Konferenca e Përgjithshme
A Jam Falur Vërtet?
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


A Jam Falur Vërtet?

Premtimi për falje të plotë dhe të përsosur i jepet gjithkujt – në dhe nëpërmjet Shlyerjes së pafundme të Jezu Krishtit.

Disa vite më parë, Motra Natres dhe unë u shpërngulëm në Ajdaho, ku hapëm një biznes të ri. Kalova ditë e net të gjata në zyrë. Fatmirësisht, ne jetonim vetëm disa blloqe larg nga puna. Çdo javë, Shona dhe tre bijat tona, të gjitha nën moshën gjashtë vjeç, do të vinin në zyrë që të hanim drekën së bashku.

Në një ditë si këto, pas drekës sonë familjare, vura re që bija jonë pesëvjeçare, Mishela, më kishte lënë një mesazh personal, të shkruar në një pusullë dhe e kishte ngjitur tek telefoni i zyrës sime.

Aty thjesht thuhej: “Babi, kujtohu të më duash. Me dashuri, Mishela”. Ky, për një baba të ri, ishte një kujtues i fuqishëm për ato gjëra që kanë më shumë rëndësi.

Vëllezër dhe motra, unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor na kujton përherë dhe se Ai na do përsosurisht. Pyetja ime është kjo: A e kujtojmë ne Atë? Dhe a e duam ne Atë?

Vite më parë, shërbeva si një udhëheqës vendor i Kishës. Një prej të rinjve tanë, Deni, ishte i dalluar në çdo aspekt. Ai ishte i bindur, i sjellshëm, i mirë dhe kishte një zemër të madhe. Mirëpo, kur u diplomua nga shkolla e mesme, ai filloi të shoqërohej me një grup rrugaçësh. Ai u përfshi në droga, veçanërisht metamfetaminë, dhe mori të tatëpjetën e rrëshqitshme të varësisë dhe shkatërrimit. Pa kaluar shumë kohë, pamja e tij ndryshoi krejtësisht. Me zor njihej. Ndryshimi më i rëndësishëm ishte në sytë e tij – drita në sytë e tij ishte venitur. Disa herë u përpoqa të flisja me të, por pa dobi. Ai nuk ishte i interesuar.

Ishte e vështirë ta shihje këtë të ri të jashtëzakonshëm të vuante e të bënte një jetë krejt ndryshe nga e mëparshmja! Ai ishte i aftë për shumë më tepër.

Më pas, një ditë, mrekullia e tij filloi.

Ai mori pjesë në një mbledhje sakramenti ku vëllai i tij më i vogël dha dëshmi para se të nisej për në mision. Gjatë mbledhjes, Deni ndjeu diçka që nuk e kishte ndier prej një kohe të gjatë. Ai ndjeu dashurinë e Zotit. Ai më në fund kishte shpresë.

Ndonëse e kishte dëshirën për të ndryshuar, ishte e vështirë për Denin. Varësitë e tij dhe faji shoqërues ishin thuajse më shumë se sa ai mund të mbante.

Në një pasdite të veçantë, kur isha jashtë duke kositur lëndinën tonë, Deni u afrua me makinë pa njoftuar. Ai ishte tmerrësisht në vështirësi. Fika kositësen dhe u ulëm së bashku në hije te shkalla e verandës. Ndodhi në atë moment që ai tregoi ndjenjat e zemrës së tij. Ai me të vërtetë dëshironte që të kthehej. Mirëpo, heqja dorë prej varësive dhe stilit të tij të jetesës ishte tej mase e vështirë. Përveç kësaj, ai ndihej aq në faj, aq i turpëruar që kishte rënë aq poshtë. Ai pyeti: “A mund të falem vërtet? A ka vërtet një udhë kthimi?”

