Konferenca e Përgjithshme
Të Mblidhen të Sigurt në Shtëpi
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


Të Mblidhen të Sigurt në Shtëpi

Ne jemi në një pozicion të pashoq për ta mbledhur Izraelin në të dyja anët e velit si kurrë më parë në planin e Atit.

Presidenti Rasëll M. Nelson, profeti ynë i dashur, e ka theksuar thellësisht se përgjegjësia jonë e pashoqe është që të ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.1 Ati i shpirtrave tanë dëshiron që fëmijët e Tij të mblidhen të sigurt në shtëpi.

Plani i Atit tonë Qiellor për mbledhjen e sigurt të fëmijëve të Tij në shtëpinë tonë qiellore nuk bazohet te suksesi sipas botës, gjendja ekonomike, arsimimi, raca apo gjinia. Plani i Atit bazohet te drejtësia, zbatimi i urdhërimeve të Tij, marrja e ordinancave të shenjta dhe nderimi i besëlidhjeve që bëjmë.2

Doktrina e frymëzuar në mënyrë hyjnore që ne të gjithë jemi vëllezër e motra dhe që “të gjithë janë njësoj para Perëndisë”, e nënvizon këtë punë të madhërishme të mbledhjes. Kjo doktrinë është në harmoni me ata që dëshirojnë thellësisht që njerëzit e gjendjeve të ndryshme ekonomike dhe racore të përjetojnë jetë më të mirë. Ne i përgëzojmë përpjekje të tilla dhe bashkohemi me to. Për më tepër, ne dëshirojmë që të gjithë fëmijët e Perëndisë të vijnë tek Ai dhe të marrin bekimet e përjetshme që Ai i ofron nëpërmjet ungjillit të Tij.3 Në parathënien e Zotit për librin Doktrina e Besëlidhje, Ai shpall: “Mbani vesh ju popuj të largët; dhe ju që jeni në ishujt e detit, dëgjoni së bashku”4.

Më pëlqen shumë që pikërisht vargu i parë i librit Doktrina e Besëlidhje përfshin njerëzit që janë në “ishujt e detit”. Unë kam pasur tri thirrje të veçanta për të shërbyer e jetuar në ishujt e detit. Fillimisht shërbeva si misionar në moshë të re në Ishujt Britanikë, së dyti si një Autoritet i Përgjithshëm i ri në ishujt e Filipineve dhe më pas si President Zone në ishujt e Paqësorit, zonë që përfshin shumë ishujt të Polinezisë.

Të tria këto zona kanë mbledhur me sukses besimtarë në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Misionarët fillimisht mbërritën në Ishujt Britanikë në vitin 1837. Kjo ishte një vit pas përkushtimit nga Jozef Smithi të Tempullit të Kirtlandit, ku Moisiu iu dha “çelësat e mbledhjes së Izraelit nga të katër cepat e tokës dhe të udhëheqjes së dhjetë fiseve nga toka e veriut”5. Suksesi i hershëm në Ishujt Britanikë është legjendar. Deri në vitin 1851, më shumë se gjysma e anëtarëve të Kishës ishin të kthyer në besim të pagëzuar, të cilët jetonin në Ishujt Britanikë.6

Në vitin 1961, Plaku Gordon B. Hinkli vizitoi dhe filloi përpjekjet misionare me kohë të plotë në ishujt e Filipineve. Në atë kohë kishte vetëm një mbajtës të Priftërisë Melkizedeke që ishte filipinas. Mahnitshëm, sot ka mbi 850 000 anëtarë të Kishës në ishujt e Filipineve. Kam admirim për filipinasit; ata kanë dashuri të thellë dhe të qëndrueshme për Shpëtimtarin.

Ndoshta më pak e njohur është përpjekja e vazhdueshme misionare në ishujt e Polinezisë. Ajo filloi në vitin 1844 kur Adison Prati mbërriti në atë që tani është Polinezia Franceze.7 Shumë polinezianë tashmë besonin në familjet e përjetshme dhe e pranuan Jezu Krishtin si Shpëtimtarin e tyre. Sot gati 25 përqind e polinezianëve, në ishujt e Polinezisë, janë anëtarë të Kishës.8

Dikur dëgjova të fliste një vajzë 17‑vjeçare në një ishull të largët të Tahitit, e cila ishte anëtare e brezit të shtatë. Ajo foli me nderim për paraardhësit e saj që ishin kthyer në besim në vitin 1845 në Tubuai, dy vjet përpara se anëtarët e hershëm të Kishës të arrinin në Luginën e Solt‑Lejkut.9

Doktrina jonë është e qartë se do të ketë një kohë dhe një stinë për të gjithë njerëzit që ta marrin mesazhin e ungjillit dhe të përgjigjen ndaj atij mesazhi. Këta shembuj janë thjesht një pjesë e një tabloje shumë më të madhe. Presidenti Nelson vazhdimisht ka theksuar se mbledhja e Izraelit është “sfid[a] …, kauz[a] … dhe pun[a] më [e] madhe në tokë sot”10.

