Konferenca e Përgjithshme
Mendja Ime po më Përqendrohej në Këtë Mendim për Jezu Krishtin
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


Mendja Ime po më Përqendrohej në Këtë Mendim për Jezu Krishtin

Ndërsa vazhdoni të përqendroheni me vëmendje te mendimi për Jezu Krishtin, ju premtoj jo vetëm udhërrëfim qiellor, por edhe fuqi qiellore.

Në këtë periudhë të bukur Pashke, i bëj jehonë lutjes së këtij himni të fuqishëm: “Udh’hiqna, O i Madh Jehova”1.

Një histori mbresëlënëse në Librin e Mormonit tregon për një të ri, nga një familje e shquar, me emrin Alma, të cilin shkrimet e shenjta e përshkruajnë si mosbesimtar idhujtar.2 Ai fliste bukur dhe ishte bindës, duke përdorur lajka për t’i mbushur mendjen të tjerëve që ta ndiqnin. Për habi, një engjëll iu shfaq Almës dhe shokëve të tij. Alma ra përdhe dhe ishte aq i këputur, saqë e mbartën të pafuqishëm deri në shtëpinë e atit të tij. Ai qëndroi për tri ditë në një gjendje, si duket, kome.3 Më vonë, ai shpjegoi se ndërsa njerëzve përreth vetes u dukej i pavetëdijshëm, mendja e tij ishte shumë aktive, ndërsa shpirti i pikëllohej, duke menduar për jetën e vet që i kishte shpërfillur urdhërimet e Perëndisë. Ai e përshkroi mendjen e tij si të “ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të [tij] të shumta”4 dhe të “tortur[uar] nga një mundim i përjetshëm”5.

Në dëshpërimin e tij të thellë, ai kujtoi se i ishte dhënë mësim në rininë e tij lidhur me “ardhjen e një Jezu Krishti, një Biri të Perëndisë, për të shlyer mëkatet e botës”6. Më pas, ai bëri këtë deklaratë shumë imponuese: “Ndërsa mendja ime po më përqendrohej në këtë mendim, thirra brenda zemrës sime: O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua”7. Ndërsa bëri thirrje për fuqinë hyjnore të Shpëtimtarit, diçka e mrekullueshme ndodhi: “Kur mendova këtë”, tha ai, “nuk munda t’i kujtoj[a] më dhembjet e mia”8. Papritur ndjeu paqe dhe dritë. “Asgjë [nuk ishte] kaq [e] mrekullueshme dhe kaq [e] ëmbël, sa ishte gëzimi im”9, shpalli ai.

Alma u “përqendr[ua]” tek e vërteta për Jezu Krishtin. Po t’i përdornim në një kuptim fizik fjalët “përqendr[uar] në”, mund të thoshim se “Ai e përqendroi [forcën e trupit] që të kapej në parmak ndërsa po binte”, që nënkupton se ai e zgjati dorën papritur dhe kapi fort diçka të çimentuar në mënyrë të qëndrueshme te një themel i sigurt.

Në rastin e Almës, ishte mendja e tij që shkoi dhe u sigurua te kjo e vërtetë e fuqishme e flijimit shlyes të Jezu Krishtit. Duke vepruar me besim ndaj asaj të vërtete dhe me anë të fuqisë dhe hirit të Perëndisë, ai u shpëtua nga dëshpërimi dhe u mbush me shpresë.

Ndërkohë që përvojat tona mund të mos jenë aq dramatike sa ato të Almës, sidoqoftë, janë me po aq rëndësi të përjetshme. Mendja jonë gjithashtu është “përqendr[uar] në këtë mendim” për Jezu Krishtin dhe flijimin e Tij të mëshirshëm, dhe shpirti ynë e ka ndier dritën dhe gëzimin që pasojnë.

Sigurimi i Mendimit për Jezu Krishtin

Lutja ime në këtë periudhë Pashke është që ta trajtësojmë, forcojmë dhe sigurojmë në mënyrë më të vetëdijshme këtë mendim të shquar për Jezu Krishtin brenda dhomave të shpirtit tonë10, duke e lejuar atë që të rrjedhë ethshëm në mendjen tonë, të na udhërrëfejë në atë që mendojmë e bëjmë dhe të sjellë vazhdimisht gëzimin e ëmbël të dashurisë së Shpëtimtarit11.