Pasi e zbrazi zemrën me këto shqetësime, ne lexuam së bashku tek Alma kapitulli 36:

“Po, m’u kujtuan të gjitha mëkatet dhe paudhësitë e mia. …

Po, … vetëm mendimi se do të dilja në praninë e Perëndisë tim, torturonte shpirtin tim me një tmerr të papërshkrueshëm” (vargjet 13–14).

Pas atyre vargjeve, Deni tha: “Pikërisht kështu ndihem!”

Ne vazhduam:

“Pasi isha ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia të shumta, vini re, m’u kujtua se kisha dëgjuar atin tim duke u profetizuar njerëzve në lidhje me ardhjen e një Jezu Krishti, një Biri të Perëndisë, për të shlyer mëkatet e botës. …

Dhe oh, çfarë gëzimi dhe çfarë drite të mrekullueshme pashë” (vargjet 17, 20).

Teksa lexuam këto fragmente, lotët filluan të rridhnin. Gëzimi i Almës ishte gëzimi që [Deni] kishte qenë duke kërkuar!

Ne diskutuam që Alma kishte qenë tejet i ligë. Mirëpo, pasi u pendua, ai kurrë nuk iu kthye jetës së mëparshme. Ai u bë një dishepull i përkushtuar i Jezu Krishtit. Ai u bë profet! Denit iu zgurdulluan sytë. “Profet?” – tha ai.

Unë thjesht u përgjigja: “Po, profet. Nuk je i detyruar të bëhesh edhe ti!”

Ne diskutuam se ndërkohë që mëkatet e tij nuk arrinin nivelin e atyre të Almës, i njëjti premtim për falje të plotë dhe të përsosur i jepet gjithkujt – në dhe nëpërmjet Shlyerjes së pafundme të Jezu Krishtit.

Deni tanimë e kuptoi. Ai e dinte se çfarë kishte nevojë të bënte, ai kishte nevojë të niste rrugëtimin e tij duke mirëbesuar te Zoti dhe duke e falur veten!

Ndryshimi i madh i zemrës së Denit nuk ishte aspak më pak se një mrekulli. Gjatë kohës, pamja e tij ndryshoi dhe shkëlqimi në sytë e tij u kthye. Ai u bë i denjë për në tempull! Ai përfundimisht u kthye!

Pas disa muajsh, e pyeta Denin nëse do të donte të dorëzonte një kërkesë për të shërbyer në një mision kohëplotë. Reagimi i tij ishte një reagim plot tronditje dhe mahnitje.

Ai tha: “Do të doja shumë të shërbeja në një mision, por ti e di nga ç’situatë vij dhe gjërat që kam bërë! Mendova se isha i shkualifikuar.”

U përgjigja: “Mund të kesh të drejtë. Sidoqoftë, nuk ka asgjë që na pengon ta bëjmë një kërkesë. Nëse nuk do të kualifikohesh, të paktën do ta dish se shprehe një dëshirë të sinqertë për t’i shërbyer Zotit.” Sytë e tij ndritën. Ai u ngazëllye nga kjo ide. Nga këndvështrimi i tij, kjo zor se mund të ndodhte, por ishte një mundësi që ishte i gatshëm ta provonte.

Pak javë më vonë, dhe për çudinë e tij, ndodhi një mrekulli tjetër. Deni mori një thirrje për të shërbyer në një mision kohëplotë.

Pak muaj pasi Deni mbërriti në fushën e misionit, mora një telefonatë. Presidenti i tij i misionit thjesht tha: “Si është puna me këtë djalë të ri? Ai është misionari më i jashtëzakonshëm që kam parë ndonjëherë!” Siç e shihni, ky president kishte marrë një Alma të Ri të ditëve të sotme.

Dy vite më vonë, Deni u kthye në shtëpi me nder, pasi i kishte shërbyer Zotit me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e tij.

Pas raportimit të tij si misionar në mbledhjen e sakramentit, u ktheva në shtëpi, dhe vetëm kur dëgjova një trokitje në derën kryesore. Aty qëndronte Deni me sytë e mbushur me lot. Ai tha: “A mund të flasim një minutë?” Ne dolëm jashtë tek po e njëjta shkallë e verandës.

