Konferenca e Përgjithshme
Hosana Më të Lartit Perëndi
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


Hosana Më të Lartit Perëndi

Hyrja ngadhënjimtare e Jezu Krishtit në Jerusalem dhe ngjarjet e javës që pasoi, japin shembullin e doktrinës që ne mund ta zbatojmë në jetën tonë sot.

Sot, siç është thënë, ne bashkohemi me të krishterët anembanë botës për të nderuar Jezu Krishtin në këtë të Diel të Palmave. Gati 2000 vjet më parë, e Diela e Palmave shënoi fillimin e javës së fundit të shërbesës së Jezu Krishtit në vdekshmëri. Ishte java më e rëndësishme në historinë njerëzore.

Ajo që filloi me brohoritjen e Jezusit si Mesia i premtuar në hyrjen e Tij ngadhënjimtare në Jerusalem, u mbyll me Kryqëzimin dhe Ringjalljen e Tij.1 Sipas planit hyjnor, flijimi i Tij shlyes i dha fund shërbesës së Tij në vdekshmëri, duke e bërë të mundur që ne të jetojmë me Atin tonë Qiellor në përjetësi.

Shkrimet e shenjta na tregojnë se java filloi me turmat që qëndronin te portat e qytetit për të parë “Jezusi[n], profeti[n] nga Nazareti i Galilesë”2. Ata “mor[ën] degë palmash dhe i dol[ën] para, duke thirrur: ‘Hosana! Bekuar [mbreti i Izraelit] që vjen në emër të Zotit!’”3.

Ai rrëfim biblik i kaq shumë kohe më parë, më kujton kur isha me një detyrë të Kishës në Takoradi të Ganës. Për fat të mirë, isha atje të Dielën e Palmave.

Pamja
Bashkësi në Takoradi, Ganë

Duhej që të ndaja Kunjin e Takoradit në Ganë dhe të krijoja Kunjin e Mpintsinit në Ganë. Sot ka mbi 100 000 anëtarë të Kishës në Ganë.4 (I urojmë mirëseardhjen Ga Mantse‑s [mbretit të etnisë ga], Madhërisë së Tij, mbretit Nii Takie Teiko Tsuru II i Akrës, Ganë, që është me ne sot.) Kur u takova me këta shenjtorë, e ndjeva dashurinë dhe përkushtimin e tyre të thellë ndaj Zotit. U shpreha dashurinë time të madhe për ta dhe që Presidenti i Kishës i donte. Iu referova fjalëve të Shpëtimtarit të shënuara nga Gjoni: “Ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve”5. Ata e konsideruan atë si “konferenca e dashurisë”6.

Pamja
Plaku Rasband duke iu dhënë dorën anëtarëve në Takoradi, Ganë.

Teksa hodha vështrimin lart e poshtë radhëve në godinën e kishës me ata vëllezër e motra të dashura dhe familjet e tyre, mund të shihja në fytyrat e tyre shkëlqimin e dëshmisë dhe të besimit te Jezu Krishti. Ndjeva dëshirën e tyre për t’u numëruar si pjesë e Kishës së Tij që shtrihet anekënd botës. Kur kori këndoi, ata kënduan si të ishin engjëj.

Pamja
Kori në Takoradi, Ganë
Pamja
Plaku Rasband me anëtarë në Ganë

Ashtu si të Dielën e Palmave në lashtësi, këta ishin dishepuj të Jezu Krishtit, të mbledhur për t’i dhënë nderim Atij ashtu siç bënë njerëzit te portat e Jerusalemit të cilët, me degë palmash në duart e tyre, thirrën: “Hosana … ! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!”7

Pamja
Duke valëvitur degë palmash në Ganë

Madje edhe famullitarët në një kishë aty pranë po e nderonin të Dielën e Palmave. Ndërkohë që po flisja nga foltorja, vura re jashtë dritares se ata plot gëzim po ecnin nëpër rrugë duke tundur degë palmash në duart e tyre, sikurse ata në këtë fotografi. Ishte një pamje që nuk do ta harroj kurrë, ne të gjithë atë ditë duke adhuruar Mbretin e mbretërve.