Deri në Rivendosjen e Kishës së Jezu Krishtit, përfshirë daljen në dritë të Librit të Mormonit dhe zbulesën dhe çelësat e priftërisë të dhëna Profetit Jozef Smith, të kuptuarit për mbledhjen e Izraelit ishte i pjesshëm dhe i kufizuar.11

Emri dallues “Izrael” ishte titulli që iu dha Jakobit.12 Ai u përdor që të përfaqësonte pasardhësit e Abrahamit nëpërmjet Isakut e Jakobit. Premtimi dhe besëlidhja origjinale e Atit Abraham paracaktohet tek Abrahami 2:9–10, që pjesërisht thotë:

“Dhe unë do të bëj prej teje një komb të madhërishëm …

Dhe unë do t’i bekoj [gjithë kombet] nëpërmjet emrit tënd; sepse të gjithë ata që e marrin këtë Ungjill, do të quhen sipas emrit tënd e do të llogariten si fara jote dhe do të ngrihen e do të të bekojnë ty, si atin e tyre.”

Gjatë Këshillit në Qiell në ekzistencën para lindjes, plani i shpëtimit u diskutua dhe u mbështet. Ai përfshiu ligje dhe ordinanca të caktuara të priftërisë, të krijuara përpara themelimit të botës dhe të bazuara te mbledhja.13 Ai gjithashtu përfshiu parimin mbizotërues të lirisë së zgjedhjes.

Pas disa shekujsh si një popull i fuqishëm, përfshirë mbretërimet e Saulit, Davidit dhe Salomonit, Izraeli u nda. Fisi i Judës dhe një pjesë e fisit të Beniaminit u bënë mbretëria e Judës. Pjesa tjetër, e përcaktuar si dhjetë fiset, u bë mbretëria e Izraelit.14 Pas 200 vjetësh ekzistence të veçuar, shpërndarja e parë e Izraelit ndodhi në vitin 721 pr.K. kur dhjetë fiset e Izraelit u morën robër nga mbreti asirian.15 Më vonë ata shkuan në shtetet e veriut.16

Në vitin 600 pr.K. në fillim të Librit të Mormonit, Ati Lehi e udhëhoqi një koloni të izraelitëve drejt kontinentit amerikan. Lehi e kuptoi shpërndarjen e Izraelit pjesë e të cilit ishte ai. Ai citohet nga Nefi të thotë se shtëpia e Izraelit “duhet të krahasohe[t] me një pemë ulliri, degët e së cilës do të thyheshin dhe do të përhapeshin në të gjithë faqen e dheut”17.

Në të ashtuquajturën Botë të Re, historia e nefitëve dhe lamanitëve, siç paracaktohet në Librin e Mormonit, mbaron afërsisht në vitin 400 ps.K. Pasardhësit e Atit Lehi janë shpërndarë anembanë kontinentit amerikan.18

Kjo përshkruhet qartësisht nga Mormoni te 3 Nefi 5:20, që thotë: “Unë jam Mormoni dhe një pasardhës i drejtpërdrejtë i Lehit. Unë kam shkak të bekoj Perëndinë tim dhe Shpëtimtarin tim, Jezu Krishtin që i nxori etërit tanë nga toka e Jeruzalemit”19.

Qartazi, pika kulmore e historisë kronologjike të Izraelit është lindja, mesazhi, shërbesa dhe misioni i Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.20

Pas vdekjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit, që i dhanë formë përjetësisë, një shpërndarje e dytë e mirënjohur e Judës ndodhi midis viteve 70 ps.K. dhe 135 ps.K. kur, për shkak të shtypjes dhe përndjekjes romake, judenjtë u shpërndanë anembanë botës së njohur në atë kohë.

