Konferenca e Përgjithshme
Gjetja e Paqes Vetjake
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


Gjetja e Paqes Vetjake

Lutem që të mund të gjeni paqe, të ndihmoni shumë të tjerë ta gjejnë atë dhe ta kalojnë atë tek të tjerët.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jemi bekuar nga mësimet e frymëzuara dhe muzika e bukur që na kanë prekur në këtë sesion të hapjes së konferencës së përgjithshme. Ju falënderojmë për pjesëmarrjen tuaj dhe për besimin tuaj.

Sot do të flas për atë që kam mësuar rreth mrekullisë së gjetjes së paqes vetjake, pavarësisht nga rrethanat tona. Shpëtimtari e di se të gjithë fëmijët e Atit Qiellor janë të etur për paqe dhe Ai tha se mund të na e japë atë. Ju i mbani mend fjalët e Jezu Krishtit të shënuara në librin e Gjonit: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”1.

Ajo që Ai nënkupton me paqen dhe mënyra se si Ai mund ta japë atë, janë zbuluar nga rrethanat e atyre që e dëgjuan Atë t’i thotë ato fjalë. Dëgjojeni rrëfimin te Gjoni për pjesën kulmore të shërbesës së Krishtit. Forcat e mëdha të së ligës po e sulmonin Atë dhe së shpejti do të vinin edhe te dishepujt e Tij.

Ja tek janë fjalët e Shpëtimtarit:

“‘Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.

Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju,

Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.

Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju.

Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni.

Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju.

Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij.’

Juda, jo Iskarioti, i tha: ‘Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?’

Jezusi u përgjigj dhe i tha: ‘Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.

Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.

Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju;

por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.

Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.’”2

Kam mësuar të paktën pesë të vërteta nga ajo mësimdhënie e Shpëtimtarit.

Së pari, dhurata e paqes jepet pasi ne e kemi besimin për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Për ata që janë anëtarë të besëlidhjes së Kishës së Zotit, bindja është ajo që kemi premtuar tashmë të bëjmë.

Së dyti, Fryma e Shenjtë do të vijë dhe do të qëndrojë me ne. Zoti thotë që, ndërsa vijojmë të jemi besnikë, Fryma e Shenjtë do të banojë në ne. Ky është premtimi në lutjen e sakramentit, se Shpirti do të jetë shoqëruesi ynë dhe se ne do ta ndiejmë, në zemrën dhe mendjen tonë, ngushëllimin e Tij.

Së treti, Shpëtimtari premton se ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, mund ta ndiejmë dashurinë e Atit dhe të Birit për njëri-tjetrin dhe veten. Ne mund ta ndiejmë afërsinë e Tyre në jetën tonë në vdekshmëri, pikërisht siç do ta ndiejmë kur do të bekohemi për të qenë me Ta përgjithmonë.

Së katërti, zbatimi i urdhërimeve të Zotit kërkon më shumë sesa bindje. Ne duhet ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, forcën, mendjen dhe shpirtin tonë.3

Ata që nuk e duan Atë nuk i zbatojnë urdhërimet e Tij. Dhe, si rrjedhim, ata nuk do ta kenë dhuratën e paqes në këtë jetë dhe në botën që do të vijë.

Së pesti, është e qartë se Zoti na deshi mjaftueshëm aq sa të paguante çmimin për mëkatet tona që ne – nëpërmjet besimit tonë tek Ai dhe pendimit tonë, nëpërmjet efekteve të Shlyerjes së Tij – të mund të kemi dhuratën e paqes që “ia tejkalon çdo zgjuarësie”4, në këtë jetë dhe me Të përjetësisht.

Disa prej jush, ndoshta shumë prej jush, nuk po e ndiejnë paqen që premtoi Zoti. Mund të jeni lutur për paqe vetjake dhe ngushëllim shpirtëror. Prapëseprapë, mund të ndieni se qiejt po heshtin ndaj përgjërimit tuaj për paqe.

Ka një armik të shpirtit tuaj, i cili nuk do që ju dhe njerëzit që i doni, të gjejnë paqe. Ai nuk mund ta gëzojë atë. Ai punon për t’ju penguar madje edhe që mos të doni të gjeni paqen që Shpëtimtari dhe Ati Qiellor dëshirojnë që ta keni.

Përçapjet e Satanit për të mbjellë urrejtje dhe grindje kudo rrotull nesh, duket se po shtohen. Ne shohim prova që kjo po ndodh mes kombeve dhe qyteteve, në lagjet e banimit, në mediat elektronike dhe në mbarë botën.

Sidoqoftë, ka arsye për optimizëm, sepse Drita e Krishtit vendoset në çdo fëmijë të sapolindur. Me atë dhuratë të përbotshme vjen një ndjesi lidhur me atë që është e drejtë, një dëshirë për të dashur dhe për t’u dashur. Ka një ndjesi drejtësie dhe të vërtete të lindur te secili fëmijë i Perëndisë, kur ai ose ajo vjen në vdekshmëri.