Presidenti Rasëll M. Nelson na ka këshilluar ta bëjmë të Dielën e Palmave “vërtet të shenjtë duke kujtuar, jo vetëm degët e palmave që u valëvitën për të nderuar hyrjen e Jezusit në Jerusalem, por duke kujtuar pëllëmbët e duarve të Tij”. Pastaj Presidenti Nelson iu referua Isaias, i cili foli për Shpëtimtarin që premton: “Nuk do t’ju harroj kurrë”, me këto fjalë: “Ja, unë [ju] kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia”8.

Zoti e di nga përvoja se jeta në vdekshmëri është e vështirë. Plagët e Tij na kujtojnë se Ai “zbrit[i] nën … të gjitha”9 që Ai të mund të na ndihmojë kur vuajmë dhe të jetë shembulli ynë për të “qëndr[uar] në udhën t[onë]”10, udhën e Tij, që “Perëndia do të jetë me [ne] përherë e përgjithmonë”11.

E Diela e Palmave nuk ishte thjesht një ngjarje, një faqe tjetër në histori me një datë, kohë e vend. Hyrja ngadhënjimtare e Jezu Krishtit në Jerusalem dhe ngjarjet e javës që pasoi, japin shembullin e doktrinës që ne mund ta zbatojmë në jetën tonë sot.

Le të shohim disa pjesë të doktrinës së përjetshme që thuren gjatë gjithë shërbesës së Tij duke përfunduar në Jerusalem.

Së pari, profecia. Për shembull, profeti i Dhiatës së Vjetër, Zakaria, profetizoi për hyrjen ngadhënjimtare të Jezu Krishtit në Jerusalem, madje duke përshkruar se ai do të vinte i hipur mbi një gomar.12 Jezusi parashikoi Ringjalljen e Tij kur u përgatit për të hyrë në qytet, duke thënë:

“Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje.

Do t’ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet.”13

Së dyti, shoqërimi i Frymës së Shenjtë. Jozef Smithi dha mësim: “Asnjë nuk mund të thotë: ‘Jezusi është Zot’, veç se në Frymën e Shenjtë”14. Shpëtimtari u premtoi dishepujve të Tij15 në Darkën e Fundit16 në dhomën e sipërme17: “Nuk do t’ju lë bonjakë”18. Ata nuk do të lihen të vetëm që t’i çojnë përpara të vërtetat e ungjillit, por do të kenë dhuratën e përkryer të Frymës së Shenjtë për t’i udhërrëfyer. “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time”, premtoi Ai, “unë po jua jap, po jo si e jep bota.”19 Me dhuratën e Frymës së Shenjtë, ne kemi po atë siguri, se ne “mund të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”20 dhe “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë [ne] mund të di[më] të vërtetën e të gjitha gjërave”21.

Së treti, dishepullimi. Dishepullimi i vërtetë është zotimi i pandryshueshëm, bindja ndaj ligjeve të përjetshme dhe dashuria e Perëndisë, para së gjithash. Pa asnjë lëkundje. Turma që ia bëri nderimin me degë palme, e përshëndeti Atë si Mesian. Ai ishte pikërisht Mesia. Ata i tërhiqte Ai, mrekullitë e Tij dhe mësimet e Tij. Por adhurimi nuk shkoi gjatë për shumë veta. Disa që më parë kishin bërtitur: “Hosana”22, shpejt u kthyen dhe bërtitën: “Kryqëzoje!”23

Së katërti, Shlyerja e Jezu Krishtit.24 Në ditët e Tij të fundit, pas së Dielës së Palmave, Ai kreu Shlyerjen e Tij mbresëlënëse, nga agonia e Gjetsemanit tek përqeshja në gjyqin e Tij, tortura e Tij në kryq dhe varrimi i Tij në një varr të marrë hua. Por nuk mbaroi atje. Me madhështinë e thirrjes së Tij si Shëlbuesi i të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor, tri ditë më vonë Ai doli nga ai varr, i ringjallur25, siç kishte profetizuar Ai.