Presidenti Nelson ka dhënë mësim: “Libri i Mormonit doli në dritë si një shenjë që Zoti kishte filluar t’i mblidhte fëmijët e besëlidhjes”21. Prandaj, Libri i Mormonit, i përkthyer nga Profeti Jozef Smith nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, iu drejtohet pasardhësve të Lehit, Izraelit të shpërndarë dhe johebrenjve që janë birësuar në fiset e Izraelit. Kreu i kapitullit 1 Nefi 22 pjesërisht thotë: “Izraeli do të shpërndahet mbi gjithë faqen e dheut – Johebrenjtë do të kujdesen dhe do të ushqejnë Izraelin me ungjillin në ditët e fundit”. Faqja e titullit e Librit të Mormonit thotë se një nga qëllimet e librit është për “bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti”. Me Rivendosjen dhe Librin e Mormonit, koncepti i mbledhjes së Izraelit është zgjeruar së tepërmi.22

Ata që e pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit, pavarësisht nga prejardhja, bëhen pjesë e Izraelit të mbledhur.23 Me atë mbledhje dhe tempujt e shumtë, të ndërtuar dhe të njoftuar, ne jemi në një pozicion të pashoq për ta mbledhur Izraelin në të dyja anët e velit si kurrë më parë në planin e Atit.

Presidenti Spenser W. Kimball, duke folur rreth mbledhjes së mirëfilltë të Izraelit, shpalli: “Tani, mbledhja e Izraelit përbëhet nga bashkimi me kishën e vërtetë dhe nga ardhja … te një njohuri për Perëndinë e vërtetë. … Si rrjedhim, çdo njeri që e ka pranuar ungjillin e rivendosur dhe që tani kërkon ta adhurojë Zotin në gjuhën e vet dhe me shenjtorët në kombet ku ai jeton, ka vepruar në pajtim me ligjin e mbledhjes së Izraelit dhe është trashëgimtar i të gjitha bekimeve të premtuara shenjtorëve në këto ditë të fundit”24.

“Mbledhja e Izraelit tani përfshin kthimin në besim”25.

E parë në një këndvështrim më të qartë, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kanë privilegjin e madh që të duan, të përhapin, të ftojnë dhe të ndihmojnë për ta mbledhur Izraelin, që të marrë plotësinë e bekimeve të besëlidhjeve të Zotit. Kjo përfshin afrikanët dhe europianët, amerikanët e jugut dhe të veriut, aziatikët, australianët dhe të gjithë njerëzit në ishujt e detit. “Pasi në të vërtetë zëri i Zotit shkon te gjithë njerëzit”26. “Kjo mbledhje do të vazhdojë derisa të drejtët të mblidhen në bashkësitë e shenjtorëve në kombet e botës”27.

Askush nuk e ka trajtuar mbledhjen më drejtpërsëdrejti sesa Presidenti Rasëll M. Nelson: “Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet. Kaq e thjeshtë është”28.

Ku është Kisha sot? Në 62 vjetët që kur unë fillova të shërbeja në një mision në vitin 1960, numri i misionarëve kohëplotë që shërbejnë nëpërmjet një thirrjeje nga profeti, është rritur nga 7 683 në 62 544 vetë. Numri i misioneve është rritur nga 58 në 411. Numri i anëtarëve është shtuar nga përafërsisht 1 700 000 në përafërsisht 17 000 000.

Pandemia e COVID‑19 përkohësisht ndikoi mbi disa prej mundësive tona për ta shpërndarë ungjillin. Ajo gjithashtu siguroi përvojë nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së re, e cila do ta shtojë shumë mbledhjen. Ne jemi mirënjohës që anëtarët dhe misionarët tani po i zgjerojnë përpjekjet për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë. Rritja vazhdon kudo, veçanërisht në Amerikën e Jugut dhe në Afrikë. Ne gjithashtu e vlerësojmë që kaq shumë njerëz anembanë botës i janë përgjigjur ftesës së fuqishme të Presidentit Nelson për shërbim të shtuar misionar. Megjithëkëtë, zotimi ynë për të dhënë dashuri, treguar dhe ftuar mund të zgjerohet më shumë.

Një pjesë thelbësore e kësaj përpjekjeje misionare është që anëtarët individualë të bëhen shembuj të dritës së fanarit29 kudo ku ne jetojmë30. Ne s’mund të jemi të maskuar. Shembulli ynë si i Krishtit për mirësinë, drejtësinë, lumturinë dhe dashurinë e çiltër për të gjithë njerëzit mund të krijojë jo vetëm një dritë udhërrëfyese fanari për ta, por gjithashtu kuptueshmëri se ka një liman të sigurt në ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.