Mbushja e mendjes sonë me fuqinë e Jezu Krishtit nuk do të thotë se Ai është i vetmi mendim që kemi. Por nënkupton se të gjitha mendimet tona brendashkruhen në dashurinë e Tij, jetën dhe mësimet e Tij, flijimin e Tij shlyes dhe Ringjalljen e Tij të lavdishme. Jezusi nuk është kurrë në një qoshe të harruar, sepse mendimet tona për Të janë gjithnjë të pranishme dhe “gjithçka që është në [ne, e adhuron] Atë!”12 Ne lutemi dhe risjellim në mendjen tonë përvojat që na kanë sjellë më pranë Tij. Mirëpresim në mendjen tonë imazhe hyjnore, shkrime të shenjta dhe himne të frymëzuara që t’i zbutin lehtë mendimet e panumërta të përditshme që vërshojnë gjatë jetës sonë të ngjeshur. Dashuria jonë për Të nuk na mbron nga trishtimi dhe hidhërimi në këtë jetë në vdekshmëri, por na lejon t’i përshkojmë sfidat me një forcë shumë më të madhe se e jona.

“Jezus, vet’ mendimi për Ty

Ëmbël zemrën m’pushton;

Por ësht’ m’e ëmbël të t’shoh Ty[,]

N’pranin’ Tënde t’pushoj.”13

Kujtoni, ju jeni një fëmijë shpirtëror i Atit Qiellor. Siç e shpjegon Apostulli Pal, ne jemi “pasardhës të Perëndisë”14. Ju keni jetuar me identitetin tuaj individual kohë përpara se të vinit në tokë. Ati ynë krijoi një plan të përsosur për ne që të vijmë në tokë, të mësojmë dhe të kthehemi tek Ai. Ai dërgoi Birin e Tij të Dashur që nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Tij të pafundme dhe Ringjalljes së Tij, ne të jetojmë përtej varrit; dhe teksa jemi të gatshëm të ushtrojmë besim tek Ai dhe të pendohemi për mëkatet tona15, ne marrim falje dhe marrim shpresën për jetë të përjetshme.16

Të Kushtuarit Vëmendje të Jashtëzakonshme ndaj Mendjes dhe Shpirtit Tonë

Në këtë jetë në vdekshmëri, mendja dhe shpirti ynë kanë nevojë për vëmendje të jashtëzakonshme.17 Mendja jonë na lejon të jetojmë, të zgjedhim dhe të dallojmë të mirën nga e liga.18 Shpirti ynë merr dëshminë pohuese se Perëndia është Ati ynë, se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se mësimet e Tyre janë udhërrëfyesi ynë drejt lumturisë këtu dhe jetës së përjetshme përtej varrit.

Mendja e Almës u përqendrua në këtë mendim për Jezu Krishtin. Kjo ia ndryshoi jetën. Konferenca e përgjithshme është një kohë për të kuptuar se çfarë do të donte Zoti që ne të bëjmë dhe të bëhemi. Është gjithashtu një kohë për të reflektuar mbi përparimin tonë. Teksa detyrat e mia më kanë çuar në mbarë botën, kam vërejtur një forcë shpirtërore gjithnjë e më të madhe tek anëtarët e drejtë e të përkushtuar të Kishës.

Pesë vjet më parë, na u kërkua ta vëmë Shpëtimtarin në mënyrë më të spikatur në gjithçka që bëjmë, duke përdorur emrin e vërtetë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.19 Ne po e shqiptojmë emrin e Tij më zellshëm.

Katër vjet më parë, duke e zvogëluar kohën e mbledhjes sonë të sakramentit, ne e rritëm përqendrimin tonë te marrja e sakramentit të Zotit. Ne po mendojmë më shumë për Jezu Krishtin dhe e marrim më seriozisht premtimin tonë që gjithmonë ta kujtojmë Atë.20

Me izolimin nga pandemia mbarëbotërore dhe me ndihmën e programit Eja, Më Ndiq, mësimet e Shpëtimtarit po bëhen më të spikatura në shtëpitë tona, duke e ndihmuar adhurimin e Shpëtimtarit prej nesh gjatë javës.