A jemi vazhdimisht mirënjohës për Shlyerjen e pakrahasueshme të Jezu Krishtit? A e ndiejmë fuqinë e saj pastruese, pikërisht tani? Kjo është arsyeja përse Jezu Krishti, Kreu dhe Plotësonjësi i shpëtimit tonë, shkoi në Jerusalem, për të na shpëtuar ne të gjithë. A janë vërtet të rëndësishme këto fjalë tek Alma: “Në qoftë se keni provuar një ndryshim të zemrës dhe në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?”26 Vërtet mund të them se kori në Takoradi atë të Diel të Palmave këndoi “këngën e dashurisë shëlbuese”.

Atë javë të fundit profetike të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti dha shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave.27 Ai po jepte mësim për kthimin e Tij tek ata që u përgatitën për ta pranuar Atë, jo me degë palmash në duar, por me dritën e ungjillit brenda tyre. Ai përdori pamjen e llambave të ndezura dhe duke u djegur, me vaj shtesë për ta ushqyer flakën, si një përshkrim të një gatishmërie për të jetuar sipas mënyrave të Tij, për t’i përqafuar të vërtetat e Tij dhe për ta përhapur dritën e Tij.

Ju e dini historinë. Dhjetë virgjëreshat përfaqësojnë anëtarët e Kishës dhe dhëndri përfaqëson Jezu Krishtin.

Dhjetë virgjëreshat i morën llambat e veta dhe “i dolën para dhëndrit”28. Pesë ishin të mençura, të përgatitura me vaj në llambat e tyre dhe me vaj shtesë, ndërsa pesë ishin budallaçka, me llamba të shuara dhe pa vaj rezervë. Kur u dëgjua thirrja: “Ja, po vjen dhëndri, i dilni para”29, të pestat që ishin “të urt[a] dhe e k[ishin] pranuar të vërtetën dhe k[ishin] marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre”30, ishin gati për “mbreti[n] e [tyre dhe] ligjëdhënësi[n e] tyre”31, që “lavdia e tij do të [ishte] mbi t[o]”32. Pesë të tjerat po përpiqeshin furishëm të gjenin vaj. Por ishte tepër vonë. Vargani shkoi përpara pa ato. Kur trokitën dhe u përgjëruan që të hynin, Zoti u përgjigj: “Nuk ju njoh”33.

Si do të ndiheshim nëse Ai do të na thoshte: “Nuk ju njoh!”

Ne, si dhjetë virgjëreshat, kemi llamba; por a kemi vaj? Kam frikë se ka disa që po jetojnë me pakëz vaj, shumë të zënë me trysnitë e botës që të përgatiten siç duhet. Vaji vjen nga të besuarit dhe të vepruarit sipas profecisë dhe fjalëve të profetëve të gjallë, veçanërisht Presidentit Nelson, këshilltarëve të tij dhe Dymbëdhjetë Apostujve. Vaji na e mbush shpirtin kur e dëgjojmë dhe e ndiejmë Frymën e Shenjtë dhe veprojmë sipas atij udhërrëfimi hyjnor. Vaji na derdhet në zemër kur zgjedhjet tona tregojnë se e duam Zotin dhe e duam atë gjë që Ai e do. Vaji vjen nga pendimi dhe kërkimi i shërimit prej Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Nëse disa prej jush po kërkojnë ta përmbushin atë që disa e quajnë “lista e dëshirave për t’i realizuar para vdekjes”, kjo është ajo: mbusheni jetën tuaj me vaj në formën e ujit të gjallë të Jezu Krishtit34, i cili është një përfaqësim i jetës dhe mësimeve të Tij. Në dallim, realizimi i një dëshire nga ajo listë, për një vend shumë të largët apo një ngjarje të mahnitshme, kurrë nuk do ta lejojë shpirtin tuaj që të ndihet i shëruar ose i kënaqur; të jetuarit e doktrinës së dhënë mësim nga Jezu Krishti do t’ju lejojë. I përmenda shembujt më parë: përqafoni profecinë dhe mësimet profetike, veproni sipas nxitjeve të Frymës së Shenjtë, bëhuni një dishepull i vërtetë dhe kërkoni fuqinë shëruese të Shlyerjes së Zotit tonë. Ajo listë dëshirash do t’ju çojë atje ku dëshironi të shkoni, të ktheheni tek Ati juaj në Qiell.