Ju lutem, kuptoni se ka bekime të mrekullueshme në shpërndarjen e ungjillit të Jezu Krishtit. Shkrimet e shenjta flasin për gëzim e paqe, falje të mëkateve, mbrojtje nga tundimet dhe fuqi mbështetëse nga Perëndia.31 Duke vështruar përtej kësaj jete në vdekshmëri, ne do të përgatitemi që ta shpërndajmë ungjillin tek ata “që janë në errësirë dhe nën robërinë e mëkatit në botën e madhe të shpirtrave të të vdekurve”32.

Lutja ime e veçantë sot është që çdo fëmijë, i ri, e re, familje, kuorum, Shoqatë Ndihme dhe klasë të rishikojë mënyrën se si ne individualisht dhe kolektivisht e pranojmë këshillën mbresëlënëse për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit që është dhënë nga Zoti dhe profeti ynë i dashur.

Ne e respektojmë lirinë e zgjedhjes. Në këtë botë laike, shumë njerëz nuk do të përgjigjen dhe nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Izraelit. Por shumë do të marrin pjesë dhe Zoti pret që ata që e kanë marrë ungjillin e Tij të përpiqen fort dhe me ngut që të jenë një shembull i dritës së fanarit që do t’i ndihmojë të tjerët të vijnë te Perëndia. Kjo gjë i lejon vëllezërit dhe motrat tona të dashura anekënd rruzullit tokësor që të gëzojnë bekimet dhe ordinancat e jashtëzakonshme të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit dhe që të mblidhen të sigurt në shtëpi.

Unë jap dëshminë time të sigurt dhe të padyshimtë për hyjninë e Jezu Krishtit dhe të planit të Atit tonë në Qiell për ne, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih te Rasëll M. Nelson, “Mesazhi i Mirëseardhjes”, Liahona, maj 2021, f. 7.

  2. Shih te Doktrina e Besëlidhje 20:37.

  3. Shih te 2 Nefi 26:33.

  4. Doktrina e Besëlidhje 1:1. Te Doktrina e Besëlidhje 1:4 Zoti vazhdon: “Dhe zëri i paralajmërimit do të shkojë te gjithë njerëzit prej gojës së dishepujve të mi, të cilët i kam zgjedhur në këto ditë të fundit”.

  5. Doktrina e Besëlidhje 110:11.

  6. Në vitin 1851 kishte gjithsej 52 165 anëtarë të Kishës. Sipas analeve të Kishës dhe “Religious Census of 1851” [“Regjistrimi Fetar i Popullsisë i Vitit 1851”] në Angli dhe Uells kishte mbi 28 000 anëtarë në ato vendndodhje (shih Robert L. Lively Jr., “Some Sociological Reflections on the Nineteenth-Century British Mission”, në Mormons in Early Victorian Britain, red. Richard L. Jensen dhe Malcolm R. Thorp [1989], f. 19–20).

  7. Shih te Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 (2018), f. 494–495, 514–515, 573.

  8. Tonga: 45 përqind; Samoa: 31 përqind; Samoa Amerikane: 22.5 përqind; dhe Polinezia Franceze: 7 përqind.

  9. Shih te Saints, f. 573–574.

  10. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org.

  11. Kjo doktrinë e pashoqe dhe e fuqishme përmbahet në Librin e Mormonit dhe në mënyrë të përmbledhur në nenin e dhjetë të besimit, i cili fillon me fjalët: “Ne besojmë në mbledhjen aktuale të Izraelit dhe në rivendosjen e Dhjetë Fiseve” (shih James E. Talmage, The Articles of Faith, bot. i 12-të. [1924], f. 314–344).

  12. Siç shënohet te Zanafilla 32:28, tek tregimi në shkrimet e shenjta lexohet: “Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Israel, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar”.

  13. Shih Joseph Smith, në “History, 1838–1856, volume D-1”, 1572, josephsmithpapers.org; shih edhe Joseph Smith, “Discourse, 11 June 1843–A, as Reported by Wilford Woodruff,” f. [42–43], josephsmithpapers.org; Joseph Smith, “Discourse, 11 June 1843–A, as Reported by Willard Richards”, f. [241], josephsmithpapers.org.

  14. Shih te Bible Dictionary, “Israel, Kingdom of”; James E. Talmage, The Articles of Faith, f. 315. Roboami dhe nënshtetasit e tij njiheshin si mbretëria e Judës dhe ndodheshin në pjesën jugore të Izraelit bashkëkohor.