Duke e ndjekur këshillën e Presidentit Rasëll M. Nelson që ta “dëgjojmë Atë”21, ne po e përpunojmë aftësinë tonë për t’i dalluar pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë dhe për ta parë dorën e Zotit në jetën tonë.

Me njoftimin dhe përfundimin e dhjetëra tempujve, ne po hyjmë në shtëpinë e Zotit dhe po i marrim bekimet e Tij të premtuara më shpesh. Po e ndiejmë më fuqimisht bukurinë e jashtëzakonshme të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë.

Presidenti Nelson tha: “Nuk ka asgjë të lehtë ose të vetvetishme në të bërit [një] dishepu[ll i] tillë [i] fuqishëm. Përqendrimi ynë duhet të ngulitet te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij. Kërkon një përpjekje të madhe mendore që të shohësh tek Ai në çdo mendim.”22

Duke e fokusuar vëmendjen tonë te Jezu Krishti, gjithçka tjetër rrotull nesh – ndërkohë që është ende e pranishme – shihet nëpërmjet dashurisë sonë për Të. Shpërqendrimet më pak të rëndësishme zbehen dhe ne i largojmë ato gjëra që nuk janë në përputhje me dritën dhe karakterin e Tij. Ndërsa vazhdoni të përqendroheni me vëmendje në këtë mendim për Jezu Krishtin, i mirëbesoni Atij dhe i zbatoni urdhërimet e Tij, ju premtoj jo vetëm udhërrëfim qiellor por edhe fuqi qiellore – fuqi që iu sjell forcë besëlidhjeve tuaja, paqe vështirësive tuaja dhe gëzim bekimeve tuaja.

Të Kujtuarit e Jezu Krishtit

Disa javë më parë, Kethi dhe unë vizituam shtëpinë e Met dhe Sara Xhonsonit. Në mur ishte një fotografi e familjes së tyre të shtrenjtë, një figurë e bukur e Shpëtimtarit dhe një ilustrim i tempullit.

Katër vajzat e tyre, Medi, Rubi, Klera dhe Xhuni, folën me gëzim rreth asaj se sa shumë e donin nënën e tyre.

Për më shumë se një vit, Sara planifikonte rregullisht takime të shtunave, që familja të frekuentonte tempullin së bashku, në mënyrë që vajzat të mund të merrnin pjesë në pagëzime për pjesëtarët e familjes që kishin jetuar më parë.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Sara planifikoi një takim familjar në tempull për javën e fundit të dhjetorit, ditën e enjte në vend të ditës së shtunë. “Shpresoj të jesh dakord me atë”, i tha Metit.

Sara ishte diagnostikuar me kancer, por doktorët kishin pritshmërinë që ajo do të jetonte edhe dy ose tre vjet më shumë. Gjatë një mbledhjeje sakramenti, Sara kishte dhënë dëshminë e saj të fuqishme, duke thënë se cilido të ishte rezultati për të, ajo e donte Shpëtimtarin me gjithë zemër dhe se “fitorja ishte fituar tashmë” prej Tij. Teksa muaji dhjetor kalonte, papritmas shëndeti i Sarës u përkeqësua me të shpejtë dhe ajo u shtrua në spital. Ditën e enjte, herët në mëngjes, më 29 dhjetor, ajo e përfundoi qetësisht jetën e saj në vdekshmëri. Meti kishte qenë pranë Sarës gjithë natën.

Me zemrën e copëtuar dhe krejtësisht i rraskapitur fizikisht dhe emocionalisht, ai mbërriti në shtëpi, në hidhërim bashkë me të bijat. Ndërsa Meti hodhi sytë tek telefoni i tij, ai vuri re një mesazh kujtues për takimin e pazakontë në tempull ditën e enjte që Sara e kishte planifikuar për më vonë atë ditë. Meti tha: “Kur e pashë në fillim, mendova: ‘Kjo thjesht nuk do të funksionojë’”.

