2010–2019
Gëzimi i Shenjtorëve
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Gëzimi i Shenjtorëve

Gëzimi vjen nga zbatimi i urdhërimeve të Krishtit, nga kapërcimi i hidhërimit e dobësisë nëpërmjet Tij dhe nga shërbimi sikurse shërbeu Ai.

Profeti i Librit të Mormonit, Enosi, nipi i Lehit, shkroi për një përvojë të jashtëzakonshme që i ndodhi më herët në jetën e tij. Ndërsa ishte duke gjuajtur i vetëm në pyll, Enosi filloi të përsiaste mësimet që i kishte dhënë i ati, Jakobi. Ai tregoi: “Fjalët që kisha dëgjuar shpesh atin tim të fliste në lidhje me jetën e përjetshme dhe me gëzimin e shenjtorëve, më hynë thellë në zemrën time”1. Me urinë shpirtërore të frymës të tij, Enosi u gjunjëzua në lutje, një lutje mbresëlënëse që zgjati gjatë gjithë ditës dhe deri natën, një lutje që i solli atij zbulesa, siguri dhe premtime vendimtare.

Ka shumë që mund të mësohet nga përvoja e Enosit, por sot, gjëja që më bie veçanërisht në sy, është kujtimi i Enosit për të atin duke folur shpesh për “gëzimin e shenjtorëve”.

Në këtë konferencë tre vjet më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson foli për gëzimin.2 Mes gjërave të tjera, ai tha:

“Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë.

Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim[in] … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij. … Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, Jezu Krishti është gëzim!”3

Shenjtorët janë ata që kanë hyrë në besëlidhjen e ungjillit nëpërmjet pagëzimit dhe po përpiqen fort që ta ndjekin Krishtin si dishepujt e Tij.4 Kështu, “gëzimi [i] shenjtorëve” vë në dukje gëzimin e bërjes si Krishti.

Do të më pëlqente të flisja për gëzimin që vjen nga zbatimi i urdhërimeve të Tij, gëzimin që ngrihet nga kapërcimi i hidhërimit dhe dobësisë nëpërmjet Tij, dhe gëzimit që është tipar i qenësishëm i shërbimit sikurse shërbeu Ai.

Gëzimi nga Zbatimi i Urdhërimeve të Krishtit

Ne jetojmë në një epokë hedonizmi [që karakterizohet nga ndjekja e gjërave që sjellin kënaqësi] kur shumë e vënë në pikëpyetje rëndësinë e urdhërimeve të Zotit ose thjesht i shpërfillin ato. Jo rrallë, njerëzit që nuk i përfillin porositë hyjnore, të tilla si ligjin e dëlirësisë, standardin e ndershmërisë dhe shenjtërinë e Shabatit, duket se janë të begatë dhe i kanë të gjitha gjërat e mira të jetës, me raste edhe më shumë sesa ata që po përpiqen fort të jenë të bindur. Disa fillojnë të pyetin veten a kanë ndonjë vlerë përpjekja dhe sakrificat. Populli i lashtë i Izraelit dikur u ankua:

“Është e kotë t’i shërbesh Perëndisë; ç’përfitim kemi nga respektimi i urdhërimeve të tij dhe nga vajtja para Zotit të ushtrive të veshur me rroba zie?

Dhe tani, ne i quajmë kryelartët të lumtur; po, ata që punojnë poshtërsi janë lartësuar; po, ata që tundojnë Perëndinë, janë të shpëtuar.”5

Vetëm prisni, tha Zoti, deri “atë ditë kur të mbledh xhevahiret e mia. … Atëherë ju … do të dalloni mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben.”6 Të ligjtë mund të kenë “gëzim në veprat e tyre për një stinë”, por ai është gjithmonë i përkohshëm.7 Gëzimi i shenjtorëve është jetëgjatë.