  15. Shih te 2 Mbretërve 17:23.

  16. Shih te Doktrina e Besëlidhje 133:26; shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 110:11.

  17. 1 Nefi 10:12. Amoni më vonë tha: “I bekuar është emri i Perëndisë tim që është kujdesur për këtë popull që është një degë e pemës së Izraelit dhe që ka humbur nga trungu i tij në një vend të huaj” (Alma 26:36).

  18. Presidenti Spenser W. Kimball, duke folur për Izraelin lamanit, dha mësim se Sioni është në të gjithë kontinentin amerikan. Ai tha: “Ne jemi në Izrael dhe po mblidhemi” (The Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball [1982], f. 439).

  19. Kur Atit Lehi iu dha udhëzim për ta marrë familjen e vet dhe për të shkuar në vendin e shkretë, të paktën pjesë e arsyes ishte që Jerusalemi do të shkatërrohej (shih te 1 Nefi 2). Shkatërrimi i tempullit të Salomonit, rënia e Jerusalemit dhe robëria e fisit të Judës ndodhën rreth vitit 586 pr.K.

    “Izraeli u pushtua rreth vitit 720 pr.K. dhe 10 fiset e tij u dëbuan në mërgim. … [Në Jerusalem,] tempulli i Salomonit iu nënshtrua disa sulmeve nga fuqitë e huaja përpara se, më së fundi, në vitin 586 pr.K., të shkatërrohej plotësisht nga ushtria e Nebukadnetsarit, mbretit babilonas” (David B. Green, “The History of the Jewish Temple in Jerusalem”, Haaretz, 11 gusht 2014, haaretz.com/jewish/.premium-history-of-the-temple-in-jerusalem-1.5256337). Shih edhe te 2 Mbretërve 25:8–9.

  20. Shih tek Tad R. Callister, The Infinite Atonement (2000).

  21. Russell M. Nelson, “Children of the Covenant”, Ensign, maj 1995, f. 33; shih edhe “Besëlidhjet,” Liahona, nëntor 2011, f. 88.

  22. Shih te Russell M. Nelson, në R. Scott Lloyd, “Seminar for New Mission Presidents: ‘Swift Messengers’ to Scattered Israel”, Church News, 13 korrik 2013, thechurchnews.com. Presidenti Nelson ka thënë se mbledhja “nuk është një çështje e vendndodhjes fizike; është një çështje e zotimit individual. Njerëzit mund të ‘sillen në njohurinë e Zotit’ [3 Nefi 20:13] pa u larguar nga atdheu i tyre” (“Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Liahona, nëntor 2006, f. 81). Shih edhe te 3 Nefi 21:1–7.

  23. Doktrina jonë është e qartë; Zoti i shpërndau fiset e Izraelit për shkak të rebelimit dhe padrejtësisë së tyre. Megjithatë, Zoti gjithashtu e përdori këtë shpërndarje të popullit të tij të zgjedhur mes kombeve të botës për t’i bekuar ato kombe. (Shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Izrael – Shpërndarja e Izraelit”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.)

  24. Spencer W. Kimball, Teachings of Spencer W. Kimball, f. 439.

  25. Kreu përmbledhës te Spencer W. Kimball, Teachings of Spencer W. Kimball, f. 438. Shih edhe “All Are Alike unto God”, red. E. Dale LeBaron (1990), një koleksion i 23 historive të kthimit në besim nga shenjtorë të ditëve të mëvonshme zezakë nga Afrika. Motra Xhulia N. Mavimbela tha që përpara se të bashkohej me Kishën dhe të vinte te fjala Izrael, ajo do ta “hidhte librin tej dhe do thoshte: ‘Është për të bardhët. Nuk është për ne. Ne nuk jemi zgjedhur.’ Sot unë e di se i përkas një familjeje mbretërore, në qoftë se jetoj me drejtësi. Unë jam një izraelite dhe kur po bëja ordinancat e mia në tempull, u pushtova nga ndjenja se ne jemi të gjithë në tokë si një familje” (në “All Are Alike unto God”, f. 151).

  26. Doktrina e Besëlidhje 1:2.

  27. Spencer W. Kimball, Teachings of Spencer W. Kimball, f. 438.

  28. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”.

  29. Apostulli Pal i tha mikut të tij të ri në moshë, Timoteut, që të “bëh[ej] shembull për besimtarët” (1 Timoteut 4:12).

  30. Shih tek 3 Nefi 18:24.

  31. Shih te Mosia 18:8–13; 3 Nefi 18:25; Doktrina e Besëlidhje 18:10–16; 31:5; 62:3.

  32. Doktrina e Besëlidhje 138:57.