Ajo e Diel e Palmave në Takoradi ishte një përvojë shumë e veçantë për mua ngaqë e përjetova me një bashkësi besnike vëllezërish e motrash. Kështu ka qenë në kontinentet dhe ishujt anembanë gjithë botës. Zemra dhe shpirti im, sikurse tuajët, dëshirojnë shumë të bërtasin: “Hosana Më të Lartit Perëndi”35.

Ndonëse nuk qëndrojmë te portat e Jerusalemit sot me degë palmash në duart tona, koha do të vijë kur, siç profetizohet te Zbulesa, “një turmë [e] madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; [do të] qëndro[jë] në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre”36.

Unë lë me ju bekimin tim si Apostull i Jezu Krishtit se ju do të përpiqeni fort dhe plot zell për të jetuar me drejtësi dhe për të qenë mes atyre që, me palma në duart e tyre, do të lajmërojnë për Birin e Perëndisë, Shëlbuesin e madh të të gjithëve ne. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Të katër Ungjijtë: Mateu 21–28; Marku 11–16; Lluka 19–24 dhe Gjoni 12–21, përshkruajnë ditët e fundit të shërbesës së Jezu Krishtit në vdekshmëri, që u përcaktuan në mënyrë hyjnore për t’i vënë bekimet e shpëtimit dhe të ekzaltimit në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Perëndisë. Me raste autorët ndryshojnë nga ajo që përfshijnë, por jo nga mësimet dhe veprimet e Shpëtimtarit.

  2. Shih te Mateu 21:10–11.

  3. Gjoni 12:13.

  4. Në bazë të Dokumenteve të Anëtarësisë dhe Statistikave ka 102 592 anëtarë në Ganë.

  5. Gjoni 15:12.

  6. Sa herë që flisja me anëtarët, ata do të më thoshin: “Plaku Rasband, i dashur Apostulli ynë, unë të dua”. Këta njerëz janë aq të mbushur me Shpirtin dhe dashurinë e Perëndisë sa e shfaqin atë dashuri me lehtësi.

  7. Mateu 21:9.

  8. Shih te Russell M. Nelson, “The Peace and Hope of Easter” (material filmik), prill 2021, ChurchofJesusChrist.org/media; Isaia 49:16.

  9. Doktrina e Besëlidhje 122:8. Në dhjetor 1838, Profeti Jozef dhe disa udhëheqës të tjerë të Kishës u burgosën padrejtësisht në burgun e Libertisë. Kushtet ishin të tmerrshme. Pas disa muajsh në rrethana të mjera, ai u shkroi anëtarëve në mars të vitit 1839, duke përfshirë lutjet ku ai i pati kërkuar Zotit që të kishte dhembshuri për gjendjen e tij dhe për “shenjtorët e përvuajtur”. Ai gjithashtu u tregoi përgjigjen e Zotit ndaj atyre lutjeve, siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 121–123.

  10. Doktrina e Besëlidhje 122:9. Inkurajimi i Zotit drejtuar Jozef Smithit në burgun e Libertisë, i solli atij ngushëllim dhe kuptueshmëri shpirtërore që fatkeqësia dhe sprovat mund të na forcojnë, të na mësojnë durim dhe të na edukojnë zotërimin e vetvetes. Zoti i bëri thirrje atij: “Qëndro në udhën tënde”, që ishte udha e Zotit, duke duruar trajtimin e padrejtë ashtu si “Biri i [Perëndisë që kishte] zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai?” (Doktrina e Besëlidhje 122:8.)

  11. Doktrina e Besëlidhje 122:9. Zotimi se Perëndia “do të jetë me ty” është një premtim i sigurt për ata që mbahen fort te besimi dhe mirëbesimi i tyre te Zoti.

