Kapitulli 3
Abrahami mëson për diellin, hënën dhe yjet nëpërmjet Urimit dhe Thumimit—Zoti i zbulon atij natyrën e përjetshme të shpirtrave—Ai mëson për jetën paratokësore, parashugurimin, Krijimin, zgjedhjen e një Shëlbuesi dhe gjendjen e dytë të njeriut.
1 Dhe unë, Abrahami, pata Urimin dhe Thumimin, të cilat Zoti, Perëndia im, m’i kishte dhënë në Ur të Kaldeasve;
2 Dhe unë pashë yjet që ishin shumë të mëdhenj dhe se një prej tyre ishte më i afërti me fronin e Perëndisë; dhe kishte shumë yje të mëdhenj që ishin pranë tij;
3 Dhe Zoti më tha: Këta janë yjet qeverisës; dhe emri i të madhit është Kolob, ngaqë është pranë meje, sepse unë jam Zoti, Perëndia yt: Unë e kam vënë këtë për të qeverisur të gjithë ata që i përkasin të njëjtit rend, sikurse ai në të cilin ti qëndron.
4 Dhe Zoti më tha, me anë të Urimit dhe Thumimit, se Kolobi ishte sipas mënyrës së Zotit, në përputhje me kohët dhe stinët e tij në rrotullimet e tij; që një rrotullim ishte një ditë për Zotin, sipas mënyrës së llogaritjes së tij, ajo duke qenë një mijë vjet sipas kohës së caktuar në atë ku ti qëndron. Kjo është llogaritja e kohës së Zotit, në përputhje me llogaritjen e Kolobit.
5 Dhe Zoti më tha: Planeti që është drita më e vogël, më e vogël sesa ajo që do të sundojë ditën, madje i cili do të sundojë natën, është mbi atë ose më i madh se ai mbi të cilin ti qëndron, përsa i përket llogaritjes së kohës, sepse ai lëviz në një rend më të ngadaltë; kjo është siç duhet, sepse ai qëndron mbi tokën në të cilën ti qëndron, si rrjedhim llogaritja e kohës së tij nuk është aq shumë sa numri i ditëve dhe i muajve, dhe i viteve të saj.
6 Dhe Zoti më tha: Tani, Abraham, këto dy fakte ekzistojnë, vër re, sytë e tu e shohin atë; ty të është dhënë të dish kohët e llogaritjes dhe kohën e caktuar, po, kohën e caktuar të tokës mbi të cilën qëndron dhe kohën e caktuar të dritës më të madhe, që caktohet për të sunduar ditën, dhe kohën e caktuar të dritës më të vogël, që caktohet për të sunduar natën.
7 Tani koha e caktuar e dritës më të vogël është një kohë më e gjatë, përsa i përket llogaritjes së saj, sesa llogaritja e kohës së tokës mbi të cilën ti qëndron.
8 Dhe aty ku këto dy fakte ekzistojnë, do të ketë një fakt tjetër mbi ta, që është, do të ketë një planet tjetër llogaritja e kohës së të cilit do të jetë akoma më e gjatë;
9 Dhe kështu do të jetë llogaritja e kohës së një planeti mbi tjetrin, derisa të mund t’i afrohesh Kolobit, Kolob i cili është sipas llogaritjes së kohës së Zotit; Kolob i cili vendoset pranë fronit të Perëndisë për të qeverisur të gjithë ata planetë që i përkasin të njëjtit rend, sikurse ai në të cilin ti qëndron.
10 Dhe të është dhënë ty të dish kohën e caktuar për gjithë yjet që caktohen të japin dritë, derisa të vish pranë fronit të Perëndisë.
11 Kështu unë, Abrahami, fola me Zotin, ballë për ballë, sikurse një njeri flet me një tjetër; dhe ai më tregoi për veprat që duart e tij i kishin bërë;
12 Dhe ai më tha: Biri im, biri im (dhe dora e tij u shtri), vër re, unë do të t’i tregoj të gjitha këto. Dhe ai e vuri dorën e tij mbi sytë e mi dhe unë i pashë ato gjëra që duart e tij i kishin bërë, të cilat ishin shumë; dhe ato u shumëzuan përpara syve të mi dhe unë nuk mund ta shihja fundin e tyre.
13 Dhe ai më tha: Ky është Shinehahu, që është dielli. Dhe ai më tha: Kokobi, që është yll. Dhe ai më tha: Olea, që është hëna. Dhe ai më tha: Kokaubeami, që personifikon yjet ose gjithë dritat e mëdha, të cilat ishin në kupën e qiellit.