Perëndia i sheh gjërat në perspektivën e tyre të vërtetë dhe Ai na e jep atë perspektivë nëpërmjet urdhërimeve të Tij, duke na udhërrëfyer me efektshmëri që të anashkalojmë grackat e mbuluara dhe gropat e dukshme të vdekshmërisë drejt gëzimit të përjetshëm. Profeti Jozef Smith shpjegoi: “Kur urdhërimet e Tij na mësojnë, kjo është sipas këndvështrimit të përjetshëm; sepse Perëndia na sheh sikur të ishim në përjetësi; Perëndia jeton në përjetësi dhe nuk i sheh gjërat si i shohim ne”8.

Nuk kam takuar asnjeri që e gjeti ungjillin më vonë në jetë, që nuk dëshironte ta kishte gjetur më herët. “O, zgjedhjet jo të mira dhe gabimet që mund t’i kisha shmangur”, do të thonë ata. Urdhërimet e Zotit janë udhërrëfyesi ynë drejt zgjedhjeve më të mira dhe rezultateve më të lumtura. Sa duhet të gëzohemi dhe ta falënderojmë Atë ngaqë na e tregoi këtë udhë më të shkëlqyer!

Pamja
Motra Kamuania

Kur ishte adoleshente, Motra Kalombo Rozet Kamuania nga Republika Demokratike e Kongos, që tani po shërben në Misionin e Abixhanit Perëndimor në Bregun e Fildishtë, agjëroi dhe u lut për tri ditë për të gjetur drejtimin që Perëndia donte që ajo të merrte. Në një vegim të mrekullueshëm natën, asaj iu treguan dy godina, një godinë kishe dhe diçka që ajo tani e kupton se ishte një tempull. Filloi të kërkonte dhe shpejt e gjeti godinën që e kishte parë në ëndërr. Tabela thoshte: “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”. Motra Kamuania u pagëzua dhe më pas u pagëzuan nëna dhe gjashtë vëllezërit e saj. Motra Kamuania tha: “Kur e mora ungjillin, u ndjeva si një zog i robëruar që ishte çliruar. Zemra ime u mbush me gëzim. … Pata sigurinë që Perëndia më donte.”9

Zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë na aftëson më tërësisht e më lehtësisht që ta ndiejmë dashurinë e Tij. Shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar i urdhërimeve çon drejtpërsëdrejti te pema e jetës, dhe pema dhe fruta e saj, më e ëmbla dhe “më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat”10, janë një përfaqësim i dashurisë së Perëndisë dhe e mbushin shpirtin “me gëzim jashtëzakonisht të madh”11. Tha Shpëtimtari:

“Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.

Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.”12

Gëzimi nga Kapërcimi i Vështirësive nëpërmjet Krishtit

Edhe kur gjendemi besnikë në zbatimin e urdhërimeve, ka sprova dhe tragjedi që mund ta ndërpresin gëzimin tonë. Por, teksa përpiqemi fort që t’i kapërcejmë këto sfida me ndihmën e Shpëtimtarit, ruajmë si gëzimin që ndiejmë tani, ashtu edhe gëzimin që presim në të ardhmen. Krishti u dha siguri dishepujve të Tij: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”13. Është në kohën kur kthehemi tek Ai, i bindemi Atij, e lidhim vetveten me Të, që sprova dhe hidhërimi kthehen në gëzim. Po përmend një shembull.

Në vitin 1989, Xhek Rashtëni po shërbente si president i Kunjit Ërvajn të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara. Gjatë një kohe pushimesh me familjen në bregdetin e Kalifornisë, Xheku po bënte sërf kur një dallgë e përplasi mbi një shkëmb të zhytur në ujë, duke i thyer qafën dhe duke e dëmtuar rëndë shtyllën e tij kurrizore. Xheku më vonë tha: “Në çastin kur godita shkëmbin, e kuptova se u paralizova”14. Ai nuk mund të fliste më dhe as nuk mund të merrte më frymë vetë.15