Ai tha: “President, a mendon se jam falur vërtet?”

Tani lotët e mi shoqëruan të tijtë. Përpara meje qëndronte një dishepull i përkushtuar i Jezu Krishtit, që kishte dhënë gjithçka të tijën për të dhënë mësim dhe për të dëshmuar për Shpëtimtarin. Ai ishte mishërimi i fuqisë shëruese dhe forcuese të Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Unë thashë: “Deni! A je parë në pasqyrë? A i ke parë sytë e tu? Ata janë të mbushur me dritë dhe ti po rrezaton Shpirtin e Zotit. Sigurisht që je falur! Ti je i mahnitshëm! Tashti, ajo që ke nevojë të bësh është të ecësh përpara. Mos shiko prapa! Shiko përpara me besim tek ordinanca e radhës.”

Mrekullia e Denit vazhdon dita sot. Ai u martua në tempull dhe u kthye në shkollë, ku mori një diplomë pasuniversitare. Ai vazhdon t’i shërbejë Zotit me nder dhe dinjitet në thirrjet e tij. Më me rëndësi, ai është bërë një bashkëshort i jashtëzakonshëm dhe një baba besnik. Ai është një dishepull i përkushtuar i Jezu Krishtit.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Pa Shlyerjen e pafundme [të Shpëtimtarit], i gjithë njerëzimi do të kishte humbur në mënyrë të pakthyeshme”1. Deni nuk kishte humbur për Zotin dhe as ne. Ai qëndron te dera për të na ngritur shpirtërisht, për të na forcuar dhe për të na falur. Ai përherë kujtohet të na dojë ne!

Një shfaqje e jashtëzakonshme e dashurisë së Shpëtimtarit për fëmijët e Perëndisë është shënuar në Librin e Mormonit: “Pasi Jezusi u foli kështu, ai hodhi prapë sytë rreth e përqark mbi turmën dhe pa se ata ishin në lot dhe shikonin mbi të me vendosmëri, sikur donin t’i kërkonin që të rrinte edhe pak me ta” (3 Nefi 17:5).

Shpëtimtari e kishte kaluar tashmë një ditë të tërë duke u dhënë shërbesë njerëzve. Prapëseprapë, Ai kishte më shumë për të bërë, Ai duhej të vizitonte delet e Tij të tjera, Ai duhej të shkonte tek Ati i Tij.

Pavarësisht nga këto detyrime, Ai e dalloi se njerëzit dëshironin prej Tij që të rrinte edhe pak. Pastaj, me zemrën e Shpëtimtarit plot me dhembshuri, ndodhi një prej mrekullive më të mëdha në historinë e botës:

Ai qëndroi.

Ai i bekoi ata.

Ai u dha shërbesë fëmijëve të tyre, një e nga një.

Ai u lut për ta; Ai qau me ta.

Ai i shëroi ata. (Shih tek 3 Nefi 17.)

Premtimi i Tij është i përjetshëm: Ai do të na shërojë.

Për ata që kanë dalë nga shtegu i besëlidhjeve, ju lutemi dijeni se ka përherë shpresë, ka përherë shërim dhe ka përherë një udhë kthimi.

Mesazhi i Tij i përjetshëm i shpresës është balsami shërues për të gjithë ata që jetojnë në një botë të trazuar. Shpëtimtari tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6).

Vëllezër dhe motra, le të mbajmë mend që ta kërkojmë Atë, ta duam Atë dhe gjithmonë ta kujtojmë Atë.

Unë dëshmoj se Perëndia jeton dhe se Ai na do. Unë dëshmoj më tej se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Ai është shëruesi i fuqishëm. E di se jeton Shëlbuesi im! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. Russell M. Nelson, “Prepare for Blessings of the Temple”, Ensign, mars 2002, f. 21.