Por më pas, mendja e Metit u përqendrua në këtë mendim: “Shpëtimtari jeton. Nuk ka asnjë vend tjetër ku do të ishim si familje përveçse në shtëpinë e Tij të shenjtë.”

Pamja
Familja Xhonson

Meti, Medi, Rubi, Klera dhe Xhuni, mbërritën në tempull për takimin që Sara kishte planifikuar për ta. Me lotët që i rridhnin në faqe, Meti kreu pagëzime me bijat e tij. Ata e ndien thellë dashurinë e tyre dhe lidhjen e përjetshme me Sarën, dhe e ndien dashurinë e pamasë dhe paqen ngushëlluese të Shpëtimtarit. Meti shprehu me butësi: “Ndërkohë që ndiej hidhërim dhe pikëllim të thellë, po bërtas nga gëzimi, duke e ditur planin e mrekullueshëm të Atit tim për shpëtimin”.

Në këtë periudhë Pashke, unë dëshmoj për të vërtetën e plotë dhe absolute të flijimit të pakrahasueshëm shlyes të Shpëtimtarit dhe për Ringjalljen e Tij të lavdishme. Teksa mendja juaj mbetet vendosmërisht dhe përgjithmonë te mendimi për Jezu Krishtin dhe ndërsa vazhdoni ta fokusoni jetën tuaj më plotësisht te Shpëtimtari, ju premtoj se do ta ndieni shpresën e Tij, paqen e Tij dhe dashurinë e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Udh’hiqna, O i Madh Jehova”, Himne, nr. 40.

  2. Shih te Mosia 27:8.

  3. Shih tek Alma 36:10.

  4. Alma 36:17.

  5. Alma 36:12.

  6. Alma 36:17.

  7. Alma 36:18. Në rastin tjetër që fjala “përqendrohej” përdoret në Librin e Mormonit, flet për ata që u “kapën pas fundit të shufrës së hekurit” (1 Nefi 8:24, 30).

  8. Alma 36:19.

  9. Alma 36:21.

  10. “Beteja më e madhe e jetës luftohet brenda dhomave të heshtura të vetë shpirtit tuaj” (Dejvid O. Mek-Kei, në Conference Report, prill 1967, f. 84).

  11. “[Mendimet] janë promotori i të gjitha veprimeve. Mendimet tona janë kuadri i shpërndarjes, paneli i kontrollit që qeverisin veprimet tona” (Bojd K. Paker, That All May Be Edified [1982], f. 33).

    Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Ne mund t’i frenojmë dëshirat e liga dhe t’i zëvendësojmë me dëshira të drejta. Kjo përfshin edukim dhe praktikë. Presidenti Jozef F. Smith dha mësim se ‘edukimi … i dëshirave tona është një prej atyre gjërave me rëndësi shumë të madhe’” (Pure in Heart [1988], f. 149).

  12. “Praise to the Lord, the Almighty” [“Lavdi Zotit, të Plotfuqishmit”], Hymns, nr. 72.

  13. “Jezus, Vet’ Mendimi për Ty”, Himne, nr. 79.

  14. Veprat e Apostujve 17:29.

  15. Shih te Doktrina e Besëlidhje 58:42–43.

  16. Shih te Doktrina e Besëlidhje 14:7.

  17. “S’ka asnjë tjetër, përveç Perëndisë, që i di mendimet e tua dhe qëllimet e zemrës tënde” (Doktrina e Besëlidhje 6:16).

  18. “Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë … nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës (Lluka 6:45).

  19. Shih te Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 87–90.

  20. Besëlidhja jonë çdo javë në lutjen e sakramentit është që ne “gjithmonë ta kujtoj[m]ë atë” (Moroni 4:3; Doktrina e Besëlidhje 20:77). Libri i Mormonit na inkurajon duke e përdorur fjalën dy herë radhazi, njëra pas tjetrës: “kujtoni, kujtoni”/“mbani mend, mbani mend” (Mosia 2:41; Alma 37:13; Helamani 5:9). Të kujtuarit shpirtëror vjen nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë: “[Ai] do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:26).

  21. Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 90.

  22. Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 41. Presidenti Nelson tha gjithashtu: “Gëzimi që ndiej[n]ë [shenjtorët e ditëve të mëvonshme], ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë” (“Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82).