Pamja
Familjarë dhe miq duke ndihmuar familjen Rashtën

Familja, miqtë dhe anëtarët e kunjit u grumbulluan përreth Vëllait Rashtën dhe bashkëshortes së tij, Xho Enës, dhe, mes gjërave të tjera, e rimodeluan një pjesë të shtëpisë së tyre që të përshtatej për karrigen me rrota të Xhekut. Xho Ena u bë kujdestarja kryesore e Xhekut për 23 vitet në vijim. Duke iu drejtuar tregimeve të Librit të Mormonit për mënyrën se si Zoti i vizitoi njerëzit e tij në pikëllimet e tyre dhe ua bëri të lehta barrët e tyre16, Xho Ena tha: “Shpesh mahnitem nga lehtësimi i zemrës që ndiej kur kujdesem për bashkëshortin tim”17.

Pamja
Xhek dhe Xho Ena Rashtën

Një ndryshim në sistemin e tij të frymëmarrjes i dha sërish Xhekut aftësinë për të folur dhe brenda vitit Xheku u thirr si mësues i Doktrinës së Ungjillit dhe patriark kunji. Kur ai do të jepte një bekim patriarkal, një mbajtës tjetër i priftërisë do ta vendoste dorën e Vëllait Rashtën mbi kokën e personit që po merrte bekimin dhe e mbante dorën dhe krahun e tij gjatë bekimit. Xheku ndërroi jetë ditën e Krishtlindjes në 2012‑n, pas 22 vjetësh shërbimi të përkushtuar.

Pamja
Xhek Rashtën

Një herë në një intervistë, Xheku vërejti: “Probleme do të vijnë në jetë për të gjithë ne; është thjesht pjesë e të qenit këtu në këtë tokë. Dhe disa njerëz mendojnë se feja ose pasja e besimit te Perëndia do t’ju mbrojnë nga gjërat e këqija. Nuk mendoj se ky është rasti. Mendoj se çështja është që, nëse besimi ynë është i fortë, kur ndodhin gjërat e këqija, të cilat do të ndodhin, ne do të jemi në gjendje t’i përballojmë ato. … Besimi im nuk u lëkund kurrë, por kjo s’do të thoshte që nuk kisha depresione. Mendoj se për herë të parë në jetën time, preka fundin dhe vërtet nuk kisha ku të drejtohesha, dhe kështu që u drejtova te Zoti dhe, deri më sot, ndiej gëzimin që vjen vetvetiu.”18

Kjo është një kohë sulmesh nganjëherë të pamëshirshme në mjetet shoqërore të komunikimit dhe ballë për ballë kundër atyre që përpiqen të mbrojnë standardin e Zotit për veshjen, argëtimin dhe pastërtinë seksuale. Është zakonisht rinia dhe të rinjtë në moshë madhore mes shenjtorëve, si edhe gratë dhe nënat, që e durojnë këtë kryq të talljes dhe përndjekjes. Nuk është e lehtë ta kapërcejmë një keqtrajtim të tillë, por sillini ndërmend fjalët e Pjetrit: “Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju; nga ana e tyre ai blasfemohet, kurse nga ana juaj ai përlëvdohet”19.

Në Kopshtin e Edenit, Adami dhe Eva ishin “në një gjendje pafajësie, pa patur gëzim, pasi ata nuk njihnin mjerim”20. Tani, si qenie të përgjegjshme, ne gjejmë gëzim në mposhtjen e mjerimit të çfarëdo lloji, qoftë ai mëkati, sprova, dobësia ose ndonjë pengesë tjetër për lumturinë. Ky është gëzimi i të ndjerit të përparimit në shtegun e dishepullimit; gëzimi “pasi k[emi] marrë një heqje të mëkateve … dhe pasi k[emi] paqe të ndërgjegjes”21; gëzimi kur e ndien shpirtin të zgjerohet dhe të rritet nëpërmjet hirit të Krishtit.22

Gëzimi nga Shërbimi si Shërben Krishti

Shpëtimtari gjen gëzim kur bën të ndodhë pavdekësia dhe jeta jonë e përjetshme.23 Duke folur për Shlyerjen e Shpëtimtarit, Presidenti Rasëll M. Nelson tha:

“Si në të gjitha gjërat, Jezu Krishti është shembulli ynë më i lartë, ‘i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin’ [Hebrenjve 12:2]. Merreni me mend! Në mënyrë që të duronte përvojën më torturuese të duruar ndonjëherë në tokë, Shpëtimtari ynë u përqendrua te gëzimi!