  12. Shih te Zakaria 9:9.

  13. Mateu 20:18–19. James E. Talmage [Xhejms E. Tallmixh] shkruan te Jesus the Christ: “Është një … fakt mahnitës që Të Dymbëdhjetët nuk arritën ta kuptonin domethënien e Tij. … Për ta kishte disa mospajtime të tmerrshme, disa mospërputhje të skajshme ose kundërshtime të pashpjegueshme në thëniet e Mësuesit të tyre të dashur. Ata e dinin se Ai ishte Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë; dhe si ishte e mundur që Një si Ai të sillej në nënshtrim dhe të vritej” ([1916], f. 502–503).

  14. Jozef Smithi e bëri këtë shpallje në Shoqatën e Ndihmës së Grave të Navusë, 28 prill 1842, siç citohet te “History of Joseph Smith”, Deseret News, 19 shtator 1855, f. 218. Duke iu referuar kapitullit të dymbëdhjetë të 1 Korintasve, ai e qartësoi vargun e tretë: “Asnjë nuk mund të thotë se Jezusi është Zot, veç se në Frymën e Shenjtë”, duke e ndryshuar atë të thotë: “Asnjë nuk mund të dijë se Jezusi është Zot, veç se në Frymën e Shenjtë”. (Shih te The First Fifty Years of Relief Society: Key Documents in Latter-day Saint Women’s History [2016], 2.2, churchhistorianspress.org.)

  15. Jezusi e hëngri Darkën e Fundit me dishepujt e Tij (shih te Marku 14:12–18). Të Dymbëdhjetët përfshinë Pjetrin, Andrean, Jakobin, Gjonin, Mateun, Filipin, Thomain, Bartolomeun, Jakobin (birin e Alfeut), Judë Iskariotin, Judën (vëllanë e Jakobit) dhe Simonin (shih te Lluka 6:13–16).

  16. Jezusi vendosi sakramentin me dishepujt e Tij në Darkën e Fundit (shih te Mateu 26:26–29; Marku 14:22–25; Lluka 22:19–20).

  17. Dita/nata e veçantë në të cilën Jezusi filloi sakramentin në “dhomën e sipërme” aktualisht është debatuar për shkak të papërputhshmërive në dukje midis Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit. Mateu, Marku dhe Lluka sugjerojnë që Darka e Fundit ndodhi në “ditën e parë të [të] ndormëve” ose në vaktin ushqimor të Pashkës (shih te Mateu 26:17; Marku 14:12; Lluka 22:1, 7). Gjoni, megjithatë, sugjeroi që Jezusi u arrestua përpara vaktit të ushqimit të Pashkës (shih te Gjoni 18:28), gjë që do të thotë që Darka e Fundit do të kishte ndodhur një ditë më parë nga vakti i Pashkës. Materialet e programit mësimor të Kishës dhe njohuria shenjtore e ditëve të mëvonshme duket se bien dakord që Jezusi e mbajti Darkën e Fundit me dishepujt e Tij në dhomën e sipërme në mbrëmjen përpara se të kryqëzohej. Të krishterët që e festojnë Javën e Shenjtë, e dallojnë të enjten si dita e Darkës së Fundit, të premten si ditën e Kryqëzimit dhe të dielën si ditën e Ringjalljes, sipas kalendarit gregorian.

  18. Gjoni 14:18.

  19. Gjoni 14:27.

  20. Doktrina e Besëlidhje 20:77.

  21. Moroni 10:5.

  22. Bible Dictionary [Fjalori Biblik] shpjegon se hosana do të thotë “shpëto tani”. Fjala është marrë nga libri i Psalmeve 118:25. “Të kënduarit e këtij psalmi ishte i lidhur në Festën e Tabernakujve me valëvitjen e degëve të palmave; prej këtu vjen përdorimi i fjalës nga turmat në hyrjen ngadhënjimtare të Zotit tonë në Jerusalem” (Bible Dictionary, “Hosanna”). Shih te Mateu 21:9, 15; Marku 11:9–10; Gjoni 12:13.

