Lejkut dhe tempuj të tjerë të kohës së pionierëve. Hollësitë për këto projekte do të shpërndahen ndërsa zhvillohen.

Sot kemi kënaqësinë të shpallim planet për të ndërtuar 12 tempuj të tjerë. Këta tempuj do të ndërtohen në vendet në vijim: Mendoza, Argjentinë; Salvador, Brazil; Juba‑Siti, Kaliforni; Pnom‑Pen, Kamboxhia; Praija, Kepi i Gjelbër; Zhigo, Guam; Puebla, Meksikë; Okland, Zelandë e Re; Lagos, Nigeri; Davao, Filipine; San‑Huan, Porto‑Riko dhe Konteja Uashington, Jutë.

Ndërtimi dhe mirëmbajtja e tempujve mund të mos ta ndryshojnë jetën tuaj, por kalimi i kohës suaj në tempull sigurisht që do ta ndryshojë. Ju që nuk e keni vizituar prej shumë kohësh tempullin, ju nxit të përgatiteni e të ktheheni sa më shpejt të jetë e mundur. Pastaj ju ftoj të adhuroni në tempull dhe të luteni për ta ndier thellësisht dashurinë e pafundme të Shpëtimtarit për ju, që secili prej jush të mund ta fitojë dëshminë e vet që Ai e drejton këtë punë të shenjtë dhe të amshuar.4

Vëllezërit dhe motrat e mia, ju falënderoj për besimin dhe përpjekjet tuaja mbështetëse. Unë lë mbi ju dashurinë dhe bekimin tim, që ju të mund të ushqeheni me bollëk me fjalën e Zotit dhe t’i vini në zbatim mësimet e Tij në jetën tuaj vetjake. Ju siguroj se zbulesa vazhdon në Kishë dhe do të vazhdojë derisa “qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye”5.

Ju bekoj me besim të shtuar tek Ai dhe te puna e Tij e shenjtë, me besim dhe këmbëngulje për t’i duruar sfidat tuaja vetjake në jetë. Ju bekoj që të bëheni shenjtorë shembullorë të ditëve të mëvonshme. Kështu ju bekoj dhe jap dëshminë time se Perëndia jeton! Jezusi është Krishti! Kjo është Kisha e Tij. Ne jemi populli i Tij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih mesazhet e konferencës së përgjithshme në internet në LDS.org dhe në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Ato do të shtypen në revistat Ensign dhe Liahona. Revistat e Kishës, përfshirë New Era dhe Friend, të dërguara me postë apo të shkarkuara në internet, janë pjesë e rëndësishme e programit tuaj mësimor për ungjillin, të përqendruar te shtëpia.

  2. Shih, për shembull Eksodi 28; 29; Levitiku 8.

  3. Shih Mosia 4:29.

  4. Shih Wilford Woodruff, “The Law of Adoption”, fjalim i mbajtur në konferencën e përgjithshme të Kishës, 8 prill 1894. Presidenti Udraf tha: “Ne nuk kemi mbaruar [me] zbulesën. Ne nuk kemi mbaruar [me] punën e Perëndisë. … Nuk do të ketë fund për këtë punë derisa të përsoset” (Deseret Evening News, 14 prill 1894, f. 9).

  5. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 147.