14 Dhe ishte në kohën e natës kur Zoti m’i tha këto fjalë: Unë do të të shumëzoj ty dhe farën tënde pas teje, sikurse këta; dhe në qoftë se ti mund ta llogaritësh numrin e kokrrizave të rërës, kështu do të jetë numri i farëve të tua.
15 Dhe Zoti më tha: Abraham, unë t’i tregoj këto gjëra përpara se të shkoni në Egjipt, që ju të mund t’i shpallni gjithë këto fjalë.
16 Në qoftë se dy gjëra ekzistojnë dhe njëra do të jetë mbi tjetrën, do të ketë gjëra më të mëdha mbi to; prandaj Kolobi është më i madhi i të gjithë Kokaubeamëve që ti ke parë, sepse është më i afërti me mua.
17 Tani, në qoftë se ka dy gjëra, njëra mbi tjetrën, dhe hëna është mbi tokën, atëherë mund të jetë që një planet ose një yll mund të ekzistojë mbi të; dhe nuk ka asgjë që Zoti, Perëndia yt, do ta marrë për zemër për ta bërë, të cilën ai nuk do ta bëjë.
18 Sidoqoftë, ai bëri yllin më të madh; në të njëjtën mënyrë, gjithashtu, nëse ka dy shpirtra dhe një prej tyre është më inteligjent se tjetri, përsëri këto dy shpirtra, pavarësisht se njëri është më inteligjent se tjetri, nuk kanë fillim; ata ekzistuan përpara, ata nuk do të kenë mbarim, ata do të ekzistojnë më pas, sepse janë gnolaum, ose të përjetshëm.
19 Dhe Zoti më tha: Këto dy fakte ekzistojnë, se ka dy shpirtra, njëri duke qenë më inteligjent se tjetri; do të ketë një tjetër më inteligjent sesa ata; unë jam Zoti, Perëndia yt, unë jam më inteligjent sesa të gjithë ata.
20 Zoti, Perëndia yt, dërgoi engjëllin e tij për të të çliruar nga duart e priftit të Elkenahut.
21 Unë banoj në mes të gjithë atyre; unë tani, si rrjedhim, kam ardhur tek ti për të të shpallur veprat që duart e mia kanë bërë, gjë që urtësia ime i kapërcen të gjithë ata, sepse unë sundoj në qiejt lart dhe në tokën poshtë, plot urtësi dhe maturi, mbi të gjithë inteligjencat që sytë e tu kanë parë që nga fillimi; unë erdha në fillim në mes të të gjithë inteligjencave që ti ke parë.
22 Tani Zoti më kishte treguar mua, Abrahamit, inteligjencat që u organizuan përpara se bota të ishte; dhe mes gjithë këtyre kishte shumë fisnikë dhe të mëdhenj;
23 Dhe Perëndia pa se këta shpirtra ishin të mirë dhe qëndroi mes tyre dhe ai tha: Këta unë do t’i bëj sunduesit e mi; sepse ai qëndroi mes atyre që ishin shpirtra dhe pa se ata ishin të mirë; dhe ai më tha: Abraham, ti je një prej tyre; ti u zgjodhe përpara se të lindeshe.
24 Dhe atje qëndroi një mes tyre, që ishte sikurse Perëndia, dhe ai u tha atyre që ishin me të: Ne do të zbresim, sepse ka hapësirë atje, dhe do të marrim prej këtyre materialeve ne do të bëjmë një tokë në të cilën këta të mund të banojnë;
25 Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë;
26 Dhe ata që e ruajnë gjendjen e parë, atyre do t’u shtohet; dhe ata që nuk e ruajnë gjendjen e parë, nuk do të kenë lavdi në të njëjtën mbretëri me ata që e ruajnë gjendjen e tyre të parë; dhe ata që e ruajnë gjendjen e tyre të dytë, do të kenë lavdi të shtuar mbi kokat e tyre përherë e përgjithmonë.
27 Dhe Zoti tha: Kë të dërgoj? Dhe njëri u përgjigj sikurse Biri i Njeriut: Ja ku jam, dërgomë mua. Dhe tjetri u përgjigj e tha: Ja ku jam, dërgomë mua. Dhe Zoti tha: Do të dërgoj të parin.
28 Dhe i dyti u egërsua dhe nuk e ruajti gjendjen e tij të parë; dhe, në atë ditë, shumë e ndoqën atë.