  23. Marku 15:14; Lluka 23:21.

  24. Pjesa qendrore e planit të Atit tonë Qiellor për shpëtimin ishte një shlyerje e pafundme që do të siguronte pavdekësi për të gjithë fëmijët e Tij dhe ekzaltim për ata që janë të denjë ta marrin atë bekim. Kur Ati tha: “Kë të dërgoj?” Jezu Krishti doli përpara dhe tha: “Ja ku jam, dërgomë mua” (Abraham 3:27). Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim: “Misioni i [Jezu Krishtit] ishte Shlyerja. Ai mision ishte vetëm i Tij. I lindur nga një nënë e vdekshme dhe nga një Atë i pavdekshëm, Ai ishte i vetmi që vullnetarisht mund ta jepte jetën e Tij dhe ta merrte atë përsëri (shih te Gjoni 10:14–18). Pasojat e lavdishme të Shlyerjes së Tij ishin të pafundme dhe të përjetshme. Ai i hoqi thumbin vdekjes dhe e bëri të përkohshëm hidhërimin e varrit (shih te 1 Korintasve 15:54–55). Përgjegjësia e Tij për Shlyerjen dihej edhe përpara Krijimit dhe Rënies. Jo vetëm që do të siguronte ringjalljen dhe pavdekësinë e gjithë njerëzimit, por do të na jepte gjithashtu mundësinë që të faleshim për mëkatet tona – sipas kushteve të përcaktuara prej Tij. Kështu Shlyerja e Tij hapi udhën nëpërmjet së cilës ne mund të bashkoheshim me Të dhe me familjet tona përjetësisht” (“Misioni dhe Shërbesa e Jezu Krishtit”, Liahona, prill 2013, f. 20).

  25. Ringjallja përbëhet nga ribashkimi i trupit dhe shpirtit në një gjendje të pavdekshme, trupi dhe shpirti duke qenë të pandashëm dhe pa iu nënshtruar më sëmundjeve në vdekshmëri ose vdekjes (shih tek Alma 11:45; 40:23).

  26. Alma 5:26; shih edhe tek Alma 5:14.

  27. Shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave gjendet te Mateu 25:1–12; Doktrina e Besëlidhje 45:56–59. Kapitujt që e rrethojnë kapitullin Mateu 25, sugjerojnë se Jezusi e dha mësim këtë shëmbëlltyrë gjatë javës së Tij të fundit, pasi hyri në Jerusalem, te Mateu 21 dhe pikërisht përpara Darkës së Fundit dhe arrestimit të Tij te Mateu 26. Përveç shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave të dhënë atë javë të fundit, Jezusi dha shëmbëlltyrën e pemës së fikut (shih te Mateu 21:17–21; 24:32–33), shëmbëlltyrën e dy bijve (shih te Mateu 21:28–32) dhe shëmbëlltyrën e vreshtarëve të ligj (shih te Mateu 21:33–46).

  28. Mateu 25:1.

  29. Mateu 25:6.

  30. Doktrina e Besëlidhje 45:57.

  31. Doktrina e Besëlidhje 45:59.

  32. Doktrina e Besëlidhje 45:59.

  33. Mateu 25:12. Në Predikimin në Mal, Zoti u drejtohet atyre që hamendësojnë se kanë “bërë shumë vepra të fuqishme” duke u thënë, siç sugjerohet në tregimin e dhjetë virgjëreshave, [pesë virgjëreshave] budallaçka: “Unë s’ju kam njohur kurrë” (shih te Mateu 7:22–23).

  34. Ashtu si uji është vendimtar për jetën në vdekshmëri, Jezu Krishti dhe mësimet e Tij (uji i gjallë) janë vendimtare për jetën e përjetshme (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ujë i Gjallë”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org; shih edhe tek Isaia 12:3; Jeremia 2:13; Gjoni 4:6–15; 7:37; 1 Nefi 11:25; Doktrina e Besëlidhje 10:66; 63:23).

  35. 3 Nefi 4:32.

  36. Zbulesa 7:9.