Dhe cili qe gëzimi që ishte përpara Tij? Me siguri ai përfshiu gëzimin e pastrimit, shërimit dhe forcimit tonë; gëzimin e pagimit për mëkatet e të gjithë atyre që do të pendoheshin; gëzimin e bërjes së mundshme për mua dhe ju që të kthehemi në shtëpi – të pastër dhe të denjë – për të jetuar me Prindërit tanë Qiellorë dhe me familjet tona.”24

Po ashtu, gëzimi “që është përpara nesh” është gëzimi kur e ndihmojmë Shpëtimtarin në punën e Tij të shëlbimit. Si fara dhe fëmijët e Abrahamit25, ne marrim pjesë në bekimin e të gjitha familjeve të tokës “me bekimet e Ungjillit, të cilat janë bekimet e shpëtimit, madje të jetës së përjetshme”26.

Fjalët e Almës më vijnë në mendje:

“Kjo është lavdia ime se ndoshta unë mund të jem një mjet në duart e Perëndisë, që të sjell ndonjë shpirt në pendim dhe ky është gëzimi im.

Dhe vini re, kur unë shoh shumë nga vëllezërit e mi me të vërtetë të penduar dhe duke ardhur te Zoti, Perëndia i tyre, atëherë është shpirti im i mbushur me gëzim. …

Por unë nuk gëzohem vetëm për suksesin tim, por gëzimi im është më i plotë, për shkak të suksesit të vëllezërve të mi që shkuan në tokën e Nefit. …

Tani, kur unë mendoj për suksesin e këtyre vëllezërve të mi, shpirti im rrëmbehet, madje aq shumë, sikurse të ishte i ndarë nga trupi, aq i madh është gëzimi im.”27

Frytet e shërbimit tonë ndaj njëri‑tjetrit në Kishë janë pjesë e gëzimit “që është përpara nesh”. Edhe në kohë shkurajimi ose stresi, ne mund të japim shërbesë me durim nëse përqendrohemi te gëzimi për ta kënaqur Perëndinë dhe për t’u sjellë dritë, ndihmë dhe gëzim fëmijëve të Tij, vëllezërve dhe motrave tona.

Kur ishin në Haiti muajin që shkoi për përkushtimin e Tempullit të Port‑o‑Prensit, Plaku Dejvid dhe Motra Suzan Bednar u takuan me një motër të re në moshë, bashkëshorti i së cilës kishte vdekur pak ditë më parë në një aksident tragjik. Ata vajtuan së bashku me të. Prapëseprapë, të dielën kjo motër e dashur ishte në vendin e saj si shoqëruese në shërbimet përkushtuese me një buzëqeshje të ëmbël, mikpritëse për të gjithë ata që hynë në tempull.

Unë besoj se “gëzimi [i] shenjtorëve” vjen kur e dinë se Shpëtimtari e mbron çështjen e tyre28 “dhe askush nuk mund ta kuptojë gëzimin që [do të] mbushë shpirtrat tanë kur e dëgj[ojmë Jezusin] t’i lute[t] Atit për ne”29. Me Presidentin Rasëll M. Nelson, unë dëshmoj se gëzimi është një dhuratë për shenjtorët besnikë “që [i] kanë duruar kryqet e botës”30 dhe që po përpiqen “qëllimshëm për të jetuar një jetë të drejtë, siç na u mësua nga Jezu Krishti”31. Qoftë i plotë gëzimi juaj, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.