Optimizmi ynë për paqe vetjake për ata fëmijë, gjendet te njerëzit që kujdesen për ta. Nëse ata që i rritin fëmijët dhe u shërbejnë atyre, kanë punuar për ta marrë dhuratën e paqes nga Shpëtimtari, ata, me anë të shembullit dhe përpjekjeve të tyre vetjake, e nxitin besimin e fëmijës për t’u kualifikuar për dhuratën hyjnore të paqes.

Kjo është ajo që na premton shkrimi i shenjtë: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket”5. Kjo gjë kërkon që personi përgjegjës për përkujdesjen dhe edukimin e fëmijës, të jetë i denjë për dhuratën e paqes.

Trishtueshëm, të gjithë e kemi ndier dhembjen kur fëmijë të rritur nga prindër të frymëzuar – ndonjëherë vetëm nga një prind – zgjedhin, pas një jete besimi dhe paqeje, të ndjekin shtegun e pikëllimit.

Edhe kur ky trishtim ndodh, optimizmi im prehet në një dhuratë tjetër nga Zoti. Është ky: që Ai ngre shumë paqebërës mes dishepujve të Tij të besuar. Ata e kanë ndier paqen dhe dashurinë e Perëndisë. Ata e kanë Frymën e Shenjtë në zemrën e tyre dhe Zoti mund t’i udhërrëfejë ata që t’i shkojnë në ndihmë deles që endet.

E kam parë këtë gjatë jetës sime dhe anembanë botës. E keni parë edhe ju. Nganjëherë, kur shtyheni të shpëtoni dikë, mund të duket si diçka rastësore.

Një herë, i bëra thjesht një pyetje dikujt që takova në një udhëtim: “A do të më tregoni pak rreth familjes tuaj?” Bashkëbisedimi më shtyu t’i kërkoja të shihja një fotografi të bijës së saj në moshë madhore, që ajo më tha se po haste vështirësi. Më bëri përshtypje mirësia në fytyrën e asaj vajze në fotografi. Pata nxitjen ta pyesja nëse mund të ma jepte adresën e saj të postës elektronike. E bija në atë periudhë ndihej e humbur dhe duke pyetur veten a kishte Perëndia ndonjë mesazh për të. Ai e kishte. Ishte ky: “Zoti të do. Gjithmonë të ka dashur. Zoti do që t’i të rikthehesh. Bekimet që të janë premtuar janë ende aty.”

Anëtarë në mbarë Kishën e kanë ndier dhuratën e paqes vetjake nga Zoti. Ai po i nxit të gjithë t’i ndihmojnë të tjerët të kenë mundësi që të vijnë tek Ai dhe të kualifikohen vetë pikërisht për atë paqe. Ata, në këmbim, do të zgjedhin të kërkojnë frymëzim për të ditur se si mund t’ua kalojnë atë dhuratë të tjerëve.

Brezi i ri do të bëhet edukuesi i brezit që do të vijë. Efekti shumëfishues do të prodhojë një mrekulli. Do të përhapet dhe do të zmadhohet me kalimin e kohës, dhe mbretëria e Zotit në tokë do të jetë e përgatitur dhe gati për ta përshëndetur Atë me brohoritje “Hosana”. Do të ketë paqe në tokë.

Jap dëshminë time të sigurt se Shpëtimtari jeton dhe se Ai e udhëheq këtë Kishë. E kam ndier dashurinë e Tij në jetën time dhe dashurinë e shqetësimin e Tij për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor. Ftesa e Shpëtimtarit për të ardhur tek Ai është një ofertë paqeje.

Presidenti Rasëll M. Nelson, është profeti i gjallë i Perëndisë në të gjithë tokën. Ai ka thënë: “Ju siguroj se pavarësisht nga gjendja e botës dhe rrethanat tuaja vetjake, ju mund ta përballoni të ardhmen me optimizëm dhe gëzim”6.

Ju shpreh dashurinë time. Besimi dhe dashuria juaj e madhe po i prekin njerëzit dhe po e lejojnë Zotin të ndryshojë zemra, dhe si rrjedhim, të fitojnë një dëshirë për t’i ofruar të tjerëve dhuratën e paqes që ia tejkalon çdo zgjuarsie.

Lutem që të mund të gjeni paqe, të ndihmoni shumë të tjerë ta gjejnë atë dhe ta kalojnë atë tek të tjerët. Do të ketë një mijë vjet të mrekullueshëm paqeje kur Zoti të vijë përsëri. Unë dëshmoj kështu me gëzim dhe në emrin e Jezu Krishtit, amen.